U bënë tashmë mbi dy vjet që po përjetoj krizën. Pata kështu rastin e rrallë të kqyr ciklin e plotë të një krize të kapitalizmit në të gjitha aspektet e saj : krizën e sektorit të pasurive të patundshme, që nga atdheu i saj Amerika preku Evropën mbarë dhe vuri në pah lojën e pështirë të subprime-ve, këto produkte derivate të helmëta të kuzhinës financiare ; krizën financiare, shembjen e stabilimenteve bankare si Lehmans Brothers si edhe tronditjen e thellë të një varg tempujsh të tjerë të financës së madhe për shkak të mungesës së besimit dhe të pares së lëngët për veprimet ndërmjet bankash ; krizën e bursave, indekset e të cilave morën tatëpjetën pikërisht për shkak të çrregullimeve të sistemit të pagesave dhe të kreditit ; krizën ekonomike, ngadalësimin e ritmeve të rritjes së ekonomisë në rang planetar – me pasojat tashmë të pashmangshme mbi të gjitha tregjet : të punës, të lëndëve të para dhe të prodhimeve…. Bile mund të them se kjo krizë më është bërë pjesë e pejzazhit të përditshëm ; një biçim konstante e pashmangshme që hyn në të gjitha muhabetet dhe debatet, si puna e shiut që bie me rradhë apo pa rradhë dhe që na kujton mungesën e bezdisshme të çadrës.

Së fundi, pata fatin të përjetoj fazën fundore dhe më pasionante të saj : krizën e strukturave shtetërore për shkak të përkeqësimit të tejskajshëm të parametrave makroekonomikë – me rastin grek si shembull të spikatur. Bile ky rasti grek më risolli syve atë nënën e këngës që s’dinte ç’ti qante më parë atij Selmanit të saj : mashtrimin e tij fillestar me shifrat e borxhit publik, çoroditjen e sistemit të tij të pagave dhe të pensioneve, përuljen e tij para cinizmit të Evropës që përzgjat agoninë dhe që krahas serumit, i zgjat të sëmurit faturën, lebetitjen e tij për paundin e mishit dhe të gjakut helen që ai duhet t’i japë jahudisë Shilok për të paguar borxhin apo së fundi, buzën e varrit të hapur që pret të tjerë Selmanë…

Të them të drejtën, pas të qarës më vjen edhe tundimi t’i ngazëllohem ndëshkimit. Atij ndëshkimi olimpian që rrufezon dhinë e zgjebosur - që edhe pse në grahmat e fundit, ëndërron t’i rrjepë lëkurën lepurit gjiton për t’u mbështjellë me të dhe mjekuar plagët e pashërueshme. Veçse s’kam harruar ende se edhe vetë Zeusi është helen dhe mjafton një dridhje sado e lehtë e dorës rrufetare për të shkrumbëzuar jo vetëm dhinë por edhe lepurin… Troç muhabetit, si kanë ardhur kohrat, duhet t’i druhemi jo vetëm Zeusit dhe dhuratës së grekut por edhe vetë këtij të fundit – edhe pse me të dyja këmbët në varr.

* * *

Për një kandid, profan ndaj çështjeve të ekonomisë dhe të politikës së madhe – ajo e shteteve, rruga është e përvijuar – bile e paracaktuar qysh në origjinë : gëlltitja pa përtypje e thënieve dhe analizave të të diturve. Por kandidllëku nuk është një sëmundje e pashërueshme : tashmë i rregjur nga një farë përvoje, dyshoj fort se këta të ditur – politikanë, ekonomistë, bankierë, analistë dhe të tjerë gazetarë, hanë të gjithë në një çanak dhe i falen të njejtës Perëndi.

Mbetet pra profani, vërtet injorant por aspak idiot dhe si çdo profan, i huaj – në mos kundërshtar - i çdo shenjtërie apo idolatrie. E pra ky profan kurioz, nga momenti kur arrin të vërejë se mendimi strukturohet rreth të njejtave stereotipe dhe gjuha jehon e zbrazët, me thekse hipokrite bën vaki edhe të revoltohet, përpara se të fillojë dhe të lexojë për hesap të vet - dhe të reflektojë, gjithmonë në hesap të vet. A ja arrin gjithmonë qëllimit ? Ndoshta, nëse të tjerët që do ta gjykojnë do të tregohen zemërgjerë  dhe s'do ta zenë me gurë !

Le të marrim si shembull pikërisht këtë krizën helene dhe nëpërmjet saj, të mundohemi të deshifrojmë skemën evropiane nëpërmjet disa postulateve tashmë të vërtetuara :

1. Fajin e ka vetë Greqia, pasi ajo mashtroi Evropën për të fshehur borxhin e saj publik « të frikshëm »

Pa asnjë dyshim Greqia falsifikoi rregjistrat e saj për të hyrë në Evropën e evrosë, duke fshehur gjendjen e vajtueshme të financave të saj publike. Por ndërkohë, ne kemi harruar që të tilla akrobacira financiare u bënë në vitin 2001 me fajësinë e bankës fort të nderuar Goldman Sachs, nëpërmjet operacioneve swaps të devizave dhe të produkteve të tjera derivate, gjë e cila i lejoi qeverisë të asokohe greke të « kursente » mbi 2 miliardë evro mbi borxhin e saj publik.

Po a është Greqia e vetme në këtë rrugë gjynahqare të mashtrimit ?

