Prindërit e grevistit të urisë, kranarë për djalin dhe të lumtur që nuk e kanë më në shtëpi
BERAT—Prindërit e Edmond Llapallapës, njërit prej 180 qytetarëve të futur në grevën e urisë përpara selisë së kryeministrisë komentuan për klubin e mëngjesit pasditen e djeshme se janë krenarë për përgjegjesinë e lartë qytetare të 31 vjeçarit Llapallapa. "Djali ynë që është futur në grevë urie ka treguar moral të lartë qytetar, na ka nderuar me sakrificën e tij në të mirë të vendit dhe mbi të gjitha jemi shumë të lumtur që ka tre netë që nuk vjen në shtëpi se me thënë të vërtetën ishte bërë i padurueshëm." Duke folur për solidaritetin dhe shqetësimin e tyre prindëror për gjendjen shëndetësore të grevistit Edmond Llapallapa, babai i tij Haxhiu nuk e fshehu kënaqësinë për qetësinë që ka gjetur familja pas futjes ssë tij në grevë urie. "Na kanë rënë veshët rehat se kishte gjashtë muaj që nuk pushonte në lidhje me politikën. Ne si familjarë, e mbështesim fuqimisht vendimin e tij për të qëndruar në grevë urie deri në fund."

Agjenti sekret kthehet në shtëpi pas shërbimit

PËRRENJAS—Dilaver Pezhishka nga Përrenjasi, me profesion agjent sekret pranë Shërbimit informativ Shtetëror rrëshqiti pa u kuptuar brenda apartamentit të tij pas një muaji shërbimi, duke u shfaqur papritur në kuzhinë sikur të kishte mbirë nga hiçi. "Se kush trokiti në xhamin e dritares po nuk pamë njeri," - tregon vajza 14 vjeçare e Dilaverit, Erinda. "Me tu kthyer në tavolinë e gjetëm babanë ulur, biles e kishte ngrënë edhe gjysmën e pjatës me groshë." - tregon i biri Klitoni. "Përveç një syri që e ka të nxirë sterrë, neve na duket sikur babi ka qënë këtu gjithë kohës." Pas mbarimit të pjatës me groshë agjenti sekret Pezhishka kërkoi nga fëmijët plotësismin e një pyetësori mbi 10 zënkat e fundit midis tyre. Deri në plotësimin e pyetësorit, Dileaveri u mbyll në dhomën e gjumit për një kontroll të imët trupor të së shoqes, Arjanës.

Ish presidenti Ramiz Alia fle në autobuzin e unazës
TIRANË—Dëshimitarë të shumtë raportuan se kanë parë gjatë mbrëmjes së djeshme dhe sërish sot në mëngjes presidentin e parë të Shqipërisë pluraliste, shokun Ramiz Alia ndërsa flinte në njërin prej autobuzëve të linjës së unazës. Shoku Ramiz, dikur njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri flinte i mbledhur kruspull në dy sediljet e fundit të autobuzit, i veshur me një palloto të vjetër si kërrmë dhe me kokën të mbështetur tek një shuk gazetash. Të gjithë pasagjerët e urbanit e kundruan me dhimbje pensionistin Alia i cili qartaz po vuan pasojat e tranzicionit të stërgjatur dhe të krizës ekonomike. Sipas fatorinos Ahmet Pillushka shoku Ramiz u çua ndenjur kur disa pasagjerë veteranë lufte po flisnin për shokun Enver. Pasi u përmend Alia pshehrëtiu thellë dhe ia futi përsëri gjumit.

Noket Benci

TIRANË—Muni aty n'mes t'Bllokut ku kalo i gjithë mileti qe parku i alamet Benci që dikush e noku mrom n'darke, raportuan burime të shumta mediatike. Benci, i cili ishte nji nga kto t'bukurt që sa kon hy nTiron, me ngjyrë kok-rosaku dhe disqe t'nukelume binte n'sy përiher ndaj është krejt e pabesueshme që hajdutat arritën ta nokshin aq kollaj. "T'gjithë e dinë qi ky osht Benci im se nuk ka tjetër n'Tiron si puna ktit" - thotë i tronditur 35 vjeçari nga kryeqyteti, Alket Piciri. Nji hetim i menjihershëm në lidhje me nokjen e Bencit ka nisur në komisariatin numër 3 në Tiranë, por policia u shpreh se "kush e di kush mund ta ket nok". E sigurt qi ai qi e ka nok Bencin do e ket sharru me e shit pjesë pjesë pasi i ka fut i xhiro t'fuqishme notën, se ditën ai farë bencit bi shumë n'sy." Disa nga  miqtë e Alket Picirit u shprehën në kushte të anonimitetit se mirë ti bohet ktit që do me shit dongla me makina t'bukura.

