Qeveria miraton vendimin për shitjen. Investitorët e fitojnë tokën me çmim qesharak.

 

Pronarët e fshatrave turistikë në bregdetin shqiptar, veçanërisht në Gjirin e Lalëzit dhe atë të Durrësit, do të mund ta blejnë tokën që deri tani e kishin me qira apo me koncesion afatgjatë përkundrejt çmimeve referencë të përcaktuar në tre vendime qeverie, ku nuk është marrë parasysh vlera e tyre si tokë në zonën turistike, por është llogaritur si tokë bujqësore. Këshilli i Ministrave miratoi dje udhëzimin përkatës të mënyrës së llogaritjes së vlerës së tokave. “Çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës”, thuhet në udhëzimin e qeverisë, duke iu referuar tre vendimeve që kanë përcaktuar një çmim për të gjitha tokat në të gjitha rrethet e vendit. Kjo do të thotë se çmimi i blerjes është përcaktuar në VKM 139 të 13 shkurtit 2008. Në këtë vendim përcaktohen çmimet minimale të shitjeve të tokave në rrethet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër, çmime ku bazohet administrata fiskale për të përcaktuar taksat për kalimin e pronësisë.

 

Çmimi

Të gjithë e dinë se në bregdetin e Durrësit toka mund të shitet për minimalisht 30 euro metri katror, ndërsa në vijën e parë toka shitet për deri 250 euro metri katror. Por qeveria mendon se çmimet e përcaktuara nga tregu janë të larta. Për këtë arsye, përdor një hartë të vetën. Sipas hartës, çmimet e tokës truall në Komunën Katund i Ri, ku përfshihen edhe fshatrat buzë detit në Gjirin e Lalëzit, variojnë nga 1160 në 1476 lekë për metër katror. Në këtë zonë, qeveria ka dhënë disa dhjetëra hektarë tokë me koncesion në vitet 2000-20002. Në Hamallaj dhe Rushkull, ku ka gjithashtu koncesione, çmimi i tokës truall është vetëm 800 lekë metri katror. Qershia mbi tortë, zona e Komunës Golem në Rrethin e Kavajës, ku gjendet edhe shumica e fshatrave turistikë që do t’u shitet toka sipas vendimit të djeshëm, mbart çmime të tilla: një metër katror tokë kushton 1257 lekë, ose më pak se 9 euro; ndërsa toka bujqësore kushton nga 340 deri në 431 lekë metri. Pasi të fitojnë titullin e pronësisë, pronarët e fshatrave turistikë do të fitojnë gjithashtu të drejtën të ndërtojnë pallate në ato vende ku nuk janë ndërtuar ende, ndërsa krijohen edhe kushtet ligjore për të legalizuar ndërtimet pa leje që janë bërë jashtë projektit fillestar të fshatit turistik.

“Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistikë dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë, ata do t’i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të ‘weekend’-it. Statusi i fshatrave turistikë është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t’i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët”, deklaronte Berisha në gusht 2009, kur njoftoi fillimisht se kishte ndër mend ta shiste tokën në bregdet.

 

Procedurat

Sipas udhëzimit të djeshëm të qeverisë, subjektet e interesuara do të bëjnë një kërkesë pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, institucioni që u ngrit fillimisht me synimin për t’u dhënë tituj pronësie njerëzve të varfër nëpër “bathoret” e Shqipërisë, por ku deri tani tituj pronësie kanë marrë vetëm pronarët e pallateve shumëkatëshe pa leje, ndërsa së shpejti me tituj do të pajisen edhe pronarët e zonave turistike.

“Shlyerja e çmimit të truallit nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), në të cilin është përcaktuar vlera e çmimit që do të paguhet”, thuhet në udhëzimin e djeshëm. Blerësit do të kenë gjashtë muaj kohë për ta paguar tokën, si dhe do të përfitojnë ulje në rast se zgjedhin të shlyejnë të gjithë shumën njëherësh.

 

