Po t´i besohet shprehjes së vjetër se në këtë botë asgjë nuk është e rastit dhe shprehjes edhe më të re, që në politikë asgjë nuk i do lënë rastit në dorë, Tirana e sotme politike ka një problem të hapur dhe aspak të rastit me Uashingtonin. E projektuar në mënyrë lokale, kjo do të thotë se John L. Withers II, siç shkruhet në anglisht apo Xhon Uidhërs, siç shqiptohet në shqip, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, nuk ka një konflikt vetëm të rastit me kryeministrin Sali Berisha. Prej ditësh, ambasadori mjaft aktiv dhe dinamik në jetën e përditshme të politikës shqiptare e më gjerë, është nën sulm të ashpër dhe ajo që duket në media, është vetëm maja e ajsbergut. Nuk është sekret që në Tiranën zyrtare numërojnë orët, kur diplomati i karrierës, njeriu i pasionuar mbas historisë, Shqipërisë, por dhe kamerave televizive, do të paketojë sendet e tij personale për t´u rikthyer në Uashington. Një tik-tak i shoqëruar nga bindja naive se qëndrimet e tij publike, në shumicën dërmuese të rasteve, janë shënjuar nga qëndrime dhe nuanca personale dhe se ikja e tij, do të sjellë në Tiranë, një ambasador shumë më “miqësor” me Tiranën zyrtare. Ky është një ankth dhe një ngut që nuk do të fshihet as edhe në ceremoninë e përcjelljes së këtij ambasadori, kur përtej lavdeve zyrtare, ndonjë dekorate të mundshme nga Presidenti i Republikës dhe përqafimit të fortë ballkanas, ambasadori do të ndjejë pikërisht këtë lloj nguti qeveritar: Ik një orë e më parë! Shyqyr që ike!

Është e pamundur të fshihet se mes kryeministrit shqiptar dhe ambasadorit amerikan ka një konflikt. Në të vërtetë dhe për hir të së vërtetës, kryeministri i vendit, pothuaj nuk e ka përmendur kurrë në publik me ngarkesë negative emrin e zyrtarit më të lartë amerikan në vend. Dhe kjo është e kuptueshme. Por është po aq e vërtetë, nga ana tjetër, që gjithkush brenda gardhit blu, afron me qira portretin dhe i jep direkt zë dhe frymë vetëm fytit dhe ideve të kryeministrit. Dhe këtu nuk është fjala as për Aldon dhe as për Bumçin e PD-së. Ai siç ka qenë, ashtu dhe do të jetë në qiradhënien e zërit dhe portretit të tij në favor të kryeministrit. E njëjta gjë në formë, por shumë ndryshe në përmbajtje, ndodh edhe nëse kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, një politikan karriere vërtet i qetë, serioz dhe mjaft i ekuilibruar, lëshon ndonjë katjushkë të prodhimit të vjetër sovjetik kundër ambasadorit amerikan; duket e qartë që mbushjen e predhave, gradimin e shënjestrës, komandën “zjarr” dhe shkrepjen e këmbëzës e ka bërë vetë eprori i tij, zoti Berisha dhe zoti Patozi nuk ka gisht në këtë mesele.
Nga ana tjetër, sërish për hir të së vërtetës, edhe ambasadori amerikan është gjithashtu palë e këtij konflikti. Madje të nisur me bindjen e tij. Zoti Uidhërs ka folur për tragjedinë e Gërdecit, për kulturën e mosndëshkimit të korrupsionit, ka refuzuar të ketë imunitetin e heshtjes “mirë me të gjithë” kur ka kundërshtuar imunitetin e pathyeshëm të zyrtarëve të lartë shqiptarë, ka folur për korrupsionin në drejtësi dhe mbi të gjitha, nuk ka folur vetëm për krizën politike në vend, por e ka parë atë si një krizë të qeverisjes. Qoftë dhe një nga këto elementë të numerotuar shpejt, do të mjaftonte që ai të kishte, si çdo qytetar tjetër shqiptar që mendon ndryshe, mërinë e kryeministrit. E natyrisht edhe shpagën që kryeministri kërkon tek kundërshtarët. Në këtë kuptim, zoti Uidhërs nuk mund t´i shpëtonte këtij shorti, në këtë kuptim edhe zoti Uidhërs është një qytetar shqiptar, por pa të drejtën kushtetuese të votës në Shqipëri; është një qytetar shqiptar në konflikt me kryeministrin shqiptar. Nëse do të kishte “zgjedhur” të heshtte, natyrisht ky konflikt nuk do të ekzistonte. Edhe pse për një konflikt duhen së paku dy vetë, edhe pse, në rastin e zotit Berisha, kjo gjë nuk ndodh; nëse zoti Berisha do të ndodhej diku, tërësisht i izoluar, ai do të grindej padyshim me veten e tij.

