Në çdo kohë, një popull ka politikisht përpara vetes disa detyra të rëndësishme, si thuhet në një gjuhë më të ndërlikuar, ka prioritete politike. Nga ato varet shumë e ardhmja e tij e afërt dhe e largët. Sikurse e thonë në fushën e komunikimit, ka rëndësi të respektojë mirë atë që quhet kalendari i vet politik ose ndryshe: axhenda e vet politike. Nëse nuk e bën këtë, atëherë e humbet busullën, humbet orientimin, çka do ta rrezikonte shumë rëndë. Do ta bënte të humbiste kohë, të humbiste rrugën, në këtë labirint të stërholluar që është bërë bota jonë e sotme, të harxhonte energjitë e veta dhe më së fundi të rifundosej duke mbetur pas kombeve të tjera.

          Fitoret, kur nuk shfrytëzohen si duhet, kthehen në rreziqe për disfata të mëdha. Sidomos kur janë fitore relativisht të lehta apo gati të dhuruara nga komuniteti ndërkombëtar ose nga partnerë të fuqishëm.

          Edhe ne shqiptarëve mund të na ndodhë që ta humbim busullën, pra të na ndodhë që në vend të mbajmë parasysh hartën që na duhet, ta zëvendësojmë atë me lloj-lloj skicash të paqarta, të cilat nuk dihet se ku na çojnë. Pra, ta ngatërrojmë axhendën tonë politike, duke humbur sensin e realitetit, brenda një universi që nuk dimë nëse e kemi krijuar vetë apo na është imponuar si i tillë nga situata e sotme.

          Para sesa të vij më konkretisht në arsyetimin që do të përbënte aksin qendror të këtij shkrimi, them se janë së paku katër faktorë që e përcaktojnë si të tillë axhendën politike të një kombi:

a.       Elitat politike

b.       Elitat intelektuale dhe universitare

c.       Mediat

d.       Shoqatat e shoqërisë civile, qendrat e presionit ose më mirë ato që përpunojnë mendimin e tyre autonom.

Të vijmë dhe të shohim tani se çfarë do të ishte kjo axhendë që duket sikur po e humbasim nga vëmendja dhe në çfarë situate ndodhen aktorët që duhet ta përcaktojnë atë.

Bindja ime është se së paku janë katër detyra themelore që përcaktojnë se nga duhet të orientohemi në atë që bëjmë, mendojmë, kthejmë në aksion politik dhe institucional, debatojmë.

Prioriteti i parë: Si t’i shpëtojmë krizës së rëndë financiare dhe më gjerë që ka pllakosur planetin dhe përgjithësisht Evropën?

Nuk ka dyshim se kjo gjë përbën një prioritet të axhendës politike mbarëkombëtare, sepse nuk është e mundur qëkur gjithë bota po flet dhe po vendos të gjithë veprimin e saj për ta mposhtur krizën në fjalë, Shqipëria ta anashkalojë atë duke fjetur apo duke qenë zgjuar me symbyllur. Pa dyshim që ekonomia shqiptare është prekur më pak se ato të vendeve të zhvilluara nga pasojat e kësaj krize. Do të ishte për të qeshur të thoshim se pasojat e krizës ekonomike kanë ardhur në Shqipëri nga fakti se nuk po hapen kutitë e votimit!  Po aq do të ishte e padrejtë ta konsideroje popullin si një fëmijë që ka frikë nga e vërteta dhe dëshiron të lëkundet në ëndrra të bukura pa asnjë bazë, të thuash se kriza ekonomike nuk po na rrezikon së tepërmi. Aq më shumë që Greqia po fundoset financiarisht dhe ekonomikisht. Më keq akoma, pasojat e kësaj krize te një vend ku punojnë emigrantë shqiptarë, shtrihen rrezikshëm si metastaza në të gjithë kontinentin dhe kanë infektuar bursat e Nju Jorkut, të Tokios e kështu me radhë.

Ka vend që politika, Kuvendi, qeveria, partitë politike, qendrat e mendimit universitar dhe më gjerë, mediat të hapin gjerë debatin se si shqiptarët do ta përballojnë këtë të keqe, ashtu sikurse po bëjnë popujt e pjekur të botës dhe të kontinentit.

