Midis kësaj situate të paqetë politike, kur palët janë pozicionuar nëpër kampe të rregullta dhe të organizuara lufte dhe në zonën asnjëanëse nuk sheh asnjë lëvizje, e cila të frymëzon një paqe të afërme, çdo ditë dalin lajme të reja nga më të çuditshmet dhe nga më të panevojshmet. Lajmi i fundit se edhe në Pezë ka ndodhur një gabim i dikurshëm i institucioneve dhe se shtëpia muze e atjeshme e të famshmit babë Myslym dhe e Konferencës komuniste të Pezës, nuk duhet t’i përkasë më Bashkisë së Tiranës por Ministrisë së Kulturës, të sjell përpara faktit se ose duam të sajojmë lajme pa ngjarje, ose nuk rreshtim së krijuari konflikte hakmarrëse.
Shtëpia muze e Pezës, për mua personalisht është një nga ato vende muze të cilat kanë krijuar stabilitet dhe kanë zënë një pozicion relativisht të qetë dhe stabël në morinë e ndërtimeve që mbartin me vete histori. Për fat të keq nuk jemi ndër popujt që e duam dhe e respektojmë historinë tonë: kur kryejmë gjestin e ruajtjes së diçkaje, ky gjest do të përplaset me tërbimin e opinioneve të ndryshme kundër dhe pro, ku gjithmonë ka gjasa të fitojnë gjykimet kundër siç jemi të pozicionuar më shumë nga negativja. Nuk duam t’ia dimë se gurët e vënë me kujdes mbi tokë nga të parët tanë kanë kodet magjike të jetëve tona të tanishme dhe nëse i përbuzim ato i kemi shpallur luftë vetes.
E mbetur në një zonë konservatore, e cila nuk ka pasur shumë lëvizje popullsie dhe ku të huajt gjithashtu numërohen me gishta, shtëpia muze banohet e njëkohësisht ruhet nga një prej djemve të Myslym Pezës: një akt ky shumë normal, madje i nevojshëm në ambientin e shqiptarëve “harrimtarë” dhe i praktikuar edhe nëpër vende të tjera të botës: një i afërm është shumë më i ndjeshëm karshi pronës dhe të kaluarës që është edhe pjesë e historisë së tij personale. Shqiptarët nuk janë popull nostalgjik ndaj vlerave të së kaluarës, të kaluarën e kemi marrë nëpërkëmbë në mënyrë sistematike, qeshim me të, tallemi, e përdorim kur na e do qejfi, bëhemi seriozë dhe lotojmë për të kur na e do nevoja e momentit, e menjëherë pas kësaj e hedhim poshtë dhe për të nxjerrë inatet me njëri-tjetrin, mund edhe ta shkatërrojmë.
Që prej disa vitesh, Bashkia e Tiranës grumbullon në Pezë të rinj të cilët shkojnë atje të detyruar dhe këndojnë e kërcejnë rreth zjarrit partizan. Dyshoj se ndonjëri prej tyre e di historinë e Konferencës së 16 Shtatorit, e megjithatë ata luajnë dhe kërcejnë dhe krijojnë ritin e një feste me simboliken e kujtimit të luftës partizane. Personalisht, nuk më pëlqen aktiviteti, jo se jam kundër idesë së një koncerti të rinjsh, qoftë edhe për të kujtuar luftën, por më është dukur një nxitim kjo ceremoni, kur akoma shumë ngjarje historike të asaj kohe janë përballur me të pavërteta dhe transformime të fakteve, që prodhoi diktatura dhe vetvetiu e kanë të paqartë mesazhin e tyre. E megjithëse, personalisht jam kundër kësaj lloj tradite të sajuar, asnjëherë nuk më ka shkuar ndër mend se duhet të “hakmerrem” për pakënaqësinë time me godinën muze apo pronarin e saj dhe aq më shumë mund të pranoj që këtë “hakmarrje” ta kryejë shteti.
Në gazetat e djeshme ishte shkruar qartë se meqë Kryetari i Bashkisë së Tiranës jeton atje dhe meqë Dash Peza është deputet i PS, atëherë ka një urdhër të ri që ndryshon pronësinë e shtëpisë muze. Nëse kjo është e vërtetë, është shumë e tepruar. Nuk dua të mendoj se inatet politike që nuk po i zgjidhim dot me njëri-tjetrin na ulin në këtë nivel, i cili nuk është as politikë e vërtetë, as diplomaci, as mençuri për të përballuar situatën e rënduar që po kalojmë.
Qytetarëve shqiptarë nuk u intereson ku jeton Kryetari i Bashkisë, ata duan të shohin politikë të mirë dhe të mençur nga Kryetari i Bashkisë. Ministrisë së Kulturës nuk i është bërë vonë deri tani për shumë e shumë vende muze që po japin shpirt nën sytë tanë dhe askush nuk interesohet për t’i mbajtur, as për të ruajtur shumë banesa muze që interesi i pangopur i fitimit i varrosi njëherë e përgjithmonë. Në mënyrë qesharake, ministria kërkon të marrë në pronësi një banesë që përpara disa vitesh e la vetë dhe që në fund të fundit do të jetë banesa e radhës, e lënë pas dore si shumë e shumë të tjera.
Shtëpia e Pezës le të mbetet e Pezës dhe e një pezaku që pavarësisht se ç’petk politik ka veshur, të paktën ndjen më shumë dhimbje se të tjerët për të ruajtur një copkë të vogël historie.

 

2 Komente

 Ndoc Coba ishte kryetar i Konferences se Pezes, Mustafa Gjinishi iste sekretar...ku perfunduan keta patriote dhe per te miren e Shqiperise apo...te Jugosllavise?

Fare pak Gjon Cimes:

Te gjykosh per historine e LANÇ duhet te kesh koken plot dhe barkun bosh.

Kam pershtypjen se jeni nga ata qe e keni koken bosh dhe barkun plot.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).