Gjatë kohëve të fundit, që e kanë polarizuar shoqërinë shqiptare në ekstrem, në debatet midis njerëzve kam hasur, gjithnjë e më shpesh, polemika të mbërthyera tek binomi Berisha-Rama. Ndërkohë që fanatikët, militantët e servilët e të dy palëve i kam parë të verbuar edhe më në dashuri-servilizmin për liderin e tyre karizmatik, ata më racionalët e të zhgënjyerit jo rrallë i kam parë të debatojnë edhe ata me emocione të polarizuara mbi këta dy personazhe, rreth temës se cili prej të dyve është më i rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë, madje duke u shtyrë deri edhe në peshimet se cili ndër të dy është më delirant, paranojak, mitoman e megaloman.
Argumentet që jepen në favor të Berishës në këtë lloj polemike janë pak a shumë ato se ai është diktator, por është diktator i vjetër që ka rënë një herë nga kali dhe ka mësuar, kurse ky i PS është diktator i ri që s’ka mësuar ende nga humbja; se Berisha mund të jetë i përfshirë në korrupsion, por nuk ulet në tryeza me lloj-lloj banditësh si ky i PS; se ai bëri një koalicion më të gjerë dhe u tregua i gatshëm të bashkëpunonte me Ilir Metën kurse Rama donte me një palë zgjedhje të bëhej absolut: të mbante Bashkinë, të kapte Kryeministrinë, të eliminonte edhe Berishën, edhe Metën e liderët e partive të vogla si Gjinushi, Milo etj. Gazetarët pro Berisha u shtojnë këtyre argumenteve edhe faktin se ai, gjithsesi, nuk ka obsesionin që ka Rama për të kontrolluar mediat.
Ata që mbrojnë Ramën, edhe pse nuk ia mohojnë deliret e autoritarizmin, përqendrohen në sulmet kundër Berishës. Me etjen e tij të shfrenuar për pushtet – thonë - po merr një nga një të gjitha institucionet. Shihni ç’po bën për pushtimin e gjyqësorit, po shkatërron mediat e bizneset që nuk janë në krahun e tij, punon në mënyrë të paturpshme kur i duhet të eliminojë ose shantazhojë kundërshtarët, kurse Rama gjithsesi është më qytetar se Berisha, nuk merret me familjet e tjetrit apo me jetën private, më i azhurnuar me zhvillimet e sotme botërore dhe, megjithëse autoritar, ka afër tij njerëz më demokratë.
Duke u nisur nga fakti se Rama citoi një nga ligjëratat e Nolit kundër Zogut dhe bëri të vetën parullën se ne nuk duam të na vendoset këtu një mbretëri, u bë edhe një lloj prapaprojektimi i problemeve të sotme në vitet ‘20. Polemika shkoi deri në identifikimin e Ramës me Nolin dhe të Berishës me Zogun e te diskutimi se cili prej të dyve ishte më diktator dhe cili më pak. Duke iu referuar bojkotit e grevës së socialistëve dhe në përgjithësi luftës jashtëparlamentare të PS, u shkrua edhe për fanolizmin anakronik të Ramës duke nënkuptuar me këtë grushtin e shtetit të 1924-ës së kryer nga Noli. (Shih për këtë edhe dy shkrime të Aurel Plasarit).
Ngulmoj, siç kam bërë edhe herë tjetër, se qasja që e redukton gjithçka në antropologjinë e Berishës apo Ramës si rrezik më i madh i njërit apo i tjetrit për demokracinë është jo vetëm sempliste, por edhe e gabuar. Madje do të thosha se, ta shtrosh çështjen se njëri i vjen hakut tjetrit është bash ta shtosh rrezikun e autoritarizmit.
