Rezistenca ndaj antibiotikëve është bërë një shqetësim në rritje mes ekspertëve të shëndetësisë në mbarë botën. Ekspertët kanë frikë se pas disa viteve organizmi i njeriut mund të bëhet thuajse i pambrojtur kundër disa infeksioneve bakteriale. Këto shqetësime nxjerrin përsëri në pah nevojën e përdorimit të antibiotikëve vetëm kur duhen.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka konsideruar rezistencën ndaj antibiotikëve si një nga tre kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut. Përdorimi jo i saktë i këtyre barnave ka çuar në krijimin e baktereve të qëndrueshme.

Ekspertët thonë se nëse përpjekjet për të luftuar problemin nuk fillojnë tani, infeksionet dikur të shërueshme mund të bëhen të rrezikshme.

Dr. Thomas Frieden është drejtor i Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Ai u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë për të trajtuar rrezikun në mënyrë që terapitë aktuale të mos arrijnë të bëhen të paefektshme ndaj sëmundjeve infektive.

"Nëse problemi nuk trajtohet tani, njerëzimi mund të hyjë në një epokë me pak ose asnjë ndërhyrje klinike për të luftuar disa infeksione", tha doktor Frieden.

Specialistët janë të shqetësuar se sa më shumë që një antibiotik përdoret, aq më pak i efektshëm bëhet. Mutacioni ose ndryshimi gjenetik i baktereve, që i bën ato më rezistente ndaj antibiotikëve, është një proces natyror. Por ky proces është shpejtuar për shkak të përdorimit të tepruar të antibiotikëve.

Dr. Donald Poretz thotë se bakteret rezistente mund të çojnë në shtimin e disa sëmundjeve të rënda, si infeksionet e lëkurës dhe mushkërive.

Një nga infeksionet më vdekjeprurës i lindur nga rezistenca bakteriale është Methicillin-Rezistent Staphylococuk Aureus, i njohur zakonisht si MRSA i cili shkakton vdekjen e 19.000 njerëzëve çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Që nga viti 2002, rreth 2 milion infeksione të MRSA merren në spitalet amerikane çdo vit. Dr Poretz thotë se këto infeksione mund të përhapet globalisht.

Kompanitë farmaceutike kanë pakësuar prodhimin e antibiotikëve dhe kjo e rëndon problemin, thonë shkencëtarët.

Edhe përdorimi i antibiotikëve më pak sesa doza e nevojshme, do të thotë se bakteret mbijetojnë duke u bërë më rezistentë.

Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të alergjive dhe sëmundjeve infektive thotë se kompanitë farmaceutike i kanë pakësuar prodhimet e antibiotikëve për shkak të fitimeve të ulta nga këto ilaçe. Këto firma tani përqendrohen kryesisht në barna që përdoren në çdo kohë e nga shumica e njerëzve dhe më pak në antibiotikë që merren vetëm në raste infeksionesh.

Ekspertët thonë se zgjidhja qëndron në edukimin e pacientëve dhe mjekëve për të ndaluar përdorimin e antibiotikëve kur nuk janë të nevojshme.

1 Komente

Nuk paskan permendur faktin qe gjedhi dhe pularia qe prodhohet per konsum te gjere denden me antibiotike ne menyre qe te mos semuren (shume) gjersa t'u vije momenti I therjes. Keta antibiotike transferohen pastaj tek personi qe ushqehet me keto prodhime, e q'aty qendron dhe nje nga faktoret me te rendesishem per dobesimin e imunitetit dhe me tej efektin me te paket qe antibiotiket kane ndaj infeksioneve te ndryshme. Nga ana tjeter, vete u denda me amoxicilina para do kohesh (kisha vite pa u semurur nket fare feje) dhe e bene efektin thuajse menjehere.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).