(Nga tematika e  mëhallës prej qerpiçi )

Në një nga ato ditë që rigojnë e shpërhapin veç gri, qëndroj s’di-pse mu në qoshk të një pijetoreje. Tej qelqit me yndyrë, që më ndan nga dita e përhimtë, shoh një makinë luksi të ndalë mes një grupi djemsh mëhallash. Janë nga ajo racë që sikur i ka shkitur kohës dhe i gjen si ilegalë nëpër ca rrugina që humbin në shtëpi qerpiçi. Zbret shoferi, një mesoburrë që rrezaton kamje, por që ruan edhe një shpërfillje boheme për luksin, ngase nuk ka si shpjegohet ai gëzim si prej artisti që i lexohet në fytyrë.

Shoh djemtë që nisin e fërkojnë duart dhe mblidhen tek pjesa e pasme e makinës. Ndjej se ka për të ndodhur diçka në atë grumbull çunash me tuta rreth një makine luksi. Ç’të jetë?! Fytyrat e tyre përkundër frikës sime gjallojnë mirësi. Shoferi fillon të aktrojë, një kod gjëagjëze ka të stisur në fytyrë, buzëqesh, mbyll derën serbes, u flet çunave dhe gazplot arrin tek bagazhi me shkëlqim. Duket si magjistar. Disa pijanecë kanë braktisur raki e kukurrecë dhe i janë afruar magjistarit. Një zot e di çudinë që i ngriti pijanecët nga tavolina, por ja të presim…

Pyes Tomin të zotin e pijetores:

- O Tomi ky tipi ?

- Duro duro, ja po ta mbush një raki - dhe fap nxjerr atë enën prej alumini me masë të miratuar nga një instancë shtetërore për të cilën Tomi ka një histori të gjatë.

Gota mbushet sërish dhe ndjej se po i shkas kohës. Ka raste që më duket sikur nuk e mbërrij thelbin, zemrën e fenomenit, historisë, ndodhisë, mrekullisë. Ndonëse jam pranë, ndjehem i largët dhe shpesh vozis sanga njëri skaj tek tjetri. Ngjajnë skajet ngjajnë. Mendoni edhe Tom Mustaqja nuk ma thotë se çfarë fsheh ai dreq shoferi me tuta adiddas. Rrimë, pimë dhe shohim. Në pijetore mbretëron një solidaritet masonësh. Nuk ka konspiracion si rakia përbe!

- Janë pa çmim - dëgjohet dikush pas meje

- Çfarë?  - i them unë

- Duro, duro, pije dhe një raki se po piqen kukurrecët... prapë Tomi.

Gota zmadhohet sa vetë padija ime karshi këtyre burrave barkaluqë dhe pijanecë. Kjo vëllazëri rropullish. “Plondsat e dreqit, asnjë nuk flet hapur”- shaj ndërdhëmbë. “Do rri do pres zhgërryer në këtë llogore tymi”.

Ndërkohë në rrugicë, kalimtarët kanë hapur çadrat sikur të vesonte shi a borë sikur të përfaqësonin një kohë tjetër apo tjetër gjendje. Ata me çadra, grupi rreth makinës pa çadra. Ata shpërfillës, grupi i ankthshëm. Ata ecin, grupi i ngrirë. Dy gjendje të ndryshme që plotësojnë njëra tjetrën. Është si të jesh para një filmi hollivudian dhe një trilli evropian. E fik një hop filmin hollivudian. Skena që mbetet vazhdon të jetë tekanjoze. Shoferi ka nxjerrë një cigare dhe po tymos për qejf, rrethuar si me zili nga çunat e rrugicës. Duhen dhe amerikanët. E ndeza shqisën globale. Kalimtarët nisin rrugëtimin, me çadra, shpërfillës andej nga metropoli i asgjësë.

Çiraku i Tomit ka vënë një dyzinë me qofte në zgarë dhe kur e kur lëshon ndonjë vështrim në tryeza, ashtu si kot, si për të konfirmuar çast pas çasti pozicionin me peshë në strukturën prej dy personash të pijetores. Struktura s’di pse më sjell në mendje pezhishkën e merimangës. Se nga ka ngelur ai në rrjetën e Tomit, ndoshta prej borxheve të bixhozit dhe ja një ditë nga klient u gdhi çirak. Sytë i shkojnë tek qoshku ku ulej me orë mbi skedina. I rrjedhin lot, por i fsheh në tymin e qofteve.Ves i mallkuem.

