"Veç me sy të shihemi

Pa gjithë bota të përmbyset”

De Rada

 

“Një lule që lulëzon kur i teket, e nuk pyet për  stinë” -  kjo je ti Miki. Po i gëzohesha kotsëkoti kësaj epifanie, me një vetëkënaqësi që vjen prej fjalës, prej magjisë së saj, kur ashtu e hedhur si palidhje arrin të rrëmbushë sytë e njerëzve që të dëgjojnë. Është një zakon tashmë. Takimet e mia me Mikin duket sikur perëndia i sjell enkas për t’i blatuar njëri-tjetrit stolitë më të çmuara dhe sikur djalli na i zbeh përmes mjegullës së harresës.

Nuk është se jam ndonjë kodosh interneti, por atë mbrëmje, kur Miki dukej e përlotur nga fjalët, unë kisha lënë takim virtual me një arbëreshe. Diçka ekzotike për mua, dhe ndjehesha se e kisha braktisur akuariumin ku pluskoja e po gjalloja në një det të hapur.

Ishte një njohje e verbër, sublime, përtej shikimit. Apo më duhet ta ndreq e të them para, pas, tej shikimit. M'u duk sikur ajo erdhi ndoshta nga valë-vargjet e De Radës, prej atij deti ku lundronin miliona detarë interneti. Një arbëreshe që jetonte fillikat në Romë, që fliste një shqipe letrare, ngase kishte jetuar në Tiranë.

Asokohe punoja kamarier edhe pse ajo që më dallon është shpërqëndrimi. Këtë cilësi miqtë e mi e çmonin si komike, por për dreq më kishte hapur telashe me punëdhënësit-xhahilë,  të cilët i kanë shpallur luftë hutimit dhe të duan qiqër për betejat tranzicionalo-kapitaliste. Qindra fytyra më përplaseshin në ditë në qelqet e syzeve dhe po të kisha një kamera në vend të syrit, do të kisha filmin më rrënqethës në botë. Mbase prej këtej vuaja nga fiksimi i përhershëm për të xhiruar një film të përditshmërisë dhe së toku me disa miq kishim krijuar një biçim forumi kinofil me shtëllunga idesh dhe tymi… Bota ecte shpejt për Zotin.

 

***

Atë natë po peshkohesha në chat kur xixëlliu në ekran: “vasha”. Me ca shkëmbime frazash që rrëzoheshin si ushtarë betejash para syve të mi, kuptova se po bisedoja me një a-r-b-ë-r-e-sh-e. Seç kishte një insistim nga ana e saj për të më njohur. I thashë se isha skenarist dhe punoja me projekte filmike.

Pas çdo gënjeshtre  mbarsesha me një emocion që ndodh vetëm në ato raste kur në një det pafund me mjegull, ti sheh tokë për një hop, e kalon kapitjen, gati i mbytur (më mbyste dita në shërbim të të tjerëve) dhe sheh se diku mund të ankorohesh. Tastet e kompjuterit po digjeshin nga fluksi i etjes sonë për njohje dhe ne hodhëm e pritëm fjalë derisa u ndamë. Kishte mbetur vetëm ankthi pas takimit  të parë. Gjithçka në eter, por e bukur. E bukur.

A na kishte ngjitur? Sa marrëzi kisha thënë… po ajo sa thjesht dhe bukur shtrihej mbi atë shtrat fjalësh shqipe… ishte larguar nga fshati me doke të lashta për të studiuar letërsi në Tiranë, kthehej për ferragosto atypari dhe vishte tunikën festive gjatë netëve me verë me pleq e rioshë që e ruanin si kristali vajzën që kishte shtegtuar. Prindër të vdekur që i kishin lënë një shtëpi të plasaritur dhe amanet shqipen, që ishte karremi ku ne kishim ngecur.

Në rrjet heshtja mund të ketë shkaqe banale. Heshtje e gjatë.

“Përse të venë në det / mendimet zemëra ime?”- më vinin ndërmend vargjet e De Radës duke pritur që ajo të shkruante. Offline. Ajo rrinte shuar.

Ja kisha hyrë një loje lundruese, pa vela, por e dija se ajo ishte një arbëreshe me të cilën na ndante një det, një shikim. Me kë ta ndaja këtë ndjesi? Isha përplot me ngazëllim dhe ndeza një cigare.

