AFER & LARG

Diku pranë Gjirokastrës, në të dalë të Urës së Kardhiqit, vapa bëhet e padurueshme. Sytë dhe veshët na janë mbuluar nga një përzierje e keqe me djersë e pluhur. Do të na duhet të freskohemi një copë herë në një lokal në anë të rrugës që të shohim mirë siluetën e fshatit për ku jemi nisur. Është një fshat i heshtur. Vetëm rrallë e tek ndodh ndonjë gjë që të meritojë të dalë në lajmet e kolegëve tanë. Këtu njerëzit shohin punët e tyre në një qetësi që i ka përfshirë prej kohësh. Në dimër jetojnë me bizneset rreth e qark fshatit, në verë presin emigrantët që vijnë nga Greqia. Sikur të mos ishte tabela në anë të rrugës askush nuk do ta kthente kokën në këtë anë, me përjashtim të atyre që kanë ndonjë lidhje familjare apo ndonjë punë këndej. Megjithatë, me gjithë heshtjen dhe shpërfilljen e tij, ky fshat ka një histori të veçantë. Më e para nga të gjitha: ai mban mbi supe një emër njeriu. Ai quhet “Andon Poçi”. Këtij Andonit, dëshmor i Luftës LANÇL, me siguri as që i ka shkuar ndonjëherë ndër mend se një fshat i tërë do të mbante emrin e tij. Ai ishte një vlleh i varfër, që punonte argat diku nga fushat e Vrinës. Doli partizan dhe pati fatin e keq, apo të mirë në këtë rast, që të vritej në një përleshje me gjermanët. Ishte vetëm 18 vjeç. Bustin e tij e shohim në qendër të fshatit. Edhe në bronz mban atë shprehjen e çuditshme, njësoj sikur të dojë të thotë: Po me mua ç’patët xhanëm? Unë atë fat pata dhe aq! Gjithsesi, më vonë do të mësojmë se pas 1990-s në fshat është diskutuar nëse do ta mbajnë emrin e bashkëpatriotit të vrarë apo të venë ndonjë emër të vjetër. Fshati ka vendosur që edhe në mijëvjeçarin e tretë të quhet “Andon Poçi”. Kur mësojmë këtë, shikimi i dëshmorit të shkretë nuk na duket më i çuditur, por më krenar të paktën. Po tani edhe vapa ka nisur të bjerë. Ky fshat është i banuar krejtësisht nga banorë vllehë, arumunë i quajnë disa të tjerë. Sapo kemi kaluar poshtë një tabele ku shënohet “Gjini Vinut”. “Mirëserdhët” në shqip.

Një kryetar udhërrëfyes

Kryetarët e komunave nuk duhet t’i kenë edhe aq fort për zemër gazetarët. Ata se ç’dreqin kanë që rrëmojnë ndër ankesa e letra dhe shumë herë prishin punë në vend që të ndreqin. Ky që kemi takuar, përkundrazi tregohet shumë i gatshëm të na shoqërojë ngado. Një herë bëjmë atë hyrjen zyrtare. Kryetari quhet Foto Jani. Ai na thotë se këtu është qendra e Komunës së Odrijes ku ka nja njëmbëdhjetë biznese (kryetari nis t’i numërojë një për një), ku ka 20 hektarë vreshta dhe 10 hektarë dardha, ku ka një shkollë 9-vjeçare, që së shpejti do të mbyllet për mungesë nxënësish, për…

Para kishës së Shën Jorgjit (Shën Gjergjit), shenjtit mbrojtës të fshatit, shohim një monument prej mermeri. Aty janë shënuar emrat e atyre vllehve nga ky fshat që vuajtën persekutimin nga diktatura. Vetë Foto, kryetari, ka pasur të atin në burg për 17 vjet me radhë. Gjyshi i tij, Ndini Jani, i pat dërguar Ahmet Zogut si peshqesh për dasmë 40 desh. Si ia sekuestruan pasurinë në 1948 e arrestuan në 1953. Në akuzë ia kujtuan edhe atë punën e dhuratës për mbretin. Sipas Fotos, plaku është përgjigjur: “Zogut ia çova me dëshirë të madhe, sepse në kohën e tij unë e kisha kokën e bagëtive në Jergucat e bishtin në Sarandë, askush nuk më prekte. Kurse Enveri m’i mori të tëra”. Ky plak vdiq në burg gjashtë muaj pasi ishte dënuar. Dy nga djemtë e tij u arratisën në Greqi. Vëllai tjetër, babai i kryetarit bëri burg të rëndë.

Bashkë me Foton shohim edhe një minimuze që ai vetë e ka ndërtuar me iniciativën e tij. Velenxa, lugë prej druri, sahanë e tepsi të bakërta, sofra të mëdha që të mbledhin bashkë një familje të tërë, pastaj foto të vjetra. Të gjitha na kujtojnë kohën kur vllehtë e parë, paraardhësit e këtyre banorëve, bënin një jetë endacake e të lodhshme vërtet, por krejtësisht të lirë e në mes të natyrës së virgjër. Se si ka ndodhur që vllehtë e këtyre anëve e lanë këtë jetë, këtë do të kemi rast ta mësojmë pas pak.

