Epistolari i Edi Ramës është pasuruar katër ditë më parë me një letër të re, që ai ... ia dërgoi Presidentit të Komisionit Europian, z.Barroso. Kjo nuk është hera e parë që kreu i opozitës në vend, pasi palos mirë e mirë zarfin, vë në të adresën e Brukselit dhe flurudhë nis lëndën drejt qendrës së kontinentit.
Ndërkaq, kur e kur, Rama e përdor këtë instrument, pra letrën me firmë përfund, edhe për të komunikuar së brendshmi me faktorët e jetës politike edhe publike këtu në Tiranë.

Sa më shumë shtohen kësi korrespondencash, aq më shumë zmadhohet njëra nga kategoritë, që nëse do i emërtojmë me korsi, do të mbante emrin, "ajo me sens unik". Pra, letra që vetëm shkojnë, dhe ku në atë sens, nuk vjen kurrë përgjigje. Pra, letra njëkalimshe. Sot, katër ditë më pas, ende korrieri i PS-së nuk ka lënë në tryezën e Ramës ndonjë haber të kreut të KE-së.

Supozohet se një nga arsyet pse z.Barroso, apo të tjerë dinjitarë të lartë të Brukselit që marrin letra nga Rama, nuk kthejnë përgjigje, është mungesa e kohës. Janë aq shumë vende që kërkojnë vëmendjen e Komisionit në këto kohë krize financiare, sa do të ishte luks shpenzimi qoftë edhe i ndoca dekikave me lexime të panevojshme. Nga ana tjetër, mjetet me të cilat operojnë këto institucione në marrëdhëniet me vendet si ne, kryesisht me qeveritë që shihen si partnere kryesore, janë vendimet, raportet, rezolutat, takimet sy më sy, kur jepet rasti, etj.

Sigurish, do të ishte mirë që z.Barroso të kishte kohë dhe ta këndonte letrën dhe ta çmonte të arsyeshme, t'i kthente përgjigje Ramës. Në fund të fundit, kjo do të tregonte ndjeshmëri ndaj kryetarit të opozitës së Shqipërisë, pra rrjedhimisht ndjeshmëri për krejt vendin tonë. Çfarëdo që të ishte përmbajtja.
Mirëpo, kjo zor se do të ndodhë, dhe ai që e di më mirë është vetë dërguesi, i cili nuk besohet se do të jetë duke jetuar me ankth, me sytë nga posta duke pritur se kur do t'i gjegjet shefi i Brukselit.

Rama e di mirë se kjo përpjekje për korrespondencë është thjesht e vetëm për konsum të brendshëm. Ai nuk do të niste të shkruante një letër të tillë, nëse më parë ndihmësit e tij nuk do të kishin lajmëruar mediat për këtë ngjarje. Nuk do të ulej të rendiste paragrafë, poqese ato nuk do të renditeshin në disa ekrane si lajmi kryesor i ditës, shoqëruar me sigla që trashëgojnë strabizëm të theksuar. Si dhe s'do të dërgonte asnjë rresht në Bruksel, nëse ato nuk do të botoheshin të nesërmen në gazetat e Tiranës.

Letra e Ramës është shkruar pikërisht në kohën kur Komisioni Europian konfirmoi se liberalizimi i vizave mes Shqipërisë dhe zonës Shengen do të ndodhë dhe pritet të bëhet funksional në vjeshtë. Komunikimi i këtij lajmi nga Komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, si dhe autorizimi i përfaqësuesit të BE-së në Tiranë për ta paraqitur zyrtarisht këtë njoftim, ishin një zhvillim i fortë dhe i njëmendët në drejtim të heqjes më në fund të regjimit të vizave mes vendit më të izoluar të Europës dhe hapësirës ku qarkullohet vetëm me pasaportë.

Kjo duket se i ka shkaktuar Edi Ramës atë kompleksin e fajtorit. Andaj ka nxituar ta përshëndesë aktin duke i drejtuar një letër falënderimi kreut të Komisionit Europian. Sakaq, duke u rreshtuar në anën e shumicës që e kanë ëndërruar prej motesh këtë ngjarje. Lau duart dhe mëkatet, pasi jo shumë larg përpara se të radhiste këtë mesazh të fundit për në Bruksel, kreu i opozitës ishte në krye të një operacioni, që mund të dëmtonte seriozisht dhënien e vizave dhe gjithë procesin e afrimit të Shqipërisë me BE-në.