Kështu çdo mbrëmje ne i shkruanim njëri-tjetrit dhe besonim tek fjala e shkruar, e cila shenjonte me shpejtësi emocionet si në një EKG të zemrës. Kjo lojë vazhdoi me muaj.

 

***

Mëngjes, me gërshërë ma preve ëndrrën!

Deti është tharë dhe ngjan si shkretinë, tabela të ngulura si gurrvarre. Përmes tejqyrës, shoh bijtë e Arbrit, kuaj, qerre, sykuqur, buzëtharë vërshojnë drejt bregut amë. Turmës i prin një Fiat 500 i zi nga ku befas zbret një lady me të zeza të modës dhe kompjuter në dorë. Është Ajo por s’më ngjan si ajo, vjen më shumë si e huaj dhe më lë pagojë me forcën e imazhit. Nuk kam kohë të mendoj gjatë, se ka ndezuar kompjuterin dhe po shkruan mu në sytë e mi.

“Ku humbe”- shfaqet në ekranin e syve të mi.

“Këtu jam para teje”- ia bëj me shenjë.

“Lëri shakatë tani”- sot në Romë na mbyti vapa…”

 “Unë të shoh jam këtu në breg” Dal i thërras si i çartur…

Duke pirë kafe, para se të merrja ndërresën, analizoja ç’ka më kishte mbetur nga ëndrra dhe nuk më hiqej nga mendja Fiat-i. Kumbimi i ëndrrës më kishte mpirë dhe ngrefosja e përpiktë e pronarit më rrënqethi. “Pare, dashnore, hija e gruas i rri në kaptinë si diademë”- mendova.

“Hajde çohu Geri, fillo me tavolinat shpejt” – zëri i tij shoqëroi shtypfikjen e cigares.  “Mbahu pas ëndrrës” - i thashë vetes dhe fillova të përplasesha si përditë me imazhet e mia.

 

***

Miki më priste thonjngrënë në një nga të vetmet tavolina të lokalit që nuk ishte pastruar. Isha duke mbaruar llogaritë me banakierin në një tavolinë tjetër dhe e ndjeja padurimin e saj që ishte ndezur-benzinë, pas asaj telefonate eklipsuese, ku unë shpallja një dashuri të re. Shifrat në fatura po më davariteshin dhe  bluaja një inat në vete. “Ç’pata që ja thashë!”. Me banakierin ndamë tepricat, që sa vinin e pakësoheshin dhe pasi dyfishova porosinë e Mikit, u zvarrita deri tek tavolina e saj ku mbretëronte fërneti dhe duhma e duhanit. Kështu ishte ajo, rrëshqiste drejt pijes sapo dëgjonte për zhvillime jashtë rrjetës së saj. Në botë ka veç rrjeta ku ne peshkohemi përditë!

Më ngjante. E kisha njohur vite më parë dhe kisha parë të fluturonte nga një gjendje në tjetrën. Ishte sikur ta kisha njohur në kapërcyell të seksit të saj, gjithmonë ndërdyzash. Sapo kishte blerë një Fiat 500 në kërkim të mëvetësisë, por ja ku i ishte kthyer huqit të vjetër të përdredhjes së flokëve me gishta dhe pirjes së fërnetit, që këtë mbrëmje duhet ta ndanim bashkarisht. E kisha me ngut dhe duhet të shkoja të shihja mos valët do të më sillnin gjësend kësaj nate. Por mbeta aty të  duroja mikeshën time të mi shkarkonte si orteqe hallet që kishte sëfundmi, shumica prej të cilave as që ekzistonin, por asaj i dukeshin të tilla. U ula skiç si gjithmonë dhe u mundova të lexoja në sytë e saj të stërpikur. “Askush nuk ma zë dot vendin” – lexova aty atë kumt disavjeçar që më drithëronte me qëndresën e tij mes nesh si një barrierë që herë pasqyrohej tek unë dhe herë tek ajo.

S'kisha ç'bëja, sa herë që hyja në një histori, Miki shfaqej në lokal si orakull dhe ne pinim gjithë natën e natës, si të dënuar në liri.