Histori te poeti

Bashkë me kryetarin, si kemi shëtitur, me aq sa na lejonte vapa, nëpër fshatin fort të këndshëm, me shtëpi e kopshtije të mbajtura mirë, trokasim në portën e Manol Bashos. Manoli është poet, ish-gazetar, shkrimtar. Mbi të gjitha është një njohës i mirë i historisë së fshatit. Një libër i tij, i botuar në 2007, e përshkruan me detaje se si lindi ky fshat i pazakontë. Në hijen e vreshtit të Manolit bisedojmë për histori dhe shfletojmë herë pas here librin.

Fusha që shtrihet në këmbët tona quhet “Fusha e Tavanit”. Tradicionalisht ka qenë pronë e fshatit Picar. Picariotët e përdornin këtë zonë për të kullotur bagëtitë e tyre. Në 1944, askujt prej vllehve që jetojnë sot këtu nuk u shkonte mendja të ndërtonin shtëpi mbi këtë fushë. E gjithë historia lidhet me një njeri të vetëm, që ka pasur një histori të çuditshme dhe një fund tragjik. Ky quhej Kosta Karamani. Ishte vlleh. Kishte lindur në Qefallovrizi në Greqinë e sotme (turqisht Mexhidije). I ati ishte pronari më i madh i bagëtive në krejt zonën. Asokohe, këta pronarë të mëdhenj quheshin “çelnikë”. Kosta mbeti jetim që i vogël dhe e gjithë pasuria u bë rrush e kumbulla. Kështu që, bashkë me të ëmën, u vendos diku në afërsi të Delvinës ku punonte argat në pronat e më të pasurve. Kur nisën të përhapen idetë komuniste Kosta dukej djali ideal për t’u lidhur me PKSH. Kështu ndodhi. Ai doli partizan, mori pjesë në luftë dhe u bë një ndër eksponentët komunistë në Jug. Pikërisht ky Kosta, që kishte miq e kushërinj, gjysmën e vllehve që ende jetonin ndër stane, i hyri një valleje që dukej fillimisht e pamundur: të ngrinte kooperativë ku vllehtë më në fund të jetonin të ngulur, në shtëpi të vërteta prej guri. Shembulli i parë ishte dhënë. Disa kohë më parë në një vend në skaj të Lunxhërisë ishte ngritur kooperativa blegtorale “Asim Zeneli”. Këtu ishin zhvendosur që nga Kurveleshi pa tokë të gjithë çobanët që kishin ndihmuar komunistët në fitoren e tyre. Edhe për propagandë fshati ishte bërë model, me shtëpi, sheshe dhe rrugë. Vllehtë në fillim u lëkundën, por pastaj shumica e tyre dëgjoi fjalën e Kostës. Në maj të 1956 ndodhi gjëja e padëgjuar: vllehtë bashkuan kopetë dhe ndërtuan kasollet pranë e pranë njëri-tjetrit. Në fillim kooperativa u quajt “Jeta e Re”. Stili i kohës ishte plotësuar. Kryetar u zgjodh vetë Kosta, sigurisht.

Por pas kësaj pati disa diskutime, tërheqje nga kooperativa, hezitime, mbledhje e sherre. Gjithsesi, kooperativa mbijetoi, s’kishte se si të ndodhte ndryshe. Por vllehtë kanë një zakon: nëse diku në një stan apo vend nuk u ecën mirë puna, atëherë ata nuk kthehen më aty dhe madje nuk ia kujtojnë as emrin. Kështu dikush nga fshati propozoi që kooperativa të quhej ndryshe. Këtë radhë ajo duhej quajtur me emrin e Andon Poçit, familjarët e të cilit, të ardhur nga Mursia, ishin anëtarë të kooperativës. Kështu emri i fatkeqit të rënë në luftë mbeti i përjetshëm. Por “jeta e begatë” e premtuar ende nuk po vinte. Vllehtë e kooperativizuar jetonin po në ato kasolle si prej qëmoti. Atëherë, Kosta, shfrytëzoi një rast të veçantë. Prej kohësh ia kishte vënë syrin Fushës së Tavanit, një lëndinë e begatë dhe me ujë, porse ajo tradicionalisht ishte pronë e picariotëve. Edhe këta kishin dalë fitimtarë nga lufta. Një njeriu i tyre, Shefqet Peçi, ishte ndër kryesorët e pushtetit. Megjithatë, Kosta gjeti rastin e një mbledhjeje në Tiranë dhe takoi vetë Enver Hoxhën në 1957. “Brenda tri ditësh të plotësohen kërkesat e shokëve vllehë”, pat dhënë urdhër Enver Hoxha. Kështu nisi të ndërtohej fshati i sotëm. Në prill të 1958 u hodhën themelet e shtëpive të para. Ato ishin gjashtë. Ishte ndarja e parë me jetën e lirë, me fjetjen nën yje, me kasollet erëmbara. Ngulitja kishte filluar.

