Forum

Pyetja: Mendoni se me situatën e krijuar, palët janë më afër zgjidhjes së krizës, apo konfliktit mes tyre?

Politikanët e vjetër u japin mazhorancës dhe opozitës alarmin e kujdesit për situatën e krijuar në vend, si rezultat i grevës së urisë së deputetëve të Partisë Socialiste. Për Sabri Godon, palët janë duke luajtur në një tokë të nxehtë. Pëllumb Xhufi nuk e mohon mundësinë që kjo situatë të sjellë në vend kolaps, si ai i vitit 1997. Ish-kryeparlamentari i PS-së, Servet Pëllumbi, jep zgjidhjet e mundshme për krizën dhe ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Birberaj, thekson faktin se kjo situatë e penalizon Shqipërinë për integrimin dhe vizat

 

Sabri Godo

Mendoj se partitë politike do të bëjnë një demonstrim të forcës deri në konfrontimet e mëtejshme, por pastaj do të vijë momenti që të ndalen dhe të kërkojnë një marrëveshje, sepse kjo rrugë nuk të çon asgjëkundi. Unë besoj se kjo do të ishte thirrja që shqiptarët do të donin t’u bënin palëve. Por siç e kemi parë edhe në muajt e kaluar, ka edhe një vullnet të fortë të komunitetit ndërkombëtar, i cili kërkon që çështjet të zgjidhen me dialog, të marrë fund kjo lloj anarshie politike. Tani për tani, nuk besoj se do të ketë dialog, ndoshta palët janë duke studiuar njëra- tjetrën, për të parë se çfarë do të bëhet. Por deri tani duken mjaft të vendosura për të ruajtur pozicionin e tyre. Ndoshta me kalimin e ditëve, kur presioni të bëhet më i fortë, atëherë mund të vijë koha që të hapet dialog. Situata mbetet për t’u parë, por ajo që duhet të kihet mirë parasysh nga palët është ruajtja e qetësisë dhe rendit, ruajtja e rregullave, sepse këto janë domosdoshmëri jetike. Çdo shkelje mund ta çojë situatën jashtë kontrollit. Palët kanë përgjegjësinë që të ruhen nga incidentet, nga njerëzit provokatorë që gjenden në çdo kohë. Këta njerëz mund të mos u përkasin palëve, por ndërhyjnë vetëm se kanë një prirje të atillë, ose mund të marrin porosi nga dikush jashtë. Palët duhet të kenë kujdes nga të gjitha anët, sepse duhet të kuptojnë se po shkelin në një tokë të nxehtë dhe duhet të ruajnë kontrollin në çdo rast.

 

Pëllumb Xhufi

Unë nuk e kam menduar shumë se ku po shkojnë palët. Mund të them që kjo që po ndodh është mënyra e vetme për t’u çliruar nga një qeveri dhe një tip qeverisjeje, që po e çojnë Shqipërinë drejt aventurës të paparashikueshme. Gjykoj se ne kemi një qeveri, ose më mirë një bandë qeverisëse, ku shumëkush është antishqiptar, shumëkush është edhe agjent i shërbimeve të huaja dhe ndonjë tjetër është kusar. Kështu që paradoksi i gjithë kësaj lëvizjeje dhe forme beteje që po zhvillon PS-ja tani lidhet me faktin se ne duhet të çlirohemi nga kjo qeverisje antishqiptare me metoda demokratike. Në një kohë që me shumë nga anëtarët e kësaj qeverie duhet të ishte marrë prej kohësh prokuroria, duhet të ishin marrë shërbimet tona të inteligjencës për gjëra që i kanë bërë në dritë të diellit, në mënyrë të hapur dhe kundër Kushtetutës. Unë gjykoj se një orë e më parë duhet të çlirohemi nga kjo qeveri, është e mira e të gjithë shqiptarëve, nëse ne duam të bëhemi një vend europian dhe jo një vend kinse europian, po që mbështetet akoma mbi Kanunin, lidhjet krahinore dhe mbi lidhjet e profilit bantitesk. Kjo qeveri gënjen, popullin e saj dhe ndërkombëtarët në një mënyrë të pafytyrë dhe nuk është çudi që një ditë ne të gjendemi buzë greminës, siç u ndodhëm në vitin 1997, siç u ndodh sot një vend i fuqishëm i Bashkimit Europian, si Greqia. Edhe Greqia ishte e ngritur mbi bazën e rrenave të maskimit dhe mashtrimit mbi shifrat ekonomike. Këtu duhet të mendojnë edhe faktin se Shqipëria nuk është si Greqia, është një vend shumë më i brishtë. Në këtë kuadër, më duket se ajo që ndodhi në vitin 1997, kolapsi total i shtetit mund të jetë edhe më i rëndë se ai që pësuam në këtë vit.

