Brenga tё balcamosuna nё kёmbanore kishash, rrugё tё pёrgjumuna tue u pёrpёlit nё harta tё venituna tё pritjes, janё atje, harru nё kanavacёn e piktorit, dorё e ngrime nё pёrziemje ngjyrash.
Frymёmarrin. Psherёtijnё. Pulsojnё pa peshё nё galaktika yjesh tё shuem, lodrojnё nё gazmendin e hirtё tё hanёs.
Kёpucёt nuk kanё gojё. As tinguj. As ndjenja! Ato janё atje, tё harrueme prej vedit, si vargje tё binduna, si vargje tё pazgjueme, si fjalё tё mylluna prej kohёsh nё nji zarf tё adresuem askund!!! Askujt!!!
Kёpucёt nuk dёshirojnё. Janё durimplota ato. Pentagrame andrrash, lumej aventurash dhe ngjyrash gjallojnё duf e vrull.

 

Kёpucёt. Ato tё bindurat! Ato qё nuk tё lanё kurrё vetёm fundja, si nji shikim i dashtun. Si njё pёrkёdhelje e amёl natmirimi, e ma e amёl se zgjimi vullnetshumё. Ato kanё diçka nga nata, kanё diçka nga agimi, tё bindurat ato, kёpucёt. Tё devotshmet, ato, kёpucёt.
Janё atje… dhe presin!!!

 

Kёpucёt janё hapat e parё.
Kёpucёt janё hapat e fundit.
Kёpucёt janё tendenca, ato kanё tendenca. Janё flladi i fillimprillit qё zgjon buzёqeshjen. Janё pёrqafjet lojcake tё gjethit rebel me kalldramin, hare gjethnajash e kordash tё ngadhnjume.
Kёpucёt janё bulime sythash e punila tё njomё nё kryqin e harrumё pa Krisht tё besimit. Ato dinё edhe tё dashurojnё. Betohen nё heshtje se njohin sekretin se si bahet paqe me vdekjen. Kanё shpirt, tё shenjtё madje, si buka e norme e djathi i gjaktё i ringjalljes. Po t’i prekёsh kёpucёt, do ta nigjosh pjalmimin e psalmit – gjuhё e ngrohtё nё plagё tё pashёrueme.
Kёpucёt, ato, tё harruemet, ato tё paveshunat, ato virgjneshat tё gatshme pёr natёn e parё tё flijimit. Brenga tё balcamosuna por qё frymёmarrin ngjyra, nё sytё e piktorit, kureshtje pa fre fёmije, janё atje, palosun, si urtёsia bri oxhaku tue pleqnue gjasёn, e tue u pa sy m’sy me vedin.

 

Tek dera!!!

 

Marrë nga Tirana Calling

3 Komente

Me pelqeu shume.  

Dy gjera te vogla, gegerishtja e ka shume te kursyer "e-ne" me kacurrela.  Edhe mundesisht te shihet fjala "tendence".  Sepse nuk me shkon ne kete copez te qendisur pervec asaj fjale, mjeshterisht.

shume prekese! megjithese kohet e fundit kepucet jane bere simbol i protestes fundamentaliste prandaj vijne dhe pak ere...rrofte kepuca Geo...!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).