03/05/2010  Portret/ "Gjenerali i klarinetës" ka huqet e një gjeniu, nuk flet shumë, por të tjerët kanë shumë për të thënë

PËRMET - Në Përmet e njohin si Usta Laveri, njeriun që në gjithë Shqipërinë njihet si "Gjenerali i klarinetës".

Ka vite që nuk e vë në buzë instrumentin muzikor që e bëri të famshëm në gjithë vendin. Edhe rrugët e qytetit nuk i shëtit dot më me gjallërinë e dikurshme. Për dy ditë, Ustai Laveri mbush 81 vjeç. Lindi më 2 maj 1929, në Korçë. Ende pa mbushur 10 vjeç nisi të ushtrohet me llautën e të atit, Bariut. Thanas Dino, gazetar, tregon se mbiemri i vërtetë i Ustait është Nukra, por banorët e thërrisnin "Laveri i Bariut". "Ai u dashurua me gërnetën qysh në moshë të mitur. Fare i ri mësoi instrumentin në mënyrë autodidakte", thotë Thanasi.

Thanasi tregon se për herë të parë doli në skenë me gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e "Dados".

"Askush si bie më laverçe, nuk lind më nëna Laver ", thotë Thanasi.

I vendosur për të mos e braktisur deri në fundin e jetës Përmetin, Laveri ka vendosur të qëndrojë me klarinetën dhe kujtimet që e lidhin me të.

Çdo mëngjes, Ustai, me pardesynë e gjatë ngjyrë gri, kapelën sferike dhe syzat e errëta, zbret tek kafja fare pranë shtëpisë, në lagjen "Partizani".

"Është fat për mua që t’i shërbej këtij gjeniu", thotë Nado, nusja djalit të tij.

"Sazet përmetare njihen në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Kjo është meritë e padiskutuar e Laver Bariut", thotë Nado.

Nado, tregon se Laveri e respekton jashtëzakonisht artistin Bujar Lako, i cili interpretoi me mjeshtëri filmin "Gjenerali i gramafonit", me regjisor Viktor Gjikën.

"Për të ai lë kokën! Bujar Lako, i cili interpretoi me mjeshtërisht rolin e Halil Beratit, u instruktua nga mjeshtri i klarinetës dhe solli në skenën shqiptare një film që vështirë të realizohet edhe një herë", pohon Nado.

Vetë Laveri kujton se gjatë sheshit të xhirimit dhe jashtë tij, Bujari ka qëndruar me të 3 muaj, 24 orë në 24 orë, hanin dhe pinin bashkë.

"Ishin ditë të arta", kujton Laveri.

Usta Laveri nuk flet shumë me gazetarët, ka huqet e një gjeniu dhe kur lëshon ndonjë fjalë e lëshon me kursim. Laveri tregon shkurt se qysh i vogël i ka sajuar vetë veglat muzikore, me degët e pemëve, por edhe me kallama gruri.

"Usta Laveri u ushqye me dashurinë për instrumentin dhe ndoqi me dinjitet traditën e Afize Leshkovikut, Meti Përmetit dhe ustallarëve të tjerë të veglave muzikore përmetare", thotë Nado.

"Ai i dha një vulë të vërtetë origjinale, muzikës së jashtëzakonshme përmetare, veçanërisht kabasë", shton Thanas Dino.

Biografia me Ustanë ishin puna më e vështirë për të ndërtuar diçka nga jeta e tij.

Fjala "Kali i kuq e ka një huq", duket e ngushtë në shpjegimin e njeriut të klarinetës shqiptare.

Ai nuk dëshiron të flasë për jetën e tij. Megjithatë, me ndihmën e Thanasit dhe Nados arrita t’i rrëmbeja disa fjalë.

"O, t’u bëftë Laveri ti, kohën e Mukës më kërkon tani ti mua, unë jam i vdekur tani, klarinetën e kam filluar unë, por nuk di datat, nuk marr vesh andej. Kam punuar xhezin për herë të parë. Kam lënë xhezin, pasandaj...", ishin fjalët që nxori nga goja, Usta Laveri.

Kulmin e tij artistik Laveri e ka pasur me këngëtarin e pavdekshëm Mentor Xhemali, vetëm vdekja i ndau.

"Kur zumë këngën "Mora rrugën për Janinë", u njoha me Mentorin. Melodia është imja, nuk diskutohet. Mentori më dëgjonte, më rëntë pika për ty usta, faleminderit, thosh kur i bënja vërejtje, i thosha të ulej një notë më poshtë", tregon Laveri. "Ndërsa, kënga "A kanë ujë ato burime", është improvizuar rastësisht kur korrnim me drapër, erdhi m’u hodh në qafë, kur ishte edhe gruaja ime aty", e mbyll bisedën për mjeshtëri.

 

11 Komente

Kur kam degjuar per here te pare kengen e Osman Takes ngela i habitur. Me shkoi mendja ke gjith ajo kenaqsi e ndaluar per gjithe ato vite.

Sazet e Permetit mallengjejne shumicen e shqiptareve, por

kur luan Ustai eshte megjitmend dicka e vecante.  

Laveri eshte vertet i vecante, si artist e si karakter.

Gjeni i klarinetes qe i jep nje ndricim akoma me vezellues muzikes aq te bukur Permetare!

Nuk di c'mund te them me teper se Faleminderit! 

Edhe 100 Laver! Edhe 1000 vepres tende!

 ... Laveri..!  Veç nje numur  telefoni  kerkoi,  por  nuk  i erdhi radha ta merrte.Kur siper  portes se pallatit te tij kalonin, gjashte pale tela.Ata qe ikishin as qe krahesoheshin me mjeshtrin e madh..  

   Gjashte telefona

  Lidhur  siper porte

  kapur me bullona

  Per sinjal Evrope

               Gjashte pale tela

                Shtrire  si per sehir

               Asnje nuk ish  thela 

               Per Ty  ne efir

 Kabllot  permbi dyer

S`t`i gremisen syte

Koken gjysem ngritur

Frynma  veç muzike

            Neteve te vona

            Kush shkonte ke porta

            Shplodhej nga jehona

            Neper shtate nota

 Ke nderuar vendin

Mbete gjalle per jete

Sta harrojme emrin

"Bonapar".. me klarinete

http://www.youtube.com/watch?v=C3s_gBeMjQ8

Te prita mike, te prita

atje poshte n'ato gjerdhe/

te prita mike, pse s'erdhe/

a te zuri gjumi, a me genjeve/


o nene, nene mavria/

hallet dhe dertet e mia/

nuk i di as Perendia...

 

Der Tag geht, LAVER BARIU kommt!

 

 

ejvallah per prurjen..pershendetje me kete kenge kushtuar laverit kenduar nga nje tjeter perfaqsues i tradites permetare..www.youtube.com/watch

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).