Shqipëria shkon drejt Evropës së bashkuar e ndarë në dysh dhe nëpërmjet dy rrugëve: rrugës nga është nisur “populli opozitar” dhe asaj nga është drejtuar “populli institucional”.

Kosova ecën drejt Evropës si tren me dy lokomotiva, e që e zvarrisin në drejtime të kundërta, duke rrezikuar kështu që të humb ndonjë “vagon” i shtetit më të ri në botë: me lokomotivën që e drejtojnë ndërkombëtarët, e të cilët shohin çdo gjë negative që bëjnë pushtetarët vendas, por nuk e shohin ish-kryeministrin serb, Koshtunica, kur futet në Kosovë i armatosur, dhe me lokomotivën e drejtuar nga qeveritarët vendorë, të cilët sundojnë duke qenë të mbikëqyrur nga “kryesunduesit”.

Shqiptarët e Maqedonisë ia kanë mësyrë Evropës së Bashkuar të hipur në autobus, të cilit Gruevski ia ka shpuar të gjitha gomat, e për çka Ali Ahmeti e ka angazhuar gjithë potencialin partiak që edhe ashtu të prishur, atë autobus ta shtyjë e ta shpjerë deri në Bruksel. E ndërkohë kryetari i PDSH-së është mbyllur në Tetovë dhe shikon sehir, vepron ashtu siç i ka hije atij, të cilin, po nuk e bëre konduktor që t’i mbledhë paratë e udhëtarëve shqiptarë, ai nuk lodhet as për kahen e udhëtimit, as për fatin e udhëtarëve.

Pra shqiptarët, kudo që janë, drejtohen nga politikanë, të cilët thonë se kanë qëllim të njëjtë dhe ideal të përbashkët – vlerat perëndimore, por pa treguar se a i mbështesin veprimet e veta politike mbi ndonjë vlerë kombëtare, se a ka diçka të shenjtë shqiptare që ua kushtëzon shpejtësinë dhe kahen e udhëtimit drejt botës pa kufij.

Pra, bota shqiptare udhëhiqet nga politikanë që dinë të komunikojnë në gjuhën angleze me botën përtej maleve, por s’dinë si ta zhvillojnë bisedën politike me kundërshtarët e vet politikë që flasin shqip dhe janë shqiptarë. Me çka, ke përshtypjen se ata duan të na bindin se Evropa pa kufij është e përbërë nga popuj dhe shtete të copëtuara brenda vetvetes në “të majtë” e “të djathtë”, se politikanët tanë presin që shqiptarinë ta “arnojë” Brukseli.

Dhe duke besuar në gjëra të kota, politikanët e Tiranës ndihen krenarë kur qëndrimet e tyre i mbështet ndonjë figurë ndërkombëtare, e ndërkohë shahen mes vete si arabaxhinj, ata të Prishtinës janë fjalëmbël ndaj “baballarëve” ndërkombëtarë, e mes vete sillen si ta kishin çliruar Kosovën nga njëri-tjetri e jo nga serbët dhe kuptohet, Ali Ahmeti dehet nga kënaqësia kur dëgjon lëvdata nga diplomatët e huaj, e i mban për armiq të përbetuar ata që i thonë se Gruevski do të bëhet proshqiptar atëherë kur gici do të bëhet qengj vetëm pse është mëkuar me qumësht deleje.

Shqipëria shkon drejt Evropës së bashkuar me politikanë që u prishet nuri i fytyrës kur shohin njëri-tjetrin, e lëre më t’ia urojnë fitoren atij që i ka fituar zgjedhjet.

Kosova ecën drejt Brukselit si nuse e re, e cila ka mbetur cullak, ngaqë nuk e di cilin fustan ta veshë: atë që ia kanë qëndisur ndërkombëtarët, e që i vjen i ngushtë, apo atë që ia kanë qepur vendorët e që ia lë shpinën shpaluar.

Shqiptarët e Maqedonisë u janë përkushtuar proceseve euroatlantike po aq sa edhe Ali Ahmeti, i cili më shumë i ngjan komisarit evropian për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, sesa një politikani lokal i cili, para se t’ia mësyjë Brukselit, do të duhej shqiptarët e Maqedonisë t’i çonte deri tek institucionet shtetërore në Shkup.

Pra, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, politikanët shqiptarë janë të armiqësuar mes vete, ata dinë si komunikohet me të djathtë e të majtë të ardhur nga Evropa, por ende nuk e kanë mësuar gjuhën politike për të komunikuar mes vete.