Nëse do të më lejohej të hiqja edhe unë një paralelizëm me vitet ‘20, kur thuhet se Noli dhe Zogu u ndeshën me njëri-tjetrin se cili do të bëhej diktatori i Shqipërisë, gjykoj se duhet të shohim më së pari diferencat e mëdha me atë kohë dhe pastaj edhe ngjashmëritë. Diferenca më e madhe qëndron në kontekstin ndërkombëtar. Po ta vëmë re hartën e Evropës së asaj kohe - e pas Luftës së Parë, e shpërbërjes së katër perandorive të mëdha austro-hungareze, otomane, ruse e gjermane dhe e lindjes së shumë shteteve të reja kombe - do të shohim se pjesa e saj me hapësira demokratike u zvogëlua shumë në favor të pjesës me shtete  në krye të të cilëve u vunë diktatorë (disa prej tyre i quanin të ndritur). Mjaft të kesh parasysh se kjo ndodhi në Gjermani, Itali, Spanjë, Rusi, Turqi, por edhe në Hungari Rumani etj. Madje, madje mund të thuhet se, në këtë kontekst, të imagjinoje që një diktator i ndritur apo i pandritur të vinte në krye të shtetit të ri shqiptar ishte një gjë gati-gati normale. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se edhe fashizmi edhe komunizmi, si ideologji që prodhuan diktatorë, ishin në periudhën e lulëzimit të tyre në atë kohë. Dhe kush është marrë seriozisht dhe thellë me ngjitjen e diktatorëve të asaj kohe nuk e ka shpjeguar këtë kurrsesi thjesht dhe vetëm me etjen për pushtet të individëve si Musolini, Hitleri, Stalini, Franko etj. por me kontekstin e ri social, politik, kulturor të shoqërive ku ata kanë mbirë.
Kurse konteksti ndërkombëtar që na rrethon sot mund, pa frikë, të konsiderohet si i përkundërt me kontekstin e viteve ’20. Sot kemi një hartë të Europës që, qysh prej rënies së Murit të Berlinit është zgjeruar në favor të demokracive. Mjafton kaq për të kuptuar se e ardhmja e aspirantëve për diktatorë është në kundërrrymë me kohën.
Megjithatë, për t’u kthyer tek ngjashmëritë me atë kohë, “fashizmi brenda nesh” siç e quan Foucault, në forma të tjera mbetet një rrezik që kurrsesi nuk mund të konsiderohet i kapërcyer edhe në vende me demokraci të pjekur e jo më në vende që nuk kanë shumë që kanë dalë nga koha e diktatorëve absolutë. Por ndërkaq përvoja na ka mësuar se lufta kundër këtij rreziku nuk është aspak një luftë midis pak individësh më të mirë a më të këqij në krye të vendit, madje as punë shprese se po dalin liderë më demokratë apo libertarë, por një rrugë që ka të bëjë me ndryshimin e bazës prej nga dalin diktatorët. Dhe, në këtë kontekst, të shpresosh se Rama do të na shpëtojë nga rreziku Berisha ose anasjelltas është shprehje e kulturës së vjetër të “fashizmin brenda nesh”. Ngritja e këtyre individëve në rolin e liderit absolut në partitë e tyre është bash shprehje e kësaj kulture fashiste dhe, po të vazhdohet me këtë prirje, pa dyshim që nesër, me eliminimin e njërit prej të dyve, do të mbetemi edhe më të rrezikuar. Por ama edhe sikur të ikin të dy, siç kërkojnë disa, po nuk ndryshoi kultura e partive që ata drejtojnë, do të vijnë të tjerë t’i zëvendësojnë duke marrë tabiatet e tyre. Prandaj gjykoj se ndryshimi duhet të vijë nga