Absolutisht jo, pasi Evropa mbarë mashtron ! Në vitin 1996, Italia berluskoniane përdori mekanizmin e swap-eve të bankës J. P. Morgan, pikërisht për të reduktuar borxhin e saj publik ; në vitin 2000, Franca nxorri në treg bono të huasë publike dhe shtyu pagesat e interesave në fund të vitit 2014 – pikërisht për të « kuadruar » (lexo : fshehur) borxhin e saj publik ; në vitin 2004, Goldman Sachs dhe Deutche Bank ngritën në këmbë një stratagjemë financiare për Gjermaninë – të ashtuquajturën « Aries Vermoegensverwaltungs » - qëllimi i vetëm i të cilës ishte shvendosja e shumave të huazuara me përqindje interesi disa pikë mbi ato të tregut në llogari anekse, pikërisht që borxhi publik të paraqitej brenda kufijve të pranueshëm nga Evropa…

Përse borxhi publik grek konsiderohet « i frikshëm », në nivelin 115% të Prodhimit të Brendshëm Brut (PBB) kur ai japonez me 200% nuk i bën frikë askujt? Ndoshta, për shkak se Greqia bën pjesë në Evropë dhe në këtë pjesë të sistemit kapitalist botëror, llogaritë publike janë një element fort i ndjeshëm i ekuilibrit ekonomik... Përse atëhere, borxhi publik i Estonisë (140% i PBB), i Hungarisë (160%) apo i Rumanisë (155%) nuk frikësojnë thuaj askënd, ndërkohë që borxhi publik i Islandës, i vlerësuar me 925% të PBB, as që përmendet si faktor frike ? Ndoshta, pasi Estonia, Hungaria apo Rumania nuk bëjnë pjesë në zonën euro ndërkohë që Islanda nuk bën pjesë në Evropën e Bashkuar… Përse më tej, Greqia u vu në qendër të spekullimit financiar duke u shëndrruar në makthin e Evropës ndërkohë që Italia borxhet publike të të cilës vlerësohen me 116% të PBB, nuk alarmon ende tregjet ? Ndoshta, pasi shteti grek e ka humbur kredibilitetin ekonomik pikërisht për shkak të kombinimit të një borxhi publik të stërmadh me deficitin publik prej 12.7% të PBB… Përse së fundi, Irlanda nuk e ka humbur këtë të famshëm kredibilitet kur borxhi i saj i avitet shifrës 100% të PBB ndërkohë që deficiti gjendet gjithashtu në nivelin 12% ? Ndoshta, pasi….

Si shumë ndoshta po bëhen, ndërkohë që logjika fillon dhe humb pedalet. Po a ka logjikë ekonomike në këtë Evropë të Bashkuar që zgjohet befas e alarmuar një mëngjez të bukur nga deficiti permanent i Greqisë ndërkohë që gjatë gjithë kohës ka mbyllur sytë përpara blerjeve të saj të pafund të armëve, të shpenzimeve pa hesap për Lojrat Olimpike të Athinës në vitin 2004, të kostos të papërballueshme të shpenzimeve të shtetit për rrogat dhe pensionet etj.. etj… ?

E vetmja logjikë që qëndron në këmbë në këtë rast është ajo e interesave gjeostrategjike dhe politike evropiane që pak ka të bëjë me konsideratat ekonomike – në formën e solidaritetit mes ekonomive të bashkërenduara. Nuk është rastësi fakti që avokatët më të mirë për pranimin e Greqisë në gjirin e Evropës së evrosë në vitin 2001 ishin pikërisht Franca – furnizuesi kryesor (bashkë me Gjermaninë) i armëve të këtij vendi, dhe Gjermania – kreditori kryesor (bashkë me Francën) i ekonomisë greke, bankat e të cilave zotërojnë mbi 80% të borxhit grek. Me fjalë të tjera, Evropa e Bashkuar është një grupim i natyrës politiko-ekonomik, i krijuar si domosdoshmëri për t’ju përgjigjur një realiteti shqetësues të shekullit të XX – egzistencës së rrezikut të një përplasjeje madhore mes dy superfuqive të epokës dhe konkurrencës së dy sistemeve ekonomike kundërshtuese, përpos nevojës së prekshme të ballancimit të tregjeve në gjirin e vetë sistemit kapitalist mbizotërues. Në këtë optikë, forca e asaj Evrope matej me efektin e përmasës së saj gjeografike dhe fuqia e saj përcaktohej nga shuma e thjeshtë e peshave specifike të vendeve antare, ndërkohë që interesi i saj imediat shtynte drejt krijimit të një hapësire ekonomike të përbashkët, të një tregu të përbashkët, të një monedhe të përbashkët – në situatën kur shuma e flukseve të shkëmbimeve mes saj dhe botës ishte me kahje pozitive, e kushtëzuar nga niveli teknologjik, nga shkalla e investimit intelektual, nga marrëdhëniet e saj të privilegjuara me masën e vendeve të pazhvilluara ose në në zhvillim, rrjedhojë e të kaluarës koloniale.
Veçse sot, ky realitet nuk egziston më. Në më pak se dy dekada, faqja e botës është shëndrruar thuaj krejtësisht dhe globalizimi i ekonomisë dhe i tregjeve - tashmë të njehsuar nga pikpamja e marëdhënieve ekonomike, ka përmbysur kryekëput raportet e vjetra. Në këto kushte, Evropa - edhe pse e bashkuar, nuk arrin të çojë peshë nga pikpamja ekonomike dhe të imponohet si forcë ligjvënëse botërore. Një varg ekonomish emergjente dhe agresive Kina, India, Koreja, Indonezia dhe të tjerë Brazilë - kanë dalë në skenë ; të nxitura nga gradientë të brendshëm pozitivë prodhues dhe teknologjikë, të mbështetura nga mekanizma të favorshëm pagash dhe force puntore, të frymëzuara nga raporte interesante monetare, ato kanë tronditur thellësisht ekulibrin e vjetër të qarkullimit të mallrave dhe të lëndëve të para, të akumulimit të kapitaleve, të shpërndarjes së punës dhe të vlerave të dikurshme.