Shpesh në media pyetet: Përse reagojnë kaq pak të huajt ndaj krizës së sotme, të radhës, të politikës shqiptare? Përgjigjja është e thjeshtë dhe cinike: Nuk kanë kohë të merren me një ngjarje kaq të vogël sa kriza politike shqiptare, kudo që ajo zhvillohet e luhet, në sallat e Kuvendit, apo në sheshet e kryeqytetit, apo në rrugët e Atdheut. Shihni se sa pak debatohet në emisionet më prestigjioze shqiptare për atë që shqiptarët duhet të bëjnë për të dalë më të fortë nga kriza e sotme që si hiri i vullkanit të fundit ka pllakosur botën e sotme të përparuar. Është më lehtë të grindesh me atë që ke përballë në një studio televizioni për faktin se pranohet ose nuk pranohet që një nënë me fëmijë të ndërmarrë aksione politike të forta, sesa për të bërë përllogaritje financiare të vështira për të gjetur një udhëdalje për kombin në këto kohë tmerrësisht të vështira për botën. Debati politik po shkon drejt emëruesit të përbashkët më të vogël.

Prioriteti i dytë: Afrimi i Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Çështja e vizave dhe e liberalizimit të tyre është e rëndësishme, shqiptarët kanë nevojë dhe e meritojnë plotësisht atë, nuk përbëjnë më aspak një komb me potenciale të larta emigrimi, ata po rikthehen në Atdhe, por problemi i integrimit të shqiptarëve në Evropë është shumë, shumë, shumë më i gjerë sesa akti i liberalizimit të vizave, të cilin ne e meritojmë plotësisht, jo më përpara Bosnjës, por edhe përpara Rumanisë dhe Bullgarisë, nëse edhe ato do të riviheshin në një radhë me ne. Problemi për shqiptarët po bëhet shumë i vështirë sikur të gjitha ngjarjet e botës na kanë ardhur gjithmonë me vështirësi. Ne po trokasim në derën e Bashkimit Evropian dhe sa mirë që jemi në drejtimin e duhur, pikërisht kur Evropa ende nuk është gati të pranojë anëtarë të rinj. Ende nuk i ka strukturat e pranimit të vendeve që do ta zgjeronin edhe më shumë. Po kërkon të ringushtohet, kur ne, duke i qëndruar me të drejtë dëshirës evropiane, po kërkojmë ta zgjerojmë. I ngjajmë paksa një klienti që kërkon të hyjë në një lokal sapo ai e ka mbyllur orarin e punës për atë ditë.

          Moment i vështirë edhe për shkak të krizës së sotme financiare botërore. Por shqiptarët nuk e humbasin kurrë ëndrrën e tyre evropiane dhe asnjëherë nuk janë bërë euroskeptikë sikurse po ndodh me kombe të tjera, edhe pse shtetet e tyre janë në Evropë dhe po i bëhen barrë Evropës. Emigrantët shqiptarë, përkundrazi, po kontribuojnë për ta ndërtuar atë.

          Vështirësitë rriten edhe sepse ne ndodhemi në një fazë kur tregu shqiptar është liberalizuar dhe i lirë për mallrat e importit, kurse ka pengesa për të eksportuar jashtë territorit të vet, sepse tregu evropian ka pengesat e veta. Jemi në fazën më të vështirë që duhet kaluar sa më shpejt, sepse sa më shumë kohë kalon, aq më pak fitojmë dhe aq më shumë humbasim në këtë prag porte evropiane. Duhet kaluar shpejt. Si të bëjmë të ecim shpejt dhe jo të vendosim në axhendën tonë të debatit politik: Kur, në çfarë date, do të na i japin vizat apo nuk do të na i japin ato? Edhe një herë po e katandisim debatin politik në nivelin më të ulët, në emëruesin më të vogël të përbashkët.

Prioriteti i tretë: Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha përpunimi i strategjive për të krijuar brenda konfiguracionit të sotëm institucional ato hapësira të përbashkëta kulturore, gjuhësore, mbi të gjitha ekonomike, që do të na forconin të gjithë shqiptarëve si një komb i tërë.