Një arsyetim i tillë mund të bëhet më i plotë po t´i shtohet edhe “tradita” e këtij konflikti. Dy vjet më parë, një mekanizëm pothuaj perfekt mashtrimi publik kërkoi ta përfshijë zotin Uidhërs në histori me ministra shqiptarë që kishin hesap me drejtësinë shqiptare dhe fishekë për Afganistanin. Një histori që kërkonte të transmetonte në publik idenë se ndodhi çfarë ndodhi në Gërdec, aty kanë gisht dhe xhep edhe amerikanët dhe se “me amerikanët, mos i ndeshni brirët...”, siç është shprehur zoti Berisha në një rast të ngjashëm. Kështu, dora-dorës bëhet e qartë se çfarë po ndodh në këtë konflikt dypalësh, nuk është e rastit.

Përtej këtyre fakteve, megjithatë ka një “...por...”! “Por”-i që nis me mënyrën sesi mund të përkthehet ky konflikt në Uashington. Tirana vërtet është nga vendet e para të rreshtuara në koalicionin e të mirës kundër terrorizmit. Edhe me efektivë ushtarakë. Por mund të ndodhë, që përveç nënvizimit të këtij fakti të njohur, raportet e pafundme të nisura nga ambasada amerikane në Tiranë për Departamentin e Shtetit, të mbërrijnë në tryezën e punës së dikujt. Atij i duhet që atë çfarë po ndodh mes kryeministrit shqiptar dhe ambasadorin amerikan në Tiranë, ta përcjellë sipas stilit lakonik amerikan tek eprorët. Domethënë ta përcjellë me një fjali të vetme. Në mënyrë dashamirëse, kjo fjali mund të ishte: “Nga Tirana kemi “Friendly fire”! Por, dhe këtu, hyn sërish një “por” i madh, kjo fjali, e përkthyer në shqipe jo dhe aq korrekte, tingëllon: Nga Tirana kemi një zjarr aspak miqësor! Dhe kjo nuk është një histori e vjetër. Zoti Uidhers nuk është i pari ambasador amerikan që ka pasur probleme të ngjashme me kryeministrin shqiptar.

Dhe pastaj, siç i thonë një fjale të vjetër, kush nga shpata vjen, nga shpata do të shkojë ose siç i thonë një fjale shumë më te re për një demokraci të re si demokracia shqiptare: kush vjen në pushtet me votë të vjedhur, ikën nga protesta për votën e lirë!

Megjithatë, për fat të mirë, Atlantiku që ndan Shqipërinë nga aleati i saj i madh strategjik është shumë i gjerë për t´u tejkaluar nga zjarret e vockla provinciale që ndizen në Tiranë, por është dhe shumë i ngushtë për të mos dalluar nga Uashingtoni se çfarë ndodh në këtë anë të Atlantikut, në Mesdhe, në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Për fat të mirë, kështu do të ndodhë, fjala vjen, sa kohë, që Dritani i energjetikës, që shfaqet papritur si një prift pa licencë për të pagëzuar një aleancë të re strategjike me Serbinë pa dalje në det, nuk do të jetë aksident i rastit. Kështu do të ndodhë, nëse Uashingtoni apo Brukseli do ta linte të vetmuar Shqipërinë përballë qeverisjeve të saj dhe nëse pagëzimi i aleancave të reja strategjike të Shqipërisë, nuk do të kishte qenë vetëm një nga lajthitjet e rastit e Priftit. Lajthitje e vërtetë dhe jo e rastit do të ishte për Uidhërsin nga Uashingtoni ose Uidhërsin e ri që do të vijë në Tiranë, nëse Berisha dhe Meta nuk do të shkulnin ndonjë vesh në Tiranë. Duke nisur nga veshi i tyre, natyrisht. Sepse pastaj, nuk do të kishte më Friendly Fire nga Tirana, por një zjarr aspak miqësor nga aleati i vogël për aleatin e madh strategjik. Dhe shumë rastësi që ndjekin njëra-tjetrën, ndodh shpejt që nuk quhen më të tilla.

2 Komente

 Eh dhe ti o Lenci! Na bene çirak  "te plotet", qe  i erdhi siraja,  te ankohemi nga "gjusmaket"..Kot e ke thene populli..."Te na ruaje Perendia nga Gjysmaket.?"

Ket Vangjelin nuk e kam qejf hic, po me keto dy fjalli me ka knoq  smiley  

 

Por është po aq e vërtetë, nga ana tjetër, që gjithkush brenda gardhit blu, afron me qira portretin dhe i jep direkt zë dhe frymë vetëm fytit dhe ideve të kryeministrit.

nëse zoti Berisha do të ndodhej diku, tërësisht i izoluar, ai do të grindej padyshim me veten e tij.

    smiley   

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).