Përfundimisht, Greqia posepo « mashtroi » Evropën por në rradhë të parë, Evropa ka mashtruar vetvehten duke kërkuar të bëjë stan me lepuj dhe me dhi të zgjebosura. Dhe u desh pikërisht kjo kriza e fundit sistemike për të vëzhguar paradoksin e vërtetë që ngërthen realitetin e sotëm evropian :

Evropa është gabuar rëndë duke konsideruar si përjetësisht të qëndrueshëm sistemin e saj egzistues të financave publike, të bankave dhe të rishpërndarjes së pasurisë – thjesht, të mirëqënies së saj legjendare, të mbështetur kryekëput mbi borxhet dhe kredinë.

2. Greqia është në prag të falimentimit, sikundër dhe të tjera vende të zonës euro, dhe në këtë rast, Bashkimit Evropian s’i mbetet rrugë tjetër veçse ta verë nën tutelë dhe t’i huazojë shuma të tjera.

Kush është ajo fuqi hyjnore që vendos nëse një shtet është apo jo në prag të falimentimit ? Me sa duket, të ashtuquajturat Agjensi të vlerësimit - nja dy a tre organizma private të ekspertizës financiare të cilat, nëpërmjet një sistemi germash dhe shenjash barbare për profanët (AAA+, AAA-, ABB+ etj..), arrijnë të vlerësojnë pikërisht kredibilitetin dhe qëndrueshmërinë e një shteti apo institucioni financiar për të shlyer angazhimet e ndërmara. Pikërisht ato që tre ditë përpara falimentimit të bankës Lehman Brodhers, i akorduan kësaj të fundit një A të trefishtë, të dekoruar me një kryq !

Për hir të një rastësie fatlume, këto agjensi gravitojnë rreth gjigandëve bankarë si Goldman Sachs sikundër edhe hëna vërtitet rreth tokës dhe po ashtu si hëna gjatë eklipsit, i errësojnë dritën herë një vendi herë një vendi tjetër. Në këtë terr, gjithmonë si rastësisht, qeveritarëve të çoroditur ju shfaqet spektri i fajdexhiut Sachs, që si edhe të tjera zhgaba hedge funds sillet rrotull kërmës – i gatshëm për t’ju dhënë kredi të reja disa dhjetra miliardëshe me 8.5% interes, ose dy herë më tepër në krahasim me të tjerë nevojtarë më fisnikë. Ja pra edhe paradoksi tjetër, i vënë në pah nga kriza :

për t’i dhënë fund krizës financiare që trondiste bursat dhe shembte bankat, shteti zbrazi qesen, thau financat, bile hyri në borxh (!!) për t’ju përzgjatur egzistencën ; për hir të këtij borxhi, tashmë të pafund – pra të pakontrollueshëm, po këto banka dhe fonde financiare ndërkombëtare e shpallin shtetin si të falimentuar dhe i ofrojnë borxhe të reja për të paguar thjesht këstet e borxhit, ndërkohë që e kushtëzojnë dhënien e tij me ndërmarrjen e kursimeve dhe masave të reduktimit të shpenzimeve publike.
 

Me fjalë të tjera, parja asnjëherë nuk ka munguar – bile edhe në kulmin e krizës, veçse ajo nuk gjendet aty ku duhet dhe sipas dozës, ajo mund të jetë ilaç ose helm ! Ndoshta gabohem rëndë kur shprehem – por fundja një profani si puna ime edhe i falet – se kemi të bëjmë me një spekullim të stërmadh, pre e të cilit tashmë nuk janë më individët e çoroditur apo aksionarët naivë por vetë shtetet. Dikush nga e majta e sallës, në vend të shteteve do të kish thënë masat e gjera punonjëse, të cilave ju kërkohet të bëjnë sakrifica të rënda dhe afatgjata në rrogë, në fuqinë e tyre blerëse dhe në standardin e tyre të jetesës. Besa, ai i të majtës ka të drejtë përderisa këto masa punonjëse do të sakrifikojnë deri edhe këmishën e trupit jo për të mbajtur në këmbë shtetin e tyre të krimbur në borxhe, por që ky i fundit të mund të tregohet i besueshëm ndaj bankave dhe kreditorëve të tjerë institucionalë, me qëllim që ata t’i akordojnë të tjera borxhe. Pasi ajo çka quhet « kriza greke » është në të vërtetë kriza e borxhit publik grek ndaj bankave (43% të shumave), ndaj fondeve mutuale (22%) dhe fondeve të pensioneve (15%). Sa për vetë borxhin prej 300 miliardë euro (30.000 euro për kokë greku, pensionist vorioepirot apo foshnjë në bark të nënës qoftë), as që bëhet fjalë. Le ta paguajë kush të mundet, vetëm unë jo !

Përse pikërisht është Greqia që u kumbis e para në këtë grackë spekulluese ? Pasi ajo është rrota e fundit e karrocës, dominoja e parë e një vargu të gjatë evropian, rënia e të cilës ve në rrezik gjithë zonën ekonomike kontinentale ; pasi, më tej, qëllimi final i këtij spekullimi është vetë monedha unike, në mos egzistenca vetë e këtij Bashkimi ekonomik.

Si e mendon kjo Evropë zgjidhjen e krizës greke të borxheve ? Duke i dhënë Greqisë një borxh të ri prej 110 miliard eurosh gjatë tre vjetëve të ardhshme. Për besë, kjo metodë e rregjur evropiane për të paguar interesat e borxhit nëpërmjet marjes së borxheve të reja, më kujton baronin Munchausen i cili shpresonte të fluturonte në ajër duke tërhequr fort lidhëset e këpucëve, përpara se të kalëronte gjylen dhe të përplasej bashkë me të pas murit ! Kaq budallaqe të ketë katandisur Evropa ? Së pari, i duhet vënë emri i vërtetë – shejtan budalla, pasi ndërkohë që ajo i huan Greqisë 110 miliard euro me shkallë interesi prej 5%, ajo e ka marë këtë shumë pikërisht pranë bankave të veta me 2.8%. I vdekur që i vdekur greku, le të paguajë edhe autobuzin për krushqit dhe vajtojcat !