Dhe jo vetëm kaq, por ata i mbajnë për miq gjithë të huajt që vijnë të ndërmjetësojnë, e i mbajnë për armiq të përbetuar të gjithë shqiptarët që u thonë se janë duke e përbuzur popullin e vet me ato sjellje. Me çka shpaloset një e vërtetë e madhe nga e cila vuajnë politikat shqiptare: ato janë fryt i mendësisë enveriste, mendësi e cila kundërshtarin politik do ta shohë të “vrarë” politikisht. Dhe duke qenë shumica e politikanëve tanë “Envera të klonuar”, ata do kishin bërë të njëjtën që dikur bënte Enveri – do të kishin asgjësuar “armiqtë” e shtetit, por nuk guxojnë ngaqë “perdet” janë të ngritura dhe do t’i shihte e tërë bota.

Kështu del se ata nuk ndërtojnë demokraci pse atë e duan, se ata nuk sjellin ligje demokratike pse vlerësojnë lart të drejtat e qytetarëve, por pse ndiejnë nevojë të jenë të pëlqyer nga të huajt. Pra, ata mbase nuk do të ishin edhe kaq “tolerantë” sa janë sot, sikur të mundeshin t’i “lëshonin” perdet e të vepronin ashtu siç dinë dhe siç ua thotë mendësia enveriste.

Të gjithë politikanët shqiptarë, nga të gjitha trojet e kësaj shqiptarie, i bën të ngjashëm vetëm grindja dhe urrejtja e ndërsjellë. Dhe sa më shumë që ata angazhohen të na çojnë drejt Evropës së bashkuar, aq më e qartë bëhet se nga të gjitha vlerat europerëndimore ata njohin dhe respektojnë vetëm euron dhe dollarin, me ç’gjë këtij populli mbase nuk i mbetet asgjë tjetër përpos të mendojë të nxjerrë ndonjë përfitim për vetveten nga kjo grindje ndërpartiake.

Andaj, mbase nuk është e tepërt nëse në Tiranë, Prishtinë e Shkup do të fillonte promovimi i turizmit politik, ku të huajt do të vinin të shihnin se si duken partitë tona që kanë anëtarë që bëjnë grevë urie për t’i hapur kutitë, se si çdo parti shqiptare ka artistët e saj, të shihnin si duket një popull i ndarë në “opozitarë” dhe “pushtetarë”, një popull që ka parti në çdo lagje, por ende ndihet si të ishte i sunduar nga Enveri.

Pra, duhet të diskutohet mundësia e zhvillimit të turizmit politik nëpër trojet shqiptare, e ku të huajt do të mund të shihnin sa lehtë ndërrohen ligjet, e sa vështirë ndryshon mendësia, të shihni si partitë e këtushme demokratike ia dalin të gjejnë anëtarë partiakë që do flijonin edhe jetën për liderin e tyre.

Dhe mbase ky turizëm do të ishte më frutdhënësi për t’i mbushur arkat e “Shqipërive” tona, veçanërisht nëse humbësi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Tiranë do të shkonte një hap më tej në protestat për transparencën e zgjedhjeve: nëse do t’i lidhte anëtarët e partisë së tij për shtyllat elektrike nëpër rrugët e Tiranës, apo nëse do t’i prangoste ata për duar rreth e qark kufijve të Shqipërisë, me çka flijimi për votën e lirë do ishte edhe më i denjë dhe më atraktiv për të ardhurit nga Perëndimi.

Sa u përket kosovarëve, turizmin politik mbarëshqiptar ata do të mund ta ndihmonin duke qëndruar me një këmbë përpara selisë së EULEX-it, sa herë që në Mitrovicë të hynte ndonjë zyrtar i paparalajmëruar nga Beogradi.

E shqiptarët e Maqedonisë janë të vetmit që tani të gatshëm për këtë turizëm të llojit të veçantë: mjafton që Ali Ahmeti t’i qëndrojë besnik Gruevskit, e që të huajt të vijnë e të binden se qëndrueshmëria e perandorive nuk është varur vetëm nga forca e perandorit, por mbi të gjitha nga besnikëria e vasalëve.

10 Komente

ide interesante por të tejzgjatura..

logjikë qesëndisëse por e shpërndarë...

çudi: edhe kur përpiqemi të damkosim udhëheqësit tanë me etiketën "klone enveriste", kjo bëhet me një shkrim, këmbëngulja e të cilit do ta kish bërë me zili vetë Enverin.

 

S'besoj se ka ndonje kembngulje aty xixa, por vetem nje pasqyrim te realitetit.  Kemi politikane qe jane gati te prostituohen vete e te prostituojne gjithe vendin ne emer te ideologjise se momentin dhe mbetjes ne pushtet (komunizmi dje, integrizmi sot) pa vene ne pikpyetje se ideologjia e rradhes bie ndesh me interesat kombetare.  Mes vetes keta politikane ama, sic thot Mehmeti, jane gati te bejne kasaphane per t'e ruajtur pozitat e tyre e per t'u dukur para pronareve te huaj si ushtare te denje.  Prap interesat kombetare vuajne. 

