Dera e zyrës 16 hapet dhe një zonjë del e thërret emrin tim. Nisem drejt saj dhe ajo më pret me një buzëqeshje të ngrohtë. Domosdo. Jemi bashkëatdhetarë. Më pas, më dorëzon dekretin e natyralizimit. 

Është hera e fundit që vij. Normalisht duhet të jetë hera e fundit. Ç'do kërkoj më tek drejtoria e të huajve pasi të kem marrë nënshtetësinë franceze? I shikoj të gjithë dhe më vjen keq. Nuk e di në më vjen keq më shumë për ata apo për atë që kam përjetuar vetë. Mbase për ata se unë ia hodha. U bëra francez. Ata janë pesë qind, ndoshta një mijë. Janë të lodhur. Edhe kur nuk janë duken të tillë. E si mund të jetë ndryshe kur çohesh që me natë për të zënë radhën? Duhet të jesh sa më afër portës hyrëse për të mbaruar punë shpejt ose më shkurt për të mbaruar punë. Në qoftë se jeni në gjysmën e dytë të radhës i bie mos të mbaroni punë as pasdite. Nejse, mund të mbaroni punë nëse bëni pjesë ndër ata që çalltisin përpara dhe gjejnë ndonjë vrimë për tu futur jashtë radhe.

Por duhet të bëni kujdes. Mos u fusni asnjëherë në fillim të radhës. Aty janë ata që kanë ardhur qysh në orën dy tre të mëngjesit ose ata që kanë paguar vendin. Nuk luhet me gjumin dhe me paranë. Pse çuditeni kur bëhet fjalë për paranë? Vend kapitalist është ky. Aty puqen kërkesa me ofertën. Kërkesa e atyre që përtojnë të kalojnë natën në dyert e drejtorisë së të huajve: Më mirë paguajnë disa euro dhe nuk shkëputen nga ngrohtësia e gruas, e dashnores ose e dyshekut! Dhe oferta e atyre që janë pa punë dhe që kanë gjetur një treg të ri pune: Më mirë rri kalo natën përpara dyerve të zyrave sesa të bësh hajdutin, narkotrafikantin ose kodoshin!

Duhet të futeni pra diçka më mbrapa po kujdes edhe këtu. Duhet të zgjidhni mirë para kujt të futeni. Në përgjithësi vetëm ata pas jush reagojnë. Ata që janë para jush edhe pse e marrin vesh që keni hyrë pa radhë kanë një lloj kënaqësie që mezi e mbajnë përbrenda. Ju nuk keni guxuar të kaloni përpara tyre dhe kjo mjafton për ti bërë aleatë në thyerjen e rregullit të mbajtjes së radhës. Në përgjithësi duhet të evitoni zezakët dhe arabët. Janë zevzekë dhe reagojnë shpejt. Prapë se prapë, kur e marrin vesh që je shqiptar qetësohen pak. Këtë e kemi dhuratë nga vëllezërit tanë të cilët për mirë a për keq, në këtë rast për mirë sidoqoftë, kanë bërë të jemi popull i respektuar. Por nuk duhet të shkoj puna deri aty sepse mund të jeni viktimë e efektit turmë e lodhur. Në fakt, të gjithë shohin se ka njerëz që hyjnë pa radhë por nuk reagojnë. Vetëm ai që është direkt pas jashtëradhëhyrësit e bën. Mirëpo, zhurma e krijuar nga hyrja pa radhë mund të sjelli shkarkimin e zemërimit të turmës mbi ju. Kështu, ju nuk mund as të tentoni të hyni diku tjetër sepse jeni bërë tashmë persona non grata për të hyrë jashtë radhe.

