Gjykata e Selanikut në Greqi ka vendosur që Liljana Kondakçi të ekstradohet në Itali, pas arrestimit të saj rreth dy muaj më parë në shtetin grek. Vendimi mësohet se është marrë të martën në mbrëmje, duke i dhënë mundësi autoriteteve të drejtësisë greke që të ekstradojnë në Itali, këngëtaren e njohur shqiptare. Liljana Kondakçiu, e cila po hetohet në këtë shtet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike pritet që gjatë ditës së shtunë të dërgohet Kalabri.

Kondakçiu u arrestua për herë të dytë, jashtë territorit shqiptar për llogari të autoriteteve italiane, e dyshuar si e përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës. Kjo e fundit u ndalua nga autoritet policore të qytetit të Selanikut,në fillim të muajit prill të këtij viti pas urdhër arrestit ndërkombëtar lëshuar ndaj saj. Sipas të dhënave që janë bërë të ditur në imediat italiane, Liljana Kondakçi, 58 vjeçe, u arrestua pasi ndaj saj ishte lëshuar një urdhër ndalimi ndërkombëtar i autoriteteve të drejtësisë italiane, për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim me një grup personash të tjerë.

Mësohet se shpallja në kërkim e këngëtares shqiptare ka ardhur pas hetimeve të policisë italiane, ku dyshohet se kjo e fundit ishte e implikuar me të arrestuarit e tjerë në këtë trafik. Nga pjesa tjetër e grupit, Kondakçi ishte identifikuar me nofkën "Mama". Ajo u akuzua si e përfshirë në trafik, pas një operacioni antidrogë të zhvilluar në Kalabri ku u arrestuan rreth 20 persona. Këngëtarja 58- vjeçare e cila u bë e njohur në vitet 80-të në Shqipëri, u arrestua në një banesë private në Selanik, pasi kohët e fundit ishte larguar nga Shqipëria për të jetuar në shtetin fqinj, në Greqi. Pasi autoritetet italiane kishin lëshuar urdhrin ndërkombëtar të arrestit, këngëtarja ishte larguar nga Italia, duke ardhur në vendlindje. Por gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, Kondakçi , u shpreh në media se nuk kishte asnjë problem me drejtësinë italiane dhe mund të lëvizte e lirë në çdo vend.

Liljana Kondakçi është arrestuar fillimisht në maj të vitit 2006, ku nga të dhënat e raportuara në mediat e shtetit fqinj, në Itali, kjo e fundit u arrestua në stacionin e trenit Sibari në Cosentino, me tre kilogram kokainë në çantë. Por gjatë arrestimit, ajo kishte deklaruar se pakoja me drogë ishte një dhuratë nga një fans dhe ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj, duke hedhur poshtë edhe akuzat se ishte e përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës. Prokuroria e Castrovillari kërkoi dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg për artisten shqiptare dhe personin që priste drogën, i cili rezultoi se ishte një shqiptar. Pas publikimit të lajmit se ishte person në kërkim nga autoritetet italiane, këngëtarja lirike e viteve '80 Liliana Kondakçi, mohoi akuzat e ngritura ndaj saj, duke hedhur poshtë pretendimet e policisë italiane se ajo ishte e përfshirë në një organizatë të trafikut të drogës.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).