Këtë 1 Maj jam larg Shqipërisë. Jam saktësisht 20 maje larg saj. Nuk më kujtohet festimi i 1 Majit të fundit, para 20 vjetësh. Mbaj mend se, Gjergji, një shok i afërt arkitekt, kish për detyrë të projektonte dhe drejtonte punimet për ndërtimin e asaj tribune të fundit. Nganjëherë në mbrëmje shëtisnim me Teutën, gruan e tij, dhe Gjergji shkëputej nga larg (sepse kuptohej që ne nuk i afroheshim dot tribunës që ruhej me policë e ushtarë), kur dëgjonte emrin e vet ndër ulërimat tona... se siç thotë legjenda, atyre ditëve nuk kish kush celularë. Për tribunën punohej gjithë natën... Nuk e di përse nuk bëhej ngadalë e me kohë: ndoshta sepse duhet të ishte surprizë totale mëngjesin e 1 Majit.
Me miq të mirë, e sidomos me tim atë, çdo 1 Maj masnim deri në detaje absurde çfarë elementësh "ekstravagantë" apo "perëndimorë" ishin lejuar të mbijetonin në vizatimin, ngjyrat apo lirinë në llojin e fontit të prdorur në Tribunën e atij 1 Maji. Duke qenë krejt të izoluar nga lajmi i vërtetë, një qenie joekzistuese në sferën publike të socializmit tonë, tek ajo tribunë e ngurtë, përpiqeshim të gjenim e merrnim me mend drejtimin tekanjoz e dëshpërues të një sistemi që na kish lodhur mes tribunave, parakalimeve e sfilitjeve boshe, dhe sakatuar nga mungesat e gati gjithçkaje, sidomos të zërit individual. Kujt ndër "të mëdhenjtë" do t'i buzëqeshte Enveri këtij viti, e kë do injoronte? Cilin do përgëzonte gjatë festës? Sa do i dridheshin duart apo humbiste shikimi? Ishte ai vetë apo ndonjë sosi e tij? Dhe përgjigja zhgënjyese ishte po ajo: "Çfarë flet!? Hiç, more, hiç! As do ndryshojmë ndonjëherë ne! Këtu do kalbemi!"...Kështu çapiteshim atij bulevardi duke mërmëritur e shtyrë mbrëmjen, para e pas 1 Majeve të festave të detyruara që dukej sikur nuk do mbaronin kurrë.
Kam ndjekur festimet e 1 Majeve të dhjtëvjeçarit të fundit, për arsye shkencore kësaj radhe. Jo ato shqiptare, por ato të Rusisë dhe Kinës. Ishin raste të mira për t'u shpjeguar studentëve të mi të kursit të propagandës vlerën simbolike të këtyre festimeve sot, si mund të shihnin pas madhështisë apo harrimit të tyre, mesazhin që Putin donte t'i transmetonte Evropës Lindore, apo Shteteve të Bashkuara, ashtu si edhe mbështetësve apo kundërshtarëve të vet brenda Rusisë. Që t'u krijoja një ndjesi konkrete për spiralen histerike të turmës së këtyre festimeve masive revolucionare nën diktaturë (që ata e kanë shumë të vështirë ta perceptojnë), u shfaqja pjesën që trajton Kinën dhe revolucionin kulturor në filmin "Violina e kuqe", me të cilin ata lidhen më lehtë. Por e di që është e pamundur të ndiejnë atë që ndienim ne 1 Majeve, kur gardhoheshim e na shtynin, e na kuadratonin, e na regjimentonin si barinjtë e mirë bagëtinë idiote, ditën kur duhet të parakalonim; afrimin në vendin e grumbullimit, kur Tiranës me qendër të bllokuar duhet t'i bije përqark; arrije më në fund në pikën e grumbullimit: duhet gjeje grupin me të cilin do ta vuaje manifestimin; dhe niste lëvizja e ngadalshme... lëvizej fare pak, më ngadalë se breshka, e kështu njerëzia zvarritej dhimbshëm drejt tribunës, veshur me rrobat më të mira e ato për të cilat të thoshin "I gëzofsh!"; Sa larg tribunës jemi ende? Ohuuu!