Së dyti, etiketa Evropë mbulon në të vërtetë politikën - qoftë ajo ekonomike, bile edhe e papërgjegjshme – të një bande burrash dhe grash që piqen hera-herës në Bruksel apo në Strasburg, të cilët sot janë nesër jo, dhe që mundohen t’ja ngecin bixhin atyre që do të vinë pas, në mos të ëndërrojnë mes dy drekash një luftë të ardhshme që të fshijë të gjitha borxhet – bile edhe evropianët me atë rast. Në këto raste jemi mësuar të themi : mjerë ai që vdes, pasi të gjallët bëjnë si bëjnë dhe harrojnë ! Veçse me sa duken bathët, tashmë do të na duhet të ndrrojmë kahjen : mjerë i gjalli që do të paguajë faturën e borxhit, pasi të vdekurit s’ja kujton dot kush ! E shoh nga larg atë mëngjëroshin e sallës që ngrihet më këmbë : pse jo, një revolucion si ai i Leninit në vitin 1918, që me një dekret fshiu borxhet dhe interesat e borxheve për jetë të jetëve.

3. Greqia duhet të përpilojë një plan urgjent kursimesh dhe shkurtimesh të shpenzimeve strukturore për të reduktuar borxhin publik.

Ata të diturit tanë të fillimit, janë të mendimit se sot janë tregjet që udhëheqin botën. Ndryshe, bursat janë barometri i ekonomisë – tregues i krizës. Le të ndjekim pra këtë tregues nëpërmjet shtypit francez të muajve të fundit që komenton krizën greke dhe atë evropiane :

Në fillim, atmosfera duket e paqme (Le Figaro, 13.04) – Tregjet e siguruara nga plani i ndihmës për Greqinë. Por shumë shpejt, puna fillon dhe ndërlikohet (Le Figaro, 27.04) – Angela Merkel ve kushte, tregjet shqetësohen. E pra, mjafton që dy Agjensi të vlerësimit të degradojnë borxhin grek dhe atë portugez që retë e zeza të nxijne qiellin (Le Figaro, 30.04) – Greqi, Portugali : panik i vërtetë në zonën euro. Ndërkohë, Evropa shpall planin e saj historik të shpëtimit prej 110 miliardësh dhe hop (Le Figaro, 30.04) – Ndihma për Greqinë e rishikuar në ngritje, tregjet hypin. Greqia është tashmë nën mbikqyrje të lartë : zjarrfiksit evropianë i imponojnë një kurë dobësimi. Por me sa duket, kjo gjë nuk është e mjaftueshme (Le Figaro, 04.05) – Tregjet mbeten skeptikë përballë përmasave të sakrificës që i kërkohet Athinës. Dhe paniku përhapet si zjarr i keq (Les Echos, 05.05) – Pas Greqisë, tashmë është Spanja që fundos tregjet. Tre të vrarë në Athinë gjatë një përleshjeje të manifestuesve anti-masa-kursyese-të-qeverisë me forcat e rendit dhe menjëherë, një valë tjetër çmendurie e tregjeve (Libération, 06.05) – Evropa humb busullën, tregjet në panik. Të gjithë bursat bien në pikiatë. Delir komplet (Le Parisien, 08.05) – Panik në Evropë. I vjen rradha elektroshokut ! I sëmuri u shërua, veçse u deshën 750 miliard euro (La Tribune, 11.05) – Plan historik. Tregjet euforike. Por me sa duket, këto të uruara tregje janë krejtësisht paranojake. Me t’u siguruar rreptësia që ju mungonte, kjo rreptësi fillon dhe i shqetëson (Le Monde, 12.05) – Aplikimi i rreptësisë financiare rrezikon të komprometojë daljen nga kriza. Mama, kam frikë… gogoli po vjen (Le Monde, 16.05) – Kriza e borxheve dhe dyshimet mbi të ardhmen e euros panikojnë tregjet. Tashmë është evroja që shkakton nevrasteni (Le Parisien, 18.05) – Rënia e euros vazhdon të çrregullojë tregjet.

Në këtë pikë të historisë mund të pranojmë fare mirë që tregjet kanë probleme mendore, por sado ciklothimike që të duken, diku-diku ato kanë të drejtë, pasi :

çdo plan i rreptë kursimesh të financave publike dhe shkurtimesh të shpenzimeve strukturore me qëllim reduktimin e borxhit publik, përkthehet në gjuhën e thjeshtë me zvogëlim të rrogave dhe të pensioneve, me rritjen e VAT-it, me zvogëlim të fondeve për shëndetin dhe për pagesat sociale, me rritjen e taksave. Troç, me zvogëlimin e fuqisë blerëse të popullatës ; gjë e cila pasqyrohet menjëherë në rrudhjen e rritjes ekonomike, pra automatikisht, në më pak të ardhura për arkën e shtetit, në më pak mundësi praktikë të këtij shteti për të paguar borxhet.

Sikundër thotë edhe ajo fjala popullore : duhet zgjedhur mes tifos – falimentimit financiar – dhe kolerës – përmbysjes ekonomike. Grekët tanë – si trima mitikë dhe ballkanikë që janë – pritet të përveshin llërët për të aplikuar strategjinë e motrave Danaide. E thënë ndryshe, qeveria e Papandreut i fton t’u sulen kovave për të mbushur butin që i mungon fundi ! Në se i kapllon lodhja, i ftojmë të ulen në hije me një gotë uzo të ftohtë përpara, dy ullinj dhe një thelb hudhër… dhuratë e vobegtë e krizës ! Paçka se do t’ju mungojë rrëkeja me ujë të akullt – aq e dashur për elbasanllinjtë tanë të Kalasë, për të ftohur këmbët dhe për të rrëkëllirë alkolin. Më vijnë vetvetiu ndër mend elbasanllinjtë, ndoshta për shkak të dembellëkut të tyre legjendar dhe po aq vetvetiu më kujtohet Sudja – gjithashtu legjendare. Pasi, edhe pse grek safi, ky Papandreu është po aq i specializuar sa edhe jevga në piramidat financiare, përderisa aplikon të njejtën formulë : zhvati paret të dytit për të paguar të parin, mbathja këmbëve përpara se të të zerë turma…

