Në shkurt të vitit në vazhdim televizioni skocez BBC Scotland i paraqiti shikuesve të tij një emision mbi Shqipërinë në lidhje me zbulimin e varrezave të përbashkëta në rrethinat e kryeqytetit. Ishte një ngjarje që shkaktonte një farë zhurme në industrinë e mediave jo vetëm shqiptare. Ishte zbulimi i njërit prej fakteve dëshmuese të krimit komunist në Shqipëri.

Televizioni skocez deshi të ndihmojë shikuesit e tij të kuptojnë domethënien e dukurisë së trajtuar nëpërmjet "rrëfimit" të njërit prej arkitektëve kryesorë të asaj ngrehine të përçudëshme e mizore që qe komunizmi shqiptar, ish Kryetarit të Shtetit, Ramiz Alia. Intervista e këtij të fundit, dhënë gazetarit skocez, është një manual hipokrizie, gënjeshtrash, shtrembërimi të së vërtetës, që vetëm një "mjeshtër" në profesionin e tij do të ishte në gjëndje të shfaqte.

Pyetjet e gazetarit janë mjaft të zgjuara dhe nxitëse, trgojnë për një njohje të mirë të problemeve tona. Që në fillim të intervistës ai kërkon nga ish Presidenti një "curriculum vitae" të tij, një paraqitje skematike të jetës së tij të gjatë politike në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore. Kuptohet se kjo i shërben publikut skocez, për të cilin xhirohet dokumentari dhe intervista, që të paraqitet personazhi. I intervistuari bën sikur nuk e kupton qëllimin e pyetjes dhe e shmang atë me dy fjali në shumën e përgjithëshme të 70 fjalëve. Duket se ish Presidenti është koherent me veten kur, më vonë, do të pohojë se " Unë gjykoj që themelore për Shqipërinë nuk është të merret me të kaluarën por me të tashmen.". Pra duket se i bën një shërbim Vëndit të tij duke mos u zgjatur në jetën e tij.

E vërteta është një tjetër: para opinionit të huaj ai do të paraqitet sa më "evropian", sa më në ujdì me idetë e Evropës që vazhdimisht porosit "të shohim përpara". Skocezët nuk e njohin historinë e tij, nuk e dijnë se ajo është një mal krimesh që fillon që kur ishte drejtues i rinisë komuniste gjatë luftës, që vazhdon gjatë dhjetvjeçarëve të gjatë të proçeseve pa fund ndaj "armiqve të kllasës", në krah të Enver Hoxhës, si njeriu më besnik i çiftit shekspirian të krimit dhe tregon fytyrën e vërtetë të tij kur, i vetëm në krye të partisë e të Shtetit, urdhëron vrasjet në kufi e "malin me gropa". "Rrëfimi" përqëndrohet në vitin 1990 që quhet "një vit i vështirë për Shqipërinë". Këtu maska e vënë për Evropën fillon të çirret. Mllefi për 1990 ën, pasardhësit të vitit më të bukur të qindvjetit të shkuar për kontinentin, atë të shpresave të mëdha të shqiptarëve për t'i u bashkangjitur gjysmës së Evropës të çliruar nga komunizmi, nuk arrin të fshihet mbas hipokrizisë, sado të përpunuar të personazhit. Në këtë pikë të kujton ish Presidentin rus, Vladimir Putin, që e quan shpërbërjen e ish BRSS si "fatkeqësinë më të madhe të shekullit njëzetë".

