Në një grumbull të vogël vilash, rrethuar nga ... një mur i lartë dhe me një pllakë që shënjonte “rezidencë diplomatike”, vileta e saj ishte padyshim më interesantja. Një shtëpizë e vogël, njëkatëshe, e ngjashme me shtëpitë tona elbasanase, por me shumë dritë që hynte nga vetratat e mëdha. Dera të çonte në një dhomë ndenjje të bollshme, që dukej më e vogël nga suveniret dhe fotot e shpërndara kudo në mur, pas saj vinte një tarracë me një tavolinë e katër karrige dhe përballë saj dy dhoma të vogla fjetjeje. Geraldina, Mbretëresha e vetme e Shqipërisë, qëndronte në mes të dhomës, e veshur shik, me një vështrim shpues dhe tejet entuziast, thuajse fëmijëror dhe me një shqipe që ngjante si e dalë nga fonoteka e vjetër e Radio Tiranës, por tejet korrekte:
- Mirë se erdhët, jam shumë e gëzume dhe e lumtun që ju pres sot në shtëpinë time.
10 mijë kilometra larg Shqipërisë, në skajin e Hemisferës Jugore, disa kilometra nga Johanesburgu, gruaja e moshuar, që kishte mbajtur mbi kokë vetëm për 11 muaj skeptrin e Mbretëreshës së shqiptarëve, po më kujtonte më shumë se gjithçka stërgjyshet e mia. Ato plaka të mrekullueshme që qenë këputur njëra pas tjetrës në vitet ’80–të, në kufijtë e të ’90–ve, duke marrë me vete edhe një botë tjetër. Një botë shumë të ndryshme nga ajo e komunizmit, me shumë më tepër klas dhe një edukatë që vinte nga shkollat më të mira të Perandorisë Austro–Hungareze.
- Ju jeni prej familjes Toptani, më pyeti duke e zgjatur theksin dhe duke shtuar se në zbritjen e saj në Shqipëri kishte jetuar pikërisht atje!
Nuk i thashë se e dija këtë gjë dhe se një stërgjyshe e imja e kujtonte gjithnjë mbërritjen në Tiranë të vajzës vezulluese, që do të bëhej Mbretëreshë e Shqipërisë.
Hapi duart sikur të thoshte se ishte gati dhe u ul në karrige për t’iu përgjigjur pyetjeve të një interviste që do të mbetet në historinë e emisionit “Opinion”, si një ndër më të mrekullueshmet. Ishte maji i vitit 1999 dhe kishim mbërritur në Johanesburg, po atë mëngjes nga një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm. Ballkani ishte kapluar nga lufta e Kosovës dhe gjithçka ishte e fiksuar aty. Udhëtimet nga Tirana qenë të rralla dhe ne kishim pasur fatin të gjenim tre vende në avionin e vjetër bullgar të ADA AIR, që udhëtonte drejt Athinës. Nuk e di pse shpesh kisha bindjen se me shumë sesa drejt një kontinenti tjetër po udhëtonim drejt historisë. Qemë nisur të gjenim Lekën e I–rë, kandidatin për Fronin mbretëror shqiptar, pa e ditur, ose pa e besuar se do gjenim një ndër personazhet më interesantë dhe më të mrekullueshëm që kam njohur ndonjëherë. Një hungareze dhe amerikane, që kishte fituar kurorën e Mbretëreshës së Shqipërisë dhe për këtë shkak, kishte kaluar një jetë të vështirë dhe plot trishtim, një jetë që ende 60 vjet pas largimit nga Shqipëria, nuk i kishte mundësuar kthimin në vendin që i kish vënë kurorë!
Geraldina foli më shumë se 30 minuta. Frymëmarrja po i vështirësohej, kishte nevojë për makinën e oksigjenit, por vijonte sërish. Donte të tregonte gjithçka përmblidhte jeta e saj 22-vjeçare me Ahmet Zogun, bashkëshortin dhe njeriun që kishte shënjuar jo pak historinë shqiptare të fillim shekullit XX. Mbreti Zog, Çiano, Kryeministri çek Benesh, Mbreti grek dhe Presidenti turk lëviznin lirshëm në kujtimet e saj, ashtu si Papa dhe plot personazhe të tjerë. Fytyra i lëvizte sipas kujtimeve dhe gjurmëve që kishin lënë tek ajo dhe vetëm një moment çeli krejtësisht. Filloi të fliste për Tiranën, qytetin ku kishte jetuar thuajse 13 muaj dhe prej nga ishte larguar 60 vjet më parë me ngut, në orën 4 të mëngjesit, e hipur në një autoambulancë. Për t’i shpëtuar sulmit italian, i cili filloi plot 32 orë pasi ajo kishte sjellë në jetë djalin e saj të vetëm. Një kalkulim perfekt, që pritej ta gjente të papërgatitur të shoqin dhe ta detyronte atë të dorëzonte pa rezistencë mbretërinë e tij të mjerë.
