Ministria e Mbrojtjes u mban nga 3500 dollarë 130 ushtarëve që ruajtën aeroportin e Heratit

Një kontingjent prej 130 ushtarësh shqiptarë që shërbyen për gjashtë muaj në Afganistan, nuk janë paguar ende për misionin e përfunduar në muajin shkurt.

Kanë kaluar dy muaj që ushtarët e Repartit të Reagimit të Shpejtë në Poshnjë të Beratit përfunduan me sukses detyrën e tyre në Herat të Afganistanit, duke përfaqësuar në mënyrë dinjitoze Shqipërinë, por pagat për muajin janar dhe shkurt nuk i kanë marrë ende.

Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë Repartit të Reagimit të Shpejtë me numër 1030 në Poshnjë të Beratit. Ushtarët e këtij reparti ankohen se për muajin janar dhe shkurt nuk janë paguar nga Ministria e Mbrojtjes, ashtu siç kishin nënshtruar kontratën para se të niseshin në shërbim.

Të gjithë ushtarakët e këtij misioni, të cilët në muajin shtator të vitit të kaluar nisën shërbimin e tyre në Afganistan, kanë nisur të shprehin pakënaqësinë e tyre në lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas burimeve brenda këtij reparti, kontingjenti i gjashtë paqeruajtës i nisur nga Reparti i Reagimit të Shpejtë Poshnjë u nis nga Shqipëria drejt Afganistanit, përkrah forcave italiane dhe ka shërbyer për plot gjashtë muaj në aeroportin e Heratit, në Afganistan.

130 forcat e këtij kontingjenti mësohet se u kthyen nga shërbimi në fund të muajit shkurt, duke mbyllur me sukses misionin e tyre. Por, ndërsa për katër muajt e parë të shërbimit ata janë paguar në kohë, pasi paga e tyre u ka kaluar në llogarinë rrjedhëse në bankë, për dy muajt e fundit ende nuk janë paguar. Ushtarët që u bënë pjesë e këtij misioni, shprehen, pa pranuar të identifikohen, se paga për muajt janar dhe shkurt nuk u ka kaluar ende në bankë dhe për këtë nuk kanë marrë asnjë sqarim. Ata thonë se ndihen të tradhtuar për këtë veprim të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi po kalojnë ditët e fundit të muajit prill dhe ende nuk janë paguar për janarin dhe shkurtin.

Në lidhje me shqetësimin për mospagesën, ushtarët janë ankuar dhe pranë repartit të tyre, por fondi për pagesat e tyre kalon direkt nga Ministria e Mbrojtjes dhe jo nëpërmjet repartit. Ushtarët shprehen se janë paguar sipas kontratës me 60 dollarë dita për shërbimin e tyre në Afganistan, ndërkohë që kanë shërbyer përkrah forcave ushtarake italiane dhe atyre amerikane për ruajtjen e aeroportit civil të Heratit.

130 ushtarët e misionit të gjashtë në Afganistan janë pjesë e Batalionit të Reagimit të Shpejtë të Poshnjës dhe janë banorë të Qarkut të Beratit. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga fshatrat e rretheve Berat dhe Kuçovë. Ushtarët kanë nisur të shprehin zemërimin e tyre, pasi shumë prej tyre nuk kanë asnjë të ardhur tjetër për të mbajtur familjet, veç të ardhurave nga shërbimi ushtarak. Ministria e Mbrojtjes i ka borxh secilit ushtar rreth 3500 dollarë amerikanë për dy muaj në shërbimin e kryer në një nga zonat më të pasigurta të globit.

5 Komente

Fakti që s'kanë paguar edhe "rambot", do të thotë se qeveria është pjerdh fare...

Mirë që qeveria kujton se mund të tallet me shkollat dhe spitalet, por që të tallet dhe me ata që e dinë se ç'do të thotë të vësh jetën në rrezik, do të thotë që është pjerdhur jo vetëm ekonomikisht, por edhe nga trutë... se s'ma ha mëndja se rambot kanë në metodat e tyre të protestës "greva urie".

une lexova edhe qe elita 5 nuk ishte pagu per fushaten dhe se ishin shpreh se nuk vinin mo po prape kishin ardh legenat...po ashtu kam lexu edhe qe policat dhe msuesit nuk jane pagu; po ashtu edhe pensionistat nuk kan mor pensionet. M'ben pershtypje se ca ndryshon me 130 ushtare me shume ose me pak? pse permendet si rast i vecante dmth?

Se e kane rrogen  smiley  e madhe.

Mire qe i dergon jashte shtetit po duan dhe rroga.

Tamom, ktu po flitet per buken e gojes kto dun rroga

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).