arta-dobroshi-007-seangallup-400.jpg

Në një intervistë dhënë për “Shqip”, Haqif Mulliqi, regjisori e dramaturgu nga Kosova komenton situatën e teatrove shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. “Ne vuajmë nga sindromat e moçme të mbylljes brenda gëzhojave tona dhe ky është problemi me të cilin duhet të ballafaqohemi”, komenton ai. Ndër të tjera shpreh edhe shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit të artistëve nga Shqipëria në Kosovë. “Individualisht këta krijues kanë humbur, sepse është një publik i tërë atje të cilëve kanë se çfarë t’u thonë”, thotë Mulliqi.

Në gjysmerrësirë, salla “Black Box” e Akademisë së Arteve në Tiranë, edhe pse e mbushur me studentë, ka rënë në heshtje. Në skenë, regjisori e dramaturgu nga Kosova, Haqif Mulliqi, po ligjëron me ta. Po u jep diçka prej përvojës së tij, po i njeh me detaje nga tema “Dialogu në skenarin e filmit”. Studentët rrëmbejnë ç’të mundin prej këtij njeriu që dialogon thjesht, që u ofrohet me gjithë njohuritë. Ligjërimin e përfundon me thënien “Dialogu është një art i vërtetë”. Dhe i tillë është, jo vetëm në një skenar filmi, në një dramë teatrale, por i tillë është edhe në jetën reale. Në një intervistë për “Shqip”, ndër të tjera ai, komenton edhe situatën në teatrot shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. “Ne vuajmë nga sindromat e moçme të mbylljes brenda gëzhojave tona dhe ky është problemi me të cilin duhet të ballafaqohemi”, komenton regjisori e dramaturgu nga Kosova. Ndër të tjera, ai shpreh edhe shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit të artistëve nga Shqipëria në Kosovë. “Individualisht këta krijues kanë humbur, sepse është një publik i tërë atje të cilëve kanë se çfarë t’u thonë”, thotë ai.

Ju vini në Shqipëri në kuadër të një veprimtarie që është quajtur “Ura me tri harqe”, ku studentë e pedagogë të fakulteteve të arteve nga Tirana, Prishtina e Tetova, janë takuar për të shkëmbyer eksperiencat. Si e vlerësoni?

Mua personalisht më vjen mirë që ne kemi riaktualizuar një aktivitet i cili si ide ka filluar që në vitin 2001, por që për arsye të cilat unë nuk i di, është ndërprerë dhe është mbyllur. Kjo për mua ka një rëndësi shumë të madhe, pasi përmes tij na jepet mundësia jo vetëm të komunikojmë, por t’i shpalosim të arriturat e tri shkollave tona, të cilat përkundër asaj që kanë shumë të përbashkëta, kanë edhe të veçantat e tyre që e begatojnë artin shqiptar në përgjithësi.

Nuk duhet harruar që të tria shkollat tona janë zhvilluar në realitete të ndryshme. Kanë qenë gjithmonë të ndikuara nga presionet dhe prurjet e kulturave të ndryshme dhe përmes këtij aktiviteti, përmes elementeve të diversitetit që na bëjnë të dallueshëm, të përpiqemi që të krijojmë një vlerë të përbashkët që për mua janë arritjet e të tria shkollave. Edhe në rrafshin e artit dramatik, muzikor e figurativ ne kemi çfarë të japim e të marrim prej njëri-tjetrit. Besoj se të tilla aktivitete ndikojnë dhe ndihmojnë që të njihemi apo të krijojmë mundësi (një ide që në Prishtinë është shumë aktive) që edhe pedagogët të lëvizin më shpesh dhe më shumë. Ne kemi se çfarë t’i flasim dhe t’i japim njëri-tjetrit.

Përse zgjodhët temën “Dialogu në skenarin e filmit” për ta përcjellë para studentëve, mendoni se në këtë fushë ka mangësi kinematografia shqiptare?

Unë mendoj se janë disa prej temave që e shqetësojnë ambientin tonë. Shpesh flitet për mungesën e konfliktit në veprat e autorëve shqiptarë në përgjithësi, për një statizëm të dialogut, për mungesën e plastikës te dialogu. Të njëjtën temë unë e kam ligjëruar edhe në disa universitete të tjera siç është ai i Edinburgut në Skotland, kam bërë ligjërata edhe në Itali, apo në Universitetin e Egjiptit. Këto janë tema me të cilat ballafaqohet brezi i ri gjithandej. Unë thjesht kam dashur të jap një pjesë të dijes e përvojës sime. Ne kemi vajza e djem që shkruajnë shumë mirë skenarin, shumë saktë dialogun, ka edhe të tjerë që nuk e bëjnë edhe aq mirë këtë, por unë mendoj se është një kontribut më shumë në lidhje me disa pikëpyetje.

Vetëm pak ditë më parë në Tiranë, u festua 65-vjetori i themelimit të Teatrit Kombëtar. Kjo festë u shoqërua edhe me një debat që më së shumti kishte të bënte me reformimin e tij. Duke qenë se ju jeni pjesë aktive e skenës shqiptare, çfarë mendoni në lidhje me këtë?

Një prej problemeve kryesore që ka në teatrot shqiptare në përgjithësi është mbyllja e tyre me koncepte më të vjetruara. Unë mendoj se kemi shumë modele nëpër botë, madje edhe këtu pranë nesh që ekziston një hapje totale e formave, e metodologjive, e tendencave të reja.