 

* * *

Prej kohësh e kemi ditur që kapitalizmi – ky sistem ekonomiko-financiaro-politik mbarëbotëror, është i barsur me krizën. Në këtë pikë, ai i ngjan asaj nuses së re, shtati i të cilës lulëzon me lindjen e fëmijës së parë – dhe rrënohet përfundimisht pas lindjes së dhjetë apo të dymbëdhjetë, i cfilitur nga barra. Të gjithë politikanët e dynjasë që halli i shëndrroi në doktorë - përpos atyre mjekëve që rastësia i shëndrroi në politikanë – janë në gjendje të dëshmojnë se një e tillë « sëmundje » sistemike mund të trajtohet veçse me një terapi sistemike. Një mënyrë savante – shkencore – për të thënë se mënyra më e mirë për të shpëtuar të sëmurin që po heq shpirt është… rivenia mbi baza të shëndosha të rregjistrave kontabël të spitalit.

 

26 Komente

E lexova me qejf shkrimin. Intrigues dhe informues. Faleminderit autores. Vetem te lutem mos me skado tek nje nder te paktat gjera qe une personalisht njoh persa i perket finances boterore:

Me sa duket, të ashtuquajturat Agjensi të vlerësimit - nja dy a tre organizma private të ekspertizës financiare...

Jane kater. Kater si tek "Big Four". smiley

Olsi,

Ose ti i ke lajmet e vjetra, ose unë i kam bërë llogaritë e vlerësimit financiar gabim, por mua sot më dalin vetëm tre financiare globale : 1. Moody's, 2.Standard & Poor's 3.Fitch Ratings. Musketeri i katërt, Duff&Phelps u gëlltit nga i treti FitchIBCA që me atë rast u bë Fitch Ratings, aty nga marsi i vitit 2000.
Në nivelin lokal apo rajonal, ka edhe një tufë tjetër agjensish më pak të njohura, përfshi edhe të zgjedhurën e zemrës tënde Coface.
(PS : e njoh personalisht atë tipin që ka shkruar këtë paçavure, por sidoqoftë të siguroj se, megjithëse në projekt, ai ende nuk e ka ndrruar seksin)

Ashtu eshte, thirren "tre motrat", Moody's, Standard & Poor's, Fitch Ratings, ato qe i ven damken notes/fatit te shteteve, shoqerive te kuotuara, por shtrohet pyetja, meqe kane nje pushtet qe edhe shtetet i shohin nga poshte me syte perpjete :

Kush kontrollon kontrolloret ?

Po te shohim aksioneret e tyne(kontrolloret), si shoqeri private qe jane, gjejme fonde investimesh e individe tip Buffet(19% te Moody's), te cilet me investimet e tyne mld. $ mund te influencojne 'management'-in per nje velresim ndryshe nga ai real, sipas interesit ne loje, dmth ka nje konflikt interessi evident.                         

Pikerisht, per kete EU don te krijoje nje shoqeri vleresimi te saj, me pas nje notevenes me objektiv.

ps: "tre motra" jane nen nje influence te theksuar amerikane, c'ka nuk u jep shume besim kontinenteve te tjera.

As 19 perqindshi te Moody (me duket se lexova diku qe ishte 13%) nuk jystifikon teatrin e shemtuar qe luajti Buffet ne deshmine e tij para Financial Crisis Inquiry Commission.  Jo vetem me mbrojtjen e reputacionit te agjencive te ratings, por edhe mbi housing bubble qe ky gjoja nuk e kishte nuhatur.  

Mua me vjen te qesh kur lexoj shtypin amerikan: uaaa edhe Buffet keshtu?  Se me demek Buffet e ka reputacionin e xhaxhait dede.  

@ xixa, me pelqeu analiza jote, megjithese jam dakort me Nahr kur thote qe artikulli eshte me shume nje persiatje e krizes, apo akumulimit te krizes se momentit, sesa e sistemit.  

Berkshire Hathaway (19,1%), kshu me thone ca burime, nejse, fjala e tij ka peshe ne Moody's.

Po pse nuk ka thene para disa vjetesh qe derivatet jane 'arme te shkaterimit ne mase', dhe kjo per tregun e pronave te patundshme kishte lidhje direkte, keshtu ju doli borxhit smiley

Ka marre ate namin e mire, ngaqe nuk quhet spekulator, po investitor, c'ka e dallon nga spekulatoret eshte ... vetem harku kohor i titujve ne portofol, afatgjate. Cudi, kush ndjek teknikat e tij ne investim nuk arrin te njejtin rezultat, e verteta eshte pikerisht sepse ka duart gjithanej, dine gjithcka ne kohe reale, kane info te rezervuara dhe pilotojne shume evente. 

 

 

 

 

 

 kane info te rezervuara dhe pilotojne shume evente. 

Insider trading nga nje "insider" apo "insider-beres" po thu ti smiley.

Ndoshta edhe me shume se 'insider trading', po hajt e provoje, po deshe  smiley

Libri qe kam konsultuar une eshte i qershorit 2007 dhe e konsideron "Duff e Phelps" si agjensine e katert. Ndjese dhe faleminderit edhe per kete informacion.

PS: Nuk e di pse m'u fiksua sikur autori ishte nje "Ajo". Keqkuptime interneti. smiley

nga titulli prisja nje opinion pse eshte sistemike dhe jo ciklike, pertej lajmeve te gazetave, ceshtja nen rreshta eshte kjo...