- ia priste dikush,- jemi akoma larg!; zvarriteshim e prisnim; akoma po parakalonin ndërmarrjet; ne të rinjtë e kalamajtë ishim të fundit, ata që gëzonin më fort Enverin; më në fund idhte radha jonë; na ulërisnin të duartrokisnim fort dhe të çirreshim ndër slogane, t'i mbanim sytë e qeshur nga tribuna, ta shihnim udhëheqësin drejt e në sy; dhe ashtu bënim, sido që unë lëvizja veç gojën pa nxjerrë zë, dhe ky më dukej si një akt rebelimi dhe lufte ndaj sistemit; rrallë qëllonte afër ndonjë shoqe e besuar me të cilën këmbenim vështrime fshehurazi që veç ne e dinim çfarë qenë; në gjimnaz, me Zhakun dhe Rabjanën, bëmë edhe një plan që "ta qëronim" Enverin në një nga ato parakalimet dhe të çlironim njerëzit nga zgjedha e tij; një plan ku e vetmja gjë e qartë ishte se nuk e donim, dhe se po të na dëgjonte kush, ishim të mbaruara, ne dhe farefisi - gjë tjetër reale në atë plan nuk kishte; por na bënte të ndiheshim sikur vërtet po luftonim kuçedrën dhe na fuste morrnica të këndshme, morrnica që sot të rinjtë i marrin nga të tjera procese fizike e që nuk kanë të bëjnë aspak me ide anarkike; mbaj mend se kur parakalonim para tij atë 1Maj, i hidhnim njëra-tjetrës shikime adoleshentesh të dëshpëruara, teksa njerëzia përreth ulëriste e qeshur për Enverin, e na shkelte këmbët në turrjen e vet... Ecni, ecni! Më shpejt! Më shpejt! E ndonjëra, për të të cingërisur nervat edhe më shumë të thoshte: "A e pe sa i bukur dhe i ri dukej! Yll, yll! Po shikonte tamam nga ne, dhe ia bëri me dorë tamam grupit tonë " Dhe ti duhet të zgërdhiheshe. Sidoqoftë, pas pikës ku kalohej tribuna, gjithçka shfryhej e vyshkej si një tullumbac i plasur që kish qenë i fryrë për muaj me radhë. Edhe hareja e fryrë me pompë po ashtu venitej dhe njerëzit i kapëllonte boshi. Pastaj zakonisht niste një shi, sa për të zgërlaqur lulet e 1 Majit bërë me aksion e letër kineze nga gjithë shkollat e kryeqytetit, e për të bërë zgjyrë rrobat e reja. Nuk na mbajti koha, për dreq!
Studentët e mi amerikanë donin të bënin një festë fundviti në oborrin tim këtë 1 Maj. Ua shtyva për javën e ardhshme, sespe kam ende lule për të mbjellë. Në fund të fundit, ndjesia e tyre për 1 Majin si festë e veçantë e lidhur me këtë datë, është joekzistuese. Shumica vijnë nga Çikago, dhe çuditërisht nuk e kanë idenë sesa e lidhur me ta është festa e 1 Majit. Ua shpjegoj sa herë kam rast origjinën dhe rëndësinë e festës, e u tregoj për masakrën e Haymarket-it tamam në Chicago në maj të 1886-ës kur punëtorët grevistë luftonin për ditën tetë-orëshe të punës; u tregoj për përdorimin më tej të këtij simboli nga lëvizja komuniste e më pas vendet socialiste... dhe e di që më konsiderojnë pak a shumë komuniste. I lë të mendojnë si duan; në fund të fundit edhe im atë ashtu mendon. Çështja është se kuptojnë që nuk jam e djathtë, ndaj i bie që duhet medoemos të jem komuniste...pak a shumë ashtu siç është komunist edhe Obama. Studentët e mi nuk e dinë që tradita e festimit nisi tamam me atë masakër para gati një shekulli e gjysmë në qytetin e tyre, Chicago. Por jam e bindur që të gjithë ata dinë shprehjen tjetër, që duket sikur përcjell në të traditat pagane keltike sjellë me vete nga kontinenti i vjetër: "Hurray, hurray, the First of May, outdoor f...ing, starts today!". Le të festojnë këtë version të 1 Majit studentët e mi! Nuk është aspak më i keq sesa ai i që festoja unë kur isha studente! Por më ka bërë gjithnjë përshtypje suksesi i administratës dhe elitave ekonomike amerikane që lehtësisht zhdukin krejt një ngjarje nga memorja kombëtare: një shtypje brutale herën e parë, dhe pastaj harresë