Duhet të evitoni edhe europianolindorët. Numri i tyre ka ardhur duke u ulur nga viti në vit. Me kalimin e viteve polakët, çekët, sllovakët, rumunët ose bullgarët nuk kanë më lidhje me drejtorinë e të huajve. Ata janë europianë që kanë hyrë në Europë. Shikon tek-tuk ndonjë rus ose ukrahinas. Këta janë europianë që kanë ngelur  jashtë Europe. Si ne. Se mos i thuaj ndonjë qyqari nga Afrika e zezë që Shqipëria është në perëndim të Greqisë, të Bullgarisë dhe të Rumanisë. Ia bëre kokën lëmsh. Në grumbullime të tilla të huajsh, europianolindorët janë në përgjithësi njerëzit më të rregullt. Kjo rregullsi nuk vjen natyrshëm por me qënë se këtë status ua njohin përgjithësisht të huajt e tjerë, ata janë të detyruar të jenë të tillë. Dhe duke qënë se europianolindorët konsiderohen të rregullt kjo i bën ata të zellshëm në zbatimin e rregullave. Ata do ta kundërshtojnë hyrjen tuaj jashtë radhe edhe pse jo me zë të lartë. Çuditërisht të huajve të tjerë, kinezë, arabë apo zezakë qofshin, padrejtësia që u bëhet europianolindorëve u duket më e papranueshme se padrejtësia që u bëhet atyre vetë. Çështje inferioriteti do të thoni ju? Jo, është çështje arsyetimi xhunglor. Përderisa këta nuk duan njerëzit e tyre si do të na duan ne, thotë jo europiani.

Për të mos qenë persona non grata ju u duhet të gjeni ndonjë grup kinezësh ose srilankezësh. Srilankezët janë në shumicën e tyre tamilë. Popull i vuajtur por krenar. A keni dëgjuar për tigrat tamilë? Deri para pak kohe ishin krenaria e tyre. E dinin që dergjeshin në kurbet por ndihma që jepnin për tigrat u jepte kënaqësi të madhe. Dinjiteti i atyre që luftojnë për mbijetesë është për tu pasur zili. Mirëpo, tani që tigrat u mundën nuk e dinë më për se punojnë, nuk e dinë as pse vijnë kërkojnë dokumente qëndrimi. Njerëzit e tyre ne Sri Lanka vuajnë gjendjen e paqes. Këta që janë këtu u është bërë jeta e trishtë pas mbarimit të luftës atje. E kuptuat që kam simpati për tamilët, kështu që nuk futem kurrë para tyre. Si mund ta poshtërosh tigrin e dorëzuar?

Më ngelen vetëm kinezët. Popull punëtor por edhe i frikshëm, pikërisht ngaqë është punëtor. Kinezët udhëtojnë kryesisht me vetura të shtrenjta mbi tokë ose me metro nën tokë. Ata mbi tokë drejtojnë punët e atyre nën tokë. Ata nën tokë punojnë për ata mbi tokë, shpeshherë për vite me radhë pasi kanë për të shlyer borxhet e rrugëtimit për në Europë. Si kujtoni ju se erdhën këtu ata pa ndihmën e atyre mbi tokë? Dhe ndihma paguhet. Shtrenjtë. Shumë shtrenjtë. I marrin kohë gjumit për të shlyer borxhet. Nuk i keni parë se si flenë të gjithë kur udhëtojnë me metro? Stalingrad! Dreq! Kam për të zbritur këtu. Edhe i vdekur nuk i la njerëzit rehat ky? Kur futeni para kinezit në radhë ju e dini që ai duron. Nuk ka bërë mijëra kilometra udhë për t’u zënë me ju për punë radhe. Jo se është i kënaqur. Përkundrazi. Por nuk mund ta uli veten në atë shkallë sa të ngrejë zërin dhe të bërtasi. Pastaj është edhe kjo dreq gjuhe. Gjuhët indo-europiane janë gjuhë barbare. Duket sikur njerëzit bëjnë zhurmë dhe s’thonë asgjë. Gjuhë që nuk mund të shprehin nuancat e ndryshme të arsyetimit kinez. Këto gjuhë janë të varfra. Mirë ose keq. Bardh ose zi. Sado që njerëzit flasin shumë ata nuk thonë asgjë. Dhe pretendojnë se kuptojnë Sun Cunë dhe Mao Ce Dunë. Me këto palo mend! Papritmas ti shikon se kur arsyetimi kinez ka marrë fund ti ke zënë vend në radhë dhe je ndër mbrojtësit më të fortë të mos prishjes së saj nga jashtëradhëhyrësit.

