Kukës, vdes nxënësi i klasës së katërt, u tërhoq nga lopa në kullotë

 

Një 10-vjeçar nga fshati Fshat i Komunës së Grykës së Çajës ka humbur jetën ndërsa kulloste lopën. Nderim Karanxha nxënës i klasës së katërt, i biri i Kapllan Karanxhës, emigrant në Francë, kishte lidhur lopën me litar duke e tërhequr me dorë.
Por në një moment të caktuar lopa e acaruar nga miza ka vrapuar duke e tërhequr zvarrë bariun e vogël nëpër rrëpirat e fshatit dhe nga ky shkak ai ka mbetur i vdekur. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, ndërsa sot 10-vjeçari është përcjellë në banesën e fundit me një ceremoni të veçantë. Përveç familjarëve kanë marrë pjesë edhe të gjithë nxënësit e shkollës së fshatit. Tre vite më parë në fshatin Fshat nga një ngjarje e ngjashme pat humbur jetën një grua 40 vjeçe.

 

Si ndodhi ngjarja

Ashtu si nxënësit e tjerë, Nderimi, shkollari i klasës së katërt ka vijuar mësimin ashtu i përpiktë dhe shembullor, siç ishte dhe siç e njihnin mësues e shokë. Si shumica e fëmijëve të fshatit ai pasditeve ka ndihmuar familjen duke ruajtur bagëtitë. Përkatësisht 10-vjeçari ruante lopën e vetme të shtëpisë e cila mbante me qumësht atë dhe katër fëmijët e tjerë. Ditë më parë lopa kishte pjellë dhe kjo do të thotë që mbajtja në kullotë bëhet edhe më e vështirë. Për të mos bërë dëm në arat e fshatarëve dhe për të mos humbur, bariu i vogël e ka lidhur lopën me litar ndërsa njërin skaj të litarit e ka mbështjellë në njërën dorë. Banorët e fshatit thonë se lopën e kishte “marrë miza”. Ndodh vërtet që nga thumbimi i një insekti lopa të acarohet dhe vrapon si e tërbuar. Kjo gjë ka ndodhur edhe me 10-vjeçarin teksa mbante në kullotë lopën e shtëpisë të lidhur për litari. Lopa e acaruar kishte ndaluar disa kilometra larg fshatit në shpellat e Çajës, ndërsa nxënësi kishte mbetur në rrëpirë i copëtuar nga tërheqja e tmerrshme, prej disa qindra metrash ku edhe litari ishte këputur. Disa prej fshatarëve që kanë parë skenën e tmerrshme kanë vrapuar në drejtim të lopës për ta ndaluar, por ka qenë e pamundur. Një grup njerëzish ka vrapuar shumë shpejt te djali i vogël, por ai kishte dhënë shpirt. “E ka marrë miza lopën dhe fatkeqësisht litari i mbështjellë për dore ka qenë fatal për Nderimin e vogël”, tha një fshatar dje në ceremoninë e varrimit.

 

Varrimi i të miturit

Me të ndodhur ngjarja tragjike, familjarët kanë nisur gjëmën në shtëpi, si dhe kanë njoftuar baba Kapllanin që ndodhej në Francë si emigrant. Ky i fundit fluturon me të shpejtë me një avion në Shqipëri dhe arrin në fshatin e tij pak orë para se të bëhej varrimi i të birit. Në varrimin e të miturit kanë marrë pjesë edhe nxënësit e shkollës ku çdo klasë i ka kushtuar një kurorë me lule. Mësuesi i fshatit, Tefik Shehu, tha se nxënësi-bari 10-vjeçari Nderim Karanxha ka qenë një nga nxënësit më mirë në shkollë, i edukuar dhe shumë i lidhur me familjen dhe me punët e bujqësisë. Ai na bëri të kuptojmë se 10-vjeçari kishte qenë viktimë e një jete të vështirë që bëhet në fshat ku familjet e lidhin ekzistencën dhe ushqimin e fëmijëve me një lopë të vetme, për të cilën duhet të kontribuojnë edhe fëmijët e vegjël. Ky është mendimi mbizotërues në fshatin e vogëlushit dhe në zonë.

“Ai ishte viktimë e një jete të vështirë”, pohoi një fshatar. Edhe më herët pakujdesi të tilla brenda kësaj “jete të vështirë”, u kishin kushtuar jetën personave barinj. Rreth katër vjet më parë një grua në fshatin Fshat gjeti vdekjen e rrëzuar në shkëmb pikërisht duke kullotur bagëtinë.

2 Komente

Babain emigrant ne France dhe "ishte viktime e nje jete te veshtire"! Na e peshtirosen keta shoqet bolshevike qe as nuk ja kane idene se cfare behet ne Shqiperi dhe as nuk duan te ja dine, thjesht bejne propagande se ndjehen me mire ne veten e tyre. Ju duket vetja te vlefshem.

 Bulevardi, jo te gjithe emigrantet kane pune te perhershme. Pastaj ne çdo fshat, te mbash nje lope, eshte domosdoshmeri, per te lehtesuar jeten ose me sakte per te mbijetuar. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).