 Gjermania po perfiton nga renia e Euros dhe ne te njejten kohe e di mire se ato leke qe po ia jep Greqise do i marre me interesin qe ka caktuar. 

Jo leke, por euro!  smiley

money smiley

Kete krize, teknikisht cka ndodhe, duke kerku rrenjet qysh gjate mandatit Clinton-Greenspan, mund ta spiegoje nje ekonomist / financier i panvarur, por 'input'-i, 'output-i' dhe pasojat  per te ardhmen kerkojne mendimin kritik edhe te figurave te tjera profesionale, sepse ekonomia me sa e pertyp une, eshte REZULTANTJA e shume forcave dinamike, ekonomike te pastra, politike, sociale, gjeopolitike, ambientale..., pikerisht per kete, del gjithmone dicka e re, e papritur, si, qysh, tek, nga, pse...dy,tre dekadat e ardhshme me kete debat do merren. Ne fund, LOJE ngelet ... me qellim pushtet politik/ekonomik.

kam idene se xixa po flet per Euron dhe krizen greke. Kjo eshte e ndryshme nga subprime.

@admin: kjo teme ishte importuar automatikisht nga blogu i autorit. disa komente ishin shkruar edhe aty

griza greke (sovrane) dhe subprime... ne esence kane te njejten gje... nje mashtrim kolosal, borxhin. borxhi ne fillim i ngecet privatit. nese shume private falimentojne, kjo prockull plas ne doren e bankave, nese shum banka falimentojne kjo procull i plas garantit te tyre shtetit.... dhe sistemi eshte i lumtur per sa kohe ndodh ajo qe eshte parashikuar, falimentimi zinxhire. ata qe dhane borxhet e pashlyeshme ( per definicion te tille) marrin mbrapsh shtepine e privatit, aseset e bankave dhe pasurite shteterore...

 

 

eshte pak me gjate se kaq...

Nje korrigjim jo-esencial te tekstit (jashte temes): Zeus-i nuk eshte Helen por Pellazg, e vetmja perendi "puro-helene" eshte Poseidoni, perendia e detit, sepse greket nga deti erdhen. Per me teper lexoni Mathew Aref (Arif Mati).

Opinioni im mbi krizen greke: Gjermanet per ta hequr krizen nga oborri i tyre provokuan "qametin mbi Olimp". Ekonomia gjermane eshte teper e varur nga eksportet, dhe dihet qe menyra me e mire per te rritur eksportet eshte duke zhvleresuar monedhen. Fakti qe bankat gjermane zoterojne nje pjese te madhe te borxhit grek nuk ishte thjesht arsyeja pse Gjermania pranoi ta shpetonte Greqine, por une besoj se me perpara ishte kontribuesi kryesor ne krizen e besimit tek borxhi grek.

Loja qe u luajt ishte e thjeshte: zoteruesit e borxhit grek (lexo: bankat gjermane) filluan ta shisnin si te marre kete borxh nga fundi i vitit te kaluar. Kjo coi ne rritje te yield-it, dhe spiralja e panikut coi ne ngjarjet qe pasuan. Me kete rast Gjermania jo vetem permiresoi eksportet e veta, por edhe arriti te disiplinonte nje shtet rrumpalle si Greqia.

Perfundimisht nga kjo histori une nuk mund te nxjerr ndonje konkluzion te pergjithshem mbi sistemin kapitalist, si te tille. Konkluzioni im i vetem eshte qe EURO eshte nje eksperiment i rrezikshem, dhe shqiptaret eshte e mire qe te hapin syte dhe t'i shohin gjerat sic jane. Ne kohe krizash, me mire se ne cdo kohe tjeter, eshte e qarte qe Banka Qendrore, qe ka tagrin per te bere politike monetare, nuk mund te jetoje ne ishull, e izoluar nga pjesa tjeter e ekonomise. Te kesh monedhen tende jo gjithmone eshte gje e keqe.

Greqia ka vite qe i ka gezuar te mirat e Euros. Dhe do te vazhdoje t'i gezoje per shume kohe te tjera. Euro nuk eshte thjesht nje eksperiment, por nje projekt madhor qe kerkon angazhim nga te gjitha vendet pjesemarrese, dhe jo genjeshtra greke. Jemi shume larg pikes kur tregjet te humbasin besimin ndaj Euros dhe luhatjet e deritanishme te Euros as qe mund te quhen krize monetare. Pak presion duhet qe vende si Greqia ta marrin seriozisht kete pune.

Gjithashtu, kriza e subprime't eshte shume e ndryshme nga kriza greke. Ne krizen e subprime't sistemi kishte mbartur shume rrezik nepermjet derivateve kompleks te shpikura kohet e fundit. Kriza greke nuk ka asnje gje te re ne formimin e saj. Eshte nje shtet qe ka jetuar duke marre borxh pa dhene garancite e nevojshme se eshte ne gjendje ta paguaj ate borxh (rritje, disipline fiskale, etj). I vetmi ndryshim eshte qe Greqia nuk mund te uli kostot duke zhvleresuar monedhen, por duhet te gjeje menyra te tjera.

gre, nuk do t'i bija dhe kaq kategorikisht.  Ne kete pikepamje, prandaj me pelqen analiza e xixes.  Per aq sa ka faj Greqia per harxhimin pa kriter (perfshi korrupsionin a vjedhjet) te fondeve te BE-s, po aq ka faj edhe BE qe nuk ka pasur vemendjen, apo mekanizmat e duhura per te pare se c'eshte bere me fondet.  

Euro nuk eshte thjesht nje eksperiment, por nje projekt madhor qe kerkon angazhim nga te gjitha vendet pjesemarrese,

Dakort, por derisa te kete taksim "federal/BE" ky "sherr" do vazhdoje dhe ca. 