         Asgjë nuk shihet të debatohet në këtë horizont axhende politike të humbur nga sytë si në media, ashtu edhe në debatin politik dhe publik. Ne po ndajmë njërin qytet nga tjetri, duke bllokuar rrugët me një simbolikë segmentuese, si feudet e dikurshme në Mesjetë, kurse po them se axhenda jonë e ditës duhet të jetë të hapemi gjerësisht ekonomikisht, kulturalisht, financiarisht në hapësirat ballkanike, atje ku janë shqiptarët, por edhe popujt e tjerë, në një marrëdhënie paqeje, por edhe konkurrence. E kush ia ka ngenë të afrohet në këtë diskutim sot? Ne u shmangemi detyrave parësore dhe ngatërrohemi me diskutime dytësore: kosovarçja është dialekt i shqipes apo është shqipe standard, apo se mos është fare gjuhë tjetër! Tjetër për tjetër.

Prioriteti i katërt: Ndërtimi i institucioneve demokratike.

Edhe këtë element të axhendës politike që duhet ta kishim në ballë të shqetësimeve tona, e kemi rrasur në një qoshe ose edhe më keq akoma, e kemi thjeshtëzuar në format e veta më elementare, në emëruesin e vet më të vogël të përbashkët.

Si të ndahen pushtetet në mënyrë të drejtë?

Si të përpunojmë të drejta më të avancuara për qytetarin?

Si të bëjmë një kod zgjedhor që të na japë rezultate të besueshme elektorale?

Në vend të merremi me shkaqet e hijeve të mosbesimit që ushqejnë segmente të ndryshme politike te rezultateve zgjedhore, merremi me pasojat e tyre.

          Më në fund, jeta po na tregon prej dhjetëra vitesh se komisionet zgjedhore të ndërtuara me militantë partish politike janë, nëse jo gjithmonë instrumente manipulimi votimesh, pa dyshim burim pabesueshmërish në rezultat e votimeve.

          Çfarë kërkon politika tani prej nesh si qytetarë?

A nuk shkuam në votime paqësisht?

A nuk i kemi dorëzuar armët?

A nuk i hodhëm letrat në kuti?

A nuk i blemë kartat e identitetit me admirim dhe bindje?

A nuk pritëm me durim qytetar dhe edukatë të lartë rezultatin e zgjedhjeve, duke qenë të gatshëm për t’iu bindur cilitdo që të ishte?

          A nuk e thamë një mijë herë se komisionet e ndërtuara nga dy partitë e mëdha politike nuk mund të ishin instrumente të besueshme të rezultateve zgjedhore përgjatë një krize të mundshme besimi në mes tyre?

          A nuk kemi njëzet vjet që dëgjojmë kontestimin e rezultateve të votimit nga ana e humbësve?

          Çfarë presin akoma partitë politike nga qytetarët kur ligjin zgjedhor e bënë vetë ato me konsensus?

          Neve na duhet një ligj zgjedhor për së mbari, i besueshëm, sikurse na duhet të përmirësojmë një shtet ligjor me institucione shumë më të përparuara sesa këto që kemi.

          Me çfarë do ta ndajmë ne shqiptarët të drejtën nga e padrejta kur askush nga palët politike nuk i beson tjetrës dhe s’e pranon tjetrën si gjykatëse?

          Kush ka të drejtë?

Ai që e merr të drejtën sipas normave formale juridike të shtetit të së drejtës, ende jo tërësisht të zhvilluar?

Apo do të ketë të drejtë ai që bërtet më shumë?

Ai që arrin të kulpabilizojë më shumë tjetrin?

Kush duron më shumë vuajtje fizike dhe mjerisht të vuajë prej andej duke tronditur sinqerisht në planin moral e psikologjik veten dhe opinionin publik?

E zgjidh dhembshurinë humane ndaj atij që vuan, të drejtën nga e padrejta në planin politik e juridik?

Fatkeqësisht jo.

Cilat kritere të tjera?

Kush mbledh më shumë njerëz në sheshet publike?

Kush duartroket më shumë?

Kush është më i fortë fizikisht?

Kush flet më mirë në televizion?

Kush ka kollaren më të bukur?

 

Sa të drejtë janë kriteret mbi të cilat duam të ndajmë të drejtën nga e padrejta?