Po afron ora nëntë. Radha sa vjen e shtrëngohet saqë askush nuk mund të futet pa radhë. Në këtë moment edhe kinezit mund ti kërcejnë nervat përpjetë. Përpjekjet e atyre që kanë ardhur në momentin e fundit për tu futur jashtë radhe janë të kota. Dëshpërimi i disave që kanë ardhur vonë dhe duan të mbarojnë punë sot ndeshet me zemërimin tashmë të papërmabjtshëm të turmës së lodhur. Një zezak ngul këmbë të futet në rreshtat e parë të radhës por të gjithë të tjerët i kundërvihen. Ai mbase kishte menduar se po t’i kundërvihej turma ai thjesht do ishte sprapsur. Të paktën ta provonte. Por kundërvënia e të tjerëve ishte kaq e vrullshme sa ai nuk mund të kthehej më mbrapa. Në pamundësi për t’ju kthyer turmës ai i kthehet një zezaku tjetër që është brenda turmës. Me mendjen e tj duhet të thotë: Mirë këta të tjerët por edhe ti po më kundërvihesh! Në fakt, kjo është edhe një teknikë përballjeje me turmën. Turmës nuk mund ti kundërvihesh kurrë. Njerëzve që e përbëjnë atë po. Turma është e pakontrollueshme dhe e pandalshme drejt qëllimit në identifikim e sipër. Ndërsa njerëzit janë të kontrollueshëm. Arsyeja i bën të ndrydhur dhe frikacakë. Aty pra zezaku radhëprishës kapet me zezakun në radhë. Në fillim me fjalë, pastaj me fjalë të pista për të përfunduar në një përballje me grushta. Kur përballja kaloi në fjalët e pista zezaku në radhë shfaqi një shenjë dyshimi në vetvete: Ç’desha që ju futa kësaj pune? Por gjërat kishin shkuar shumë larg. Zezaku radhëprishës kontrollonte tashmë rrjedhën e përballjes. Ai duhej të vinte në vend fyerjen që i shkaktoi reagimi i turmës. Ai ishte më shtatshkurtër por më i vendosur. Tjetri ishte më shtatlart por dukshëm më i pavendosur. Mirëpo, i pari e sfidoi të dytin: Dil këtu dhe t’i zgjidhim gjërat si burrat! Shpirti kalorësiak i të dytit nuk mund ta kundërshtonte sfidën e të parit. Në atë moment ne ishim të gjithë dëshmitarë të një tradegjie afrikane. Të dy të gjakosur por asnjë i rrëzuar përdhe. Të dy me një pamje fisnikësh të Saharasë së poshtme. U ndanë më shumë sesa i ndanë dhe të dukej sikur e shikonin njëri-tjetrin me admirim thuaj se do të bëheshin shokë për jetë të jetëve. 

Policët francezë duken disi në distancë nga turma e stërngjeshur tashmë në radhë. Kur e shohin që gjakrat janë qetësuar vetvetiu nuk ndërhyjnë fare. Mbase e kuptojnë që të huajt nuk kanë nevojë për ta për të zgjidhur problemet midis tyre. Polici francez është një qënie e qetë dhe e vendosur. Në qoftë se ka njerëz që qëndrojnë matanë vijës së verdhë që pothuaj është fshirë por që të gjithë e dinë se ku është, drejtoria e të huajve nuk mund të filloj punën. Ai i fton njerëzit të sprapsen disa metra deri tek vija e verdhë imagjinare por asnjeri nuk sprapset. Duket sikur njerëzit nuk e besojnë vërtetë në atë që thotë. Pastaj sprapsja disametërshe kërkon zhvendosjen e të gjithë turmës en bloc. Të parët në radhë nuk mund të zhvendosen pa rrezikuar vendin e tyre në radhë. Polici francez i fton përsëri njerëzit të sprapsen me një qetësi të tillë sikur nuk po e përsëriste kërkesën e tij. Këtu njerëzit fillojnë ta besojnë që ai e ka me të vërtetë por prapë ruajnë një shpresë se ai do të lodhet duke përsëritur këtë kërkesë të panevojshme pse jo edhe idiote. Kur polici përsërit kërkesën e tij për të tretën herë me të njëjtën qetësi si edhe më parë turma fillon të lëvizi por me shpejtësi breshke sidoqoftë në mënyrë që të gjithë të ruajnë pozicionin e tyre.