Gjithashtu, kriza e subprime't eshte shume e ndryshme nga kriza greke. Ne krizen e subprime't sistemi kishte mbartur shume rrezik nepermjet derivateve kompleks te shpikura kohet e fundit. Kriza greke nuk ka asnje gje te re ne formimin e saj. Eshte nje shtet qe ka jetuar duke marre borxh pa dhene garancite e nevojshme se eshte ne gjendje ta paguaj ate borxh (rritje, disipline fiskale, etj). I vetmi ndryshim eshte qe Greqia nuk mund te uli kostot duke zhvleresuar monedhen, por duhet te gjeje menyra te tjera.

Perkundrazi, une shoh ngjashmeri ketu ne kuptimin qe kriza e subprime lindi pikerisht sepse iu dha kredi njerezve pa verifikim te ardhurash, apo me te ardhura qe nuk mund te perballonin interesin qe rritej pasi skadonte ai subprime.  

Cilat jane menyrat e tjera?  Si mund te konkurojne "pigs", ekonomi me "net-imports" me vende si gjermania me ekonomi me net-exports" sikur edhe ceteris paribus?     

Dakort, por derisa te kete taksim "federal/BE" ky "sherr" do vazhdoje dhe ca.

Jam shume dakort me ty. Keshtu i hapa komentet tek tema e importuar (i solla dhe ketu po adminet i hoqen) dhe po pertoja ta perserisja. Per kete dhe nuk isha dakort me xixen, sepse heqja dore nga pavaresia ekonomike nuk behet kollaj dhe prandaj une e shoh si proces ne zhvillim. Isha shume dakort dhe me ABekteshin (ne mos gaboj) qe tha qe ky eshte nje rast shume i mire per te krijuar momentumin per te ecur perpara me projektin e Euros.

kriza e subprime lindi pikerisht sepse iu dha kredi njerezve pa verifikim te ardhurash

megjithese kjo ishte e vertete, nuk ishte ky mekanizmi qe shkaktoi krizen. Vertet keta perbenin investim me risk te larte, por gjithashtu ka investitore qe jane te gatshem ta mbartin ate risk qe gjithashtu sjell fitime (ose humbje) te madhe (edhe borxhin e Shqiperise do e bleje dikush). Bankat, qe duhet ta shperndanin kete risk shkuan pas perfitimeve te castit dhe jo vetem e mbajten por edhe e shumefishuan kete risk ne llogarite e tyre (duke menduar se i shitnin shpejt dhe ne kete menyre siguronin likuiditet, rriten borxhet dhe ulen kapitalin.. kuptohet sipas rregullave). Ketu mendoj une se ka qene "mashtrimi" qe u permend me lart. Por jo mashtrim si Greqia, por mashtrim te ligjshem te certifikuar nga shpikjet e reja ne kontabilitet. Ndersa Greqia, si thuhet dhe ne artikull, falsifikoi rregjistrat (pervec manovrimeve me GS.

Si dilet nga kjo gjendje?

Pergjigjja e vetme eshte me rritje ekonomike, se me kursime nuk ia del dot. Kete ka shpresuar dhe EU qe ne fillesat e problemit (sa per te kundershtuar xixen kjo) dhe prandaj e ka pranuar Greqine duke shpresuar qe reformat e duhura do ndermerreshin ne te ardhmen. Dhe ne fakt Greqia ka provuar disa here me gjysem zemre reforma (si psh ajo e arsimit para disa vitesh) por menjehere popullsia ngrihej ne kembe ne protesta. Rrogat do ulen, papunesia do rritet, rrefugjatet do e kene me te veshtire derisa te gjendet dicka qe Greqia mund te prodhoje dhe ta eksportoje ne shkembim te gjithe ketyre borxheve qe ka marre e do marre.

Gre,

Me intrigon komenti yt

Euro nuk eshte thjesht nje eksperiment, por nje projekt madhor qe kerkon angazhim nga te gjitha vendet pjesemarrese, dhe jo genjeshtra greke

Dhe me tej

I vetmi ndryshim eshte qe Greqia nuk mund te uli kostot duke zhvleresuar monedhen, por duhet te gjeje menyra te tjera

Greqia eshte rast i pashprese. Zhvleresimi i EURO-s kundrejt USD nuk ka asnje efekt mbi greket, sepse shumicen e tregtise se jashtme ata e kane me Eurozonen, pra ngelen me te njejten monedhe si me perpara. Nuk besoj se dallimin do ta bejne turistet ruse apo amerikane per ekonomine greke. Greqia ka nevoje te zhvleresoje monedhen kryesisht ne raport me pjesen tjeter te Evropes, jo me pjesen tjeter te botes. Pra, pare ne perspektive afatmesme, borxhi grek ngelet "junk" pavaresisht se kesaj rradhe BE vendosi t'i japi pak jete. Sa me shpejt qe greket ta kuptojne kete, aq me pak e dhimbshme agonia e tyre do te jete. Rikthimi tek dhrahmia eshte zgjidhja me e arsyeshme qe kane.

Ne lidhje me optimizmin qe t'i shpreh per adoptimin e EUROs, ne rastin e Shqiperise, me ler te te jap ca shifra, qe jane domethenese. Ne nje vit, monedha jone LEKU humbi rreth 11% te vleres kundrejt EUROs, dhe eksportet tona njohen nje periudhe lulezimi (disa thone 3 fishim). Ekonomia jone nuk eshte fort e ndryshme nga ajo greke, te dyja vendet prodhojne shume pak vlere te shtuar mbi produktet qe shesin, sepse nuk kane industri konkurrente prodhimi. Te dyja ekonomite kane partnere tregtare vende te BE. Por ne, ndryshe nga greket, s'e kemi problem ta zhvleresojme LEK-un tone, qe sigurisht gjate vitit te te fundit provoi te ishte nje hapesire frymemarrje per ekonomine.