Kështu ndodhi edhe atë mbrëmje pasi kisha njohur skulptoren me imazhin si të paqyruar në ujë. Ndërsa shërbeja porosinë, në një ditë dimri, artistja më ftoi t’i shkoja në studio se i duheshin duart si model. Isha me fat që kësaj here duart e mia nuk do ngrinin dhe ulnin gota, por do të pozonin për një artist dhe kushedi do të zinin ndonjë cep galerie.

Pata përshtypjen se ajo studio në papafingo ishte stisur disa minuta më parë si një grackë që më bëhej mua dhe jo duarve të mia. Sa shumë isha marrë me to para se të vija, kisha prerë thonjtë me kujdes dhe tashmë i shihja me sqimë, artistikisht pra. Fillimisht i përdora për të hapur një shishe vere (prapë në shërbim mendova) dhe më pas përmes tyre ndjeva se gjoksi i saj ishte i butë si brumi ndaj, edhe pse i madh, më dukej sikur arrija t'i prekja kafazin e kraharorit, ndërkohë që e dija se kisha hyrë në një marrëdhënie babëzie ku nga duart po përdorja gishtat dhe nuk kisha pse t'i kundroja më artistikisht, por thjesht  si mjete për të arritur qëllimin. Veç një natë dhe sërish ishte shfaqur ajo, Miki.   

Pas nja dy gotave ia kisha mbushur mendjen Mikit të largoheshim. Ishte sikur të na kishin shkulur ndonjë organ nga përbrenda, aq e ndjenim gaz-pikëllimin për fatin që na përsëritej.

 

 

***

Ndeza një cigare me solemnitetin e akteve vetvrasëse. Sa të ngrohej kompjuteri, kisha kohë të  hidhja diçka në gojë dhe kur kushtrimi i arbëreshës të binte do të isha aty mbi kalë të fluturoja. Herën e fundit ajo më kishte shkruar se diçka do të më rrëfente. “Me siguri që më donte” - mendoja kështu kur:

- Aty je? - tringëlliu në ekran dhe vrik i rashë kalit që mbante ndjesitë e mia të cilat në raste të tilla pritjeje shumohen si insekte.

- Këtu jam dhe s’jam – i thashë

- Sot nuk ma ka ënda të luaj, dua të rrëfehem

U bëra vesh e sy.

- Fillo bijëza ime - i thashë si prift me moral të dyshimtë.

- Unë nuk jam ajo që kujton ti - më tha

Një hyrje e gjetur që të çon drejt misterit, mendova.

- Pse nuk je arbëreshe?

- Ou Geri, veç kjo ka rëndësi për ty?

- Por çfarë atëherë?

- Troç... unë jam e Mikit.

Një xhelozi universale më rrënqethi të tërin dhe ma thau gojën. Në marrëzi po humbisja apo si? Ajo dhe Miki! Binom palidhje.

- Si kështu? - mezisa shkruajta. Pa më trego.

- Gjithçka filloi në vjeshtë, kur Miki u shfaq një pasdite në ato momentet më përhumbëse të jetës së një gruaje, gjatë ekplorimit që ajo i bën trupit të saj lakuriq pas një banje të nxehtë. Trupi çliron avuj aromatikë dhe shpirti i gruas është më tradhëtar se kurrë. Ajo qëndronte në cep të shtratit dhe filloi të më prekte...

Situata të tilla erosi i kisha parasysh, por nuk ma rrëmbente kush arbëreshen time nga dora, veç të vdisja, aq më pak mikesha ime më e mirë.

- ... nuk mund t'u përvidhesha më syve të saj te paskrupujt. Po dridhesha dhe ajo  ishte aty.

 

E kisha mprehur kohët e fundit shqisën e përfytyrimit, por aq qartë dhe me shkëlqim nuk mund të kisha parë asgjë tjetër si ajo skenë. Sytë e Mikit si xhokondë tinzare më ishin ngulur edhe mua përmes arbëreshes. Ata sy ngadhënjimtarë me shikimin si gjuhëza flake që zgjaten e nuk shkulen pa të bërë shkrumb...

- Gishtat e saj të hollë filluan të endin pëlhurën e purpurt të asaj nate amazonash. Pastaj u tremba nga vërshimi i lumturisë dhe qava mbi trupin dihatës të Mikit… -  ajo vazhdonte si përçart.