Por ky është vetëm një çast dobësie, shpejt maska e njeriut "të përgjegjshëm", "paqësor", e "burrit të shtetit", e "demokratit" Alia arnohet dhe ai vazhdon të gënjejë e të paraqitet si njeriu që "i hapi rrugën zhvillimit të lëvizjes studentore, për pasojë rrugës së ndryshimit në vendin tonë". Dihet mirë cilat ishin "ndryshimet" që bëri të mundura ish Presidenti. Kemi ende në veshë kongresin e "vazhdimësisë", pohimet e tij të përsëritura se "Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim", mos pranimin e dorës së shtrirë të Shtrausit e të Gjermanisë, dhunën e sigurimit mbi djelmoshat protestues të Shkodrës e Kavajës, qëndrimin tejet të ngurtë e armiqësor ndaj atyre që u futën në ambasadat e huaja, trupat e vrarë të të rinjve që shëtiteshin nëpër qytete të tërhequr rrëshqanë, si ai i Hektorit në Iliadën e Homerit, sepse kishin dashur të kalonin kufirin, farsën e "demokracisë" nëpërmjet kandidimeve të përfaqësuesve të levave të partisë për në Kuvend etj. Kjo ishte fasada, ajo që dukej, ndërsa mbrapaskena ishte strategjia e ndryshimit të sistemit, përshtatjes gjëndjes së re të Evropës pas komuniste, pa ndryshuar thelbin e tij që ishte zotërimi i komunistëve me forma e mjete të tjera edhe në Shqipërinë "demokratike" dhe "evropiane", strategji e shpallur fshehtas ne nje plenum te partisë ne tetor 1989, por e zbatuar më së miri gjatë këtyre njëzet viteve.

Ajo strategji është edhe arsyeja pse ujku veshi lëkurën e qëngjit në ata çaste historike tepër të brishta. Ish Kryetari mendon se shqiptarët janë të gjithë të metë e të paaftë për të kuptuar dramën që u luajt mbi kurrizin e tyre n'atë kapërcyell sistemesh, ku Ramiz Alia pati meritën t'ishte edhe autor, edhe regjizor edhe skenarist, duke zgjedhur aktorët që do të vazhdonin të luanin deri në pafundësi rolet e tyre. Ka njëzet vite që Alia tund paprerë flamurin e "meritës" së tij në kalimin paqësor të shoqërisë shqiptare nga diktatura në demokraci dhe gazetari skocez, me humorin e tij karakteristik, ironizon: "Një epokë e re ku ju ishit prapë kreu i vendit". Por ish Kryetari bën sikur nuk e kupton e vazhdon të luajë gjithmonë të njëjtën melodi, atë të "zjarrfikësit", të autoritetit që shmangu "ndeshjen" mes të rinjve që patën meritën historike të kërkonin fuqishëm shëmbjen e komunizmit në Vendin e tyre dhe "veteranëve", të cilët ishin përgjegjës, në shumicën dërmuese të tyre, të gjithë krimeve të sistemit.

Në dukje z. Alia ka të drejtë: në Shqipëri nuk u përsërit tragjedia e Bukureshtit. Arsyeja është në faktin se ajo shërbeu si një mësim themelor për kastën e kuqe dhe pasuesit e tyre. Të vënë përballë hovit liridashës të një rinie për t'u admiruar në synimin e saj për t'a bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, e para trysnisë s'Evropës së bashku me planet e saj që përkonin në një farë mase me strategjinë e Alisë, të cilën mund t'a perifrazojmë me shprehjen e famëshme "të ndryshojmë gjithshka për të mos ndryshuar asgjë", pashallarët e kuq u treguan pragmatikë dhe shmangën përballimin e forcës nga e cila do të dilnin të humbur si kolegët e tyre rumunë. Në këtë pikë biseda arrin në thelbin e saj me pyetjet e gazetarit mbi ligjet e Lustracionit dhe të Institutit të kujtesës. Dyfytyrësia djallëzore e personazhit shfaqet në plotësinë e saj. Nga një anë shprehet në mbështetje të parimit se "Lustracioni në çdo kohë është i nevojshëm", nga ana tjetër e quan atë një mënyrë "për të marrë hak ndaj njerëzve të ndryshëm". Pohimi i parë, nëse është i sinqertë mund të jetë një jehonë e mendësisë së shtetit policor që skedon të gjithë qytetarët e tij, për pasojë i dobishëm, por pohimi i dytë, në kontekstin aktual rrëzon të parin.

Ndoshta mund të ketë në të një pjesë të së vërtetës, një pjesë të vogël që përdoret si një alibi për të shmangur problemin që qëndron si një shkëmb jo vetëm para vetëdijes së shqiptarëve, por edhe para asaj të Evropës, në të cilën këta të fundit me aq zell dëshërojnë të futen. A duhen dënuar konkretisht krimet e komunizmit, a duhen falur bartësit e atyre krimeve që i shkaktuan aqë shumë viktima e dëme të pakthyeshme qytetarëve të Vendeve të tyre? A është i drejtë parimi se në përgjegjësinë kolektive nuk ka përgjegjësi vetiake? A mund t'i vishen vetëm figurës së diktatorit të gjitha të këqijat e një sistemi që dhunoi për një gjysëm shekulli liritë dhe të drejtat parake natyrore të një populli?