- Po hape atë mut bagazhi dhe nxirri dreqin - çirret Buç 5-Kilshi nga tavolina tjetër, por xhami i lokalit e bën memec për gjindjen jashtë.

Dora - dorës enigma po del në dritë. Diçka duhet nxjerrë për publikun, por çfarë do jetë iluzioni çfarë?

Ne shqiptarët se njohim durimin. Po fillon të më shijojë pritja. Rrëshqas midis skajeve, pa u përplasur si në një arenë patinazhi. Miqtë e mi të mejhanes, ata që rrëzohen përditë edhe nga guriçkat, në këtë arenë qenkan patinatorë të thekur. Akulli është i qashtër si rakia. Bile është vetë rakia e ngrirë. E ngrirë si skena përballë. Si filmi evropian. Por ne rrëshqasim si amerikanë mbi raki shqiptare.

Barku i Tomit ma shtyp imazhin. Ja ku jam me epruvetën e liçensuar para syve.

-Mjeshtër, ky lali është Nik Stërmasi, milioner, me prona. Por ka ngel kalamo nga trut’. Po ta hudh edhe nji teke.

Tomi sapo kishte zbuluar emrin e personazhit, që kishte mbetur femijë dhe unë ja paskërkam pikasur një si gëzim prej fëmije kur e pashë për së pari.

-Mendo i ofruan 30 mijë euro për një çift dhe nuk pranoi. Çfarë palle!

Rrëkëlleva gjysmën e gotës. ÇIFT ?!...Por nuk desha ta jepja veten. Përballë meje kisha Nik Stërmasin e ngazëllyer dhe dishepujt e mëhallës dhe mejhaneve fqinje që prisnin aktin e mrekullisë. Seç kishte një përndritje fytyra e tij, asqë e çante kokën se turma po e prekte, ndotte makinën luksoze. Të tjera mendime fluturonin në kokën e tij. Herë - herë i ngrinte sytë nga qielli. I ngrinin edhe dishepujt. I ngrinim edhe ne. Tehu i diellit po fillonte të çante qiellin. E përhimta po merrte ngjyrë nga ky krim.

Si të kishte marrë një sinjal nga prej së larti, Nik Stërmasi, çeli bagazhin e makinës dhe futi dorën brenda duke i hedhur një vështrim prej prestigjatori të gjithë gjindjes përreth. Kishte ardhur çasti fatlum. Ne të pijetores bashkë me Tomin ngrimë. Shiku tërhoqi krahun me forcë dhe e vërviti në ajër dhe ne pamë të flatrohej një pëllumb bardh e zi, që sapo u shkund nga përplasja e parë me ajrin, çau në drejtim të kundërt me qytetin. Me sytë nga shpendi ne nuk e kishim parë Nikun që lëshoi një pëllumb tjetër, krejt të bardhë. Pëllumbi i hodhi një vështrim turmës, pastaj të zotit dhe shkoi nga e urdhëroi ai me një rrotullim të syve. Ishin pëllumba garash që vinin nga një fluturim rraskapitës dhe falë Zotit ishin gjallë. Ishin gëzimi i Nikut.

Ai mbylli bagazhin dhe djemtë nisën të çapiteshin drejt pijetoreve të rrugicës. Hipi në makinë dhe e shkeli gazin sikur do të fluturonte.

- Çfarë palle! - u dëgjua zëri i Tomit që u mbyt nga shkroftimi i qofteve në zgarë.

10 Komente

Rrofsh xheke. Me ne fund po te lexojme prape ketu, dhe si perhere, eshte kenaqesi.

 Shume e bukur Xheke. Dore profesionisti.

yep!

falemnderit qe e lexuat

me kenaqesmiley

xheke, rrofshnjë.

ej, na ke vra me ket - "ka ngel kalama nga trute". E veshtire me vu i limit moshor se kur burrnohen "çunat"; na ka plas debati knej pikerisht per ket, desha me te thone (n'elipsin e ngushte shoqnor).

 

Floro nuk e ke idene, ka qene nje grup qe merrej me plluma, ndanin nje pasion qe me thon te drejten e kisha harru fare se ekzistonte.

smiley e papame kjo smiley

ve bast qe dhe emri i nikut eshte origjinal dhe jo i shpikur, sepse ashtu vjen natyrshem historia smiley

Shume mire.

Me pelqeu ajo qe lexova. Mendoj se te duhet edhe pak kohe per te "pastruar" pak stilin tend te cilin e ke gjetur tashme.. suksese

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).