Ndjeva fatin tim të shembej. Të ndjesh humbjen i eksituar, a ka më keq për robin? Një Penelopë që end pëlhurën e epshit … Miki. Lëshova kryet mbi tastierë dhe fillova të mallkoj të gjitha gërmat që s'i përmblidhja dot në fjalë. Siç duket diçka i trokiti arsyes sime në atë moment:

- Po dale, prit, kush je ti, kjo simbiozë, kjo fantazi, ky bashkim nga erdhi? – arrita të shkruaja në ekran i ngatërruar keqazi, pa e ditur se a do të merrja një përgjigje nga përtej apo e kërkoja nga vetja. 

Pas një heshtje të rëndë si honi i një oqeani ajo që do të lexoja do të ma ndryshonte jetën fundekreje:

- Unë jam Miki o i verbër. Krijova personazhin kryesor për atë filmin tënd haluçinant. Dhe këtë e bëra si një mike e mirë, e vesha me pak ëndërr (siç ke qejf ti), e bëra ekzotike dhe të yshta që të dashuroheshe me të, ngaqë gjithë jetën prita të më dashuroje mua. Personazhi im zhvillohej përmes teje dhe unë po bija në dashuri me të pikërisht në çastet e fundit të jetës së tij kur zbulova se ishte më i pafajshmi në këtë histori. Ju meshkujt gjithmonë keni dashur diçka të largët dhe të paarritshme, që s’keni për ta arritur kurrë.

 

Foto nga Cartier-Bresson (moderimi i ilustrimit është i Peshkut)

 

9 Komente

Fund interesant, megjithese disi i parashikueshem. loja e Mikit ishte tinezare, por e zgjuar.

 

te them te drejten historia s'me intereson dhe aq por i love the way you write.

YES!

Ka nje çikje shume t'bukur postmoderneje (ne perjashtimin e mire te ketij termi) te rrefimi yt Xheke: nje femer me emrin Miki dhe nje arbereshe qe rrijne shume mire afer e afer pa ta vrare veshin e syrin. Te njejten gje kam vene re edhe tek gjerat e tjera qe ke sjelle ketu. M'pelqen edhe menyra sesi shtrihesh ne ligjerate. Kam vetem nje si dyshim te brendshem sa here nis e flet per femrat.

Rrofshi qe e lexuat.

C'eshte ai dyshim Finis??

Dyshimi se mos thelle-thelle ti i perçmon marionetat e teatrit ku kaq shume te pelqen te jesh regjizori.

Xheke, me pelqyen penelatat e tregimit; asgje shume e tepert, asgje shume e kerkuar. Shtoj se ne dramen e karakterit kryesor percillet njefare universaliteti, I cili dhe pse duket se eshte tangent, pra dhe paradoksal (universalitet tangent), ja del te mos bjere ne vanitet.

Lost ...mu s'ma mba me thene gje kunder teje smiley

Po edhe pse me pelqi si meditim e perpjekje per  tu shndruar ne rrefenje ,  me beri pershtypje nje gjysem fraze si kjo

rrëmbushë sytë e njerëzve që të dëgjojnë...

asgje shume e tepert -  thua ...por me shume mundesi ka qe per kete gjysem fraze te mos jem i qarte une . Subjekti shume virtual nxit edhe shty ne meditime shume virtuale ...

Do te vecoja si nje gjetje teper Logjike  te kohes , biles dicka shume e arrirre si perceptim per linje me vete tregimesh e rrefenjash , si vlere pa kufij midis kulturave te popujve te ndryshem ....( rrenqethse - mund te mos ishte smiley

Qindra fytyra më përplaseshin në ditë në qelqet e syzeve dhe po të kisha një kamera në vend të syrit, do të kisha filmin më rrënqethës në botë. Mbase prej këtej vuaja nga fiksimi i përhershëm për të xhiruar një film të përditshmërisë dhe së toku me disa miq kishim krijuar një biçim forumi kinofil me shtëllunga idesh dhe tymi… Bota ecte shpejt për Zotin.

Po, Idris, ke deri diku te drejte per (gjysem)fjaline e cituar. Them deri diku, sepse nderkohe qe fjalia qendron nga ana gramatikore dhe kuptimore, ajo eshte e tille qe kerkon vemendje (me ngulm, do thoja) per t'u asimiluar me rrjedhen dhe ritmin e lexuesit (cfaredo). Aksioni ne kete fjali eshte si puna e pehlivanit qe luhatet ne tel here matane e here ketane, por qe nuk bie. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).