- Tirana ka qenë si një bahçe me lule! Shumë e bukur!
E pashë me dyshim. Kisha frikë se Tirana e atij maji 1999 ishte po aq e rrënuar sa për mos të të lënë asnjë shije të mirë, por ajo e 1939, një përzierje e një fshati gjigant me një kryeqytet në lindje duhej të kishte qenë akoma më e mjerë. Me rrugët pa kanalizime, pazarin e gjësë se gjallë dhe Pallatin Mbretëror që fare mirë mund të konsiderohej sot një vilë thuajse modeste. Nuk e di pse në sytë e saj e gjithë kjo ishte një Tiranë e mrekullueshme. Kam frikë se më shumë se prej kujtimeve kjo mbresë qe krijuar nga netët e gjata të mërgimit, kur bashkë me gjithë atë grup ikanakësh, kishin diskutuar e diskutuar për atdheun e tyre, ku ëndërronin të ktheheshin dhe nuk ktheheshin dot.
Intervista mbaroi dhe ajo u shkëput pak kohë. Një orë më vonë qe vendosur në verandë, me një album të trashë fotografish dhe me një zell të paimagjinueshëm për t’i shpjeguar ato. Paradë e një jete të çuditshme, problematike, por edhe të bukur, që ajo, me shaka e quante: “fati im i madh”!
Një jetë që kishte nisur në Budapest, nga një baba fisnik hungarez dhe një mama amerikane. Kishte nisur në fillim të shekullit dhe fëmijëria e saj, kishte kaluar nëpër turbullirën e krijuar nga rënia e Perandorisë Austro–Hungareze, nga reduktimi i ndjeshëm financiar i familjes; nga edukimi vjenez dhe jeta thuajse modeste në qytetin e lindjes. Derisa një ditë, në derën e saj kishte trokitur befas një lajmës i çuditshëm. Quhej Jak Koçi dhe ishte Ambasador i Shqipërisë në Vjenë. Lajmësi i çuditshëm e njoftoi se Mbreti i shqiptarëve kishte parë fotot e saj, kishte mbetur i befasuar prej tyre dhe kërkonte të prezantohej nga afër me të. Ishte fundi i vitit 1937 dhe s’ka dyshim se vajza e re kishte mbetur e befasuar nga ky lajm. Atje larg e priste një Mbret dhe një ditë, ajo mund të ishte Mbretëreshë. U nis drejt vendit të panjohur pak ditë më vonë dhe në Tiranën e largët kaloi edhe mbrëmjen e vitit të ri 1938! Asnjëherë më vonë, në intervista, libra, biografi ajo nuk rrëfeu për atë moment emocionant kur mbretëria e ardhshme e saj u shfaq përballë anijes në Durrës. Një vend i varfër, i pazhvilluar, por që ajo gjithnjë e ka përshkruar si magjik. Një vend që u bë shpejt vendi i saj dhe gjuhën e të cilit ajo e mësoi në më pak se një vit për të mos e harruar më kurrë. Duket se Mbreti i Shqiptarëve i kishte hyrë shpejt në zemër vajzës së re. Dritat u fikën, rrëfen ajo, të gjithë kishin kupa shampanje në dorë dhe kur u ndezën sërish, ajo kish dëgjuar në vesh formulën magjike: dua të martohem me ty. Ja kish thënë një mbret dhe 3 muaj më vonë ajo do të ishte jo më vajza nga Budapesti, por Geraldina e Shqipërisë, Mbretëresha më e re në botë. Një bukuri magjepsëse që kishte befasuar shtypin botëror me dasmën e saj. Një dasmë që do mbahet mend gjatë në Shqipëri dhe që për fat, ka mbetur e patjetërsuar në celuloide. Një akt i vetëm dhe i veçuar i klasit, luksit, por edhe dinjitetit të një vendi që po kërkonte të linte pas trashëgiminë e tij orientale dhe të shihte drejt Evropës përballë. Dhe që fatkeqësisht, kishte zgjedhur për derën kryesore të Evropës, Italinë e Musolinit, vendin që do të shkatërronte jo vetëm karrierën e Mbretit Zog, por edhe ëndrrën e saj. Nuk ka asnjë dyshim se në jetën e saj, në kufijtë e 90–të viteve, ai vit në Shqipëri kishte qenë padyshim më i bukuri, që pat kaluar ndonjëherë. Njerëzit e donin, bashkëshorti qe i marrosur pas saj, ndërsa priste të sillte në jetë një trashëgimtar. Një djalë, që erdhi në këtë botë më 5 Prill 1939, pikërisht atë ditë, kur në Romë qe vendosur që ai të mos e trashëgonte kurrë Mbretërinë që i ati kishte krijuar 12 vjet më parë.
