Që është e pamundur të bësh politikë pa shtënë në punë retorikën, kjo është tezë klasike që daton herët me traditën e Greqisë dhe Romës  antike. Që realitet politik pa simbolikë politike nuk mund të ketë, edhe kjo është e ditur qëkurse politika ushtrohet si aktivitet.  Por po kaq e mirëqenë është konsideruar që në agim të kohëve moderne se megjithëse janë të pandashme nga politikëbërja, retorika dhe dramaturgjizmi politik nuk mund të njehsohen me procesin politik. Në skenën politike shqiptare ajo që duket se po bëhet gjithnjë e më tepër mungesë në dritë të diellit është pikërisht veprimi politik si normalitet praktik, të cilit ia ka zënë vendin kinse-akti ose veprimi simbolik. Sinjalet e lëshuara nga të dyja palët për kompromis ose marrëveshje, si rruga e kërkuar dhe shpallur për rikthim në prakticitet normal politik, do të mbeten nga më ekzemplaret në komunikimin politik për natyrën e pasinqertë që kanë manifestuar fare hapur: “Kompromis, por kutitë nuk hapen”, “Kompromis, por hap kutitë”… Këto kanë qenë titujt e përsëritur që ka nxjerrë shtypi i përditshëm për një vit radhazi.
E zhytur në një absurditet të tillë retorik, arena politike nuk ka qenë më pak absurde as në simbolikë: Një grevë urie ekstreme në kushte dhe pjesëmarrje (e denjë për ndonjë program reality-shoë të pasanikëve (deputetëve) që kërkojnë të provojnë jetën modeste të komuniteteve të rrugës). Po kaq absurd ishte edhe teatri pro-qeveritar dhe pro-opozitar që luajtën intelektualët me aq dëshirë në media (a thua se ka ndonjë ndryshim moral në thelb të mbështetësh pushtetin e sotëm qendror ose pushtetin e sotëm lokal që pret të bëhet qendror nesër!). Gjakosja e të dy palëve në këtë betejë e bëri arenën intelektuale shqiptare aq të ngjashme me edicionin e sivjetshëm të Big-Borther, ku të gjithë dolën në finale të sharë e të përlyer… Akte të vogla simbolike, si për shembull djegia e stisur e një flamuri të NATO-s në protestën socialiste nga ana e programuesve qeveritarë apo mosbindja e stisur civile në rrugët nacionale nga ana e programuesve opozitarë nuk i shtuan ndonjë gjë absurdit në thelb. E pasur me simbolikë ishte edhe darka e Krokodilit, nga e cila të dy delegacionet shqiptare u futën dhe dolën të ngopura, si gjithmonë. Dhe të ngopura duket se do të mbeten në qëndrimet e tyre…
Pas këtij bombardimi dhe tejngopje me simbolikë dhe retorikë, si nga Qeveria ashtu edhe nga opozita, nuk mund të mos e ndjesh asfiksinë që bashkë me verën ka pushtuar hapësirën publike të opinionit dhe të politikës. Në prag të Botërorit, sporti politik shqiptar do të duket i gjithi jashtë loje. Se si do të mund të luajnë ende në absurd protagonistët qendrorë të politikës në Shqipëri, kjo mbetet për t’u zbuluar, duke pritur ndonjë surprizë të denjë për ta kthyer kokën për pak sekonda nga ndeshja e futbollit te ndeshja e politikës. Por, as aktet e denoncimeve reciproke të deputetëve, as akti i denoncimit të Masakrës së Tivarit, nuk premtojnë ndonjë përfundim më të lumtur sesa simbolika dhe retorika.
Po të mund të bëhej me të vërtetë akt hetimi dhe drejtësie qoftë edhe një moment i të shkuarës mizore dhe diktatoriale shqiptare, atëherë ky do të ishte një akt politik i vërtetë, edhe pse i izoluar. Por deklarata të tilla si ato për hapjen e dosjeve apo për dënimin e përgjegjësve për Masakrën e Tivarit si drejtësi për të shkuarën nuk premtojnë asgjë më të lumtur sesa denoncimet verbale të politikanëve të korruptuar apo të inkriminuar si drejtësi për të tashmen. Asnjë pretendim i tillë nuk premton të bëhet akt, por të gjitha gjasat janë, edhe një herë, që të mbeten thjesht simbolikë dhe retorikë boshe. Së fundi, nuk premtojnë asgjë të lumtur në thelb as daljet e Majta me sloganin e pushimeve: “Hap kutitë, Çliro ekonominë” dhe as daljet e Djathta me brohorimat e lodhura në media: “Ekonomitë e të gjithë botës janë në krizë, Ekonomia shqiptare është në lulëzim”… Shkurt, politika shqiptare do të duket edhe një herë krejtësisht jashtë loje përballë futbollit në Botëror, si model i kompeticionit të drejtë dhe me rregulla loje.

3 Komente

Jetuam
     nje jete
           te mbyllur
                 neper bukere,

Punuam
      nje jete
       te stermunduar
                    si skllever,

Kerkuam
      driten
          e lirise
                   se munguar,

Ate liri
     qe e vrau
                diktatura.

E mbylli
        neper burgje
                  internime e kampe,

Per ate liri
        u vrane
           qindra burra e gra

I vrane
       e varret
           nuk e dime
                 se ku i kane,

Kjo merimange
              akoma
                           end fije,

E mban te gjalle
          rrjeten e saje
                         akoma
                             na ndjek pas
                                              si hije.
 

c'i ke

        keto

                mo aman

Mari me ke kujtuar nje poet ushtarak te "talentuar" qe bente vaergje te ketij lloji ;

ta  - ta - ta -  bije burija ,

me shpejtesi kapim transhene

Krahina e Matit dhe gjith njerzia

armikut ja kane bere bene !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).