Piktura me fjale te ben te mendosh qe keta s'ngjajne si politikane, por si rrugecer ordinere qe bejne pune te rendomta per nje familje mafioze, i servilosen bosit deri ne peshtiresi, e dua te heqin qafe njeri tjetrin per interesa te ngushta personale.

Artikulli i Kim-it me beri te ve buzen ne gaz, ishte nje artikull i shkruar me nje ironi te holle politike, ishte bash ajo qe vet populli thote, se; ne jemi bere si kopsht zoologjik, veç Kim-i ketu e kish shkruar e shtjelluar ne menyre me te kulturuar e me finese.

 me qarte nuk behet...

deri para ca vitesh perdornim nje shprehje te ne: diktatura na ka lene 50 vjet mbrapa...

sa vjet mbrapa na kane lene keto 20 vjet "demokraci"...

   U mundova ta studjoj  tere  domethenien e Kimit.Ai i shqetesuar prej realiteteve ne gjithe mjediset shqiptare, qe me te drejte i pershkruan si siameze, eshte fokusuar te  argumentoje,  nisur  prej nje  pike referimi dhe orjentimi, enverizmin, si mendesi.Mirepo kjo  duket se eshte shume  shume pake , per te qene thelbi i fenomenit. Kam mendimin se eshte nisur nga nje gje,  njohur shume e anatemuar, por qe e ka lene te pa analizuar, njeheresh edhe te pa argumentuar vete fenomenin.

    Kritika kunder mentaliteteve te shoqerise   ne prag industriale dhe industriale, ka lindur ne vendin e lindjes se revolucionit industrial, por edhe te krizes shoqerore bashke me te, ne Angli. Ishin Ruskin  dhe Morris qe dhane shkendiate para  per konfliktin midias artit ne pergjithesi ( me kete duhet kuptuar edhe artin e te berit politike) dhe ekonomise si dhe   tjetersimin e  mentalitetit te punonjesit, pra te njeriut,  per gjat nje pune te pabere me deshire, punes me hile) me pasojen  e drejperdrejte, shemtimin e mallit te prodhuar.

   Analizat e mevonshme  sollen konkluzione interesante mbi lidhjet qe ekzistojne midis gjuhes  poetike dhe gjuhes ekonomike, ndermjet  objektit artistik dhe mallit te prodhuar prej kapitalit ne nje ekonomi, midis sjelljes "teatrale" te  strukturave drejtuese  te shoqerive te caktuara dhe pasojave mbi ekonomine,  ne dikotomine art-ekonomi.Ajo qe eshte vrejtur ne te gjitha rastet eshte se  behej fjale per nje proces  ndarjeje te vazhdushme.

  Eshte vrejtur nje gjuhe unike, me ndarjen ne gjuhe poetike, gjuhe me domethenie te kuptushme, dhe gjuhe e perditeshme(gjuhe ekonomike).Tek neve gjuha e perdorur  ka qene gjuhe e rendomte, e shemtuar, agresive, vazhdimisht ndarese,por kurre  nje gjuhe ekonomike emirefillte.Mjafton te kujtojme mentalitetin e "Fadromave " me mbi 6 miliarde dollare prishje ose sa eshte borxhi i jashtem i Shqiperise , per  te kutptuar se sa "memece" ka qene gjuha ekonomike.Nje faktor goxha me peshe,  te cilin Kimi e cek shume pake. 

   Sjellja unike   ndahet ne "teater"(sjellje me domethenie ideale) dhe "paraqitje" (sjellje ekonomike-materiale).

Keto lloj ndarjesh  kane ndodhur ne epoka te ndryshme historike.

Nga kjo pikepamje arti dhe ekonomia jane dy kategori  themelore  e komplementare , prejte cilave  perbehet  krejt struktuar e shoqerise kapitaliste, shoqerise borgjeze.Pra, ne fakte kemi domethenien pa realitet dhe realiteti pa domethenie, aktiviteti  ideal dhe pasiviteti real, si faqe te te njejtes medalje; Arti, tjetersimi i domethenies nga realiteti. Ekonomia, tjetersimi i realiteteit nga domethenia.  Prandaj,  Revolucioni, veçanerisht ai demokratik, nuk synon krijimin e nje arti dhe ekonomie krejt te re, por asgjesimin dhe tejkalimin e "ndarjes"midis tyre, duke ruajtur  dallimin midis tyre.(M.Perniola-"Tjetersimi i Artit dhe ekonomise&quotsmiley