Bariu meteorolog

Të kënaqur që, më në fund, i kemi shpëtuar vapës, ne flasim e flasim për histori të kohëve të shkuara. Shumë nga ata që janë pjesëmarrës, në bisedë duke përfshirë edhe vetë poetin, i cili deri në moshën 16-vjeçare pat shkuar jetë prej nomadi në fshatrat e Mursisë, mbajnë mend mirë ngjarje, mbledhje, akuza, diskutime, personazhe… Një plak rri i heshtur në një kënd të tavolinës. Kush e di se përse një buzëqeshje nuk i hiqet asnjëherë nga portreti. Ai është Llambi Kapurani, 66 vjeç. Si na gostit me një grusht lajthi të mëdha, që i lëshon mbi tavolinë, ai nis të flasë për profesionin më të vjetër të vllehve, për blegtorinë. Ai është ndër të paktët e mbetur në fshat që vazhdon ta praktikojë zanatin e të parëve. “Eh – thotë plaku me modesti – nuk punojmë dot si qëmoti kur kishim kope me mijëra krerë e kur i njihnim të tëra një për një. Tani rinia kërkon punë të tjera. Është e vështirë puna e blegtorit. Kërkon mund e durim. Unë tani kam tetë kokë dele që më japin 24 kuintal qumësht. Nuk duhet të qahem apo jo?”. Xha Llambi njihet edhe për një aftësi tjetër, të cilën e kanë pasur dikur të gjithë blegtorët vllehë, për parashikimin e motit. “Ç’datë është sot – pyet – 5 gusht, hë? Atëherë më 5 të nëntorit do të ketë shi në fushë dhe dëborë në male. Mbrëmë ka fryrë Veriu këndej nga anët tona. Po nuk më doli fjala hajdeni e më takoni”.

“Fshesa”

Si të gjithë edhe vllehtë e fshatit me emër dëshmori e shtynë si e shtynë deri në 1967, vit në të cilin Mehmet Shehu, asokohe Kryeministër, pas një vizite në këto anë, vendosi që kooperativën ta kthejë në fermë të ushtrisë. Pas dy vjetësh ferma e ushtrisë u shndërrua në ndërmarrje civile. Dy vjet më vonë vllehtë nisën të jetojnë me frikë. Në 1971 u arrestuan dy vetë nga fshati, të gjithë i njihnin për njerëz të urtë e punëtorë. U sajua një histori me të arratisur, të cilët kishin ardhur dhe i kishin takuar dy të arrestuarit në fshat. Ishte e qartë se kush ishte vllah duhej të ruhej, dhe mirë madje.
Goditja e dytë e madhe iu dha fshatit në prill të 1975, kur u arrestuan 11 vetë. I pari në listë ishte Kosta Karamani, pikërisht ai që u kishte mbushur mendjen fshatarëve për të ngritur kooperativën në emër të partisë. Në të gjithë vendin nisën të arrestohen drejtues vllehë. Akuza e ngritur ishte lidhja e kahershme me “Asfalinë” greke, një lloj paranoje që kishte nisur që me dënimin e grupit të çamëve “të drejtuar” nga admirali Teme Sejko.

Njeriu i kuajve

Xha Naun Thomai është 80 vjeç, por ecën me një ritëm si prej një djaloshi. E takojmë në shtëpinë e një fqinji të tij, thuajse në qendër të fshatit. Ai i mban mend fare mirë ditët kur erdhën e u vendosën këtu. “E mbaj mend, si nuk e mbaj mend – na thotë – ishte nëntor i 1959 – ne kishim ngarkuar gjithçka mbi mushka. Deri në atë kohë kishim jetuar në kasollet tona në anët e Odrijes. Mbaj mend vetëm se ishim si me mëdyshje për këtë jetën e re që po bënim. Në shtëpi të reja sigurisht që do të ishim më mirë, por edhe jeta që bënim ishte e vështirë vërtet, por ama e  bukur, e bukur dhe në liri. Po nejse, ajo punë e pat. Bëmë si gjithë të tjerët”. Xha Naumi ka punuar jetë e mot me kuajt. “Është punë e vështirë. Më e vështirë se me bagëtinë. Atë nuk do ta kisha problem – thotë – me kuajt duhesh sjellë si me njerëzit. Janë shumë delikatë. Pastaj ne kemi jetuar me kuaj gjysmë të egër. Jashtë në vapë e në acar, në shi e në thatësirë. Njësoj si ata. Po ishte punë e bukur”. Xhaxhai kapsallit sytë andej nga grihen malet njësoj sikur të dojë të kujtojë edhe një herë atë hingëllimën me të cilën ka çuar jetën.

Në të njëjtin oborr Foto dhe miqtë tanë na prezantojnë me një mik tjetër. Në fakt, ky është i zoti i shtëpisë ku po qëndrojmë. Për shumë e shumë vjet me radhë ka qenë kryetari i këshillit të fshatit. Edhe në kohën kur u bënë arrestimet e bujshme. “Çfarë mban mend nga ajo kohë”, ia prishim ne qetësinë. “Mbaj mend – përgjigjet - që kur donin të arrestonin njeri vinin e më merrnin mua. Nuk më thoshin asnjë arsye vetëm donin të ishin të sigurt nëse ishte pikërisht njeriu që kërkonin. Kemi shkuar në ara, në shtëpi, ku të na thoshin ata. Vetë çuditesha. I kisha njerëzit e mi, punëtorët e mi. Nuk besoja kurrë se kishin bërë ndonjë gjë të keqe. Po kush guxonte të kundërshtonte atëherë?”.

