"Imazhi i ngrehinës së kapitalizmit ravijëzohet sot në mendjet tona si një gjysmëperëndi moderne, e cila mbahet në jetë prej blatimeve të ithtarëve të saj, të cilët luten në tempujt ekonomikë për sheshime ndasie. E kjo gjysmëperëndi-ngrehinë, teksa dëgjon lutjet e jo vetëm, nuk njeh ndasi. I bardhë ose jo, grua ose jo, mongoloid o kaukazian, për të ekziston vetëm një ngjyrë: e gjelbra, ajo e letrave. Përpos kësaj, asgjë nuk ka rëndësi."


Ishte dita e fundit e vitit. Ndodhesha në një qytet të vogël në juglindje të Francës. Të gjitha dyqanet në qendër ishin të mbyllura, qyteti dukej i braktisur, një braktisje e ëmbël e cila bashkohej me dëborën që u ish qepur trotuareve e ndërtesave. Me trishtim kujtova se në Tiranë kjo nuk kish për të ndodhur kurrë, me siguri gjithçka do të ish hapur. Punëtorët do të plotësonin tetë ose më tepër orët e tyre të punës, e ndoshta fëmijë e të afërm do t’i prisnin me ngulm. Me siguri në ato çaste mendova se demokracia nuk është gjithçka, e se me gjasa Adam Smithi teksa shkruante për dorën e padukshme, nuk mendonte se dëshira e ethshme e fitimit do të ndihmonte një konkurrencë të pandershme e do të përkeqësonte kushtet e punëtorëve.

Sigurisht, e lindur në regjimin e ri, ruaj një vështrim romantik për regjimin e shkuar, e kushtëzuar kjo edhe prej librave me histori partizanësh, të cilat ruheshin me kujdes në bibliotekën në shtëpinë e gjyshërve të mi, të cilat i lexoja me një frymë, së bashku me historitë e revolucionit francez dhe veprat socialiste. Më pëlqente të mendoja se çdo njeri në ato vite kish një vend për të kaluar natën, mund të kurohej e të arsimohej. Sigurisht, kjo ishte shumë më mirë se pamjet trishtuese të fëmijëve në Afrikë, që transmetoheshin ne “Discovery Channel”, apo të pamjeve të dokumentarit “Capitalism: A love story” të M. Moor. Kjo më bënte të suprizohesha se si ish e mundur që në këto kohëra të trazuara të dëgjoje kaq fjalë të mira për kapitalizmin. Madje-madje, të shkohej aq larg, sa ishte e pamundur të mos e asociojë, apo edhe më keq akoma, njësoj atë me demokracinë. Pak vjet më vonë do të zbuloja se ekstremet nuk funksionojnë. Moderimi e sasia e duhur do të ishin optimale. Më shqetësonte fakti i klasifikimit të pikëpamjeve ideologjike të cilat mbroja, nëse më pyesnin hasja vështirësi në të përgjigjur, e me të drejtë. Zor se me të majtën e të djathtën shqiptare mund të identifikoja pikëpamjet e mia. E gjithaq më duhet të sqaroja se të kërkosh mirëqenie sociale për të gjithë nuk të bën të majtë, ashtu si edhe të flasësh për të drejtat e njeriut nuk të bën të djathtë, e çka është më e rëndësishmja: e majta dhe e djathta nuk duhet të profanoheshin, aq sa të identifikoheshin me lidershipin drejtues.

