Kjo ishte java e një zhgënjimi të madh dhe i dy deklaratave shokuese dhe i dy demanteve që pasuan pas reagimit të opinionit publik. Zhgënjimin e shkaktoi anulimi i koncertit të Eros Ramazzottit në Prishtinë për arsye, me të vërtetë, shumë të paqarta. Pingpongu i akuzave ndërmjet organizatorit, MKRS-së, dhe KF Prishtina në thelb na tregoi se problemi kishte qenë te paraja e jo te parimi. Se kush kujt nuk ia kishte vënë veshin, apo kush me kë ishte keqkuptuar, tashmë është irrelevante. Janë shitur mjaft bileta dhe nuk dihet kur do të nisë kthimi i parave publikut të zhgënjyer. Kështu brezi im mbeti pa e parë dhe dëgjuar një moshatar tonin që nuk ka nevojë të recitojë për të thënë se po këndon. S’na mbetet tjetër pos ta kërkojmë Ramazzottin në YouTube e ta shijojmë një fije atmosfere koncerti nga performanca e tij nëpër botë.

Sikletit të cilin e shkaktoi “rasti Ramazzotti” i paraprinë deklaratat shokuese që nisën me ambasadorin Dell, në konferencën për shtyp në State Department, pas shpalljes së Mendimit të GJND-së. Ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje, foli për “gatishmërinë e Thaçit për akomodimin kreativ në veri”, dhe të cilën përgjigje e përfundoi me fjalinë: “Për të qenë më pak enigmatikë, u referohemi aranzhimeve rajonale, siç janë ato që ekzistojnë në Belgjikë, Tirolin Jugor dhe shumë pjesë të tjera të Evropës”.

Po të njëjtën ditë, servisi i Zërit të Amerikës në gjuhën serbe, duke raportuar nga kjo konferencë, do të kumtonte se Delli po avokonte për autonomi në veri, përderisa do të pasonte reagimi i menjëhershëm i politikanëve kosovarë që u ndien të shqetësuar me një deklaratë të këtillë. Natyrshëm, nuk u prit shumë që vetë Delli të reagonte dhe të thoshte se “mediumet kosovare kishin rënë pre e dredhisë së njohur gazetareske” të gazetarit serb të Zërit të Amerikës, i cili e kishte futur fjalën “autonomi” në tekst, ani që ky nuk e kishte përdorur e as që do ta përdorte, ngase Amerika nuk e mbështeste atë. Në fakt Amerika mbështeste statusin e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, si dhe integritetin e saj territorial.

Nëse është kështu, megjithatë mbetet enigmatike se pse i kishte dhënë ambasadori Dell shembujt në fund të përgjigjes së tij. Mbase duhet rikujtuar se Belgjika ka qeveri federale, kurse Tiroli Jugor ka një nivel të lartë të vetëqeverisjes dhe, që është shumë me rëndësi, fuqi për mbledhjen e tatimeve në favor të territorit që zyrtarisht njihet si “provincë autonome”. Nga ana tjetër, nuk është e qartë se në cilat pjesë të tjera të Evropës ka mundur të mendonte ambasadori. Fakti është se federalizmi i tipit të Belgjikës apo edhe autonomia e tipit të Tirolit nuk e cenon as pavarësinë, as sovranitetin, e as integritetin territorial. Në fakt, “vetëm” e ndërron rendin kushtetues dhe formën e qeverisjes, jashtë asaj që e parasheh vetë Kushtetuta, si dhe Pakoja e Ahtisaarit, si pjesë integrale e saj. Dhe hap mundësinë për tendencën e fuqishme të copëtimit eventual të territorit, siç po i ndodh këto ditë Belgjikës...