Zhaku, artisti

Ai quhet Dhimitër Zharkalli, por shumë vetë nëpër Shqipëri e njohin thjesht me emrin Zhaku. Është muzikant, skulptor, shou-men, madje edhe arkitekt hera-herës. Është një nga pasuesit e atyre familjeve të pasura vllehe që u goditën nga diktatura që në 1948. Origjina e kësaj familjeje të madhe është nga Voskopoja, por shumë prej tyre janë zhvendosur më pas edhe në Konispol dhe në vende të tjera. Goditja e parë nisi me sekuestrimin e pasurisë. Gjyshi, i ati dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes u dënuan me burg. Shuma e viteve të burgimit ishte 360. Gjyshi, shtylla e shtëpisë vdiq në burg. Eshtrat nuk iu gjetën kurrë. Vetë Zhaku është rritur në internim, në Grabjan të Lushnjës. Në 1991 erdhi këtu në “Andon Poçi”, ku jeton një pjesë e mirë e të afërmve të tij. Kështu Zhaku u bë vllahu i fundit, i ngulitur në fshatin që “lindi nga lart”. Nuk e ka pasur të lehtë. Jo vetëm në qytetet e mëdha kanë problem me të porsaardhurit. Megjithatë, duke iu kushtuar punës dhe artit, dashurisë së tij të madhe, ka arritur të përballojë telashe shumë të mëdha.
Në qetësinë e lokalit të sajuar prej tij vetë – një përzierje mes shtyllave të gurta, betonit dhe gjërave tradicionale – flasim gjatë për të shkuarën e tij, për faktin se çdo të thotë të jesh vllah, ç’lidhje ka kjo me lirinë dhe se cili është haraçi për ta arritur atë. Zhaku flet pak, vetëm sytë i skuqen pak nga mallëngjimi. E ka marrë malli për të atin. Ai jeton larg. Pikërisht ai ia ka mësuar se sa sakrifica duhen për të arritur deri te liria vetë. Mbase të gjitha të mundshmet.

Nga janë vllehtë?

Ata janë një popullsi me tipare të theksuara të veçanta etnokulturore. Sipas Çabejt, gjuha e tyre është një dialekt i rumanishtes që ka për bazë latinishten. Jetojnë në një zonë të gjerë që shtrihet që nga Maqedonia Jugore, në disa krahina të Bullgarisë, në Greqinë e sotme, në zonën e Pindit, në Çamëri, si dhe në Shqipëri. Më parë një pjesë e mirë e tyre, dallohej për jetën nomade bashkë me tufa të mëdha bagëtish, duke shtegtuar në verë ndër kullota të larta dhe në dimër në fusha, sidomos në ato të Vrinës dhe Myzeqesë. Nga kjo vjen dhe emërtimi, që përmendet ende në shqipe “çobanë”. Ka pasur edhe një pjesë tjetër fort të rëndësishme të elementit vlleh që u ngul që me kohë ndër qytetet kryesore të Shqipërisë: në Berat, Korçë, Durrës, Tiranë, Elbasan. Të gjithë kanë dhënë një kontribut shumë të njohur në lëvizjen kombëtare shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Shumë nga personazhet e njohura të jetës kulturore artistike të Shqipërisë së shekullit të XX janë me origjinë vllahe. Sot një pjesë e tyre e kanë humbur gjuhën, sidomos ata, që janë ngulitur me kohë nëpër qytete. Ndër fshatra, përkundrazi, gjuha e vjetër flitet ende dhe trashëgohet brez pas brezi. Shoqatat e tyre, që janë lejuar vetëm në këto 20 vjetët e fundit, janë munduar shumë për ruajtjen e gjuhës së tyre duke botuar fjalorë, tekste mësimore dhe duke organizuar kurse të mësimit të gjuhës së shkruar vllahe.

Interesi për ta në Europë lindi aty nga fundi i shekullit XVII. Që prej asokohe kanë ekzistuar tri teori lidhur me origjinën e kësaj popullsie të veçantë. Në shumë raste interesi shkencor është vënë në shërbim të atij politik. Sot, një pjesë e mirë e vllahëve të Shqipërisë, sidomos në Jug janë deklaruar si “vorioepirotë” duke përfituar kështu pensionin e përmuajshëm nga shteti grek.
Teoria e parë mbi origjinën e tyre, bazohet vetëm në lidhjet gjuhësore të vllahishtes me latinishten. Sipas kësaj teorie, vllehtë janë pasardhësit e kolonëve romakë që u vendosën në këto anë në kohën e lulëzimit të Perandorisë Romake. I të njëjtit mendim ka qenë edhe Eqrem bej Vlora.
Teoria e dytë mbështetet në burimet e pakta të periudhës bizantine. Sipas saj vllehtë janë një popullsi që ka zbritur në Jug e nisur nga Vllahia (në Rumaninë e sotme). Studiuesit që mbështesin këtë teori janë të bindur se vllehtë nuk janë gjë tjetër veçse dakë të romanizuar.
Teoria e tretë ka një tjetër zgjidhje origjinale të problemit. Këtë teori e mbështesin më së shumti historianët e rinj. Sipas saj vllehtë janë pasardhësit e një popullsie autoktone që banonte dikur në territoret e Trakës, Maqedonisë dhe Thesalisë dhe që ishin romanizuar. Me ardhjen e hungarezëve dhe sllavëve kjo popullsi synoi të zbresë drejt Jugut të Ballkanit.
Nga erdhën vllehtë vërtet? Pyetje e vështirë, përderisa as edhe ata vetë nuk e dinë edhe fort mirë përgjigjen.