një emancipim i bazës së partive që i kanë në krye dhe më gjerë akoma i tërë shoqërisë, nga përpjekja morale e kulturore e secilit për të refuzuar liderë si Berisha e Rama si mjet shpëtimi dhe për të marrë në dorë fatet tona nëpërmjet emancipimit të vetvetes dhe ndërtimit të institucioneve demokratike. Sepse, tek e fundit, këta lloj liderësh nuk janë tjetër veçse modeli i liderit që kanë sot për sot shumica e shqiptarëve në kokë dhe me sjelljen e tyre publike s’bëjnë tjetër veçse përpiqen të luajnë rolin e liderit që i pëlqen kësaj shumice.
Ja çfarë shkruante Elsa Morante për Musolinin në vitin 1945:
“Shefi i Qeverisë u njollos në mënyrë të vazhdueshme gjatë karrierës së tij me krime që, sikur të kishte pasur të bënte me një popull të ndershëm, do t’i kishte dhënë dënimin e merituar, do ta kishte njollosur me turp dhe do t’i kishte hequr çdo lloj autoriteti për të qeverisur. Po përse populli ia lejoi, madje edhe ia duartrokiti këto krime? Një pjesë për pandjeshmëri morale, një pjesë për rrufjanllëk, një pjesë për interesa dhe hesape personale. Pjesa më e madhe natyrisht i kuptonte aktivitetet e tij kriminale, por preferonte t’ia jepte votën më mirë të fortit sesa të drejtit. Për fat të keq populli italian, nëse i duhet të zgjedhë midis detyrës dhe hesapit personal, ndonëse e di se cila është detyra, zgjedh gjithmonë hesapin personal.
Kështu, ky njeri mediokër, i fryrë, me një oratori vulgare, por që krijonte efekt të shpejtë nuk qe tjetër veçse ekzemplari perfekt i bashkëkohësve të tij. Tek një popull i ndershëm ai nuk do të kishte qenë më shumë sesa lideri i një partie të vogël, një personazh qesharak për mënyrat e tij të sjelljes, qëndrimet, manitë e madhështisë: ai do të ishte fyes për bonsensin e njerëzve e atij populli për shkak të stilit të tij enfatik dhe të paturp. Kurse në Itali u bë shefi i Qeverisë. Dhe është e vështirë të gjesh një shembull italiani më komplet. Admirues i forcës, i parasë, i korruptueshëm dhe korruptonjës, katolik pa besuar në Zot, mendjemadh, vanitoz, me një mirësi të shtirë, baba i mirë, por me shumë dashnore, përdorues i atyre që i përçmon, që e rrethon veten me njerëz të pandershëm, gënjeshtarë, të padrejtë, përfitonjës; një imitator i aftë, që mund të bëjë efekt mbi një publik vulgar, por, si çdo imitator, pa karakterin e vet, ai e imagjinon gjithmonë vetveten në rolin e personazhin që kërkon të përfaqësojë.”
Çdokush që do të lexojë këto radhë të Elsa Morantes besoj se do të bëhet disi më i qartë për atë se pa shqiptarët kështu siç janë, vështirë se do të kishte një Berishë dhe Ramë kështu siç janë dhe se, nëse duam një Berishë dhe Ramë tjetërsoj, duhet të ndërtojmë një shqiptar tjetërsoj; se vërtet shumëkush e sheh të padurueshëm njërin prej tyre varësisht nga afiliacioni, por kaq nuk mjafton, madje as sikur t’i shohësh të dy si të padurueshëm dhe jashtë skenës, pasi ai që duhet të na bëhet i padurueshëm e të dalë jashtë skenës është Berisha dhe Rama brenda nesh, në trajtën e diktatorit apo servilit të tij si dy faqe të së njëjtës medalje.

