Disa njerëz e ndërrojnë  partinë për shkak të parimeve, ndërsa disa të tjerë ndërrojnë parimet për shkak të partisë". Kjo thënie e Çërçillit do të mund të pasqyronte goxha mirë situatën e së djathtës dhe së majtës sot në Shqipëri. Për shkak të ndryshimeve dhe statusit opozitar ...e majta është përballur me shumë akuza, kritika, propozime e deri platforma ideologjike. Një pjesë e mirë e tyre janë frymëzuar nga synimi i fitimit të zgjedhjeve. Shumë pak nga nevoja për një politikë parimore. E djathta e ka ndjerë më pak një trysni të tillë. Arsyeja kryesore është e njëjta me atë që u përmend më lart, por në kah të kundërt: e djathta nuk ka ndjerë nevojë të ndryshojë, meqenëse e ndjen veten rehat në pushtet dhe rrjedhimisht, statusi i qeverisjes ia ka kursyer nevojën për riartikulim ideologjik.
Natyrisht shqetësimi im nuk është aspak këtu, të ndihmoj të djathtën, nëse ekziston, për të fituar zgjedhje. Në cilësinë e një qytetari me bindje të vetat politike, do të merrem më tepër me nevojën për një të djathtë serioze, pavarësisht nevojës për të fituar zgjedhje.
Një nga akuzat e zakonshme që i bëhet së djathtës shqiptare në pushtet është se po zbaton një Shqipëri, një kapitalizëm të egër dhe të pashpirt, nisur nga modeli neo-liberal i imponuar nga BE-ja apo Perëndimi në përgjithësi. Kjo akuzë më duket tepër e gabuar. Ajo e krijon armikun e saj më tepër sesa e sulmon. Së pari, aktualisht partnerët tanë perëndimore dhe sidomos BE-ja nuk po qeverisen mbi ndonjë model neo-liberal, por mbi modele të përziera që ndërthurin pragmatizmin zgjedhor me orientime të përgjithshme dhe amorfe ideologjike. Vështirë të akuzohen vendet e BE-së për politika neo-liberale. Nga ana tjetër, politikat e vetë BE-së janë shpesh në kundërshtim me parimet e liberalizmit ekonomik, sidomos në aspektet e rregullimit të tregut. Që të na imponojë një treg neo-liberal, Europa do të duhet të ishte vetë e tillë më parë. Por nuk është. Nga ana tjetër, shumica dërrmuese e energjisë dhe trysnisë së BE-së, Bankës Botërore dhe FMN-së, ka shkuar jo për imponimin e ndonjë modeli ekonomik specifik, por për instalimin dhe funksionalizimin e shtetit ligjor.
Nga ana tjetër, edhe nëse do të supozonim se e djathta shqiptare paska marrë ndonjë model neo-liberal, është e lehtë të konstatosh se ky model nuk rezulton i zbatuar në disa elementë themelorë. P.sh. shtylla themelore e kapitalizmit, prona private, pas 20 vitesh tranzicion, mbetet një problem i pazgjidhur, i shtyrë, i shmangur, i abuzuar, i trajtuar në mënyrë preferenciale, por në fund i pazgjidhur gjithsesi. Çfarë modeli neo-liberal zbatoka një vend që nuk ka të garantuar pronën private?
Mund të vazhdonim me radhë në shumë qëndrime të tjera, që do të sfidonin çdo model neo-liberal: p.sh. është vetë e majta që akuzon sot të djathtën, që po i merr shpirtin biznesit, prirja për rritjen konstante të rrogave të sektorit publik, pavarësisht paralajmërimeve për probleme, rroga minimale, prirja për rregullimin e tregjeve, etj. Veprimtaria e deritanishme e së djathtës në pushtet është shenjuar natyrisht edhe nga politika liberale, por këto nuk mjaftojnë për ta kategorizuar atë si neo-liberale. Murgun nuk e bëjnë teshat. Shembujt e mësipërm e vërtetojnë.
Konteksti i rënies së komunizmit, karakteri i qarkullimit të elitave shqiptare dhe mungesa e kulturës demokratike mund të jenë faktorët kryesorë që bënë që e djathta shqiptare të kishte më tepër natyrë nominale. Ajo u konsiderua e djathtë më tepër prej faktit se shihej si e kundërta e së majtës, sesa sepse ishte e djathtë në vetvete. Sondazhet e viteve 2000 tregojnë se e djathta është më e preferuar nga shtresat e shoqërisë më të prirura drejt etatizmit dhe politikave të majta. Lokalet e vitit 2007 e konfirmojnë qartazi këtë me zhvendosjen e PD-së drejt fshatit, duke pasur parasysh këtu natyrën e veçantë të strukturimit të veprimtarisë ekonomike në fshatin shqiptar, relativisht ndryshe nga fshati i tipit perëndimor. Nominalizmi i djathtë shqiptar përfshin ende sot shtresa që janë me të djathtën, më tepër për shkak të pozicionit që kishte kjo në momentin e rënies së komunizmit, sesa për hir të ideve politike. Në kushtet kur sot e majta është vetëshpallur përtej së majtës e së djathtës, kjo aleancë tingëllon akoma më artificiale. Gjë që duhet ta ketë ndjerë edhe PS-ja, kur mëton të afrojë shtresa të tilla si ish-pronarët apo ish-të përndjekurit politikë.