Persona të stimuluar në turizëm

Herët, në vitet ‘90, qeveria vendosi të nxisë zhvillimin e turizmit, duke ofruar tokë me qira të ulët dhe afatgjatë për subjektet që merrnin përsipër të ndërtonin komplekse turistike elitare apo masive. Këto subjekte morën status ligjor të quajtur “person i stimuluar” dhe mes të tjerash përfituan edhe heqjen e taksave doganore për materialet e importuara në funksion të fshatrave turistikë. Disa qindra hektarë tokë në bregdetin e Durrësit (veçanërisht te mali i Robit dhe në Golem), si dhe në Gjirin e Lalëzit në veri të Durrësit, iu dhanë këtyre subjekteve që premtuan fillimisht dhjetëramilionë dollarë investime. Por me kalimin e kohës, aty ku qe ideuar ndërtimi i fshatrave turistikë, u ndërtuan vila dhe pallate që u shitën te të tretët. Teorikisht, në këto raste kontrata e qerasë duhej të ndërpritej nga autoritetet shtetërore, të cilat, si zakonisht në Shqipëri, nuk vepruan. Për më tepër, pronarët e fshatrave turistikë thjesht harruan të paguajnë qiratë e tokave. Vitin e kaluar, Kryeministri Berisha i akuzoi pronarët e të ashtuquajturave “fshatra turistikë” si pasanikë që jetojnë mes luksit dhe si të tillë duhej të paguanin vlerën e tokës. Udhëzimi i djeshëm e bën të mundur që toka që dikur iu dha me qira për 30 ose 99 vjet sipas rastit një kompanie dhe që tashmë posedohet faktikisht nga shumë pronarë, të copëtohet dhe t’u kalohet atyre pronarëve që pranojnë të paguajnë paratë.

“Për njësitë e ndërtuara që gëzohen nga dy ose më shumë subjekte të interesuara/persona të stimuluar, në rastet kur njëri prej tyre ka paguar pjesën takuese të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar ky i fundit ka të drejtë të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë, pavarësisht nëse bashkëpronari tjetër nuk ka paguar pjesën e tij, takuese, të çmimit të truallit”, thuhet në udhëzimin e djeshëm.

 

* Fotoja është ilustrative. Marrë nga shkoder.net

8 Komente

Shoqeria eshte nje organizim shume i "bute" dhe si rrjedhoje eshte shume e thjeshte ta rikthesh ate ne nje stad "natyror".

Shqiperia ka dhe disa shembuj ne historine e saj te afert qe deshmojne per nderhyrje te vazhdueshme ne kornizen mbajtese te shoqerise, qe kane rezultuar ne nje rikthim te demshem ne kete stad natyror.

Eshte themelore qe te kuptohet se:

Liria eshte e domosdoshme per qytetarine e plote, dmth edhe te lulezimit e plote te nje shoqerie. Lulezimi i cdo shoqerie fillon pikesepari ne njohjen e lirive specifike dhe formale.

Prona eshte pa medyshje nje nga keto liri themelore, ne mos me kryesorja.

Nderhyrjet e panderprera me pronen do te vazhdoje te ndikoje thellesisht cfare lloj shoqerie kemi, dhe do te kemi ne te ardhmen.  

Thanks tropizma. Berisha po behet pronar defakto i Shqiperise. Duket se ka gatuar dicka me nanon ne vjene qe do ta shijojme te gjithe. Plus, bregu Palases i shkon i gjithi Metes.

E ke thon mor namik po kush te ka degju.

 Po token ne Vucitol, me sa e shet ky agai u Shqiperise. 1 cent metrin katror?

Eh, ky vendim a ligj ka si shtytes kryesore Sandrin me Zamirin qe zoterojne vilat tek Laguna Blu ne Qerret. Ta gezojne token e falur nga Enveri dhe pushteti popullor. Edhe Fevzija ka toke atje, po ashtu edhe Luli, Nikolla, Ruli, Redbulli etj.

The rich get richer, po a jemi ne kumonizem apo kapistallizem!

Po si do perfitoi (prape) Argita & Co.?

 Eshte interesant me keta  qe udheheqin.Nuk perpiqen te jetojne sa me mire e sa me qete, por qe te jetojne sa me gjate.

   A thua se do te jetojne mijera vite, kur gjithkush e di se njerezve  dhe atyre si te gjitheve, u eshte caktuar prej Zotit, te jetojne mire e pa telashe dhe asnjerit per te jetuar  sa me gjate.

  I kemi shume te ditur, por kete mesim Perendie  nuk e kane nxene.Ndaj vuajme e do te vuajme  ...gjer diten  qe u eshte caktuar..... Fat ky, jo shaka

kane shume lagshti ato dreq shpijash ,dhe zengjinet dun me i shit, me letra t'rregullta smiley

ato rob qe kane shpija ne ato zona kane leke me e ble qivirrine edhe parlamentin 20 here ne dite, po nuk e marrin mundimin per nje cope kolibeje ne kenete.

pervetesimi i pronave te katunarise  mbare, dhe tek tuk ndonje  ish pronari te madh, ne gjithe bregdetin shqiptar, eshte bere trendi i ri i nje pjese te investitoreve ne ndertim dhe spekulanteve ne real estate, qe qarkullojne neper xhepa leket e aferave te politikes.

kjo nuk eshte vetem pune argite&co, kjo eshte nje ceshtje per te cilen rama&co dhe berisha&co behen vellezer smiley

dhe jane bere xhanem.

nejse, haram i pacin o zot, pronat e te tjereve.

 

haram i pacin o zot, pronat e te tjereve.

Amin!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).