Vendosa se përpara se të shkruaja këtë artikull, të përpiqesha të mos kisha një qëndrim kryekëput të majtë, si ai që më ka shoqëruar ngushtësisht disa vite më parë. Teksa isha duke diskutuar për temën në fjalë me të njohur, këshilla që më erdhi qe e thjeshtë: “Tregohu e kujdesshme, sepse një simpati për të majtën identifikohet me regjimin e shkuar, dhe është ende herët për të shkruar për të”. E kuptoj, jemi vetëm dy dekada larg atij regjimi, e në kujtesën e përbashkët të qytetarëve tanë ky regjim trajtësohet gjallërisht. Por këto njëzet vjet demokraci kanë bërë të tyren. Kanë zhbërë thuajse çdo karakteristikë pozitive të atij sistemi. E kjo është e çuditshme, e padrejtë e infantile. Është utopike të mendojmë se ekziston një sistem në të cilin të gjithë do të mbeten të kënaqur, apo në të cilin të gjithë mbetën të pakënaqur. Me të vërtetë, sistemi i shkuar nuk njihte të drejtën e organizimit, tubimeve apo të shprehisë së lirë, e për aq kohë sa të gjithë aderonin në pikëpamjet ideologjike të kohës, kjo nuk paraqiste një problem thelbësor, por në çastet kur vendi ynë në vitet ’80 njihet me moton: “Ndërtojmë socializmin me forcat tona”, gjërat nuk mund të mos ndryshonin dukshëm. Ekonomia shqiptare do të kaplohej nga ajo që më vonë do të përcaktohej si kriza e gjithanshme, Kryeministri do të vetëvritej, ministri i Punëve të Brendshme do të kritikohej për shkelje të të drejtave të njeriut, e mjaft udhëheqës të Sigurimit do të dënohen. Shenjë lirie? Apo thjesht lëvizje politike? Mendoj se ngjarje si të lartpërmendurat do të mund të ndesheshin kudo, në çdo sistem. Kudo një kryeministër mund të vetëvritet, kudo ekonomia mund të përkeqësojë, e kudo zyrtarë të lartë mund të shkarkohen. Socializmi nuk mund të konsiderohet i vetmi përgjegjës për këtë.

Horvat thekson se zhvillimi kapitalist kushtëzon përqendrimin e kapitalit dhe fuqisë punëtore. E shumë pak mund të kuptojmë se kjo është rruga e sigurt që çon drejt shkatërrimit të lirisë ekonomike, e për pasojë kërcënon dukshëm demokracinë. Ekonomia e tregut synon të shkojë drejt një modeli të monopolizuar të ekonomisë apo drejt modeleve oligopoliste, e kjo tendencë është shumë më kërcënuese, nëse kishin për t’u ndjekur pikëpamjet e ultraliberalëve si Nozikcs. Demokracia për mua nuk njësohet me kapitalizmin, e nëse kapitalizëm do të thotë se diku në një bulevard kryesor të qytetit tonë mund të ndeshesh një njeri të moshuar të veshur keq, i cili me një kuti të prishur shet disa tufa me majdanoz e ta shohësh thuaj çdo ditë përgjatë gjithë vitit, edhe kur bën shumë ftohtë, edhe kur bie shume shi, edhe kur koha është e mirë, është një pamje rishtuese, prekëse, dhe nëse si ky i moshuar gjen shumë, madje edhe fëmijë, dyshoj se kapitalizmi është një arritje mikluese. Një vit më parë, duke biseduar me një të ri nga Guatemala, i cili fliste me adhurim për socializmin kubanez, më tregonte se në vendin e tij, një vend ku ekonomia e tregut kish triumfuar, ishte krejt normale të shihje njerëz të uritur, të veshur keq e të papunë. Ndërsa në Kubë, ai theksonte me admirim se shërbimi shëndetësor i ofrohej kujtdo e të gjithë mund të punonin. Nuk është mendimi i një analisti ekonomik, por i një të riu, komunizmi në sytë e të cilit pasqyrohet nën një tjetër dritë, pasqyrim i cili ndoshta edhe mund të mos i qëndrojë besnik realitetit.