Ikja nga institucionet, dalja në rrugë dhe përpjekja për t'i shkurtuar ditët Qeverisë, jo me votë, por me mjete të tjera, ishte një kuturisje e proletariatit për të ardhur në pushtet me çdo kusht. (Për ironi, e gjitha kjo, një vit pasi Rama me të tijtë kishin konsumuar pushimet e gjata luksoze verore në Amerikë, Tajlandë, etj., si dhe pasi kishin marrë veten nga vapa nëpër resortet e shtrenjta dimërore). Grupet marksiste që ende militojnë nëpër botë mund të jenë frymëzuar nga këto lëvizje, por krejt e kundërta ka ndodhur në Bruksel. BE është shkrurajuar çdo ditë që Edi Rama rrinte jashtë Parlamentit dhe udhëhiqte grevën e urisë, një mjet shumë i dhunshëm për etikën europiane, pasi është anti-komunikim, është po ashtu gjest anti-human dhe i papranueshëm për politikën e kontinentit të krishterë. Gjithaq, greva ishte shumë e dhunshme, pasi ishte vendosur në një vend publik, posaçërisht për të prekur qytetarët e zakonshëm e të paangazhuar, për të afektuar jetën e tyre. Një ngjashmëri fatale kjo me aktet terroriste, të cilat nuk do të kishin kuptim nëse nuk do të dëmtonin të pafajshmit.

Për fat të keq, kjo lloj lëvizjeje ka aftësinë të vendoset në rekordet e një politikani dhe në memorien e një kombi. Letrat e mëvonshme të falënderimit vështirë se kanë forcën të mbeten në kujtesë. Aq më tepër, kur ato përsëri nuk janë gjeste pendimi. Kur lexon paragrafët e saj, kupton se Rama i thotë Barrosos përmbledhtazi: "bëre mirë që i hoqe vizat, por punët këtu po shkojnë keq e më keq". Mirë që kreu i Komisionit Europian nuk ka kohë të hapë çdo zarf, se ky tekst mund ta bënte të mendohej edhe një herë për vendimin e marrë. Ose, në anën tjetër, me shumë gjasë, letra mund t'i shkaktonte një të papërmbajtshëm gaz, kur sheh se si një politikan ballkanas denoncon vendin e tij, duke thënë se nuk e meriton heqjen e vizave, pra daljen nga izolimi.

5 Komente

kush i ve keto ne krye, se late nam

trendy i momentit; jane turrur te gjithe duke i bere profil psikologjik rames

sa te zote jemi ne shqiptaret per te pushkatuar te vdekurit !!!

Pse, vdiq (politikisht) Rama?

Deri ne gjys munda me e cu. Pajtohem me ate qe ka thene flo ketu me siper.

Me gjithe padijen time per cic micet e vogla te politikes memedhetare, me klishene e filmit "Perballimi", do i binte: "Ne kesaj, o shoke, i themi, na cate trapin!"

Na cate trapin me ket demonizimin total e kudo si te ndodhet te Ed Rames.

More, ky Ed Lesi, mos eshte vellaj i Nikoll Lesit? Nga stili i te shkruarit, qendroka diçka me lart nga Nikolli. Nga servilizmi ndaj Shefit te Madh qendroka diçka me poshte. Teksa e perfundova se lexuari, m'u be se binte "erë" mercenarizem. Ndersa u vura ne mendime, m'u be se Ed Lesi luante rolin e puthadorit. Kur sapo e mbarova se lexuari, u vura ne meditim: kush dhe perse vihet ne balle te rubrikes nje shkrim i tille? Qenka nisur nje leter e Edi Rames drejt Barrosos dhe nuk paska ardhur pergjigja! Qenka nisur nje leter e Sali Berishes dhe paska ardhur pergjigja! Çfare i shtojne apo i paksojne keto pergjigje (qofte njera, qofte tjetra) Edi Lesit?! Pritka nje pergjigje Edi Rama nga Brukseli, pritka nje te tille edhe Berisha nga Strasburgu; çfare i shton apo i pakson ky fakt Edi Lesit? Apo, le te presim te na pergjigjet vet Edi Lesi. Se diçka fshihet te ky meraku i madh i Edi Lesit per letren e Edi Rames! Sepse midis ketyre dy Edve (Lesi e Rama) gjendet Shefi i Madh!!!

 Korrigjojme!Eshte i nipi i Nikolles, dikur  e pat lene ca kohe  si pune K/Redaktori ke K.Jone.Une e njof per djale te urte, por  nuk ka ç`ben.Do haje buke....Nuk ka  pse çuditemi.Sot, buke hahet vetem duke share...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).