Dhe po të njëjtën ditë kur publikohej demanti i Dellit, në opinion po lansohej një deklaratë tjetër, nga këshilltari për siguri i kryeministrit, i cili ishte cituar të ketë thënë: “Qeveria e Kosovës dhe Hashim Thaçi kanë përsëritur disa herë gatishmërinë që me bisedime, negocime dhe marrëveshje të gjendet zgjidhje optimale për veriun e Kosovës”. Më tej në informatë thuhej se “Thaçi e ka bërë qartë me dije se ekziston vëllim i gjerë i zgjidhjeve të mundshme, nga të cilat njëra është edhe statusi special”. Menjëherë të nesërmen erdhi demanti i këshilltarit, i cili thoshte se fjalët “autonomia” dhe “statusi special” i ishin veshur nga gazetarja, e cila nga ana tjetër vazhdonte të thoshte se ekzistonte audioincizimi që dëshmonte se deklarata e tij ishte transmetuar me përpikëri.
Cila do të jetë e vërteta është paksa indikative që brenda një kohe aq të shkurtër të dalin deklarata të ngjashme për nga përmbajtja dhe të orientuara nga ndryshimi i statusit politik të një komuniteti, në një pjesë të caktuar të territorit të Kosovës, përbrenda kornizës ligjore dhe kushtetuese. Thuajse të dyja duhej të shërbenin si ballonë provuese, për të parë se çfarë reagimi do të shkaktonin te opinion publik, për një diçka që tashmë kryeministri e kishte përmendur në fjalimin e famshëm 12-minutësh nga muaji i shkuar, në kohën kur ishin paralajmëruar arrestimet e figurave politike. Përderisa qëllimi i këtij fjalimi kishte qenë afirmimi i tij si njeriu që do t’i realizonte të gjitha zgjidhjet për problemet në Kosovë, përfshirë privatizimin e aseteve të mbetura, korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe veriun, leximi i kujdesshëm  i tij megjithatë përçoi një porosi që kaloi disi pavërejtur dhe zbuloi se atë fjalim nuk e ka shkruar as ai, e as ndonjëri nga këshilltarët e tij politikë që e kanë shkrimin e fjalimeve për detyrë. Formulimi i fjalive në shqipe është i tillë, saqë zbulon një gabim trashanik, për të cilin duhet kërkuar sqarimin nëse ishte i rastësishëm apo i qëllimshëm – përkufizimin e veriut të Kosovës, si Kosovë Veriore. Pra, sa për sqarim, kjo është çfarë kishte thënë kryeministri: “Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të krijuar të njëjtat mundësi për qytetarët që jetojnë në veri të lumit Ibër. Duhen ide të reja. Sigurisht se në relacionet e Kosovës dhe Serbisë, në ecjen drejt anëtarësimit të plotë – dhe të barabartë – në Bashkimin Europian, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, mund të gjejmë forma të reja të bashkëpunimit, që njohim natyrën e veçantë rajonale të Kosovës Veriore, duke ruajtur tërësinë e saj të plotë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona...”.

Pra, përnjëherë, Kosova u bë me territor të ri që quhet Kosova Veriore, që ka natyrë të veçantë rajonale dhe për të cilin duhen ide të reja, në kohën kur po qeveria e Thaçit ka miratuar një strategji për veriun, me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Mjaft indikative, do të mund të thuhej, sepse nëse fjalimin e kanë shkruar kosovarët atëherë del se ideja e re nënkupton statusin special për veriun, e cila është menduar të hidhet mbi tavolinë në rast të “bisedave teknike” po qe se rezultati në GJND nuk do të ishte i favorshëm. E nëse është shkruar nga të huajt, atëherë ose është përkthyer gabimisht, ose gabimi është bërë me qëllim duke ditur se kryeministri vetëm do të kishte për obligim ta lexonte tekstin e përgatitur paraprakisht.

E kam vështirë të besoj në aq shumë rastësi që ndërlidhen me një fjalim që, në kohën kur ishte shqiptuar, nuk dihej si të kuptohej. Mbase do të ketë qenë paralajmërimi i hapave që do t’i ndërmerrte Qeveria karshi Serbisë, edhe pa e pasur lejen e Kuvendit për një gjë të tillë, në kushtet kur nuk dihej për rezultatin e GJND-së. Tash, pas shpalljes së rezultatit dhe pas deklaratave të zyrtarëve serbë se pavarësisht GJND-së dhe pavarësisht gjithë botës, Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën, shtrohet pyetja se pse duhet pasur çfarëdo bisedimesh me Serbinë. E nëse do të jenë miqtë ndërkombëtarë ata që do të na fusin në negociata sërish, a do të jenë ata edhe garantues se bisedimet do të zhvillohen me ndërmjetësimin e tyre dhe se rezultati do të jetë njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe e Serbisë. Kjo pa pasur nevojë të shkohet aq larg sa për t’u ofruar autonomi apo status special serbëve, sidomos në kohën kur nuk kemi as regjistrim të popullatës dhe nuk e dimë nëse për pasojë do të na dalë edhe ndonjë komunitet tjetër, të cilit duhet njohur statusin special në bazë të precedentit të serbëve të veriut të Kosovës. Sepse me diskriminimin pozitiv të serbëve, u bëhet diskriminim negativ të gjithë të tjerëve.

Duket se ballonët provues e kanë përmbushur detyrën dhe se disponimi i kosovarëve nuk është që pavarësia t’u komplikohet edhe më shumë seç është, e as që shteti t’u federalizohet, sepse është shumë i vogël për një gjë të tillë, ngase në fakt ka sipërfaqe për pak më të madhe se Tiroli Jugor. Do të ishte edhe një eksperiment kreativ Made in Kosova, me gjasa shumë të mëdha për të dështuar.

flaka@koha.net

1 Komente

Shkrim i mirë por shumë huazime përdor Flaka . 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).