bej.jpg

OSBE: Projekti kushton 1.5 milionë euro, 6% e shumës financohet nga Greqia

Projekti i regjistrimit të pronave të bregdetit të Jonit do të nisë të implementohet që nga tetori i këtij viti dhe do të përfshijë inventarizimin e së gjithë pasurisë kadastrave. Prezenca e OSBE-së në Tiranë bëri të ditur për “Shqip” detajet e projektit, i cili është diskutuar dy ditë më parë në qarqet më të larta të Athinës zyrtare. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë është zbatuesja e një projekti që në fakt mbështetet nga disa qeveri europiane dhe arrin shumën e 1.5 milionë eurove, ku vetëm 6 për qind e saj është marrë përsipër nga qeveria greke. Prezenca e OSBE-së bën të ditur për “Shqip” se ky projekt që është lançuar në fillim të vitit të kaluar përbëhet nga dy faza të saj.

Regjistrimi i Parë i Tokës në zonën bregdetare jugore është pjesë e projektit “Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme dhe vendosja e tabelave emërtuese në zonat prioritare bregdetare të Shqipërisë”, financuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian dhe zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Projekti ka filluar në fillim të vitit 2009. Pjesa e projektit që lidhet me vendosjen e tabelave emërtuese tashmë ka përfunduar në Bashkinë e Sarandës.

Pjesa tjetër, që lidhet me veprimtaritë e regjistrimit të parë të pasurive, planifikohet të fillojë në tremujorin e fundit të vitit 2010. Ky projekt i OSBE-së mbulon zonën bregdetare jugore të Shqipërisë midis Orikumit dhe kufirit shqiptar me Greqinë. Konkretisht të gjitha fshatrat dhe qytetet e Qarkut të Vlorës, që nis nga Orikumi deri në Gjirin e Sarandës.

Projekti financohet në shumën prej 1,5 milionë eurosh nga delegacioni i Bashkimit Europian dhe një kontribut financiar shtesë prej 186 mijë eurosh nga qeveria greke, çeke, zvicerane dhe amerikane. Kontributi i qeverisë greke përbën thuajse 6 për qind të buxhetit të përgjithshëm të projektit. Sipas parashikimeve të përcaktuara në draftin e OSBE-së, regjistrimi i të gjitha pronave do të duhet të përfundojë në dhjetorin e vitit 2011.

Pas përfundimit, të dhënat do të dërgohen në Zyrën e Hipotekave, e cila më pas do të shpërndajë certifikatat legjitime të pronësisë. Siç mësohet, ende nuk ka përfunduar tenderi për zbatimin konkret të regjistrimit, i cili do të përfshijë si toka bujqësore, troje banesash apo edhe turistike. Fshatrat e bregut të Jonit kanë probleme në shpërndarjen e tokave dhe njohjen e pronësisë dhe konfliktet vazhdojnë të mbizotërojnë, duke frenuar dhe hyrjen e investimeve të mëdha në këtë pjesë të vendit.

Athina zyrtare është interesuar shumë për këtë proces, ndërkohë që zona e bregut të Jonit nuk është pjesë e banuar nga minoriteti grek. Gjithsesi shoqata politike ku është organizuar minoriteti, përkatësisht OMONIA, ka degë në qytetin e Himarës por edhe në fshatrat e tjerë të bregut. Ky projekt synon asistimin në çështjen e kthimit të pronave dhe garantimin e statusit të pronave në të gjithë hapësirën bregdetare të Shqipërisë (përfshirë projektin e regjistrimit të aktiviteteve) dhe projektin e qeverisë për krijimin e sistemit uniform të adresave. Donatorë në këtë projekt është Komisioni Europian, qeveria e Republikës Çeke, qeveria e Greqisë dhe ajo e Shteteve të Bashkuara. Por deri tani, ky projekt nuk ka nisur të zbatohet, pasi nuk kanë përfunduar procedurat e tenderimit. Në vitin 2008, Prezenca e OSBE-së nisi implementimin e kësaj strategjie për bregdetin e Jonit. Projekti konsiston në përfshirjen e regjistrimit të rreth 70 mijë titujve të pronësisë në proces. Sipas OSBE-së, çështjet e pronësisë në rajonin e bregdetit të Jonit kanë ndikuar në moszhvillimin e duhur të resurseve reale të kësaj zone.

2 Komente

Lemshin qe ka bere qeveria e Meksit dhe Berishes me 1993 kur ndane tokat e Bregut, tani po perpiqet ta ndreqi OMONIA.  ç'ironi e fatit dhe e historise. Dhe kete torte, ia dha grekerve pikerisht qeveria shqiptare. Pse valle?

6 për qind e saj është marrë përsipër nga qeveria greke

Mos e kam pare gje ne enderr qe Gerqia eshte pa breke ne b... por paska evro per projekte ne Shqiperi?! A ja ka thene njeri kete atyre ne Allemanje more?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).