Ndërkohë dy punonjëse të drejtorisë së të huajve afrohen tek dy policët. Fytyra e tyre e vëngër bie në kontrast të madh me qetësinë e policëve. Shikimet e të huajve drejtohen drejt dy zonjave që të japin përshtypjen se kanë në dorë fatin e të gjithë njerëzve në radhë. Sa më shumë rriten shikimet dashamirëse të të huajve ndaj tyre aq më shumë errësohet shikimi i tyre. Ato kanë dalë jashtë dyerve të institucionit për të bërë një përzgjedhje paraprake të personave që do të pranohen brenda. Shumë njerëz ngatërrojnë ne fakt hyrjen 1 me hyrjen 2: Si nuk e kanë kuptuar xhanëm që këtu vijnë personat që kanë takim? Sa më shumë të huaj gjejnë që kanë ngatërruar hyrjen 1 me hyrjen 2 aq më të egra bëhen në fytyrë. Po të kisha qëndruar edhe disa minuta për të ndjekur punën e tyre nuk do te çuditesha në qoftë se do fillonin të ulërisnin me të madhe: Po si nuk u bëtë njëherë njerëz xhanëm? Kaq e vështirë është të jesh njeri? Ndërkohë njëra nga këto më afrohet gjithë inat. Kisha në dorë një letër që ishte e ndryshme nga ato të takimeve normale. I them se kam ardhur për të tërhequr dekretin e natyralizimit. Këtu filloj të jem pak konfuz dhe mendoj: Mos po marr dekretin për tu bërë pjesë e natyrës pra xhunglës (zonja franceze që kisha përballë ma përforconte këtë ide)? Ndërkohë ajo më buzëqesh ëmbëlsisht dhe më thotë që nuk kam nevojë të mbaj radhë për këtë gjë. Personat që kanë për të tërhequr dekretin e natyralizimit mund të shkojnë drejt dhe tek zyrat përkatëse pa qenë nevoja të mbajnë radhën. O Zot sa e bukur ishte kur buzëqeshte! Në fakt, femrave duhet tu ndalohet të rrinë buzëvarur. Nuk u shkon fare.  

Dal nga radha dhe drejtohem për nga hyrja. Të tjerët më shohin me dashamirësi: Një i huaj më pak! Një vend i lirë në radhë! Ndërsa kinezi duket sikur më shikon me qortim: E shikon që u fute kot jashtë radhe? Shkoj para zyrës numër 16. Ora është 9 e 15 dhe e kam takimin pas gjysëm ore. Jemi afro gjashtë veta që presim jashtë. Në krahun tim është një algjerian. Fillojmë të bisedojmë për të shtyrë kohën. Je arab apo kabil i them. Pyetja jote nuk është e saktë më thotë. Në Algjeri nuk ka arabë. Shumica e banorëve aty është e arabizuar. Nga ana tjetër, është e vërtetë që aty ka kabilë dhe ata përbëjnë pjesën dërrmuese të banorëve me origjinë berbere. Por berberë janë edhe tuaregët për shembull. Për tu përgjigjur po i bie shkurt dhe po them se jam arab. E quajmë veten arabë sepse jemi myslimanë dhe nuk flasim më gjuhët berbere që i kemi folur dikur. Kjo marrëdhënie me islamin që na ka lartësuar shumë dikur tani na është bërë si një barrë. Fetë si islami janë gjithëpushtuese. Pushtojnë territore dhe mendje vazhdimisht. Dhe këtë e bëjnë kryesisht duke futur risi në çdo fushë të jetës në mënyrë të vazhdueshme. Në art, në shkencë, gjithkund. Mirëpo, siç thotë anekdota arabe sapo zbuluam zeron kemi rënë brenda dhe nuk dalim dot më. Islami që merret me riprodhimin e të shkuarës nuk e ka bukurinë e islamit inovativ të dikurshëm. Por ne e kemi lidhur veten aq ngushtë me islamin saqë nuk mund të shkëputemi nga fati i tij. Islami është keqkuptuar dhe ne vazhdojmë të kemi një lexim ortodoks të fesë që nuk na çon asgjëkundi. Islami i sotëm s’po na mban as me bukë as me shpresë. Prandaj jemi të detyruar të vijmë të trokasim te dyert e frëngut. Duke vazhduar bisedëm më thotë: A e di pse një vend si Franca natyralizon mbi një qind mijë të huaj çdo vit? Autoritetet franceze e dinë që kjo nuk u sjell veç të mira por prapë vazhdojnë me këtë ritëm natyralizimesh. Një sistem politiko-ekonomik i bazuar në rritjen ekonomike ka nevojë për rritje demografike të vazhdueshme. Dhe të gjitha mënyrat janë të mira për të pasur rritje demografike. Ata shpresojnë se problemet që u vijnë me brezin e parë të të huajve do të zbuten me brezin e dytë dhe do të eliminohen me brezin e tretë. Dhe nuk e kanë keq. Mos kujto se nipërit dhe mbesat tona do ta kenë mendjen në Algjeri ose në Shqipëri siç e kemi ne tani. Dhe përfundon, ti duhet ti bësh pyetje vetes tënde se ç’të shtyn të kërkosh nënshtetësinë franceze mbase edhe ç’pasoja do të ketë vendi yt i origjinës por është më mirë mos të kërkosh përgjigje. Këto pyetje janë burim trishtimi.   