11 Komente

Te lumte Lubonja! Shpresoj qe kete shkrimin tend ta lexojne sa me shume fashiste shqiptare.

shkrimi si gjithmone eshte me nivel, por ne rast se do te mjaftoheshim vetem me konstatimin e ketij problemi qe per mua eshte real, sic ben Lubonja, atehere do te ishim duke bere thjesht teori. kjo teori do te kishte si zgjidhje praktike, durimin; durimin se nje dite shqiptaret do te emancipohen! kjo eshte e papranueshme.

duhet zgjidhje konkrete, e menjehershme. per kte duhet ta vrasin mendjen mendimtaret tane. une kte zgjidhje smund ta jap, ashtu sikurse shumica e te tjereve..prandaj jam i destinuar si te tjeret te shpresoj se nje dite do behet me mire.

shume e thjeshte si zgjidhje dhe kjo! prit nje zgjidhje providenciale nga nje njeri providencial i thone kesaj, qe me pas do te behet diktator!

ska zgjidhje.

Is there a single virtue now remaining amongst you? Is there one vice you do not possess? Ye have no more religion than my horse; gold is your God; which of you have not barter'd your conscience for bribes? Is there a man amongst you that has the least care for the good of the Commonwealth?

Oliver Cromwel duke adresuar parlamentin ne 1653

Lubonja eshte me te drejte i preokupuar me proceset qe favorizojne prirjet autoritare te njerezve si Rama apo Berisha.

Vetem se, proceset sic thote edhe Lefty nuk na japin nje zgjidhje konkrete.

Te gjithe e dine se gjerat nuk shkojne sic duhen. Arsyet per kete mos-mbarevajtje mund te jene me qindra.

T'i analizosh keto arsye eshte pune padyshim e vlefshme, por me shume e vlefshme do ish nje alternative kundrejt gjendjes se sotme.

Nje zgjidhje kreative do ishte adoptimi i nje sistemi politic si ai i Zvicres, ku ne nje ane do kishim democraci direkte per ceshtje te rendesishme, keshtu i hiqej ekskluziviteti i vendimmarjes politikaneve dhe parlamentit shqiptar qe eshte i mbushur me njeres te padenje.

Nga ana tjeter adoptimi i nje formule magjike per ekzekutivin pikerisht si ne zvicer per te siguruar bashkepunim midis forcave kryesore politike ne vend.

Pika tjeter e Lubonjes qe eshte e kontestueshme eshte lidhja shkak-pasoje qe ben ai mes popullit shqiptar dhe klases politike.

Sipas Lubonjes binomi Rama/Berisha jane nje prodhim i shoqerise shqiptare dhe si pasoje duhet ne fillim te ndryshoje shoqeria dhe rrjedhimisht politika.

Ne fakt ka mundesi te jete e kunderta: Shqiptaret kur iu eshte dhene mundesia kane treguar nje urtesi ne veprime dhe ne gjykim. rasti i pare qe me vjen ndermend eshte plebishiti per kushtetuten e 1996 ne vend.

Zgjedhejet e fundit ne Kosove gjithashtu treguan se problemi nuk qendron tek shqiptaret por tek sistemet.  

 

 

 

Mua shkrimi me duket shume spekullativ sepse mundohet te psikollogjis nje shoqeri te tere,  qe nuk e ben sic duhet gjithashtu (pse shqiptaret paskan kete "fashistin" brenda qe demonstrohet me perzgjedhje si Rama e  Berisha).  Jam dakort me beu, qe mund te behet goxha per te ndrequr sistemin te cilin keta perdorin per te qeverisur e pastaj mbase mund te bejme nje psikollogjisje me te gjere te shoqerise.

 Edhe pse  ju, miku i Lubonjes ketu ne PPU i hiqni shkrimet,  qe nuk jane ne linjen tuaj, per mikun T`uaj, pra Lubonjen,  me ciklet e shkrimeve te tij ai po kopjon shkrimet naive te  Epikurit te madh. 

 Shkrimi me larte nuk ngjan si ato? Ta kendojme:..

..." Kemi patur kriza dizanterie i dashur mik. Jo vetem kaqe, por edhe  dhimbje te thella, prej gureve ne veshka, kaqe te forta sa e merr me mendje sa dhembin ato.Por kemi mundur  tu rezistojme ne saje te gezimit  te thelle qe na japin bisedat  filozofike...Dije mire, ne se une dhe njerez te tjere duam shume qe keshtu te moe jene gjerat, kjo ndodh sepse jemi te bindur ndaj çdo gjeje qe ndodh... Ndoshta do te vdesim sepse s`mund te shikojme  gjendjen  keshtu per çdo dite...."

.....- gjat analizave qe bejme dhe opinioneve qe japim, per dy te parise se qytetit tone.

Nga autorja italiane qe Lubonja na e citon ketu, mesova nje gje te re, se dhe italianet nuk paskan shum ndryshim nga ne  smiley

E ka shkruar shume qarte.