Ekonomisti, prof. Ravi Batra, argumenton se të ardhurat eksesive dhe pabarazia në mirëqenie janë shkaqe thelbësore të krizës financiare apo depresionit ekonomik, çka do të çojë në kolapsin e kapitalizmit e në domosdoshmërinë e një rendi të ri social. E paralajmërimet e para të këtij parashikimi i kemi ndeshur shpesh përgjatë depresionit të madh, krizës së viteve ’80, apo edhe asaj që Shtetet e Bashkuara sapo kaluan. Konkurrenca e lirë nuk mund të jetë kurrë e lirë, pa cenuar parimet e një shoqërie demokratike. Do të ktheheshim në gjendje natyrore, për të cilën shkruan Rosseau, Hayek madje edhe Smith. E atje ku të gjithë janë të lirë, vështirë se liria mund të jetë një atribut i gëzueshëm. “Një politikë e majtë - shkruan Rawls - nuk bën vetëm që konkurrenca të luftojë monopolin, por edhe ndërmerr masa, të cilat kufizojnë sa të jetë e mundur pasojat negative të konkurrencës.”

Pas rënies së Murit të Berlinit, ish-vendet socialiste u përpoqën të lehtësonin sa më tepër të ish e mundur kalimin në ekonominë e tregut, por ndeshën në zhgënjimin e radhës. De Soto, një ekonomist peruvian, ravijëzon qartazi pyetjen se përse kapitalizmi triumfoi në Perëndim dhe dështoi kudo tjetër, duke e relacionuar atë me informalizmin si shkakun parësor, por teoria e tij është një ndër me të debatueshmet. Sigurisht, duhet të pranojmë se ekonomia dëmtohet rëndë nga transaksionet ekonomike informate, të cilat “dora e padukshme e tregut” e shtetit minimalist nuk mund t’i bashkërendojë efektivisht.

Nëse diskutohet për politika të majta, kjo nuk nënkupton domosdoshmërish njësimin e barazinë e të gjithëve kundrejt të gjithëve, as shpërblimin e njëjtë për aftësi të ndryshme. Thjesht kërkon përcaktimin e mundësive potencialisht të njëjta për të gjithë. Edukimi të mos jetë privilegj vetëm i dishendetit të një familjeje të pasur, por edhe të atij që rrjedh nga një familje punëtore e me të ardhura të pakta. Shërbimi shëndetësor e mundësia për të jetuar të mos jetë ekskluzivitet vetëm i atyre që ekonomikisht mund t’ia lejojnë vetes, por edhe i atyre që nuk munden. E drejta e jetës është një parim thelbësor i së drejtës. Ekonomia e tregut nuk duhet të shndërrohet në një sistem të padrejtë shpërndarjeje të të mirave materiale, por mbi të gjitha me politika bashkërenduese të përshtatshme të ngrenë starte të njëjta për qytetarët, duke lënë vetëm finishin në dorën e tyre, si rrjedhojë e një procesi të lakmuar meritokracie.

Është gjithaq e vërtetë se në Bashkimin Sovjetik kapitalizmi triumfoi mbi komunizmin, por në pjesën e mbetur fatkeqësisht ka triumfuar mbi vetë demokracinë.

16 Komente

He says, she says.....Horvati thekson dhe Ravi Batra argumenton. Si nuk thote njeri me gjera te mencura, por vetem perpiqet te duket i mencur sepse tregon qe ka lexuar (por nuk i ka kuptuar) llafet e njerezve te mencur.

Me duket vetem mua, apo po jetojme ne te vertete ne nje gjendje si e ajo e maces qe rrotullohet dhe rrotullohet qe te kafshoje bishtin e vet? Te duket vetja sikur jeton mesin e viteve ´30 dhe ne kafenete e Parisit takon Tarasin (qe ne ate kohe nuk ishte akoma Ta-rasi), Tajarin, Kocin qe diskutojne krejt pasion per klasen punetore, per kapitalizmin dhe per komunizmin, qe do ti shpetoje te gjithe prej kapitalizmit. Dhe e gjitha ne nje ambjent komunisto-romantik (qe prej Champs Èlysees), te sponzorizuar prej kapitalizmit, nga njerez, qe megjithese nuk i ka thene njeri "puna e mbare", e ndjejne veten te afte te te ligjerojne rreth "kapitalit" dhe "vleres se shtuar", njesoj si mjekroshi i  Trierit.