Geraldina mbante pak ose aspak mend nga ikja e saj e trishtuar. Me ndjenja të humbura, e vendosur në një veturë ajo udhëtoi pa pushim nga Tirana në Follorinë, për t’i shpëtuar bashkë me trashëgimtarin, rënies rob. Mbreti e takoi 72 orë më vonë, i lodhur, i trishtuar, me frikën se kjo ikje nuk ishte si të tjerat. Parandjenjat nuk e kishin gabuar. Ai nuk do kthehej më kurrë. Nuk ka dyshim se askush nuk mund të jetë profet dhe askush nuk mund të parashikojë të ardhmen e tij. Por edhe kur ajo është sterrë dhe dukshëm e frikshme në horizont, njerëzit refuzojnë ta pranojnë. Shpresa vdes e fundit thotë një fjalë e vjetër dhe ky slogan që përmbledh gjithë filozofinë njerëzore, të të gjitha kohërave, duket se ka qenë ngushëllimi i vetëm i Familjes mbretërore në shumë net dhe momente të frikshme. Vështirë të imagjinosh një femër tjetër, që për 11 muaj mbretërim vuajti plot 63 vjet të jetës së saj. Rrugëtimi dhe ikja e saj nga Greqia në Turqi, prej këtu në Rumani, Poloni, Stokholm, Francë, Angli, Egjipt, sërish Francë, Spanjë dhe Afrikën e Jugut padyshim që është një libër më vete. Shtëpia ndryshonte çdo vit, ndërkohë që në Francë u largua me anijen e fundit për t’i shpëtuar arrestimit nga gjermanët; në Londër vuajti bombardimet e tmerrshme; në Aleksandri u rrethua nga revolucionarët që rrëzuan nga froni Mbretin Faruk dhe në Kanë jetonte e mbyllur në një shtëpi për t’i shpëtuar ndjekjes dhe eliminimit që kishin vendosur komunistët shqiptarë. Në më shumë se 48 orë që kaluam pranë saj nuk e di pse kam krijuar bindjen se ajo ishte një krijesë e mrekullueshme. Nga ata njerëz që kanë lindur për të dhuruar mirësi dhe për ta parë botën me dashuri, pavarësisht padrejtësisë së saj. Tregonte se sa e vështirë kishte qenë jeta në vitet e fundit të Mbretit Zog; se si kishte jetuar një moment më të dhimbshëm pas vdekjes së tij kur i ishte dashur të shiste unazën e fejesës për të siguruar jetesën e saj dhe së të birit; apo në fund, kur i qe dashur të udhëtonte me një biletë të dhuruar nga Komuniteti shqiptar për të parë nipin e saj të vetëm, Lekën që kishte lindur në Johanesburg. Nuk e di pse atë dhe dy takime të tjera pata përshtypjen se ajo nuk donte të fliste për vitet në mërgim; ajo nuk fliste asnjë fjalë të keqe për Shqipërinë komuniste që e kishte detyruar të kalonte një jetë në emigracion. Për të, Shqipëria ishte ideale, sublime, vendi që i kishte ofruar kurorën e Mbretëreshës së saj dhe ajo e donte pa asnjë kusht.
- Kam një amanet të vetëm, tha ndërsa po iknim. Me po atë zë që kishte folur në intervistë. Dua të vdes në Shqipëri. Më varrosni atje, jo këtu në Afrikë!
Në fakt, 3 vjet më pas, si të plotësonte një padrejtësi prej 6 dekadash, Zoti duket se e dëgjoi fjalën e saj. Parlamenti shqiptar modifikoi qëndrimin e tij, ligji ndryshoi dhe Familja mbretërore u kthye në Shqipëri. Ishte qershori i vitit 2003, plot 63 vjet e 3 muaj pas ikjes.
- E di, më tha gjatë takimit në Afrikë, një javë përpara se të vdiste, Mbreti Zog pa një ëndërr. Më thirri të ma tregonte në mëngjes. Më kish parë mua dhe Lekën që ktheheshim në Shqipëri, me anije. Nga larg dukej Durrësi dhe njerëzit që kishin dalë të na prisnin dhe brohorisnin. Brohorisnin, brohorisnin… E kush thotë se ëndrrat nuk plotësohen? Ç‘teori Frojdiste mund të përdorte ëndrrën dhe dëshirën e Mbretit të vetëm të Shqiptarëve për të vërtetuar realizmin e saj?
