Slloveni, nesër referendum për kufirin me KroacinëLUBJANË - Nesër në Slloveni zhvillohet një referendum për marrëveshjen me Kroacinë në përcaktimin e kufijve ndërmjet dy ish-republikave jugosllave në veri të Adriatikut, njofton agjencia e lajmeve ANSA. Sondazhet e fundit tregojnë një avantazh të lehtë të atyre që janë në favor, pavarësisht se parashikimet nuk mund të jenë të sakta pasi mbetet i lartë numri i të pavendosurve.

Marrëveshja, që u arrit vitin e kaluar ndërmjet kryeministres kroate Jadranka Kosor dhe kryeministrit slloven Borut Pahor, parashikon ngritjen e një organizmi të formuar nga pesë "arbitra" ndërkombëtarë që duhet të shënjojnë vijën kufitare në mënyrë që Lubjanës t'i garantohet aksesi në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Piranit.

Interesi kombëtar slloven është i qartë, të jetë një vend detar, te ketë akses të drejtpërdrejtë në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Triestes, por opozita dhe qeveria e qendrës së majtë janë skeptike për garancinë se kjo marrëveshje me Kroacinë mund të funksionojë.

Marrëveshja mori po-në e parlamentit por duke parë rëndësinë e saj, të gjitha partitë politike janë dakord për nevojën e zhvillimit të një referendumi popullor. Javët e fundit janë transformuar në një përplasje të drejtpërdrejtë ndërmjet dy blloqeve politike, me akuza kundër kryeministrit se "ka shitur detin slloven". Presidenti Danilo Turk dhe kryeministri Pahor i kanë ftuar sllovenët ta mbështesin marrëveshjen se pse "i garanton Sllovenisë kontaktin e drejtpërdrejtë me detin e hapur dhe është arritur me shpirtin e dialogut evropian".

"Në rastin e fitores së 'jo-së', Sllovenia mund të gjendet në një lloj izolimi ndërkombëtar", deklaroi Pahor.

Analistët parashikojnë se refuzimi i marrëveshjes mund t'i japë nismë edhe një periudhe destabilizimi të brendshëm në vend dhe presioni do të rritet për largimin e qeverisë.

Nga sondazhet e fundit, publikuar javën e kaluar, rezulton se 20 për qind e elektoratit është ende i pavendosur, ata që janë në favor numërohen ndërmjet 37 dhe 51 për qind, ndërsa ata që e kundërshtojnë janë rreth 36 për qind.

2 Komente

Pra, keta edhe per te shtuar territor, bejne referendum. Ne grekut ja japim jo vetem pa referendum, po pa me te voglen negociate, pa patur asnje lloj pozicioni, me njerez te pamandate, dhe vetem interesi kombetar nuk kihet parasysh. Cfare ndryshimi ka shteti demokratik nga cetat e kacakeve!!!

Do te jete interesante mendoj kjo pune.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).