 "Te duket vetja sikur jeton mesin e viteve ´30 dhe ne kafenete e Parisit takon Tarasin...."

 

10 me yll........

 

 

 Jo pedro, nuk e shikon fare gabim! Ide personale ne Shqiperi nuk ka, mungon frymezimi, origjinaliteti, perpunimi ne menyre vetjake i atyre qe lexon eshte i papranueshem e kshu me radhe. Kopjimi mbizoteron, çdo ide lind dhe vdes me Ameriken dhe perendimin, qofte per ata qe e imitojne, qofte per ata qe jane kunder. Per shqiptaret asnje s'flet dot, se me gjithe bredheritjet neper Shqiperi, asnje s'i njeh realisht, ndryshe do te kishte ide enkas per shqiptaret, deshirat, nevojat dhe mundesite e tyre.

Per shqiptaret asnje s'flet dot, se me gjithe bredheritjet neper Shqiperi, asnje s'i njeh realisht, ndryshe do te kishte ide enkas per shqiptaret, deshirat, nevojat dhe mundesite e tyre.

Iris, te kuptoj shume mire ne c'aspekt e paraqet ti kete problem.  Nga ana tjeter, mund te thuhet se shqiptaret nuk jane specie me vete, qe teorite e hartuara, te diskutuara e te praktikuara ne Amerike apo ne perendim nuk mund te aplikohen aty.  Dhe nuk po flas per nje ngjyre te vetme teorish, por ylber.  

Personalisht nuk me shqeteson dhe aq shumi citimi i nje teoricieni apo tjetri ne hartimin e nje problematike.  Por me duket e pakompletuar dhe pa bereqet nqs nuk ofrohet nje zgjidhje, qofte edhe me argumenta nga teoricine te tjere, kushdoqofshin.  Kete e them ne pergjithesi.

Ne vecanti, jo vetem nga kjo pikepamje, por edhe nga thellimi i problematikes (minus zgjidhje) argumentat me duken te pamjaftueshem dhe siperfaqesore.

 " ....Teksa isha duke diskutuar për temën në fjalë me të njohur, këshilla që më erdhi qe e thjeshtë: “Tregohu e kujdesshme, sepse një simpati për të majtën identifikohet me regjimin e shkuar, dhe është ende herët për të shkruar për të”..."  

 

Vajza ne fjale, s'ka pse te kete frike apo te kete komplekse kur diskuton per rrymat politike, sepse edhe une qe kam qene kundershtar i terbuar i atij sistemi, sot shoh se ai sistem kishte disa te mira dhe disa mundesi per njerzit. Natyrisht qe ajo lloj rryme, ai lloj socializmi, nuk ishte teresisht i majte, per vet faktin se u krijuan dy klasa, klasa sundonjese (natyrisht nje pakice) dhe klasa e sunduar (shumica). Disa i moderojne me fjalet; klasa drejtuese e klasa e drejtuar, mirpo kjo do te ishte e vertete nese s'do te kishte te burgosur, te vrare. Do te ishte e vertete nese nje puntor, do te fliste si te donte, do te shprehte pikpamjet lirshem, do te ankohej ne polici apo gjykate ndaj personit te klases drejtuese/sundonjese. mirpo kjo s'ka ndodhur ne Shqiperi, per hir te vertetes. 

Autorja duket qe eshte e re, dhe nuk i di llojet e socializmave e llojet e kapitalizmave. Ajo identifikon gabimisht socializmin (te gjitha i quan nje) me te majten dhe kapitalizmin (te gjitha llojet kujton se eshte nje) me te djadhten.

Mendoj se fakti qe autorja eshte e re nuk e justifikon ne qendrimin qe mban. Nqs ke dale 'ne mejdan' per te argumentuar dicka, nuk ka pse mosha te perdoret per te mbrojtur dobesite e argumentit. Kjo nuk eshte botuar te revista 'Yllka'.