41 vjet pas ëndrrës që Mbreti kish parë në Kanë, në shtratin e vdekjes dhe 3 vjet pasi Geraldina na e kish treguar atë në Johanesburg, ja ku po ndodhte vërtet. Skenografia ishte modifikuar disi. Nuk ishte porti i Durrësit dhe as një anije, por aeroporti i Rinasit dhe një avion që sollën Geraldinën dhe Lekën në Shqipëri. Njerëzit ishin po ata. Disa mijëra që brohorisnin, ndalonin limuzinën, donin të shihnin Mbretëreshën e tyre të dikurshme. Mall dhe pengje të vjetra që formësoheshin në lot dhe brohoritje. Jam i sigurt se gjithë vuajtja dhe malli 63-vjeçar ishin zhdukur tashmë. Ajo e kish ëndërruar këtë ditë. E kish lidhur fatin e saj me këtë vend në moshën 20-vjeçare, e kishte dashur shumë atë, ishte bërë Mbretëreshë e tij dhe më pas, pikërisht për këtë kishte vuajtur një kalvar të gjatë. Tashmë, ishte kthyer. Besimi se ky popull e donte, që e kish shoqëruar gjatë gjithë jetës, po i vërtetohej tashmë. E si të mos ndihet i lumtur një njeri që në fund të jetës së tij e kupton dhe vërteton, se besimi që ka pasur ka qenë i drejtë!?
E takova disa herë në tjera në Tiranë. Ishte e lodhur, në fund të jetës së saj, por plot besim. Nuk e di nëse kohë të vjetra dhe të reja fanepseshin tek ajo pa bërë diferencë.
- Jam kaq e lumtur më thoshte sa herë më shikonte!
Ishte vërtet e lumtur. Kam bindjen se me po atë lumturi iku, një ditë vjeshte të vitit 2002. Titujt e gazetave kishin ditë që njoftonin sëmundjen dhe orët e fundit të jetës së saj. Ishte kthyer në qendër të vëmendjes si një Mbretëreshë e vërtetë. E kish konkuistuar vendin e saj, atë që ia kishin marrë me përdhunë 63 vjet më parë. Tani ndihej Mbretëreshë në vendin e saj dhe do të ikte si e tillë. Tre ditë përpara vdekjes isha në zyrën e Presidentit Moisiu. Diskutohej se ç‘ceremoni do të organizohej dhe a do të kishte një varrim zyrtar. Nuk ka asnjë dyshim se e meritonte një gjë të tillë. Kish qenë për 11 muaj bashkëkryetare Shteti dhe më e vogla qe një varrim zyrtar. Moisiu hezitonte. Kishte frikë ose nuk e kuptonte dot se shteti ka vijimësi. Se ka lindur më 1912, 1939 apo 1999 shteti është shtet. Mundej që kishte jo pak presione nga ish-komunistët. Vërtitej mes mosbindjes administrative dhe ndjesive personale. Kadare i telefonoi për t’i kërkuar ta respektonte Mbretëreshën e vetme të Shqiptarëve. Ilir Meta, Zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, po ashtu.
- “Unë do ta konsideroj ceremoni zyrtare në çdo rast”, më tha.
Kishte jo pak dinjitet tek ky djalë i ri, 33-vjeçar, që dinte ta respektonte shtetin dhe trashëgiminë e tij, më mirë se gjithë ata zyrtarë të vjetër që e rrethonin. Mbrëmjen para vdekjes kalova në spital. Ishte qetësi. Pritej të ndodhte nga momenti në moment. Në Tiranë vinte Berluskoni dhe shtypi qe ndarë midis dy lajmeve. Nuk dihej ç‘ndodhi, por po atë mbrëmje u njoftua se Geraldina nuk do të kishte ceremoni zyrtare varrimi. Vdiq po atë natë. U shua në qetësi, me lehtësinë e të qenit në vendin që e kish dashur aq shumë dhe me bindjen se në fund, historia i kish dhënë të drejtë. Nuk e di pse, por Shqipëria që i kish rezervuar një dasmë zyrtare madhështore, diti t’i rezervonte një varrim po aq madhështor dhe dinjitoz. Atë ditë nuk isha në Tiranë. Isha nisur herët në mëngjes me një avion ushtarak për në Afganistan, vendin që sapo kish dalë nga lufta dhe që po kërkonte një të ardhme normale. Në aeroportin e Kabulit, ushtarët tanë më rrëfyen se pak ditë më parë, Mbreti Zahir Shah kish mbërritur në qytet. Ish kthyer me triumfin e një njeriu që kish pasur të drejtë në jetën e tij dhe tashmë, priste të vdiste në vendin e tij. Ashtu siç kish bërë Mbretëresha Geraldinë, që i kish rezistuar shumë viteve, rreziqeve, vuajtjeve dhe sëmundjeve, për të vdekur në vendin që e kish bërë Mbretëreshë. E bindur se qe larguar prej andej padrejtësisht dhe po kaq e bindur se kish të drejtë.
- “E drejta vonon, por nuk harron”, mu kujtua një shprehje libri, ndërkohë që mendoja Geraldinën, Mbretëreshën dhe gruan e mrekullueshme, që e kish dashur këtë vend, ndoshta më shumë sesa ç‘e duan shumë prej nesh