e injorim tërësor, shoqëruar me ofrim me bollëk alternativash qejfndjellëse që ta çrrënjosin një ngjarje të shkuar që sistemi nuk e dëshiron. Dhe ia dalin shumë më mire, sesa ia dilnin komunistët me dhunën e diktaturës së propetariatit. Kështu u shkatërrua krejt kultura e grevës, e sindikatave, e festimit të 1 Majit, e lëvizjeve të majta përgjithësisht, sado pak të majta ato. Veç nëpër universitetet amerikane gjenden tashmë celula mendimtarësh të majtë... por kush e vret mendjen për ta; ata s'i prishin punë kujt.
Në të njëjtën ditë, pra më 1 Maj, qyteti universitar ku jetoj ka një maratonë publike, paratë e mbledhura prej së cilës, kontribuojnë në kërkimet shkencore për kancerin si dhe në kujdesin për fëmijët e abuzuar. Katër mikesha të miat marrin pjesë në grup duke e ndarë distancën në katër pjesë, por unë kam një muskul të vrarë, ndaj e evitoj. Në mëngjes, po sot, më 1 Maj, më duhet të jem në një konferencë për mediat, komunikimin dhe politikën, organizuar nga studentët pasuniversitarë të departamentit ku punoj. Ata, në mesazhin e fundit dërguar pjesëmarrësve, thonë: "Kujdes për lëvizjet dhe parkimet këtë 1 Maj! Qyteti i Urbanës zhvillon një maratonë dhe trafiku është i rënduar ngaqë rrugët janë bllokuar!". Koha është e bukur dhe gjelbërimi duket sikur të rritet para syve. Ky është 1 Maji im i këtij viti, ku asgjë s'ka lidhje me 1 Majin e Vjetër.
Ky 1 Maj bie në një fund jave. Tamam sot kam në plan të mbaroj mbjelljet e luleve në kopsht për këtë verë. Kam katër fundjave që marr aq shumë gëzim nga "tribuna" ime e gjelbër, pa roje, dhe pa mesazhe absurde. Por një foto e madhe bardhë e zi në një kornizë druri, tamam e një tribune 1 Maji, asaj të vitit 1970 ose 1971, rri varur hirshëm në qendër të fotove të vjetra në dhomën time të ndenjjes. Im atë është në të i ulur galiç pranë kameras së tij gjigante nga e cila ka filmuar paradën për Televizionin Shtetëror të atyre moteve. Po në atë podium pranë atij dhe kameras, jemi ime motër, nja tre ose katër vjeç dhe unë, shtatë ose tetë, duke diskutuar vrullshëm diçka që lidhet me lulet prej letre që kemi në dorë. Nuk pozojmë, por me siguri ndonjë shok i babit pranë, na e ka bërë këtë foto. Ne kemi veshur fustane të reja dhe geta, dhe flokët i kemi të prera "me favorite". Veç tri hapa pas nesh, krekosen ngjitur dy tribuna: nga ajo më e madhja me një punëtor me libër në dorë e një flamur ku shkruhet "1 Maj" (por jo viti), janë duke u tërhequr për në Hotel Dajti udhëheqësit, ndërsa nga tjetra, më e ulët, po tërhiqen trupat diplomatike. 1 Maji atij viti sapo paskësh mbaruar. Me siguri nona dhe mami na presin në shtëpi me tavolinën shtruar për drekë, ne fatlumëve që e kishim parë Enverin nga "fare afër".
Por unë vazhdoj ta festoj gjithnjë 1 Majin me tim shoq, vajzat dhe miqtë e mi (motoja ime: sa më shumë festa, aq më mirë!)... them se është një festë për ne që punojmë, mendojmë fort e bukur, mbrojmë zhurmshëm dhe lirshëm parimet tona të lirisë, sfidojmë vogëlsinë dhe intrigën. Rëndësi ka të festosh, të dish përse feston e ta bësh këtë në mënyrë të lirë e jo të detyruar. E festojmë ... veçse jo me pulë e patate furre apo pilaf, dhe as me kadaif si dikur. Sido që shija e tyre, ka mbetur e ngulur fort në një kthinë të masës gri të trurit, ku rrinë fshehur e kyçur të gjitha aromat, shijet, prekjet, ngjyrat, ndjesitë e pashpjegueshme të dimensioneve topofilike të fëmijërisë.

