Ekspertët e Bankës Botërore: Qeveria të gjejë zgjidhje para kolapsit

Sistemi i pensioneve në vend shikohet me shqetësim nga zyra e Bankës Botërore në Tiranë dhe nga ekspertët e saj ndërkombëtarë. Në ditën e dytë të konferencës u diskutua pjesa që prekte aspektin social, ndihmën ekonomike dhe pensionet në veçanti. Për BB-në, pensionet në vend rrezikojnë të përfshihen në një skemë të papërballueshme për qeverinë, për shkak të raportit negativ që paraqesin kontribuuesit me përfituesit. Referuar prezantimeve të bëra nga tre ekspertë të BB-së, dilte se me nivelin aktual të papunësisë, me numrin e paktë të kontribuuesve dhe numrin e lartë të përfituesve që parashikohet të rritet akoma e më shumë, si dhe me tendencën e plakjes së popullsisë dhe reduktimin e lindjeve, rezulton se brenda një periudhe 4-vjeçare sistemi i pensioneve në vend rrezikon probleme të mëdha financimi. E pyetur nga deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, lidhur me uljen e kontributeve, drejtoresha e BB-së, Camille Nuamah, u përgjigj se, “çështja e pensionit në Shqipëri nuk është një çështje afatshkurtër, por afatmesme. Ka gjasa që mënyra sesi sistemi aktual i pensioneve po funksionon, e çon atë në deficit brenda një periudhe afatmesme e afatgjatë dhe zgjidhja mund të vijë përmes reformave të qëndrueshme”.

Një tjetër eksperte e BB-së, e cila paraqiti situatën sociale në rajon dhe ndikimin nga kriza, Ufuk Guven, theksoi nevojën e menjëhershme për reformë që u nevojitet pensioneve. “Reforma bëhet sot, që të përfitohet sa më shpejt. Çdo vonesë sjell kosto”, tha Guven. Sipas saj, reforma në pensione kërkon mbështetje dhe mjedis të përshtatshëm politik. “Ndoshta çështjet e pensionit nuk janë shqetësuese sot për Shqipërinë, por do të vijnë gjithnjë e më shumë duke u bërë më të rëndësishme, sepse vendi juaj është një popullatë e re dhe me plakjen e popullatës dhe për shkak të papunësisë, apo tregu informal, të ardhurat do vijnë duke u ulur, kurse shpenzimet duke u rritur. Pra, pensionet do të bëhen një çështje e rëndësishme në të ardhmen”, tha Guven. Sa i takon uljes së kontributeve, të miratuara vitin e kaluar, me 5 për qind për punëdhënësin, ekspertët e BB-së e gjykojnë pozitive, por pa harrur rritjen e atyre që e paguajnë.

Deficiti i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri pësoi një rritje stratosferike gjatë katërmujorit të parë të këtij viti, si pasojë e rritjes minimale të të ardhurave dhe rritjes masive të shpenzimeve. Sipas bilancit, qeveria arkëtoi 18 miliardë lekë kontribute për pension apo për kujdes shëndetësor nga të punësuarit, me rritje vetëm 0.45 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet u rritën me 19.2 për qind dhe arritën në 34.2 miliardë lekë. Të ardhurat e fondeve publike të sigurimeve shoqërore e shëndetësore mjaftuan këtë vit për të mbuluar vetëm 53 për qind të shpenzimeve, nga 62 për qind që mbulonin një vit më parë. Buxheti i shtetit ka planifikuar një deficit prej 48.5 miliardë lekësh te fondet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

3 Komente

shum modestisht, kete teori une e kam thene kur greqia nisi te merrte masa kursimi (une e kam thene qe shqiperia duhet bere kehstu). o hajdute te bb, qe me vidhni idene! smileysmileysmileysmileysmiley

Ka thene dikush ketu ne peshk para ca kohesh...

 

'Taksat, njerez, (dhe kompani bashke) paguani taksat!'

Ah te shkretet pensionistet shqiptare, po i vdesin me pahir duke ju futur dhe tartakutin. Mir qe ju japin pak, por dhe kjo ju duhej.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).