Analisti britanik, Tim Judah, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën pritet të hapë rrugën për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet teknike.

 

Në një intervistë për BBC-në, zoti Judah thotë se bisedimet do ta ndihmojnë Serbinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian meqë, sipas tij, marrëdhëniet fqinjësore janë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai thotë se Kosova dhe Serbia kanë një gamë gjërash për të diskutuar, përfshirë edhe çështjen e statusit të Veriut të Kosovës.

Deklaratat e tij pasuan njoftimet për mundësinë e hapjes së bisedimeve për çështjet teknike nga vjeshta e këtij viti.

Korrespondenti i BBC-së, Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Judah.

BBC: A ka ardhur koha për të hapur sërish bisedimet për çështjet teknike, të cilat janë diskutuar mes të dyja palëve për një periudhë të gjatë?

Z. Judah: Sa më shpejt që të bëhet, aq më mirë është. Sepse qytetarët po i vuajnë pasojat për shkak të shkëputjes së telefonave, apo se nuk mund të udhëtojnë e probleme të tjera si këto. Sa i përket shumicës së qytetarëve, sa më shpejt që të fillojnë këto bisedime, aq më mirë. Unë nuk po them se kjo do të ndodhë së shpejti, sepse Serbia nuk do ta pranojë Kosovën si të barabartë dhe as Kosova nuk do të pranojë të hyjë në bisedime si e pabarabartë. Unë nuk shoh kapacitete as të Serbisë dhe as të Kosovës që të bëjnë diçka vetëm, prandaj janë edhe këto ide që po qarkullojnë se herët a vonë, nën një mbikëqyrje ndërkombëtare do të duhej të kishte një lloj bisede ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, unë dyshoj se diçka do të ndodhë deri pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

BBC: Pra, GJND-ja do të jetë një lloj kushtëzimi i bisedimeve mes palëve?

Z. Judah: Nuk mendoj se fjala është për kushtëzim, por ky është më parë një lloj standardi dhe të shohim se çfarë do të thotë. Natyrisht se të gjithë supozojnë se vendimi i gjykatës do të thotë në njërën anë këtë ose në tjetrën atë, dhe se do të jetë i paqartë. Por, askush nuk mund të jetë i sigurt, sepse p.sh. mund të thotë se Kosova ka të drejtë njëqind përqind të jetë shtet i pavarur ose mund të thotë se Kosova, sipas mendimit tonë, nuk ka të drejtë të jetë shtet i pavarur. Të dyja këto skenare mendoj se kanë pak gjasa të ndodhin, por nuk ka pse të paragjykohet rezultati i këtij vendimi.

BBC: Por, nëse vendimi është i paqartë, siç e thoni, a vlerësoni se kjo mund të jetë pikë fillimi i një raundi të ri negociatash?

Z. Judah: Në këtë pikë kjo mundëson që të bëhet diçka realisht. Kjo mund të shihet si mundësi sepse të gjithë, përpara këtij vendimi, duan të presin e të shohin se cili do të jetë rezultati. Kur ta kenë rezultatin, atëherë kjo mund të jetë një mundësi që palët të kthehen dhe të diskutojnë për çështjet praktike.

BBC: Kur thoni çështje praktike, a hyn këtu edhe Veriu i Kosovës?

Z. Judah: Po, në kuadër të çështjeve praktike mund ta shihni edhe këtë. Në kuadër të këtyre çështjeve praktike janë ligji, drejtësia, doganat, kontrabanda, që të gjitha kanë të bëjnë edhe me Veriun. Kemi patur brenda këtyre dy javëve edhe çështjen e telekomunikacionit, ku nga veprimet e operatorëve serbë në Kosovë, me të drejtë ose pa të drejtë, shumë qytetarë u shkëputën nga rrrjeti i telefonisë celulare. Ka probleme edhe me udhëtimin dhe dokumentet. Shumë njerëz kanë vështirësi që të udhëtojnë përmes Serbisë, nëse kanë nevojë që ta bëjnë këtë pa dokumente serbe dhe që, natyrisht, është vështirë të merren këto dokumente kohët e fundit. Pra, kemi një gamë problemesh, që nga gjëra relativisht të thjeshta, siç është ajo e telefonisë, e deri tek ajo se cili duhet të jetë statusi i Veriut të Kosovës, si njëra prej gjërave më të vështira.

BBC: Ju po flisni për statusin e Veriut. A do të ketë bisedime të vështira për mënyrën e zgjidhjes së problemit atje dhe cili duhet të jetë statusi?

Z. Judah: Mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Ka diskutime se ndoshta do të duhej të organizoheshin bisedime për marrëdhëniet praktike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, personalisht mendoj se ato ka pak gjasa që të çojnë drejt një hapi konkret. Unë mendoj se të gjithë, Kosova, Serbia dhe Veriu i Kosovës, pra shqiptarët dhe serbët, do të mbeten të ngujuar në situatën aktuale, pak a shumë, për të ardhmen e afërt dhe unë nuk jam shumë optimist për ndonjë lloj bisede për këtë.

BBC: A janë këto bisedime, për të cilat po flitet, të ndërlidhura me idetë e integrimeve euro-atlantike, që do të ndihmonte të dyja palët drejt kësaj rruge?

Z. Judah: Kjo me siguri se do ta ndihmonte Serbinë sepse ka shumë çështje, që janë edhe të Kosovës, natyrisht, që do ta ndihmonin Serbinë në një afat të shkurtër. Kjo sepse ka dyshime nëse Serbia, eventualisht, mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën. Disa mendojnë se është e mundshme, disa të tjerë se nuk është e mundshme dhe një pjesë e tretë mendon se nuk është relevante. Nuk kemi ardhur ende atje, por marrëdhëniet e mira fqinjësore janë çelësi i hyrjes në BE. Nëse dikush nuk ka marrëdhënie të mira fqinjësore atëherë pse duhet lejuar Serbia dhe Kosova që të anëtarësohen në BE. Në një plan afatgjatë ato janë të ndërlidhura.

BBC: A duhet që këto bisedime, për të cilat po flitet, të ndërmjetësohen nga BE-ja apo OKB-ja apo ndonjë ndërmjetës tjetër?

Z. Judah: Në kuptimin se unë nuk shoh që udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë mund të bëjnë diçka vetë ose me nismën e tyre, atëherë mendoj se ato duhet të ndërmjetësohen nga dikush tjetër. Nuk ka shumë rëndësi kush do të jetë ndërmjetësuesi. Por, nëse serbët dhe kosovarët nuk mund të flasin së bashku, natyrisht, bisedimet duhet të ndërmjetësohen nga dikush tjetër, përndryshe bisedimet nuk ndodhin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).