Ka pasur njëfarë shprese se një e djathtë reale mund të formësohet jashtë PD-së. Personalisht mendoj se përpjekjet, edhe pse nuk kanë munguar, nuk kanë qenë të suksesshme, jo nga pikëpamja e impaktit, por sidomos nga pikëpamja e platformave. Këto përpjekje kanë qenë më tepër përpjekje për një të djathtë konservatore (dhe jo e djathtë liberale), e cila në rastin më të mirë e ka kufizuar veten në 2-3 çështje, pa pasur asnjëherë synimin dhe pretendimin për të ofruar një platformë të përgjithshme dhe të realizueshme, meqë vetë partia nuk e ka parë veten të aftë për të fituar zgjedhjet e vetme. Në disa raste, mungesa e seriozitetit ka dalë qartë sheshit, në momentin kur përfaqësuesve të këtyre përpjekjeve u është dashur të zgjedhin mes interesave politikë dhe parimeve të shpallura. Kjo ka sjellë angazhimin e tyre në koalicione apo aleanca të panatyrshme.
Tani mund të flasim më qartë për pyetjen qendrore. A ka vend për një të djathtë serioze në Shqipëri? Unë mendoj se po: ka vend dhe nevojë. Fillimisht, duhet të sqaroj se kriteri i seriozitetit ka të bëjë më tepër me koherencën ideologjike e politike, sesa me impaktin zgjedhor të saj. Kjo e djathtë do të duhet të mbante qëndrime të qarta ideologjike, në raport me problemet madhore të vendit, kryesisht ato me natyrë ekonomike.
Kundërargumenti kryesor kundër qëndrimeve ideologjike është ai i impaktit zgjedhor: me ide të tilla mendohet se nuk fitohet. Unë mendoj se ky argument nuk vlen. E para sepse e djathta realisht nuk është provuar kurrë në Shqipëri. Ajo ekziston si stereo-tip vetëm në akuzat që i bëhen shumicës në pushtet apo një pjese të elitës. Ajo nuk është provuar kurrë p.sh. siç është provuar e djathta angleze apo amerikane. Partitë e tjera, jashtë PD-së, që kanë shpallur programe të djathta, vërtet nuk kanë pasur impakt, por kjo vjen më tepër nga natyra e krijimit të tyre (si ndarje nga parti të mëdha, të dështuara që në lindje), sesa nga mospranimi i së djathtës nga elektorati.
E dyta, nëse e shohim politikën thjesht si një hapësirë në të cilën qëllimi është marrja e votave dhe jo marrja e mbështetjes ndaj ideve, atëherë duhet ta ndjejmë veten shumë të varfër. Çështja e votave që merren ose jo nga një program politik, është plotësisht e ndarë nga ajo e vlerave dhe ideve. Politikanë që synojnë thjesht të marrin vota, nuk meritojnë të vijnë në pushtet, sepse synimi i tyre është plotësisht vetjak dhe nuk ka impakt publik. Politikani i vërtetë nuk mund të niset vetëm nga pritshmëritë, shpesh iluzore dhe profane, të elektoratit, por duhet të ketë vizionin e tij.
Kundërargumenti i dytë është ai i nevojës për një politikë përtej së djathtës e së majtës. Ky argument do të ishte marrë shumë më pak seriozisht, nëse nuk do të kishin këmbëngulur për politikanë oportunistë, që nuk besojnë as vetë në një teori të tillë, jo sepse janë tepër të kultivuar për ta besuar, por sepse interesi parësor për impaktin elektoral ua mpin dëshirën për ta menduar seriozisht atë që po ofrojnë. Fatkeqësisht këta i kemi me bollëk në të dy anët e ndarjes nominale e majtë- e djathtë. Unë mendoj se qëndrime si ai "përtej së majtës e së djathtës" fshehin pas tyre ose paftësinë për të menduar një projekt qeverisës ose synime hipokrite populiste. Projektet që e konceptojnë popullin si një të vetëm janë hipokrite ose me reminishenca autoritariste, mesianike apo edhe totalitare.
Formësimi i një të djathte reale shqiptare do të ndihmonte fuqimisht jetën politike në vend. Ai do të nxiste eventualisht edhe marrjen e qëndrimeve më të qarta nga ana e së majtës, ose në rast të kundërt evidentimin e mungesës së këtyre qëndrimeve.
Është e qartë se PD-ja ka potencialin më të madh për sendërtimin e një të djathte të tillë. Por në 20 vite tranzicion, ajo e ka shmangur pareshtur këtë mundësi duke preferuar të lundrojë në ujëra të qeta oportunizmi dhe populizmi politik. Megjithatë, ajo mbetet terreni më i mundshëm pjellor për një të djathtë reale, qoftë në formën e një poli të qartë brenda saj (gjë që nuk nënkupton domosdoshmërisht luftë me pjesën tjetër), qoftë e krijimit të një poli të ri jashtë saj me elementët brenda PD-së që kanë shpallur dhe mbajtur qëndrime të djathta. Këta të fundit nuk mungojnë. Ajo që mungon është vullneti për t'u përballur me një betejë afatgjatë, për sigurimin e përkrahjes së elektoratit, përballë mjeteve që jo gjithmonë u përshtaten parimeve morale individuale. Mirëpo, siç thoshte Platoni, ata që mendojnë se janë shumë të zgjuar për t'u marrë me politikë, janë të dënuar të qeverisen nga budallenjtë.