Përse po e humbasim orientimin drejt një axhende politike parësore që ka të bëjë me ndërtimin e institucioneve të plota, të besueshme, të shtetit të së drejtës, ato që mund ta ndanin të drejtën nga e padrejta pa e zhytur shoqërinë në kriza?

          Sepse aktorët e rëndësishëm kombëtarë që duhet ta ndërtojnë këtë axhendë politike, nuk po janë në gjendje ta imponojnë atë.

Partitë politike janë mbyllur tashmë një vit te çështja: T’i hapim apo mos t’i hapim kutitë?

 

Me çfarë kriteri normativ do ta zgjidhin demokratikisht se kush ka të drejtë mes tyre, nëse prej këtej zbojnë gjykatësin e pavarur?

Aq më shumë kur thuhet se nuk ka gjyqtar të pavarur për ta ndarë të drejtën nga e padrejta!

Mos në fillim duhet rënë dakord për ta ndërtuar këtë gjykatës. Pra, të shihet përpara, drejt reformave të plota ligjore elektorale dhe institucionale.

Kështu, përndryshe, çështja bëhet parimisht e pazgjidhshme nga pikëpamja e së drejtës juridike.

Sa të drejta janë kriteret përtej-juridike mbi bazën e të cilave pretendojmë të ndajmë të drejtën nga e padrejta?

Ka media që e anashkalojnë edhe ato kalendarin themelor politik, sepse ende nuk kanë fituar një distancë të mjaftueshme nga politika.

Intelektualët, masa e tyre e madhe ku vlon arsyeja e kombit, po heshtin prej një kohe të gjatë. A nuk kuptohet se përse po heshtin?

Mbetet masa e qytetarëve. Sa është përqindja e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje?

Ende jo sa duhet.

Janë shenja që tregojnë se kemi nevojë t’i rikthehemi një axhende parësore që na çon përpara në histori dhe që nuk prodhon kriza pa rrugëdalje institucionale.

 

6 Komente

Intelektualët, masa e tyre e madhe ku vlon arsyeja e kombit, po heshtin prej një kohe të gjatë. A nuk kuptohet se përse po heshtin?

Eshte me e mire heshtja se sa apologjia e sofistikuar.

 Prioriteti i katert "institucione demokratike."

Po si do t'i arrije tre prioritetet e para ky, integrimin ne europe e ato te tjerat, pa institucione demokratike?

Ky lajm eshte postuar sepse i bie te jete artikull prej profesionisti apo pacavure blogjesh?

Profesori rendit 1000 halle dhe s'e mora vesh se kush duhet të ishte prioritare...

Si profesor që është, edhe pse shtron si proritare disa probleme (ekonomia, Kosova, sistemi elektoral, shoqëria civile etj etj), do të bënte mirë që të thoshte dhe idenë e tij (nëse ka ndonjë ide) se si mund të realizoheshin këto prioritete... po t'jetë për llafe, t'kënaq edhe Fevziu dhe ç'do komentues çfardo.

Profesori rendit 1000 halle dhe s'e mora vesh se kush duhet të ishte prioritare...

Mbase e kam gabim e, po me duket, me duket se kur tjetri thote "se pari" dhe me pas "se dyti", ajo qe shkruhet tek "se pari" ka me shume prioritet se ajo tek "se dyti". Mbase e kam gabim, po kshu kam degjuar.

do të bënte mirë që të thoshte dhe idenë e tij (nëse ka ndonjë ide) se si mund të realizoheshin këto prioritete

Dmth te paraqiste programin e tij elektoral, ndryshe artikulli s'quhet?

Juve kamunistat, qofte dhe ata me te kendshmit si puna jote, keni gallate kur beni argumenta te tilla, si p.sh. "artikulli mire, por si shume presje kishte. smiley

Profesori ndonse nuk e ka keq, do te duhej te pyese se pse politika shqiptare nuk eshte e gateshme te zgjidhi keto probleme qe e çojne historine e kombit perpara. Mos valle jane te paafte apo jane te telekomanduar, apo nuk jane te interesuar per çuarjen perpara te shoqerise shqiptare.

 Admn.Nuk bere mire qe ma hoqe komentin per Profesorin! Ai  ashtu eshte sepaku ne kete shkrim.Nxenes vocrrak i Prtogoras.Ku i dhemb shoqerise sot e ku flet Fuga..!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).