Projekti "EURO" eshte projekt politik, dhe si i tille mund te jete funksional vetem ne kushtet e nje shteti te centralizuar, gje qe s'eshte rasti i BE. Nqs brenda ketij projekti jane "elefantet e medhenj" qe percaktojne rregullat e lojes, atehere nje "lepur" ben mire te mos e rreje mendja se mund te mbijetoje ne kete ambient, sepse mund te behet nje "kafshe e sakrifikueshme" ne varesi te kontekstit politik te "pyllit" me emrin BE.

Po perdor alegorine, sepse te gjitha argumentet ekonomike te cojne po aty, por qe nuk po i shtjelloj me tej. Une mund te kuptoj qe motivet pse shume shqiptare besojne tek EURO jane psikologjike, qe mund te kene lidhje me mosbesimin e theksuar ndaj klases politike dhe institucioneve ne pergjithesi. Por ne ekonomi, nuk eshte mencuri qe "per inat te sime vjehrre, po shkoj me mullixhiun".

Kujt i prishi pune komenti im qe ma hoqet, dhe me e forta eshte se e hoqen pas 3 ditesh. Nese ndonje administrator apo ndonje tjeter nuk ish dakort me ate qe thashe, le te shtronte pikpamjet dhe pyetjet e veta, dhe me siguri qe do merrte pergjigje nga mua per çeshtjen ne fjale. Turp per ate qe e hoqi.

Teknikisht, gjithe forcat e tregut monetar US-EU, gjejne shembellimin tek kembimi €/$, qe zhvleresimi i €uros reflekton fondamentalet e ekonomise europiane dihet, por ne te njejten kohe eshte strument efikas per tu perdor ne nje ekonomi ne veshtiresi per ti bere produktet/sherbimet me kompetitive.

Kush ka ndjek tregun valutor nga fundi i 2009, kur arriti  1€ = 1.5160, dilnin skenare nga te frikshmit, iku, falimentoi ... US, sepse po vihej ne krize kredibilitetit i dollit, cka vinte ne krize gjithe financuesit(Kina, Japonia...) e borxhit american dhe zevendesimi i $ si monedhe rezerve, keshtu qe edhe me bekimin e Fed-it dhe ECB, Europes i intereson nje €uro e dobet e Amerikes nje $ me i besueshem e stabel, win-win.

Du me thene qe nuk qendron problemi tek zhvleresimi i €uros, sa tek projekti dhe reformat strukturore qe duhet te beje Europa, eshte momenti per nderhyrje, e s'mund te shkoje ne ere nje projekt 50-vjecar ne pak muaj.

Bekteshi, renien, ngritjen, perseri ngritjen e euros (dhe te dollarit) e kam parashikuar me kohe. Sot neper bursa luhet me vleren e paketave, dhe persa kohe do te jete ky sistem (fatkeqesisht jo i aplikuar ne Shqiperi), do te kemi ngritje dhe ulje te vleres se dollarit apo euros. Kjo dhe per te çliruar/gjeneruar disa paketa te tjera, qe kane te bejne me vendet nafteksportuese. Eshte nje teme e gjere kjo, qe une do t'ia kisha shpjeguar Xixes dhe komentatorve te tjere, (me shum qejf), po te lene administratoret qe mi fshijne komentet. Ose i vjedh ndonjeri per te bere desirtacion me vone. Une i them vjedhsit, hec se te ndihmoj une, veç parate ti ndajme 75% per mua e 25% per ty.

Pls enlighten me! Disertacionin e kam bere me kohe per dicka te ngjashme, dhe nga karriera akademike kam hequr dore. Nqs e ke parashikuar me kohe levizjet e kursit te kembimit, atehere sot me siguri do jesh duke pire "pina collada" ne ishullin tend diku nga Paqesori, me nja 7 femra ekzotike qe te bejne fresksmiley. Diku aty afer do te jete parkuar edhe yacht-i ytsmiley

Permende paketat (qe nuk i kuptova) dhe vendet nafteeksportuese. S'po e kap fillin e argumentit (me fal per injorancen).

Pjer,

perderisa eshte rene dakord per nje regjim kembimi te luhatshem, patjeter qe do luhaten, dhe sic thashe me larte, kursi kembimit eshte nder te paktet strumente efikase qe mund te perdoret si "amortizator" makro.

Ndersa, per parashikimet, ose shiti, nese ti ble kush si konsulence, ose investo vete.

P.S. Po te tregoj marifetin qe perdorte me klientet nje "think tank" nga NY, me newsletters me pagese, ndante klientet 50/50 ku gjysmes u thoshte shit, gjysmes tjeter ble, ne skadence patjeter gjysma qe kish dal me fitim rinovonte abonimin, e njejta loje 50/50 me ato qe kishin ngel, e kshu me rradhe, gjersa dihet ky funksion ka limitin zero, kshu qe ka shume skepticizem gjithanej ...

gold,

duhet shume pune per EU te funsionoje si nje ekonomi e vetme, SHBA psh.

dalja nga Euro ka shume kosto ne kete pike per Greqine. zhvleresimi ul cmimet relative si princip. une po them qe te gjeje menyra te tjera per te ulur cmimin, kryesisht duke ulur kostot e prodhimit.

eksporti i kujt produkti u rrit trefish ne Shqiperi me rastin e zhvleresimit te lekut? i pame te dhenat para disa ditesh dhe vetem eksporti i energjise elektrike qe rritur smiley

duke patur parasysh qe ne Shqiperi shume pazare behen me euro per mendimin tim renia e vleres se lekut ka me shume deme se sa te mira.

Ne fakt, logjika e zhvleresimit te monedhes vendase per nxitje eksportesh ka sens kur ka produkte/sherbime per tregun e huaj, e ne Shqipni raporti IM/EX eshte n-fish, keshtu qe, edhe nese ne terma relative ka rritje EX ne terma absolute raporti IM/EX  leviz pak fare, prandaj zgjidhja duhet te kerkohet me shume ke investimet, produktiviteti, novacionet...me pas c'me exportu.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).