"Arti" i te berit politike, prej  udheheqesave te revolucionit demokratik ne Shqiperi ne keto vite, por qe  duke qene siameze ne menmtalitet  edhe  ne te gjitha mjediset politike shqiptare, jashte truallit ame, ishte dhe mbetet ne thelb jo thjesht mentaliteti enverist i asgjesimit te kundershtarit, sepse ky eshte problem  ne origjine,  eshte  problem gjenetik i shqiptareve, eshte gjene pake ne krahesim me demin e bere, prej  tendences se krijimit te "nje arti krejt te ri e revolucionar, ne te berit politike(sigurisht profane), mbi nje ekonomi, duke e vjedhue e  shkaterruar edhe ashtu  te shkaterruar si e gjeten.Kjo  qe solli pasojne e deshtimit  te revolucionit demokratik, qe ne embrion, por qe gjene sot pas  njezet vitesh e paanalizuar ne themelet, sepse  gjithmone deshtimet jane fshehur  e po fshihen pas potereve  te fitoreve te rreme.

  Ketu po mendj se duhen kerkuar  rrenjet e te keqes se madhe qe nuk po na ndahet dhe jo gjene tek  shablloni bajat "enverizem".

    Ndoshta e kam  gabim....

Shkrimi i Kim Mehmetit me pelqeu jo thjesht per logjiken politike, por, ne radhe te pare, per stilin me te cilin ka shtjelluar idete. Sigurisht, nuk thote ndonje gje krejt te re. Grindjet brenda trojeve tona (Shqiperi, Kosove e Maqedoni) dhe servilizmi ne shkallen me te turpshme ndaj te huajve tashme i kuptojne edhe me naivet. Çeshtja eshte, se cila do te ishte keshilla e Kimit per zhdukjen e ketyre grindjeve te brendshme. Mos, ndoshta, na duhet te kthehemi te Enveri per nje unitet te çelikte, tek ky kyç i arte, apo te behej nje "loje" brenda lojes se demokracise. Se dyti, nuk merret vesh se cila eshte keshilla e Kimit per zhdukjen e servilizmit ndaj te huajve. Mos, ndoshta, u duhet treguar vendi te huajve, siç bente (me te shume te drejte) Enveri, apo duhet luajtur "teater" politik me ta.

Gjithesesi, i kuptuar si konstatim dhe jo si keshill per veprim, shkrimi i Kimit eshte shume i mire. Ne vazhdim te kesaj logjike, mbase na kerkohet te na behet e ditur praktika e ndonje burri te njohur shteti, praktikë qe perfshin brenda saj lojen politike midis forcave politike dhe midis vet shtetit ndaj te huajve.

Per mua, Kimi e thote shume bukur ne kete paragraf se  me "enverizem" nenkupton mentalitetin diktatorial qe mbizoteron ne politiken e "Shqiperive"

Kështu del se ata nuk ndërtojnë demokraci pse atë e duan, se ata nuk sjellin ligje demokratike pse vlerësojnë lart të drejtat e qytetarëve, por pse ndiejnë nevojë të jenë të pëlqyer nga të huajt. Pra, ata mbase nuk do të ishin edhe kaq “tolerantë” sa janë sot, sikur të mundeshin t’i “lëshonin” perdet e të vepronin ashtu siç dinë dhe siç ua thotë mendësia enveriste.
 

Kulti i udheheqesit dhe inekzistenca e funksionit te keshilltarit bejne qe i vetmi aktivitet i mundshem ne nje parti politike sot te jete "lepirja".

Te thuash qe politikanet e sotem ne trevat shqipefolese jane Enveriste apo sillen si te tille nuk me duket e pershtateshme. Une nuk e di sesi do te ishte pershtatur Enveri nese do te ishte gjalle dhe aktiv ne mjedisin e sotem, por nje gje e them me siguri te plote: do te respektonte regullat e ketij sistemi, si dhe do te manifestonte nje qendrueshmeri te mendesise sociale dhe integritet ndershmerie. 

Mos, ndoshta, u duhet treguar vendi te huajve, siç bente (me te shume te drejte) Enveri

 

Leje se e ndriti Enveri duke i'u treguar vendin te huajeve...ky kryeservil arriti atje ku arriti vetem prej *ythelepirjes masive qe ju bente padroneve serbosllave qe i krijuan partine.

 Demokarci hesapi, edhe do grinden edhe do zihen..alla shqiptarce, kokederrshem e pak te dhunshem..po me mire do te behet..Enverin e zuri lemza atje ku eshte, lejeni rehat te shkretin se edhe ai produkt i te njejtit brume ishte..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).