Dera e zyrës 16 hapet dhe një zonjë del e thërret emrin tim. Nisem drejt saj dhe ajo më pret me një buzëqeshje të ngrohtë. Domosdo. Jemi bashkëatdhetarë. Më pas, më dorëzon dekretin e natyralizimit. Bashkë me të, një letër mirëseardhjeje nga Presidenti i Republikës, Kushtetuta e Republikës së Pestë dhe Deklarata e të Drejtave të Njeriut. Sapo dal nga zyra e saj më kap një ndjenjë e përzier gëzimi e trishtimi. Në darkë më merr në telefon një shoku im nga Hamburgu. Pasi më përgëzon për nënshtetësinë franceze më thotë se edhe ai do të marri nënshtetësinë gjermane por i duhet paraprakisht të lejë atë shqiptare. Paska më keq se unë.
 

15 Komente

 yyy sa i gjate Naimo.

Urime Naim. Kam shprese se do jesh nje francez me i mire se norma, per shkak se ke qene "i huaj".

Se morr vesh. A duhet me uru Naimin (qe ka postu artikllin) apo GK (qe mu mduket i zoti punes). Gjithsesi, sna the si e fitove te drejten e qendrimit? Si shqiptar Kosove? Nejse. Urime 

Ketej nga jam une refugjatet ne tetilla raste uronin, - ta gezosh pasoshin me gjith familje, dhe presin te shtrosh ndonje darke!!!!!

@Patriot

Nuk diskutohet qe si kosovar, dhe emri ka shume gjasa te jete Gani Krasniqi.

Të dashur shqiptarë-  gjithmonë kur harroni apo doni të harroni se jeni shqiptarë kujtoni HEBRENJTË apo ÇIFUTËT- si kemi dëshirin disa nga ne ti quajmë- po- gjithmonë kujtoni ata kur doni të harroni se jeni shqiptarë. Hebrenjtë për më shumë se dy mijë vjet morëm nënshtetësi të qindra shteteve, mbretërive, principatave dhe peranadorive, por kurrë- KURRË nuk harruan Izraelin dhe Jerusalemin. Prandaj- shqiptarë të dashur pasaportat janë dokumente letre- zemra është me rëndësi të mbetet shqiptare dhe gjuha tu mësohet fëmijëve, fëmijëve të fëmijëve, fëmijeve të femijëve të fëmijëve... KURRË MOS HARRONI ZEMREN DHE NËNEN SHQIPËRI!

 Eh, mor Burim, sa optimist qe je! Do ishte shume mire te behej keshtu si thua ti, po ke plot shqiptare qe kane emigruar nga Shqiperia ne moshe madhore dhe kur behen me femije megjithese vete mezi flasin gjuhen e vendit ku jane, femijeve ju flasin ne ate gjuhe me justifikimin se 'i ngaterron' shqipja. Kjo edhe pse ketu ne Kanada per shembull, inkurajohen nga shkolla/kopshti/cerdhja/keshilluesit/mesuesit et. etj  t'ju flasin femijeve gjuhen ametare duke ju spjeguar prinderve se eshte e rendesishme per femijen kur te rritet te dije kush eshte identiteti i tij i trasheguar.

Ja tha, po kujt ja tha!

 Gk me kenaqe me keto perkthimet. Shyqyr qe ne ketej nga Kanadaja nuk kemi kesi problemesh!

 perkthimet smiley pershkrimet desha te thoja.