7 Komente

me mahniti pjesa e artikullit qe tregon se autorja ka qene disidente qe ne shkolle fillore kur parakalonte para xhaxhi shejtanit per 1maj. Keta disidentet qe ne maternitet te lene pa goje. Rast interesant disidence mund te jete perdorimi i gazetes zeri i populli si leter higjenike, pikerisht ne familjet e komunisteve... Jo per ndnj gje por tek ata nuk mungonte kurre.

mos u habit fare t - familjet e vjetra tiranase (tirons puro) nuk kan pas naj simpati per dullen (nofka "dull'" eshte tregus me vete). Ket anti-simpati e kan shpreh ne familje. Kam pas rast me degju fmije 8-vjecareje qe flisnin kunder dulles hap (shoke klase) kurse mu m'ndalohej cdo koment politik prej familjes meqe kisha mizen...

Per fat te keq, 1 Maji nuk duket se ka ndryshu shume sot te ne

tung bredharak. S'e ve ne dyshim qe ato qe the ti qendrojne. Por kujtimet prej veteraneje antikomuniste ishin totalisht jashte kontekstit te servirur te artikullit.

Por më ka bërë gjithnjë përshtypje suksesi i administratës dhe elitave ekonomike amerikane që lehtësisht zhdukin krejt një ngjarje nga memorja kombëtare: një shtypje brutale herën e parë, dhe pastaj harresë e injorim tërësor, shoqëruar me ofrim me bollëk alternativash qejfndjellëse që ta çrrënjosin një ngjarje të shkuar që sistemi nuk e dëshiron. Dhe ia dalin shumë më mire, sesa ia dilnin komunistët me dhunën e diktaturës së propetariatit. Kështu u shkatërrua krejt kultura e grevës, e sindikatave, e festimit të 1 Majit, e lëvizjeve të majta përgjithësisht, sado pak të majta ato. Veç nëpër universitetet amerikane gjenden tashmë celula mendimtarësh të majtë... por kush e vret mendjen për ta; ata s'i prishin punë kujt.

Na ishte nje here 1 Maji!

 Kam ndjekur festimet e 1 Majeve të dhjtëvjeçarit të fundit, për arsye shkencore kësaj radhe. Jo ato shqiptare, por ato të Rusisë dhe Kinës.

..po c`jane keto budallalliqe, "per arsye shkencore!!!!" ..ku eshte shkenca ketu!.. te befshin mire keto studime, Eda, ti mbac me shendet per vete, se nuk i hyne ne pune kujt kjo shkenca jote!!

S'na tha (le që tani nuk ja mban) se ç'plane thuri këtë 1 Maj për të eliminuar komunistin Obama.

Tobestrafurullah! I kuptoj ata studentët e Çikagos që nuk e marrin vesh ktë zyshën.

Eda qeka profesoreshe ne U of I ne Urbana-Champaign.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).