(Më gjerë: Spiridhulla Poçi, Vllehtë. Historia dhe gjuha e tyre, Toena, Tiranë 2009).

21 Komente

 Kjo po qe ja vlen te lexohet,ma uli pak vrullin qe kisha marre,biles e lexova dy here,qetesim nervash.

Faleminderit Baxhak.

Pse me nerva Brad?

5 yje Baxhaku.

PS: Ke hudh bast per Bayern sot, apo s'harxhon kohe me miqesoret smiley.

 Nuk jam me nerva Monda,se mi uli Baxhaku,pa rrena,po mu ngriten qepare tek ajo tema e Himarjoteve.

Bayerni,ketu ne Atdhe nuk merrem me bastet se nuk te lejne femnat me mor fryme,nuk pushon telefoni,nuk po te genjej per zotin,pastaj Bayerni nuk shikohet pa massen e birres Agustiner.

e mer Tosi, te lumte dora smiley

Informim i shkruar bukur, me pelqeu!

Shume i respektuar Baxhak.

Pranoni edhe nje shtese per te cilen ka nje kontribut te vecante doreshkrimor ( pa botim ) nje nga me te apasionuarit e kultures Mesjetare ish Pergjegjes i Muzeut Mesjetar - Korce  ne vitet 80 me origjine sipas tij "coban" .

Eshte e vertete qe jane COBENE pra nje vecori ose karakteristike e popullsise LEVIZESE qe merrej me blegtori .

Ky zanat ,  i sherbente ushtrive per ushqimin me mish e bulmete ne raste fushatash. Me zhvillimin e shoqerise dhe cfaqjen e Ligjeve per "taksa " e " tatime " kesaj pjese Ju imponua te zhvillonte nje drejtim gjuhesor te kuptushem midis vetes dhe te pakuptueshem per "doganieret ". Ketu e ka shpjegimin e dhe rrenja Latine e kesaj gjuhe , si teoria me e besueshme . Kaq per te mos u zgjatur.

Ka qene nje popullsi e konsiderueshme pa VENDNDODHJE e ORIGJINE stabel . Vertitej midis Karpateve , Alpeve Dinarike dhe Malesise se Shqiperise . 

Shkeputemi dhe flasim per kohe pas Luftes se dyte Boterore .

Me vendim te Kampit smiley ne vitin 53 kesaj popullsie te "keqperdorur " nga zbulimet dhe Qeverite Ballkanase ( perjashtim bente vetem Shqiperia per njemije e nje arsye ) Ju la e drejta te vendosej  e te stabilizohej duke ja hequr njehere e pergjithmone barren e "skllavit" . Keshtu njihet "kapaku" i  vendosjes Perfundimtare te kesaj Popullsie qe ka zene vend e shtrihet pergjate kufijve te shteteve Ballkanase , me me se shumti ne Shqiperi., duke Ju bashkangjitur popullsise se saj ( tregtare e intelektuale , zanatcijsh e ne sherbim te Qeverive ) te stabilizuar prej kohesh. Dhe keshtu ne '56 mori fund ecejakja e tyre shekullore koder me koder e mal me mal.

Une kam patur rastin REAL te jem MIK me nje nga familjet Udheheqse te mijra te tilleve . Rahmet paste . Ai pohonte lloj lloj faktesh qe nuk eshte vendi per ti rradhitur , por kryesorja tregon se si disa nga keta "udheheqes " fisesh i mblodhen dhe Ju thane se ku doni te stabilizoheni .

Shumica zgjodhi Shqiperine per vete faktin se Udheheqja e asaj kohe Ju kishte deklaruar duke Ju premtuar gjithshka nga te drejtat e Popullit Shqiptar Premtime te cilat i mbajti me nje korrektese te jashtezakoneshme deri edhe ne "thashethemin" popullor se "Byrone Politike tentojne ta drejtojne  cobenet " smiley

Konkretisht Ju eshte deklaruar : - Zgjidhni ku te doni pervec TIRANES !

De ata njerez me virtute e zakone te mira gjeten vend e ngrohtesi tek shqiptaret duke punuar me ndershmeri e sakrifice per veten dhe Atdheun e tyre , me plot gojen Atdheun e Tyre !

Keshtu shpjegohet ndertimi e e mertimi i fshatit A. Poci , si per te gjithe Shqiptaret.

Ja nje nga kenget e mikut tim

Mu lodhe cobanke mu lodhe

Ne krua te Hocishtit e polle

ne maje te Cekicit ( gur Cjap) e kove

ne mal te Kuq e mbeshtolle .....

Lexoje se cfare vuajtjesh kane hequr , kush e njeh ate Zone , per nje bebe te sapo Lindur !!!!!!!