I bie larg e larg, por thelbin e çeshtjes e godet bukur.

Berisha  nuk kontrollon mediat, Rama kontrollon mediat.

Berisha ben korrupsion, por jo me kedo.

Rama ben korrupsion me ke te mundet.

Lubonja , ( mendimi im) pak a shume ka drejtuar si nje pyetje, nje kryeminister i peshes pupel, me kete temperament e edukate qe ka Shqiptari, administrata, shteti, qeveria, drejtesia, si do ishte me mire, do ishim me te sigurt, me te qete, me te kenaqur.

Ky shkrim eshte nje thirrje per rifleksion, nje analize vetvetes ne raport me shtetin e figurat qe perfaqsojne shtetin.

Eshte nje realitet, qe me  largimin i Berishes ,  drejtesia do punoje me mire, administrata do jete e pakorruptuar, do respektohne te drejtat e qytetarve, apo nje hamendje utopike.

E ka shume, shume mire Lubonja. Eshte sistemi dhe jo thjesht individi. Ja psh. nese marrin pushtetin ca te ekstremit te majte qe jane te pranishem edhe ketu, megjithese tani jane njerez te mire dhe perkthejne dhe poezi kane per t'u bere me te keqinj se Enver Hoxha dhe Mao sebashku. Kane per te bere revolucionin kulturor kinez ne kushtet shqiptare, qe do jete edhe me i zi se ai i Kines.

U deshen 4-5 vjet qe njerez si Lubonja etj te vinin tek ajo qe kam thene une

Bravo Lubonja, bashke me shkrimin e Kicos tek Shqiptarja jane bere dy shkrime te mira qe kam lexuar sot . U shtofshin

 Vertet u shtofshin, mbase nuk eshte edhe aq e larget dita e nje alternative te vertete te trete ne politiken shqiptare, gjithmone e me shume mendjet pak me te ndritura po u sos durimi me dy kapobandat qe kane zene kolltuket e as nuk duan te mendojne te cohen prej tyre ndonjehere. 

Nuk besoj se nje ndryshim i sistemit do ndryshonte gje per ne. Per disa arsye: 

E para kush do e ndryshoje sistemin? Nqs shikojme gjendjen ne te cilen eshte katandisur parlamenti sot, menyra se si behen ligjet, atehere te mos presim se dicka do ndryshoje prej deputeteve te sotem. 

E dyta pavaresisht se si votojne shqiptaret e keqja nuk eshte tek procesi i votimit por tek alternativat. Sot si PD ashtu dhe PS ofrojne te njejtat alternativa zhvillimi dhe pavaresisht se kush i fiton zgjedhjet asgje nuk ndryshon.

E treta ka te beje me vete shoqerine tone. Shumica e elites ose me mire le te themi e pjeses me te edukuar te kombit ka nje moral te ulet. Kjo do te thote se pavaresisht si eshte sistemi e si jane rregullat keto do shkelen nga elita e para. Prova ka sa te duash: Gerdeci, Gjyqi i Gerdecit, Rruga Rreshen Kalimash, Gjyqi per rrugen, numerimi i votava, KQZ, ndertimet ne Tirane, etj, etj. 

Mendoj se eshte thjesht pune edukate qytetare. Fatkeqesisht ne kemi vuajtur shume dhe nga emigracioni. Ndoshta nqs shumica e qytetareve ne '90 nuk do emigronin ne mase (por perkundrazi do emigronin me shume nga fshatrat duke ndalur dhe migrimin ne mase te fshatit ne qytet) atehere ndoshta do ishte pak me mire.
Por ne fund te fundit duhet ta pranojme qe ne nuk bejme jete qytetare. Jeta jone ne shumicen e rasteve rrotullohet rreth familjes dhe farefisit. Nuk dime ti kerkojme te drejtat tona, nuk dime te organizohemi per ti kerkuar te drejtat tona, nganjehere pertojme ti kerkojme te drejtat tona dhe ne fund fare as nuk e dime se cilat jane keto te drejta. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).