Këtyre pyetjeve nuk i u përgjigjën kurrë as Alija, as kolegët e bashkëpuntorët e tij. Kështu vepron edhe në këtë intervistë ish kryetari ndaj pyetjeve tepër të sakta e pa mëdyshje të gazetarit skocez. Madje në një nga përgjigjet, në lidhje me krijimin e Institutit të kujtesës, shprehet me një mospërfillje, deri në tallje, me këto fjalë: "E propozoi Berisha këtë pasi mori vesh që u hodh poshtë Lustracioni dhe njëkohësisht pasi mori vesh që edhe faktori ndërkombëtar e hodhi poshtë këtë ligj. Pas kësaj vendosi të krijojë këtë institue a ç'është ky..." Cinizmi shqeto komunist i personazhit shfaqet katëcipërisht, duke i dhënë të drejtë vetes të rivarrosë viktimat e tij, t'i tallë, të përçudnojë kujtimin e tyre, mbasi ai Institut ndoshta do të ketë misionin e përtëritjes së kujtimeve dhe asgjë tjetër. Me paturpësinë më të madhe ish Kryetari i Shtetit pohon se dokumentat janë në Arkivin e Shtetit dhe "askush nuk i ka ndaluar që të shikohen" për të përgënjeshtruar veten pak më poshtë:"Kështu që, nëse duan t'i hapin, le t'i hapin por mendimi im është që duhet të hapen me kujdes. Duhet shumë kujdes në mënyrë që të mos ngjallen urrejtje të vjetra."

Alia e di shumë mirë se po gënjen kur shprehet kështu, se qytetari i thjeshtë nuk ka asnjë mundësi të njihet me dosjet e Ministrisë së mbrendëshme, që në teori mbajnë të fshehura të vërtetat e plota mbi dënimet politike të diktaturës. Kanë qënë me mijra ata ish të dënuar që nuk kanë mundur e nuk munden ende sot të njohin të vërtetën mbi dënimet e tyre, se kush ka qënë konkretisht veç hetuesit, prokurorit, gjykatësit apo dëshmitarit, përgjegjës të drejtpërdrejtë apo bashkëpuntorë të krimit që ka shkatërruar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Duke qënë një nga ata mijra mendoj se demokracia, me ngurimet e saj, po na bën një të padrejtë që nuk ndikon si dënimi mbi jetën tonë, por që nuk na njeh të drejtën e ligjëshme për të njohur të shkuarën tonë vetiake. E kuptoj shumë mirë motivimin e këtij veprimi por nuk më bind në qëndueshmërinë e tij. Madje, sado e rëndë të tingëllojë, mendoj se i gjithë ky proçes kundër njohjes të së vërtetës mban erë krimi, sepse synon të mbulojë krimet. Cilido qoftë në Shqipëri apo Evropë e më gjërë që mbart e mbështet këto parime nuk i sjell asgjë të mirë shoqërisë njerëzore.

"Ju mendoni që ato që ndodhën në kohën e komunizmit të varrosen?" qëllon në shenjë gazetari skocez, ndërsa ish hjerarku komunist duket sikur belbëzon demagogji: "Jo për disa çështje thelbësore duhen marrë dhe janë marrë. Janë bërë njëzet vjet që atëhere dhe shumë vendime, shumë gjëra janë marrë ndaj atyre personave dhe atyre vendimeve të asaj kohe." Hipokrizia arrin majat. Z. Alija e din mirë se asgjë në këta njëzet vjet nuk është bërë për të dënuar krimin komunist. Asnjë ish funksionar i organeve të dhunës apo të partisë, asnjë përfaqësues i krimit shtetëror komunist edhe para faktesh të qarta si drita e diellit, edhe para dëshmish e dokumentash të pakundërshtueshme, nuk është vënë në bangën e t'akuzuarve për t'u përgjigjur për jetë njerëzish të marra padrejtësisht, për familje të shkatërruara, për dënime të padrejta apo internime dhjetravjeçare të pafundme. Mbi çfarë kriteri të moralit njerëzor është bazuar një qëndrim i tillë? Cili është ai qytetërim juridik që justifikon mos dënimin e krimit?