Flm qe moret mundimin ta lexonit. Eshte shkrim pak i gjate por eshte per peshq te duruar smiley

 Kam pershtypjen se shkrimi eshte i vjeter, i para vitit 2000, sepse mbyllej me fjalet; 

"....Në darkë më merr në telefon një shoku im nga Hamburgu. Pasi më përgëzon për nënshtetësinë franceze më thotë se edhe ai do të marri nënshtetësinë gjermane por i duhet paraprakisht të lejë atë shqiptare. Paska më keq se unë..." 

 

Ne fakt ne Gjermani ka vite qe eshte aprovuar dyshtetesia, dhe shum shqiptare dhe emigrante te tjere e kane shtetesine gjermane dhe shtetesine e vendit te tyre te origjines, pra nuk e kane hequr kurre ate. 

Sa per jashte rradhjen qe autori e pershkruan bukur, mesuam se Franca nuk qenka me shume se nje shtet rrombythje. Le te vij ketu ne Europen veriore autori me gjith ata arabet dhe zezaket, dhe ta provoje te futet pa radhe, a  kish per ta marre nenshtetesine apo jo.  

Nje shoqja ime para 2 muajsh mori nenshtetesine gjermani dhe ju desh ta linte ate shqiptare sepse nuk pranonin 2nenshtetesi

O "katnaro" po ti ere dreq pse shet men se u bone "tradhtar"? Le po kujto se jena ene ne si puna jote qe rrime tere diten kot e na posto kshu çarçafesh dopio!

O Cimo do i folesh ti ktij apo t'ja heqim copen e mishit nga dora ene n'Kulmak ne ktij?

Me qe vete nuk paska denju me ju dhone xhevap, ka qellu katnar me pordhe ky dreq, po ju sqaroj una. Ky pizevengu, jo vetem s'e ka harru qe o shqiptar po osht ene i angazhume ne çoshtjen kombtare. Plus ksaj ka dhone llafin qe 100-vjetori i Pavaresise ka me e gjet n'Shqipni. Pernryshe do ja gris ate pasoshin qe e ka me emrin e vet prej katnari skrapari. (ne fakt pasoshin s'e ka more ala, se do ca kohe me u prodhu)

Ti TT mos u grric kot me ja transformu emrin, se ky kadosh, pavaresisht se "fallcifiko" flamurin o me nje shtet me ty. Ajo "G-ja" o per ate emrin 5 lek tufa. Vetem n'Londer i kom 4 shoke me ket emer. Rrofshin mbiemrat thuj!

Kurse ti Pjer, flet kot me duket. Nuk e di noshti po deri para 3 vjetesh nje shokut tim (tradhtar) ju desh me heq nenshtetesine shqiptare per me more ate gjurmone. Ene per punen e arabve e zezakve n'rradhe prape kot ja fut. Dukesh qe s'e ke pa se çar ftyre ka katnari. Ktij pranej ja dhane nenshtetsine se ja perdorte policia foton me trem demostruesit. hahahahaa

Sidoqofte una ja piva nje birre per dekretin! Po m'ka zone belaja se s'po arrij ta boj me honger ato dy qilet e arrave me mjolt. Normal do thoni ju se kush e merr ket dreq me ate ftyre!

Ah ene nje keshille e funit. Mos shifni neshje te Sigurimit (Interit) me kte se i sjell nje fat te papame. Ene kur ve bast per Barçen ky, prape fito Interi.

O Ramadon, mos na boj si i fort lagje. Ku do mcifesh me 22 maj? Te keshilloj mos ta shofesh ndeshjen me interiste se do na dalesh ne televizor pastaj smiley

Ndersa shkrimi me lart eshte efekt i krizes financiare

pse me çar neshje ka me 22?

uuuuu osht ajo Sigurimsat (spiune) VS Sigurimsat (sigurus-Allianz arena).

Po ju me prape kanal sot? Ju qitet ene shifra te mira gja! Ene Cimi kish fut me shume rob n'pune se sa parashikohej. S'e di se si do shkoji ky muhabet po m'duket se sa here paska ra zjerm n'Greqi ata dreqen e paskon fik me 500 evrosha.

Kur do na vish prape knej se po me pyste ene Zdapi se do me te rrujte nai 10 leksh m'poker.

Na mori Greqia me qafe qe e marrte turku dhe e befte si do vete jarebi. Shifena nga fundi i muajit i thuj atij gjys-korcarit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).