Sot mblidhet task-forca e shëndetësisë, do diskutohet edhe për kriteret dhe mandatin e primarëve të pavijoneve

Projektligji i arsimit të lartë, nenet që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë mësimdhënien dhe shërbimin shëndetësor, si në rastin e spitaleve universitare, ka ngjallur shqetësim mes bluzave të bardha. Konkretisht, deri sot të gjithë ishin në dijeni se, përveçse duhet një kontribut shumë i madh, të jesh figurë e shquar e fushës, duhet të mbash edhe titullin “profesor” për të marrë iniciativën e konkurrimit për të qenë shef shërbimi. Tanimë që procedurat për të qenë shef i një pavijoni në një nga spitalet universitare janë liruar edhe më tej, shqetësimi lidhur me metodën e konkurrimit për të qenë në krye të shërbimeve apo për të mbajtur postin po rritet në përpjesëtim të drejtë me pikëpyetjet që kanë edhe universitetet lidhur me propozimet e ndryshimeve në ligjin aktual të arsimit të lartë. Për shkak të paqartësive, pyetjeve apo nevojës për të qenë pjesë e grupit që kërkon të amendojë ligjin e arsimit të lartë, nesër gjatë mbledhjes së task-forcës së shëndetësisë, pritet të diskutohet edhe për këtë çështje.

Mbledhja

Sot, sipas njoftimit zyrtar, pritet të mblidhet task-forca e shëndetësisë. Grupi i punës do të diskutojë lidhur me hapat që do të ndërmerren për të vazhduar reformën në këtë sektor, problemet, apo mbarëvajtjen e punës për përmirësimin e mëtejshëm të kujdesit ndaj pacientit. Po ashtu, lidhur nga diskutimi që ka lindur për më shumë se një javë për projektligjin e arsimit të lartë, kërkohet të shtrohen për shqyrtim edhe pikat dhe nenet që përfshijnë spitalet universitare, mësimdhënien në fakultetet e mjekësisë, si dhe kriteret e kërkuara për të qenë në krye të shërbimeve shëndetësore në spitalet universitare.

Sipas profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, deri tani ky projektligj është ende në formën e draftit, megjithatë asnjë vendim nuk do të merret edhe nga ana e shëndetësisë, pa u konsultuar më parë dhe pa vendosur në mënyrë të përbashkët edhe me konferencën e rektorëve.

Projektligji

“Në fakultetet e mjekësisë të institucioneve publike të arsimit të lartë që kanë spitale universitare, përgjegjës i shërbimit është titullari i shërbimit. Ai duhet të jetë figurë e spikatur në fushën e shërbimit dhe të ketë së paku titullin akademik ‘profesor i asociuar’ ose gradën shkencore ‘doktor’, të fituar në një universitet të njohur jashtë vendit”, thuhet në projektligjin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë.

Po ashtu, në projektligj sqarohet se “përgjegjësi i shërbimit përzgjidhet me konkurrim të hapur. Kriteret e tjera të kualifikimit dhe modalitetet e organizimit të konkursit përcaktohen në statusin e IAL-së ose në rregulloren e njëjësisë kryesore të tij”. Ndërkaq, autoriteti drejtues i njësisë kryesore i propozon drejtorit të spitalit universitar dy kandidatura, të klasifikuara nga konkursi i hapur, në vendin e parë dhe të dytë. Mandati i përgjegjësit të shërbimit zgjat 4 vjet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).