books-stacked.jpg

"Atë që duam e kërkojmë me fjalë, por pushkën e kemi plot…"

Ishin fjalët të cilat nuk do t'i haroj kurrë e përjetë. Ishin fjalë të shënuara në hyrje të qytetit pasi kalova kufirin. Meqë kohëve të fundit isha vetëm në lëvizje nga një vend në tjetrin vendosa që të pushoja pak. Fjalët e shënuara në hyrje të qytetit më bënin tepër kurioz, doja të dija se kush jetonte aty. Menjëherë pasi kalova kufirin, disa fëmije me dredhëza në dorë më përshëndetën Zieg Hald, ndoshta për arsye se në bluzën time shkruhej Deuchtland.

U trondita fare, lufta kishte mbaruar prej gjashtëdhjetë vjetësh, nuk di përse tash më rrotullohej në kokë shprehja "nacionalizëm i kulluar". Ishin fëmije të rëndomtë, me rroba të grisura, siç duket kishin ardhur drejt e nga arat, ku kishin mbledhur dredhëza. Para se të kaloja kufirin isha teper i rraskapitur dhe mezi prisja që menjëherë mandej me ndonje taksi të shkoja drejt e në ndonjë hotel që të pushoja. Por i harova të gjitha. Çka po ndodh në këtë vend, kush janë këta njerëz, si quhet ky popull ? Kufiri nuk ishte shumë larg qytetit.

Sinqerisht as që doja të shkoja në qytet: ku të shkoj, ku? Pas një kilometri, duke ecur autostradës shikoj një vajzë me një maicë të bardhë të përlyer duke shitur po dredhëza dhe duke lexuar Don Kishotin. Po ç'kërkonte Don Kishoti në duart e saj, ç'kërkonte ajo tek Don Kishoti. Nuk guxoja ta pyesja sepse nga përqëndrimi që mbizotronte, me sa dukej, dredhëzat do të ktheheshin në shtëpi ashtu siç kishin ardhur. Vazhdoja në rrugën time dhe ndërkohë më kujtoheshin të gjithë titujt e librave që kisha lexuar, një nga një, por siç dukej nuk kisha lexuar saç duhej, edhe pse në vendin tim njihesha si "njeri i librit".

Autostradës më ra në sy një djalë, i cili nuk ishte më tepër se 10 vjeç. Iu afrova dhe vendosa ta pershëndesja:

- Punë e mbarë djalosh, si po të shkon puna ?

- Mbarë qofsh zotëri, ja po mundohemi ngapak.

- Më fal por unë jam udhëtar vij nga larg, vetëm desha të të pyes se pse në këtë moshë të vogël po e mundon veten ?

- Eh more zotëri, e din se çka thotë Migjeni? "Mjerimi pjek fëmin para se te burrnohet".

Asnjëherë në jetë nuk jam ndier më keq, isha përballe para një dhjetëvjeçari, i cili më bëri të ndihem, në një moment, i kënaqur me atë çka ma ka fal Zoti dhe, në të njëjtin moment, të prekur.

Po kush qenka ky Migjeni, se e dija që filozof me këtë emër nuk kishte. Kush ishte e çka ishte nuk e mundova më teper djalin. I dhurova një laps, mandej vërejta disa pika loti në sytë e tij, lot që zemren ma ndalonin. Nxënësit e mi në pushimin e madh, lapsat që i kanë hudhë njëri-tjetrit... Klasa mbulohej nga copat e thyera të lapsit.

Vazhdoja rrugën dhe as qe më shkonte mendja të ndalesha e të pushoja. Kuptova se pjesë e atdheut nuk janë vetëm njerezit, por gjithçka qe ekziston brenda tij. Asnjëherë nuk jam ndier më shumë atdhetar. I takoj një kombi, por tash e ndiej se jam pjesë e atij kombi. Ngadalë po afrohesha kah qyteti. Nga larg shikoja disa kulme shtëpish të vjetra.

Ishte verë tepër nxehtë. Dielli perëndonte kurse unë veç sa hyra në qytet. Në shtëpinë e parë që pashë, nga oborri, dëgjohej një zë që recitonte. Kurioziteti më mbyti, u afrova dhe çka të shikoja? Djemtë gati-tu, përballë babait, me dorën në zemër. Me sa kuptova nuk ishte tjeter veçse hymni i tyre. Hymni i kombit tim dëgjohet vetëm në raste të veçanta, festa, lojëra sportive!

Para se të gjeja ndonjë hotel, desha të shkoj në ndonjë market e të blej diçka për t'u freskuar. Çfarë të shikosh? Trotuaret plot e përplot të mbushura me libra. Njerëzit vraponin andej-këndej, duke blerë dhe duke biseduar me njëri-tjetrin mbi çka ishin duke lexuar. Nuk desha të vazhdoja më. As në market nuk shkova. Me vrap u futa në hotelin më të afërt. As që më interesonte sa kushtonte. Në një farë mënyre isha i dëshpëruar nga vetja, porse më vinte mirë që paska njerëz, të cilët as që kam besuar që ekzistojnë dhe me brohoritje të forta të zemrës, i mbushur me atdhedashuri, përfundimisht u shtriva në krevat duke fjetur me sy hapur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).