Shihet qarte se autorja ka jo vetem simpati, por nostalgji te habitshme per dicka mbi te cilen jo vetem ka dijeni me boshlleqe por edhe merr persiper t'a mbroje, bile duke paternalizuar publikun me fraza te tipit 'kujdes se eshte akoma heret te flitet per regjimin e kaluar'. Shyqyr qe n'a i kuptoka gjerat kjo zocka!

Nqs autorja deshiron te sugjeroje nje model socialist te menaxhimit te shoqerise, ne bote ka modele shume me te suksesshem te ketij sistemi sesa ai qe kishte Shqiperia ne 'regjimin e vjeter'. Mbrojtja qe i behet atij regjimi nen vellon e 'mendimit te majte modern evropian' eshte shuplake fytyres jo vetem per ata qe vuajten neper burgje, kampe, interime, persekutime, etj por edhe ne teresi per kombin qe ju shperdorua energjia e tij krijuese dhe ju kompromentuan vlerat e tij morale dhe intelektuale per kaq vjet.

Ve re qe gati tre-kater here ne jave ka, ne nje forme apo tjeter, artikuj te tille qe perzgjidhen (dhe patjeter kjo ndodh sepse botohen ne shtyp) per t'u sjelle ketu ne peshk. Megjithese dihet qe kjo eshte nje faqe thellesisht e majte, prape them se duhet te mbahet nje lloj balance. Kur eshte hera e fundit qe kemi diskutuar se c'ndodh me rrymen e djathte ne Shqiperi? Sa kuptohet ideologjia e djathte, kapitalizmi si model ekonomik i saj ne Shqiperi? Pervec shabllonit se kapitalizmi e shfrytezon njeriun e thjeshte, rralle shoh ndonje analize te qarte te avantazheve dhe disavantazheve te tij per shoqerine ne teresi. Nuk flas ketu per partite te vetequajtura te djathta, por per nje rryme te vertete te djathte si alternative per mentalitetin thellesisht te majte (pavaresisht se nga c'ane votohet) te elektoratit. 

Ne kushtet e sotme, per mendimin tim, shqiptaret se pari manipulohen me propagande te parimeve te majta (qe nuk ekzistojne me fare realisht ne programet dhe menyren si sillet qeverisja e cdo lloj ngjyre), se dyti shfrytezohen me praktika thellesisht 'shtrydhese limoni' te kapitalizmit te fillimit te shekullit edhe kjo pavaresisht nga qeveria qe eshte ne krye per momentin,  si dhe se treti mbahen ne gjendje tensioni nga teknikat perca e sundo. Simpatizoj me te rinjte qe duan te krijojne nje ide te qarte ne rrethana te tilla, po jua uroj me gjithe zemer te mos i krijojne modelet vetem me c'lexojne te librat me partizane apo te doktrina e Adam Smithit...

"Është gjithaq e vërtetë se në Bashkimin Sovjetik kapitalizmi triumfoi mbi komunizmin, por në pjesën e mbetur fatkeqësisht ka triumfuar mbi vetë demokracinë."

 

what the f.....?????????????????????????????????????????????

 

 

Cjane keto budallalleqe qe po lexoj?

Ne vitet 80 ne shqiperi qenka denuar dikush se ka shkelur te drejtat e njeriut???Ne c'planet ke jetuar moj vajze?Se une di qe te drejtat e njeriut nuk u permiresuan pas vitit 82?

...Një vit më parë, duke biseduar me një të ri nga Guatemala, i cili fliste me adhurim për socializmin kubanez, më tregonte se në vendin e tij, një vend ku ekonomia e tregut kish triumfuar, ishte krejt normale të shihje njerëz të uritur, të veshur keq e të papunë....