Arti shqiptar në përgjithësi dhe teatri në veçanti, duhet të hapet më shumë. Nuk është se ne nuk kemi projekte cilësore, ka shumë të tilla, teatrot shqiptare kanë lëvizur nëpër botë gjithandej, madje kanë sjellë edhe çmime, por nevojat dhe pritjet tona janë gjithmonë më të mëdha. Ne duhet të krijojmë një skemë totalisht të re për sa i përket teatrit, një skemë e cila do ta deskematizojë përvojën tonë. E vetmja skemë është që ne duhet të hapemi sa më shumë.

Mundësitë janë dhe ndonjëherë ne nuk i konsumojmë deri në fund ato që duam. Duhet të luftojmë për t’u krijuar hapësirë tendencave të reja. Mendoj se artet pamore mësohen në mënyrë empirike, domethënë duke parë dhe jo duke lexuar. Vlerat t’i lëvizim nëpër botë që të krijohet një opinion për nivelin e teatrove tanë, të futemi në garë dhe të shohim ku jemi. Jo në pak raste na ndodh që kur shkojmë në ndonjë festival, të na thonë “është hera e parë që shikoj diçka shqip”, që është mjaft ofenduese apo “ju na keni habitur si shqiptarë” që prapë është sërish ofenduese. Kjo tregon që ne jemi pasivë dhe që shteti si këtu ashtu edhe në Kosovë duhet të japë shumë financime që të dalim nga kjo çerdhe që kemi krijuar dhe ku ka njerëz që ndihen shumë komodë aty. Të lëvizim nëpër botë dhe të krijojmë marrëdhënie, t’u marrim dhe t’u japim të tjerëve.

Unë mendoj që ne jemi shumë më mirë nga sa mendojmë për veten tonë dhe shumë më mirë nga sa të tjerët mendojnë për teatrin tonë, por na mungojnë financimet për t’u promovuar. Jam i mendimit se qeveritë i kanë programet për promovimin e këtyre kualiteteve, por asnjëherë nuk merren me to. Ne vuajmë nga sindromat e moçme të mbylljes brenda gëzhojave tona dhe ky është problemi me të cilin duhet të ballafaqohemi.

E njëjta gjë vlen edhe për kinematografinë?

Absolutisht. Rasti i aktores Arta Dobroshi dhe mundësia që iu dha te filmi “Lorna”, tregon se kur kishte mundësinë të përballej me një produksion të madh kinematografik, ajo u përball edhe me një festival të madh si ai i Kanës. Përmes një filmi shqiptar nuk besoj të jetë edhe aq e mundshme, sepse ne nuk investojmë aq shumë që veprat e autorëve tanë të lëvizin nëpër botë. Unë kam qenë në disa festivale të huaja me veprat e mia, ashtu sikundër edhe artistë të tjerë, por kjo është shumë pak për të thënë se ne u bëjmë një përfaqësim vlerave të arritura të artit tonë. Kemi shumë më shumë vlera nga sa na jepen mundësi për të treguar. Nga dita në ditë, nga vitit në vit ne krijojmë një ndjenjë inferioriteti.

Ne kemi mundësi të jashtëzakonshme, por vazhdojmë me skema të vjetra, sepse për vite të tëra janë krijuar shtresa të caktuara, të cilat i frikësohen krijimit të ideve dhe mundësive të reja. Unë besoj se artistëve të rinj duhet t’u krijojmë hapësira shumë më të mëdha.

Ju personalisht, keni qenë mjaft i angazhuar në skenën artistike shqiptare. Po artistët nga Shqipëria, sa të angazhuar janë në Kosovë?

Unë kam qenë mjaft i angazhuar këtë dhjetëvjeçarin e fundit në Shqipëri. Të paktën dhjetë drama të miat janë ngjitur në skenat shqiptare. Mua më shqetëson fakti që gjithnjë e më pak krijues nga Shqipëria janë të pranishëm në Kosovë. Unë kam qenë një prej aktivistëve më të zëshëm për ta hapur sa më shumë ambientin në Kosovë për krijuesit nga Shqipëria. Nuk e kuptoj nga vjen ky abstenim i tyre. Unë mendoj se këto duhet të jenë edhe politika të të dyja vendeve. Shteti duhet të ndërhyjë në të tilla bashkëpunime.

Nëse pas luftës ky bashkëpunim ishte në parimet e veprimeve tona individuale, ja e shohim që vjen një moment kur kjo nuk funksionon më. Por individualisht këta krijues kanë humbur, sepse është një publik i tërë atje të cilëve kanë se çfarë t’u thonë, por edhe begatia e skenës atje humb shumë, pikërisht se janë shkolla të ndryshme, edhe publiku ka nevojë të dalë prej skemave që ekzistojnë atje.

Cilat janë  projektet tuaja të ardhme?

Kam disa të tilla. Besoj se sivjet do të jem me dy ose tri premiera në teatrot shqiptarë. Kam kohë që me Teatrin Kombëtar në Tiranë kam negociuar për një projekt timin dhe pres që të kurorëzojmë duke ngjitur në skenë një shfaqje mjaft interesante. Më kanë ardhur shumë ftesa për të qenë në disa festivale në vende të ndryshme. E në të njëjtën kohë nuk lë pas dore as kinematografinë e mësimdhënien.

1 Komente

Interviste e mire per integrimin- qe do te coje ne ribashkimin e kombit dhe vlerave te artit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).