6 Komente

eh..ç'do te thote te jesh qytetar,pra me edukate vjeneze,ardhur ne Tirane dhe thote"Tirana bahçe me lule"   sa e çuditshme per ne qe harrojme nga erdhem,dhe ne fillim kishte nga ata qe u thonin italianeve"ato qe hani ju,ne ja hedhim derrave"!!!!

plasa duke e thene,pak "umiltà",me duket se eshte ajo cipa e holle qe e ndan

katundarin nga qytetari,bashke me kontornot qe jane te shumta.

flm MAT i RI!

Mati : Rrofte nalt'madhnia i tij Mbreti Zogj i Pare smiley

 Mbreteresha Geraldine mbetet mbreteresha jone. Sa keq qe nuk patem mbreteresha te tjera pas saj por vetem gra kriminelesh.

Ene gjyshja ime ka qene shpirt njeriu. Nuk dinte asnjehere te ankohej, megjithese zgjohej e para dhe binte per te fjetur e fundit. Fytyra e saj shprehte vetem miresi. Kishte nje bindje te jashtezakonshme se kishte lindur vetem per te sherbyer e per te respektuar dhe lumturuar te tjeret. Edhe kur u semur, u shtru ne spital dhe pastaj ndroj jete, nuk u ankua asnjehere. Por ajo nuk ishte mbretereshe, e megjithate per mua ishte gjithshka; ishte injektim i miresise ne shpirtin tim te brishte.

koment shume i bukur, m'u duk sikur po flisje per gjyshen time

"Kishte nje bindje te jashtezakonshme se kishte lindur vetem per te sherbyer e per te respektuar dhe lumturuar te tjeret."

Ndoshta kane qene motra!   smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).