Socializmi kubanez eshte nje lloj socializmi i vecante.Eshte bere per kubanezet dhe per mendjet e tyre te shplara me propogande.Ne nje vend ku rrogat jane njesoj si per mjekun dhe per pastruesin,natyrisht qe shumica pra pastruesit dhe morracaket nuk do te duan ndryshimin.Kubanezet kane frike se po rrezuan Kastron do te punojne dhe do te shperblehen sipas aftesive,dhe shumica nuk e do kete.KJO ESHTE MAGJIA KASTRO QE KA HIPNOTIZUAR KUBANEZET DHE MAJTISTET E TJERE BOTERORE.JAM I SIGURTE QE NESE HOXHA DO TE KISHTE APLIKUAR TE NJEJTIN SISTEM KU SHUMICA E PAAFTE DHE E PASHKOLLUAR, TE PAGUHEJ NJELLOJ SI PAKICA E AFTE,KJO SHUMICE ASNJEHERE NUK DO TE NGRIHEJ PER NDRYSHIM.

...Nëse diskutohet për politika të majta, kjo nuk nënkupton domosdoshmërish njësimin e barazinë e të gjithëve kundrejt të gjithëve, as shpërblimin e njëjtë për aftësi të ndryshme. Thjesht kërkon përcaktimin e mundësive potencialisht të njëjta për të gjithë. Edukimi të mos jetë privilegj vetëm i dishendetit të një familjeje të pasur, por edhe të atij që rrjedh nga një familje punëtore e me të ardhura të pakta. Shërbimi shëndetësor e mundësia për të jetuar të mos jetë ekskluzivitet vetëm i atyre që ekonomikisht mund t’ia lejojnë vetes, por edhe i atyre që nuk munden. E drejta e jetës është një parim thelbësor i së drejtës. Ekonomia e tregut nuk duhet të shndërrohet në një sistem të padrejtë shpërndarjeje të të mirave materiale, por mbi të gjitha me politika bashkërenduese të përshtatshme të ngrenë starte të njëjta për qytetarët, duke lënë vetëm finishin në dorën e tyre, si rrjedhojë e një procesi të lakmuar meritokracie...
 

TE GJITHA KETO MUND TI GJESH NE VENDET PERENDIMORE DHE KAPITALISTE APO EDHE NE VENDIN ME KAPITALIST,SIC ESHTE SHBA.

PROBLEMI QE KANE TE MAJTET ESHTE SE NUK ARRIJNE TE KUPTOJNE QE PERENDIMI MORI GJERAT E MIRA TE SOCIALIZMIT LINDOR DHE REFORMOI SISTEMIN KAPITALIST.PER KETE ARESYE FITOI MBI LINDJEN,QE AKOMA VAZHDONTE ME PERRALLAT ME GJERMANE DHE PARTIZANE DHE NUK BERI ASNJE HAP DREJT REFORMIMIT TE SISTEMIT,DUKE E KTHYER KETE NE NJE SISTEM DOGMATIK.KJO ESHTE E VERTETA DHE MOS U LODHNI SHUME DUKE CITUAR TEORICIENTE TE MAJTE APO TE DJATHTE APO SHARLATANE SI MICHAEL MOORE.E HIDHUR POR KJO ESHTE E VERTETE.

...“Tregohu e kujdesshme, sepse një simpati për të majtën identifikohet me regjimin e shkuar, dhe është ende herët për të shkruar për të”. ..

Nuk eshte e thene qe te jesh me rregjimin e shkuar po fole per te majten.Po nese flet per partizane dhe gjermane apo diversante dhe agjente natyrisht qe do te biesh ne kete gracke.

E majta nuk ka perse perfaqesohet nga E Hoxha apo partizanet e 1944.

E majta mund te perfaqesohet shume mire nga iluministet e 1920-24 Noli,Gurakuqi,Mjeda apo te tjere.

Shko ne akive dhe shiko fjalimet e tyre dhe jam i sigurte qe do te mbetesh e kenaqur.

@ Pjer Thomas

...une qe kam qene kundershtar i terbuar i atij sistemi, sot shoh se ai sistem kishte disa te mira dhe disa mundesi per njerzit...

