Maxhoranca mund të përdorë votimin e hapur për kandidatët e dërguar në Parlament nga Presidenti Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ndonëse rregullorja e Kuvendit parashikon votimin e fshehtë në rastet kur votohet për personat, Kryeministri Berisha i ka kërkuar dje Komisionit të Ligjeve të shohë mundësinë nëse votimi për këtë rast mund të bëhet i hapur. Në një moment kur Partia Socialiste pritet të jetë në Parlament për votimin e gjyqtarëve si dhe frika nga rrjedhja e votave brenda maxhorancës, mund ta çojë këtë të fundit drejt votimit të hapur për të shmangur dhënien e pëlqimit për ndonjë nga tre emrat, që sipas PD-së nuk përmbush kriteret.


Gjyqtarët
Burimet bëjnë të ditur se Kryeministri Berisha nuk ka përmendur në asnjë moment me emra tre kandidatët e Presidentit për në Gjykatën e Lartë. Por në të njëjtën kohë ai ka konfirmuar qëndrimin e shumicës se në Kuvend nuk do të miratohet asnjë kandidat që ka pasur më parë poste politike, apo që ka dhënë vendime politike në kohën e komunizmit. Qëndrimi i kreut të Qeverisë në grupin parlamentar, ndonëse nuk u fol me emra të përveçëm, mund të jetë i lidhur me emrin e Sokol Çomos, i cili ka qenë zv.ministër i Drejtësisë në kohën kur vendin e qeveriste Partia Socialiste. "Ne nuk kemi pasur asnjë kërkesë ndaj Presidentit Bamir Topi. Edhe gjatë takimit të nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi me këshilltarin e Presidentit, Spiro Peçi, është kërkuar që kandidatët të mos jenë politikë dhe të mos kenë dhënë dënime politike gjatë kohës së regjimit. Ne nuk mund t'i votojmë këta kandidatë. Edhe në radhët tona ka deputetë që kanë aspiruar për të marrë poste në gjyqësor, por për shkak të karrierës së tyre politike, ne nuk i mbështesim", citojnë burime pranë grupit parlamentar, deklaratën e Kryeministrit Berisha. Në të njëjtën kohë kreu i Qeverisë ka kritikuar edhe punën e Komisionit të Ligjeve për tri dekretet e para, që ishin kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Berisha ka kërkuar që seancat dëgjimore me kandidatët përpara se të kalojnë në seancë për votim, të bëhen të plota, ku nëse shikohet e arsyeshme, të thirren dëshmitarë të cilët kanë qenë pjesë e seancave gjyqësore të gjyqtarëve që do të votohen. Sikundër kreu i maxhorancës i ka kërkuar Komisionit të Ligjeve të shprehet me votim për gjyqtarët përpara se ata të kalojnë në Parlament. Qëndrimi i Kryeministrit vjen pak ditë pasi maxhoranca rrëzoi një nga kandidatët e propozuar nga Presidenti për në Gjykatën Kushtetuese, Vangjel Kosta, ndërkohë që në javët në vijim pritet që Parlamenti të votojë për tre gjyqtarë të tjerë, të cilët nëse marrin shumicën e votave, do të shkojnë në Gjykatën e Lartë. Sipas rregullores së Parlamentit, dekretet e Presidentit duhet të shqyrtohen në Komisionin Parlamentar të Ligjeve 3 javë pasi janë depozituar në zyrën e protokollit. Ndërkohë pritet që kreu i shtetit të dërgojë në Parlament edhe katër emra të tjerë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Rregullorja e Kuvendit

Neni 60
1. Votimi i fshehtë bëhet për çështje që kanë të bëjnë me personat.
2. Votimi i fshehtë, përveç rasteve kur nuk lejohet të kryhet sipas Kushtetutës, ligjit ose kësaj rregulloreje, mund të kërkohet nga të paktën 7 deputetë dhe vendoset me votim nga Kuvendi. Kërkesa për votim të fshehtë duhet të formulohet në kohën që drejtuesi i seancës mbyll diskutimet, deklaron se do të kalohet në votim dhe përpara se të ketë ftuar deputetët të votojnë me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).