5 Komente

"....Mirëpo, siç thoshte Platoni, ata që mendojnë se janë shumë të zgjuar për t'u marrë me politikë, janë të dënuar të qeverisen nga budallenjtë..."

smiley 

ne kete rast, platoni do te mbllaciste camcakezin dhe do t'i dergonte nje sms te dashures se tij argjentinase, duke i kerkuar te beje cmos per ta siguruar ate te shkrete azil politik.

 Vazhdon e shkrun akoma budallalliqe ky arsimtari liberal ?

Është e qartë se PD-ja ka potencialin më të madh për sendërtimin e një të djathte të tillë.

 

Shiko mer kaqol profesionist !

PD=Sali Berisha dhe meqe ke perdor foljen kam ne kohen e tashme, dmth qe je kokrra e debilit. 

Nuk ndodh dot kjo sepse vete Berisha nuk eshte i djathte dhe se baza sociale ne Shqiperi aktualisht eshte mbi 80 % e majte.

Tani qe te mos flasesh me per kete idiotizem, merr disa statistika ne Ministrine e Punes dhe ate te Arsimit ( jo per universitetet private ) dhe mbasi te kesh mesuar se kush eshte nr i te papuneve, nr i atyre qe jetojne nen minimumin jetik te varferise dhe se kush eshte nr i analfabeteve zyrtare atehere provo te avitesh me ndonje konkluzion mbi te djathten ne Shqiperi.

Llosh  !

Dha ta them pa piken e dyshimit ! 

se baza sociale ne Shqiperi aktualisht eshte mbi 80 % e majte.

 

Qe nuk perfaqesohet nga asnje parti...

Sa te turbullta i ka ky djali idete!

Rregullimi i tregut eshte detyra e pare e nje shteti liberal. Te mos rregullosh tregun do te thote te lejosh veprimin e monopoleve, marreveshjet ne dem te konsumatoreve etj. Tregu duhet rregulluar per te siguruar konkurrueshmerine.

Mosrregullimi i ceshtjes se prones private ben qe ne jemi ne nje shtet parakapitalist. Me nje fjale, kandidat per te qene te tille.

Potenciali i PD per te qene e djathte reale eshte zero me bisht sa kohe qe Sala eshte ne krye.

Ne nje situate ideale, e djathata "reale" do te duhej te kishte si detyre te pare perforcimin e shtetit ne rolin e tij si "xhandar": mbrojtjen e jashtme (ketu nje baze e mire eshte hyrja ne NATO), sigurine e brendshme (jo vetem te sigurise fizike por edhe ekonomike etj), krijimin e infrastrukturave (te transportit, energjise, telekomunikacioneve).

Por problemi yne me i madh sot eshte qe kjo qeveri por edhe ato te meparshmet nuk jane sjelle si qeveri me mendesi shtetformuese dhe shtetperforcuese. Cfare kuptimi ka te kerkosh shtet social ose shtet liberal nqs nuk ke shtet per te qene?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).