To ore kopuk po jeton ne Belgjike apo jo? Nuk ti jep Belgjika te mirat e Hoxhes dhe te mira te tjera apo je qorr dhe nuk sheh.Sa per kundeshtar sistami???Hahaha!Ata qe e kundeshtuan ate sistem gjenden 2 metra nen dhe dhe jo ne Belgjike,pra mos na prrallis me me budallalleqe.

 solidarnosc; "....To ore kopuk po jeton ne Belgjike apo jo? Nuk ti jep Belgjika te mirat e Hoxhes dhe te mira te tjera apo je qorr dhe nuk sheh.Sa per kundeshtar sistami???Hahaha!Ata qe e kundeshtuan ate sistem gjenden 2 metra nen dhe dhe jo ne Belgjike,pra mos na prrallis me me budallalleqe..." 

Me duket se u bere i peshtire. Ne radhe te pare kush e permendi Belgjiken ketu. Belgjika eshte vertet nje vend kapitalist, por me shum elemente sociali, elemente te socializmit juridik, shoqeror dhe pakez shteteror. Pra eshte nje sistem diç me mire se Amerika ku jeton zotrote. 

Sa per kundershtaret e sistemit, jo te gjithe jane nen toke, ka qe jane mbi toke si puna ime e plot te tjere. Ketu ne kete pike mos u bej i peshtire, se dhe une nuk dua te mburrem kush jame. Me vone kur te lexosh librin "Vizione te Qarta" do kesh fatin te mesosh diçka mbi disidencen, dhe kur ta lexosh (nese ke arsye dhe zemer te paster), do kafshosh gjuhen per fjalet e nxituara qe thua gjithmon. 

 

Meqe ra fjala per Belgjiken, Pierre: po mbath kepucet per te votuar serish ne qershor? smiley

Nuk e di La_rosee, politika belge me duket si rromell, nuk e kuptoj se pse Laterne (qe eshte njeri/politikan i urte) te hiqet. Kjo tregon se diçka luhet dhe ketu ne prapaskene. Keta kane probleme me njeri-tjetrin, mesa kuptoj une.  

Leterme nuk ka influence ne partite e kualicionit, Pierre. Nuk eshte politikan qe arrin qe nepermjet njefare presioni t'i mbaje nen kontroll, siç beri Verhofstadt. Leterme eshte burre i ndershem por politika s'kerkon vetem ndershmeri por kerkon burre shteti te mprehte qe arrin t'i mbaje ne grusht celulat partiake.Pastaj rihyrja e tije ne skene rikonfirmoi naivitetin e tije per t'u djegur nje here me teper.

Po na erdhen hakut keto me zgjedhje; dhe ate dite te leshte pushimi qe kemi, na detyrojne t'a çojme ne qendra zgjedhore. Heres te fundit me çuan ne komision zgjedhor, me zuri mesi i nates. Uroj qe kesaj here te mos marr gje.

 Per Laternen me erdhi vertet keq La_rosee, dhe eshte vertet ashtu siç thua politikan i ndershem, mirpo si kudo ne te gjithe boten, ujqerit e politikes nuk te lene rehat.

Kapitalizmi ka ngjyre roze, ose me mire te themi ka ngjyre ciklamine.

Paska shpik rroten ky Ravi? Studiusi sistematik Karl Marks e ka thene me kohe. Qe prej botimit te Das Kapital kllasa revolucionare borgjeze eshte munduar te zbuse efektet ciklike, me nje fare suksesi...deri tani. Tani time's up...time to pay the piper. Minsky Moment All the Way biatches

 

Ekonomisti, prof. Ravi Batra, argumenton se të ardhurat eksesive dhe pabarazia në mirëqenie janë shkaqe thelbësore të krizës financiare apo depresionit ekonomik, çka do të çojë në kolapsin e kapitalizmit

Si perfundim cfare ngjyre njihka kapitalizmi?

Kam nje dobesi te vecante per te rinjte Shqiptare qe u qajne hallin te varferve e sulmojne kapitalizmin teksa shetisin e bejne pushimet ne Rivieren e (shtrenjte te) Frances.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).