 

Prof. T.J.Winnifrith, studjuesi i sotem me i njohur  i vlleheve , i cili ka qene ne Shqiperi disa here mes viteve 1992-95 pikerisht per ceshtjen vllahe  ka keto opinione si me poshte:

 ( artikulli i plote nen titullin :Survey of a Disputed Ethnological Boundary, Tom J. Winnifrith )

 

The position of the Vlachs is more obscure. In most villages I was assured that the Vlachs had been wandering the land until the end of the war when Hoxha had settled them first in straw huts and then in 1967 had built houses for them

Hoxha was fairly kind to the Greeks, allowing them to have educational rights. By settling in strategic villages Vlachs who were in some sense Greeks and yet not Greeks, and by settling Tsams, who were in some sense Albanians and not Albanians, Hoxha did something to create racial harmony. The Tsams had been evicted from their homes and the Vlachs had no settled homes; by giving them homes Hoxha did much to ensure their loyalty

The fact is, the history of the Vlachs for the two thousand years after the Roman invasion of the Balkans still remains largely a mystery. But it is a mystery I hope to unravel by further visits to Albania

My own estimate using this criterion would be that there are about 40,000 Greeks in the area under discussion and about 15,000 Vlachs. I would also guess with rather less first-hand evidence that in the rest of the country there are about 20,000 Greeks and 35,000 Vlachs. I base my calculations on the following considerations

Akuza e ngritur ishte lidhja e kahershme me “Asfalinë” greke, një lloj paranoje që kishte nisur që me dënimin e grupit të çamëve “të drejtuar” nga admirali Teme Sejko.

Po ku e di ore gazetar qe ishte paranoje apo jo, ne kete rast? Se e ka marre lumi shtetin shqiptar, nuk do te thote qe asfalia nuk ka punuar dhe s'punon per te rekrutuar njerez ne shqiperi. Une nuk e di a eshte  e vertete akuza. Por ama nuk di as qe nuk eshte e vertete. Intervistat e ish te arratisurve ne greqi, na tregojne qe pala greke i dinte te gjitha c'ndodhnin ne shqiperi dhe fshatrat prane kufirit. Kjo tregon qe informatore ka patur dhe informatore te tille ne gjithe boten kane nje emer; agjent.

Prej kohësh ia kishte vënë syrin Fushës së Tavanit, një lëndinë e begatë dhe me ujë, porse ajo tradicionalisht ishte pronë e picariotëve. Edhe këta kishin dalë fitimtarë nga lufta. Një njeriu i tyre, Shefqet Peçi, ishte ndër kryesorët e pushtetit. Megjithatë, Kosta gjeti rastin e një mbledhjeje në Tiranë dhe takoi vetë Enver Hoxhën në 1957. “Brenda tri ditësh të plotësohen kërkesat e shokëve vllehë”, pat dhënë urdhër Enver Hoxha. Kështu nisi të ndërtohej fshati i sotëm. Në prill të 1958 u hodhën themelet e shtëpive të para. Ato ishin gjashtë. Ishte ndarja e parë me jetën e lirë, me fjetjen nën yje, me kasollet erëmbara. Ngulitja kishte filluar.

Ja u falte Enver Hoxha, se i kishte pronat e babait. E beri vendin lemsh, se kujtonte qe regjimi do jetonte perjete. Mendje pule.

Dhe jane shume ''mirenjohes'' vllehet per tokat qe ju fali, sa shumica deklarohen grek.

Budallallek alla shqiptarc.

Ke të drejtë  dhe historia e faljes sikur i kanë pronat e gjyshit vazhdon me minoritetin greg me legalizimet e pronave të zaptuara , me konçensionet pa konçension , me privatizimet falas ,me Shqipëria  1€ dhe përfundon me falje detrash e territoresh kujt i kërkon dhe paguan nën dorë.

Shtate pashe ne dhe u ngul topuzi, shtate pashe per qiell u ngrit pluhuri,

shtate here e lexova tregimin ,  por me ne fund kuptova timin.

Kam degjuar se vllehet mund te perbejne rreth 20% te popullesise te Shqiperise dhe se jane me shqiptare se shqiptaret.

Gjithashtu, kam degjuar se patriotet shqiptare te Rumanise ishin me origjine vllehe.

Mua me duket nje histori shume e bukur bashkejetese e integrimi kjo, qe i duhet treguar te gjithe botes.

... Pervec ketyre historive te diktatures, e cila natyrisht nuk mund te harronte te persekutonte edhe vllehet.

Që vllehët kanë pasur dhe kanë  afinitet të madh me shqiptarët dhe Shqipërinë është e vërtetë  por besoj si në çdo histori shqiptare edhe në këtë fushë ka abuzime dhe mungesë qasjesh e përfundimesh shkencore.Nuk besoj se shqiptarët e Rumanisë janë me origjinë vllehe (sepse është pakahje) pêrkundrazi një pjesë "çobejsh "që janë ngulur në qytetet kryesore tê shqipërisë pas shpalljes së pavarsisë  kam bindjen që janë nga ky kontigjent të shpërngulurish gjatë pushtimit otoman dhe duke vazhduar përdorimin e gjuhës i mbeti dhe nofka "çoban " po të shohësh mbiemrat e tyre janë shqip (e një pjese sigurisht) Përsa i përket diktaturës në përgjithsi përndjekjet ishin me karakter përzgjedhës dhe përfaqsues kështu që dhe vllehët nuk bëjnë përjashtim megjithese duhet thënë që ashtu si dhe grekët përfituan toka bujqsore falas nga reforma (si të gjithë fshatarët  pa tokë ) Në përgjithsi mendoj se vllehët apo çobanët ndihen dhe janë si në vendin e vet   si shqiptarê por ka mendje që i fryjnë zjarrit të disentregimit (si presidenti rumun)ashtu siç po veprohet dhe me grekët dhe grek folësit për ti prishur ato vlera me tê cilat mund të mburremi para çdo kombi e shteti  modern e post modern.