Muratori, i sigurt që këmba nuk është thyer
DURRËS—Edhe pse lartësia prej ku u hodh muratori Fitim Gunga ishte mbi 3 metra, ai arriti të qëndronte në këmbë pas hedhjes dhe këmbënguli për mediat se kocka e këmbës së tij të djathtë nuk është e thyer. "Vetëm sa më ther fort kur e shkel në toke dhe nuk mund ta përthyej më gjurin, por për të thyer nuk është thyer." - shprehet 44 vjeçari Gunga, baba i 5 fëmijëve. "Nuk dëgjova asnjë kërcitje kur u hodha, dhe kur e prek këtu Auuuuuuuu moj nënëëë!!!!!... Por nuk është e thyer. Këmbën e kam shumë mirë, ju betohem se kam 5 kalamaj për të ushqyer. Më ndodhi edhe vjet në Tetor dhe nuk qe asgjë." - shton muratori Fitim Gunga. Pas intervistës me mediat këmba e z. Gunga ishte fryrë sa një shalqi.

Presidenti më në fund flet për situatën
TIRANË- Presidenti I republikës Bamir Topi e ka thyer dje heshtjen e vetë olimpike për të folur mbi situatat e fundit në vend. Ndërhyrja e presidentit i hodhi poshtë në këtë mënyrë akuzat nga disa aktorë të medias për mefshtësi e personalitetit të tij dhe mungesë kurajoje për t’u ngritur në lartësinë e detyrës. “Unë dua të deklaroj me përgjegjësinë e Presidentit të republikës se kam besim të plotë që Interi do t’i tregojë ngjyrat e tij të vërteta në finalen e Champions League. Bayern është skuadër shumë e fortë, por kësaj rradhe fiton Inter. Është një ëndërr e vjetër për tifozat interistë.” – faleminderit.

Një Hobi koti fare
TIRANË—Drejtori 29 vjeçar i një firme telekomunikimi në Tiranë, Gentian Ferradhiu tha për mediat pasditen e së martës së hobi i tij i koleksionimit të statujave të vogla prej porcelani është ndoshta "aktiviteti më i kotë, e më i mërzitshëm me të cilin Gentian Ferradhiu është marrë ndonjëherë". "Tani kam lloj lloj statuetash porcelani gjithandej nëpër shtëpi, ëngjëj, zogj, qenër, xhuxha, më është mërzitur shtëpia!!" - ankohet i riu Ferradhiu i cili deri më tani llogaritet të ketë prishur mbi 400,000 lekë për statueta porcelani, si dhe qindra orë tmerrsisht depresive duke kërkuar të tilla sende në pazar. "Çfarë dreqin më duhen këto mua? Mos paça njeri, kjo ka qënë mënyra më e tmerrshme për të harxhuar kohën e lirë!" I penduar thellësisht për hobin e koleksionimit të statujave të porcelanit, Gentian Ferradhiu thoëtë se së shpejti do ta lërë këtë aktivitet të urryeshëm për t'ia dedikuar kohën e lirë thurjes me shtiza.

7 Komente

 ".... "Vetëm sa më ther fort kur e shkel në toke dhe nuk mund ta përthyej më gjurin, por për të thyer nuk është thyer." - shprehet 44 vjeçari Gunga, baba i 5 fëmijëve. "Nuk dëgjova asnjë kërcitje kur u hodha, dhe kur e prek këtu Auuuuuuuu moj nënëëë!!!!!... Por nuk është e thyer. Këmbën e kam shumë mirë, ju betohem se kam 5 kalamaj për të ushqyer..." 

smiley 

"....I penduar thellësisht për hobin e koleksionimit të statujave të porcelanit, Gentian Ferradhiu thoëtë se së shpejti do ta lërë këtë aktivitet të urryeshëm për t'ia dedikuar kohën e lirë thurjes me shtiza..." 

“Unë dua të deklaroj me përgjegjësinë e Presidentit të republikës se kam besim të plotë që Interi do t’i tregojë ngjyrat e tij të vërteta në finalen e Champions League. Bayern është skuadër shumë e fortë, por kësaj rradhe fiton Inter. Është një ëndërr e vjetër për tifozat interistë.” – faleminderit.

Myqyryf, ku merr vesht ti!  S'ben dot arbitrin midis boksiereve Berisha e Rama, e dashke me bo arbitrin ne Champions League smiley

Blend, ku m'i psonis keta emra? Dilaver Pezhishka, Fitim Gunga, Lapallapa, Piciri smiley.

 Humore si keto, jane tepke, si ne sheshin e fshatit ..Mutohove. I ziu humor  ku ka rene....!

 ...si ka mundesi qe agjentet e SHISH ,te hajne grosh!!!.. hyyyp ....Xhixhi!

O Blendo tu "thafte dora" o mashtrus! Ku ke pa ti mer firaun qe nje juventin te boji tifozllik per Interin? S'meshtesim fuksat ne!

 

ooo, me juven jam dhe vete dhe ta kuptoj kritiken, po nuk e dija qe e paskena muhabetin mire dhe me presidentin.

Monda, kush tha qe sporti Rama-Berisha o boks? Jo mi moter, se boksi kaihere o prej verteti. Ata te dy lujne vetem wrestling!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).