Ish Kryetari kujton se është dënuar me pesë vjet burg, pa thënë se motivi ka qënë shpërdorim material gjatë detyrës e jo përgjegjësia për vrasjet në kufi apo për masakrën e 2 prillit. Nuk thotë gjithashtu se ka marrë një shumë të mirë të hollash si dëmshpërblim për ata vite, ndërsa shumë mijra të tjerë që e kanë konsumuar rininë e tyre në kampet e tmerrshme të punës që nga Vloçishti dhe Ura e Bonës deri në Spaç e Qafë Bari, kanë vdekur pa marrë asnjë qindarkë, jo për dëmshpërblim moral, por as për punën e papaguar, edhe se ishin ende gjallë në atë "vitin e vështirë 1990". I intervistuari e din mirë se si kanë rrjedhur ngjarjet, sepse ai vetë i kishte projektuar ato n'atë drejtim. Për të nuk është e dobishme të merremi me të shkuarën mbasi argumenti është i mbyllur, nuk mund të sjellë më përfitime, asaj duhet t'i vihet një kapak apo, shumë shumë të kritikohet ndonjë "hakmarrje", apo "gabim", apo "pakujdesi", të kryera nga disa organizma të "rendit më të përparuar në botë", siç e quante dikur nga katedra e lartë e sekretarit për propagandën, socializmin shqiptar.
Kur gazetari shkon në zemrën e problemit e pyet: "A keni brejtje ndërgjegjeje? Nëse shikoni tani, a ka gjëra që nuk do të donit t'i kishit bërë? A keni ndonjë keqardhje a pendesë?", përgjigja e tij i shëmbëllen ngjalës që rrëshqet nga duart e peshkatarit. Shpreh me hipokrizi keqardhjen por nuk thotë asgjë për brejtjen e ndërgjegjes, për pendesën njerëzore, për amoralitetin e një sistemi të cilin e ka krijuar dhe drejtuar. Ç'janë 914.000 vite burgu 256.146 vite internimi që sistemi i tij i detyroi shqiptarët t'i paguanin si haraç ndaj "fitorjeve të revollucionit"? Edhe krimineli më i madh, para malit të krimeve të shkaktuara me dorën, vullnetin apo mëndjen e tij, vjen një ditë që tronditet, për më tepër kur i afrohet fundit të jetës e, dashje pa dashje, fillon të mendojë se çfarë do të hasë në "atë diç pas vdekjes..."

Por për komunistët si Alija kjo gjë mund të jetë thjesht një "sentimentalizëm mikroborgjez", i papajtueshëm me moralin proletar. Ishte një rast i mirë të tregonte një farë pendese, qoftë edhe duke gënjyer, siç ka bërë gjithë jetën, por nuk e bën se, thellë në vete, e quan "tradhëti të idealeve". Caku, ku arrin një farë analize në kah kritik të së shkuarës së tij e të diktaturës që ka përfaqësuar, është njohja e së drejtës të një pjese të madhe të atyre kuadrove që kanë qenë "viktima të pakujdesive, të veprimeve të gabuara të disa organizmave tanë." Ata kuadro janë ish shokët e shoqet e tij të luftës dhe të regjimit, bashkëpuntorë të devotshëm në sistemin kriminal, deri sa ai, simbas një ligji universal të revolucioneve, do t'i hidhte në kosh apo do t'u hante kokat. Për të tjerët nuk vlen as të flasësh, "armiqtë" kanë gjetur atë që meritonin, ndoshta e vetmja "brerje ndërgjegjeje" është se i lamë në jetë, duhej t'i kishim zhdukur të gjithë...

Nuk e di cilat kanë qënë përshtypjet tek telespektatorët e atdheut të Makbethit, por ndoshta ndonjë paralelizëm i largët mund të ketë prekur përfytyrimin e tyre.

1 Komente

xhibi, jemi te zene me lajmet e cdo ore per gjenden e z. Rama - err, grevisteve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).