Shume dakord me kete:

Në përgjithsi mendoj se vllehët apo çobanët ndihen dhe janë si në vendin e vet   si shqiptarê por ka mendje që i fryjnë zjarrit të disentregimit (si presidenti rumun)ashtu siç po veprohet dhe me grekët dhe grek folësit për ti prishur ato vlera me tê cilat mund të mburremi para çdo kombi e shteti  modern e post modern.

Jane me te vertete vlera me te cilat mund te mburremi (me plot gojen) sepse kur ne trevat shqiptare integrohej "i ndryshmi", ne pjesen tjeter te Ballkanit e ne Europe, "i ndryshmi" vritej, debohej, spastrohej, persekutohej, asimilohej me force.

Per fat te keq, ne kushtet e mjera ne te cilat gjendet i ashtequajturi "shtet shqiptar", ekonomia dhe shoqeria e vendit tone, fara e percarjes dhe e dizintegrimit ka gjetur nje terren perfekt per te lulezuar.

  60 vite me pare , nje vllah i mençur,  beri nje reportazh te shkurter

  "Mbi samar te mushekes e kemi shtepine"

 Dhe vertet ashtu e kane pasur.Por ne 50 vitet e regjimit, vetem vllehet, kurre nuk duhet te ankohen nga bujaria dhe zeremgjeresia e shqiptareve.Mund te sjell keto shifra:

 Ne Ministrine e Mbrojtejes, ne vitin 1986, vlehet kishin  Ministrin, P.Murra (nje burre serioz dhe me integritet te jashtezakonshem), Zv.Minsitrin Simon Ballabani dhe  9 drejtore drejtorishe... Po se mos vetem kaqe.Po ne B.Politike...?

nuk me kujtohen mire, po disa vargje popullore tingellonin pak a shume keshtu:

ku ta njohesh vllah mavrine,

per mbi mushke e ka shtepine.

Sa shume meremi me te kaluaren duke harruar te sotmen dhe te ardhemen

 Sot, një pjesë e mirë e vllahëve të Shqipërisë, sidomos në Jug janë deklaruar si “vorioepirotë” duke përfituar kështu pensionin e përmuajshëm nga shteti grek.
 

Sot një pjesë e tyre e kanë humbur gjuhën, sidomos ata, që janë ngulitur me kohë nëpër qytete. Ndër fshatra, përkundrazi, gjuha e vjetër flitet ende dhe trashëgohet brez pas brezi. Shoqatat e tyre, që janë lejuar vetëm në këto 20 vjetët e fundit, janë munduar shumë për ruajtjen e gjuhës së tyre duke botuar fjalorë, tekste mësimore dhe duke organizuar kurse të mësimit të gjuhës së shkruar vllahe.

 Artikulli ishte interesant, dhe une mendoj (ose me sakte; dyshoj) se ata ishin dake te romanizuar. Megjithate nuk e kuptoj seç duan ata ne Armeni, ose me sakte armenet kur duan te shajne ndonjerin, i thone; ik ore çoban, ose ; ky eshte çoban. Pra fjala, çoban, thuhet siç i themi neve. Ose eshte fjale qe perdoret nga vendet e Kaukazit dhe Turqia, pra eshte e huazuar andej. 

I nderuar Pjer!

Miqesisht doja te te shkruaja lidhur me komentin tuaj se dyshimi juaj se Vllehet nuk jane Dake te romanizuar, mendoj se vjen nga lidhja e gabuar qe u beni atyre me fjalen Coban. Fjala Coban eshte turqisht dhe eshte perdour pothuajse ne tere Ballkanin me kuptimin bari me dhen. Ne Shqiperi kjo "nofke" iu vu edhe vlleheve qe ende ishin levizes me bageti. Zakonisht ne vere shkonin ne kullota malore dhe ne dimer zbrisnin deri ne Myzeqe, por gjithmone perkundrejt pagesave siapas marreveshjeve qe benin me pronaret perkates. Ne Maqedoni psh nuk quhen "coban", as ne Bullgari, ne Serbi, Kroaci, apo edhe Grerqi. Fjala coban ne Armeni kam pershtypjen se perdoret per barinjte dhe jo per vllehet. nese perdoret edhe per vllehet atehere mund te thuhet se vetem ne Shqiperi dhe Armeni i kane identifikuar vllehet me nofken "coban". Ka disa teori per prejardhjen e vlleheve, te cilat jane permendur edhe nga diskutantet. Eshte harruar vetem nje qe eshte edhe me antishkencore: sipas grekeve, madje nje historian grek ka shkruar nje liber per kete teme, vllehet jane helene te romanizuar. Une vete jam vllah dhe e di gjuhen vllahe {jo me te shkruar] Nu e ve fare ne dyshim qe ngjason shume me Rumanishten  dhe se te dyja kane nje origjine: Dake ose me sakte Trake. Po t'i referohesh Cabejit : gjuha shqipe eshte gjuhe me prejardhje Trako-Ilirishte. Te tjerat mendoi vete.