 

Servet Pëllumbi

E para mund të them që është shumë e padëshirueshme që puna erdhi deri këtu, deri në grevë urie. Duhet të gjendej një zgjidhje, pa e detyruar opozitën që të bënte këtë hap. Tani të dyja ato mundësi që thoni, janë prezente. E dëshirueshme është që të gjendet një zgjidhje. Kjo mund të jetë ose transparenca e plotë deri dhe hapja e kutive, ose kalimi në një zgjidhje politike. Kjo zgjidhje politike do të thotë konsensus kombëtar për modalitetet dhe standardet e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe marrëveshje politike për zgjedhje të parakohshme. Kjo që ka ndodhur këto ditë, pra mitingu me një pjesëmarrje shumë të madhe nga ana e opozitës dhe gjoja festimi, por që në thelb ishte antimitingu i mazhorancës, përmbajnë në vetvete rrezikun e konfrontimeve që do të ishin krejtësisht të padëshirueshme për të gjitha palët. Prandaj në këtë situatë, kërkohet maturi nga klasa politike dhe një ndjenjë e lartë përgjegjësie, sidomos nga mazhoranca dhe nga qeveria, që ka për detyrë të gjejë një zgjidhje për krizën aktuale. Me situata të tilla nuk mund të bëhet shaka, sepse konflikti nuk është tashmë vetëm në Parlament dhe as midis deputetëve, por ka zbritur në elektorat. Prandaj edhe zgjidhja nuk mund të shtyhet me mendjelehtësi siç është shtyrë deri tani.

 

Aleksandër Biberaj

Ne tashmë po përjetojmë një situatë konfliktuale dhe mendoj se palët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të shkojnë drejt gjetjes së zgjidhjes. Natyrisht që ka një krizë politike, e cila ka ardhur duke u agravuar pas 28 qershorit, ka edhe një krizë ekonomike dhe të dyja këto bashkë prodhojnë edhe kriza psikologjike, sociale. Pra kjo situatë e një krize komplekse kërkon menjëherë zgjidhje. Mendoj se edhe mazhoranca, edhe opozita, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Mendoj se shqiptarët nuk dëshirojnë që të vazhdohet ende më tej situata e krizës dhe dëshirojnë të kenë një jetë më të mirë, duke pasur mundësi të lëvizin lirisht pa viza. Por duhet të kuptojmë se përgjegjësia mbetet plotësisht e klasës politike shqiptare, që në njëfarë mënyre eksperimenton me popullin shqiptar, herë PD-ja dhe herë PS-ja gjatë këtyre 20 viteve kanë bërë vetëm eksperimente. Palët duhet të marrin përgjegjësitë reciproke, duhet të ngrihen mbi interesat personale, mbi ato politike dhe partiake dhe të vendosin mbi interesa kombëtare. Kjo, aq më tepër që agravimi i situatës së krizës rrezikon problemin e vizave dhe mund ta shtyjë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, plus që rikthen imazhet negative që politika shqiptare ka pasur në vitet ‘96-‘97. Vullneti i Europës ka qenë dhe është pozitiv për ta pranuar Shqipërinë në BE, por natyrisht mbetet sfidë e politikës shqiptare, përputhja me standarde ndërkombëtare dhe europiane. Kështu që, sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë do të rëndohet kriza dhe kostoja do të shkojë direkt te qytetarët shqiptarë dhe është momenti që palët të vendosin për të zgjidhur këtë krizë, e cila nuk mund të zgjasë pafund.

2 Komente

Eshte instinkt natyror i njeriut te largohet ose te evitoje konfliktin.

Keshtu qe Godo, Biberaj, Xhufi dhe Pellumbi te mos shqetesohen shume.

Nipat e Kastriotit nuk e duan me shume se te tjeret konfliktin, ata vetem se kane kuptuar ende qe ndodhen ne mes te nje konflikti.

Kur ta kuptojne, ata menjehere do te perqafojne njeri tjetrin me te njeten shpejtesi me te cilen u shane pak me pare. 

Di njeri si doli Qato ne boks?  

Me gjith men qe situata po agravohet keq e me keq.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).