Nuk i kuptoj disa diskutante qe marrin guximin te komentojne gjera qe nuk i njohin dhe behen qesharake.

Zoterinj te nderuar! (vetem per ata qe e meritojne kete titul) Vllehet nuk jane vetem ajo pakice endacakesh me te cilet u krijuan dy fshatra: Asim Zeneli dhe Andon Poci. Ata jane fare pak dhe quhen madje edhe nga vete vllehet e tjere SARAKACANE. Kaq, vetem dy fshatra u krijuan. Po te dije ndokush ndonje tjeter le te thote ta marrim vesh. Por ju harroni se shumica e tyre jane vendosur (ngulitur] shume me heret. Vllehet ne Ballkan, pra edhe ne Shqiperi, kane ardhur perpara sllaveve, nga shekulli i IV ose V. Une po ju kujtoj vendbanimin me me emer te vlleheve qe ka qene Voskopoja, e njohur si qendra kulturore [por jo vetem] me e zhvilluar ne tere Ballkanin. Po ju permend disa figura qe kane dhene nje kontribut te shquar ne levizjen kombetare qysh nga koha e rilindasve e deri vone si ne drejtim te gjuhes shqipe, e deri ne art, kulture, letersi shkence etj. Po e filloj me Veqilharxhin e pastaj Asdrenin, e deri tek Lasgush Poradeci /Llazar Gusho e Mitrush Kutelin, e Jakov Xoxen apo Andokri Kostallarin. Po permend edhe artistet si Aleksander Moisiu e deri tek Sander Prosi, Margarita Xhepa, Prokop Mima etj. MOS HARONI SE NENE TEREZA, TE JATIN, NIKOLLEN, E KISHTE VLLAH. Nuk po e zgjas me ne kete drejtim por dua t'u kujtoj disave qe qajne se u paskan marre tokat shqiptareve dhe ia dhane vlleheve, se ka me shume fakte te kunderta. Selenica e Vlores psh deri ne 1945 ka patur vetem vllehe. Porne vitet 1946 e me vone u morren shume fshatare nga Laberia dhe u vendosen ne Selenice per te rritur prodhimin e seres me vendim te po asaj Partie e te atij udheheqesi Ende edhe sot ata kane shtepi e madje edhe toka nga pronat e vlleheve. Ne fund dua te pershendes ata qe vertet jane realiste dhe shkruajne e komentojne bazuar mbi fakte historike, demografike e shkencore dhe jo te frymezuar nga emocionet nacionaliste.

O ti selenica,

pse hiqesh si profesor kur s'di gje , as historine tende pa le te te tjereve.

Kush te paska thene ty qe Cabej thote se shqipja qenka me origjine trako -ilire?

Cabej qe ta marresh vesh njehere e mire  eshte argumentuesi me i madh i tezes se shqipja rrjedh nga ilirishtja.Lexo ndonje rresht nga Cabej pastaj eja e mbaj fjalime ketu.

Po qe vllehet paskan ardhur ne Shqiperi ne shek IV kur e paske zbuluar? 

Ata qe merren me kete pune per nje jete te tere thone :- eshte akoma nje mister , ti na e gjetke tak -fak.Mire ne shek e IV po ne c'vit na e thua dot  meqe i paske hyre me themel ketyre puneve.

Po di njecike anglisht lexo ate postimin tim te meparshem qe te marresh vesh se c'thone studjues te huaj.

Sa per Selenicen lere menjane se deri ne 1945 vllehet vinin verdalle dhe kishin vetem kasolle here ketu e here atje, perjashto pjeserisht zonen e Korces. 

Po je vertete vlleh perpiqu ca te mesosh historine tende se eshte turp te flasesh kodra pas bregut..  

Ne fund dua te pershendes ata qe vertet jane realiste dhe shkruajne e komentojne bazuar mbi fakte historike, demografike e shkencore dhe jo te frymezuar nga emocionet nacionaliste.

Sepse nuk ka fakte shkencore, eshte e hapur kjo teme per kedo. A ka fakte me  anti shkencore se ajo qe thoni ju per Nene Terezen. Ju thoni jam vlleh, kurse nene tereza tha: '' nga gjaku jam shqiptare'', kur e pyeten ne ceremonin e cmimit nobel. Lasgushi dhe mitrush kuteli nuk ishin vlleh. E kane s'qaruar mjaft mire kete. Askush deri me sot nuk e di ne cfare shekulli erdhen vllehet. Edhe teoria e cabej-t nuk eshte vertetuar, mbetet vetem nje hipoteze.  

Mire ben te ndalesh fantazine tuaj, Mos na kaptosh male, fusha dhe lumej duke arritur deri te shekujt pas krishtit dhe nene tereza.

Eshte e vertete qe disa vlleh kane luajtur rol te madh ne rilindjen shqiptare. Kjo i nderon ata dhe ne bashke, duke i bere me shume shqiptare, pasi luftuan dhe u munduan per gjuhen shqipe.

Komentin tim per fshatrat qe u krijuan nuk e kisha vetem per vllehet, ishte ne pergjithesi per lemshet qe u bene ndaj prones private ne ate kohe.

Per mua vllehet jane shqiptare. Kam shok e shoqe qe jane vlleh po jane edhe 100% shqiptare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).