Kush ka qenë në Kuvend më shumë aktiv dhe kush më pak për një vit

Në krye të listës së deputetëve, të cilët kanë qenë më aktivë në seancat parlamentare të sesionit të dytë, janë demokratët që kanë përfituar nga mungesa e socialistëve në Kuvend. Por pavarësisht këtij bilanci, socialistët kanë kapur ritmin e Partisë Demokratike, madje disa socialistë e kanë tejkaluar prezencën në foltoren e Parlamentit edhe të demokratëve. Në këtë legjislaturë vihet re se deputetët e vjetër janë futur në stolin e rezervave, ndërsa deputetët e rinj duket se kanë qenë më aktivë gjatë punimeve të seancave plenare. Zgjedhjet e 28 qershorit sollën në Parlament 140 deputetë. Risi e këtyre zgjedhjeve u konsiderua edhe përfshirja e kandidatëve të cilët nuk ishin atashuar kurrë më parë në politikë dhe tashmë zënë pothuajse gjysmën e numrit të deputetëve.
Deputetët demokratë

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së është zgjuar nga ‘gjumi parlamentar’ pas seancës ku socialistët janë betuar në sallën e Kuvendit. Deri në ardhjen e socialistëve, kreu i grupit parlamentar të demokratëve kishte mbajtur fjalim vetëm dy herë, ndërsa pas ardhjes së socialistëve numri i fjalimeve në 60-minutëshin e diskutimit të lirë për deputetin Patozi ka shkuar në 20. Pas tij renditen deputetët Edmond Spaho, Edi Paloka, Eduard Halimi, Arenca Trashani, Jemin Gjana, Paulina Hoti, Aldo Bumçi, Gjok Uldedaj, Fatbardh Kadilli, të cilët kanë mbajtur më shumë se 10 fjalime në foltoren e Kuvendit. Deputetët më të heshtur në kampin demokrat për sesionin që sapo është mbyllur kanë qenë Bedri Hoxha, Mehmet Xheka, Vasillaq Ngresi, Ismail Hoxha, Mark Marku, Rajmonda Bulku dhe Kreshnik Çipi. Ndërsa në kampin e Lëvizjes Socialiste për integrim, deputeti Lefter Koka ka folur vetëm një herë nga foltorja e Kuvendit.

Deputetët socialistë

Më aktivët e Partisë Socialiste gjatë sesionit të dytë kuvendor kanë qenë deputetët: Gramoz Ruçi, Erion Braçe, Saimir Tahiri, Ermelinda Meksi, Taulant Balla, Arta Dade, Namik Dokle dhe Arben Malaj. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka folur 23 herë në foltoren e Kuvendit në 28 seanca. Vlen të theksohet se Partia Socialiste në shumicën e 28 seancave ka munguar në sallën e Parlamentit. Deputeti Erion Braçe është i dyti në kampin e socialistëve që mban numrin më të madh të fjalimeve në Parlament. I treti në kampin e socialistëve për fjalime më të shpeshta në Kuvend është deputeti Saimir Tahiri. Kjo renditje ndiqet nga dy deputetet, Arta Dade dhe Ermelinda Meksi, të cilat kanë marrë të drejtën e fjalës 11 herë. Më pas lista vijon me Taulant Ballën, Namik Doklen dhe Arben Malajn. Deputetët më të heshtur të kampit rozë janë Hazir Gashi, Marko Bello, Ben Blushi, Qemal Minxhozi, Skënder Hasa, Fatos Tushe, Vangjel Tavo dhe Ndue Kola.


Ministrat, Berisha në krye, Meta i fundit
Renditja e fjalimeve në seancat parlamentare të anëtarëve të kabinetit

Anëtarët e qeverisë “Berisha” e kanë kaluar në “përgjumje” sesionin parlamentar që sapo është mbyllur. Sesioni i dytë kuvendor i legjislaturës së 18-të ka qenë më pak aktiv, për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend, por edhe për shkak të mungesës së debatit në sallën e Parlamentit. Sipas një vëzhgimi të gazetës “Shqip”, duke iu referuar të gjitha procesverbaleve të punimeve të Parlamentit për sesionin e dytë, Kryeministri Sali Berisha ka qenë njeriu që ka thyer rekordin e fjalimeve, ku në 28 seanca gjithsej, kreu i qeverisë ka mbajtur 27 fjalime në ligjëratë të drejtë, pa përfshirë këtu replikat që ka bërë herë pas here me deputetët e opozitës gjatë kohës kur ata kanë qenë prezent në Kuvend. Deputetët `skifterë` të Partitë Demokratike kanë qenë ata të cilët kanë mbushur kohën 60-minutëshe të 28 seancave të zhvilluara që prej 18 janarit të këtij viti e deri në 26 korrik. Por vlen të shtohet se ardhja e socialistëve në Kuvend dhe breshëria e deklaratave ka bërë që një pjesë e socialistëve t’i kalojnë edhe demokratët për numrin e fjalimeve në Parlament.
Ministrat në Kuvend

“Heshtja është një nga argumentet më të vështira për t’u përgënjeshtruar”. Duket se ky ka qenë parimi dhe formula që kanë ndjekur 15 ministrat e kabinetit “Berisha” gjatë punimeve të Parlamentit. Në pamje të parë dukej se mungesa e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvend do t’i detyronte demokratët dhe anëtarët e qeverisë të mbushnin 60-minutëshin e bisedimit të lirë në Parlament. Pas Kryeministrit, që ka tejkaluar çdo rekord fjalimesh dhe minutazhesh në Parlament, ofensivën e punës së qeverisë e ka pasuar ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka folur 15 herë nga foltorja e Kuvendit, ministrat Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha kanë mbushur minutazhin e bisedimit të lirë në Parlament me 13 fjalime secili, në mbrojtje të ligjeve të përgatitura nga ministritë e tyre, duke u shtuar edhe akuza socialistëve. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kanë të njëjtin numër fjalimesh të regjistruara në procesverbalet e Kuvendit për sesionin e dytë. Ministrat e tjerë nuk e kalojnë numrin e 6 fjalimeve nga foltorja e Kuvendit për të gjitha seancat parlamentare të këtij sesioni. Më pak aktivë në Parlament për sesionin e sapombyllur kanë qenë ministri i Bujqësisë, Genc Ruli; ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera; ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Katër ministrat e fundit kanë shfrytëzuar konferencat për shtyp në ministritë që drejtojnë për të qëndruar më në heshtje në sallën e Kuvendit. Shprehja e popullit se heshtja është e artë, u shkon për shtat ministrave të kabinetit “Berisha”, të cilët janë treguar pak aktivë në sallën e Parlamentit.
Mungesa e debatit

Pjesëmarrja e opozitës në Parlament ka ‘zgjuar’ debatin në sallën e Kuvendit dhe ka mbajtur gjallë frymën politike, duke nxitur edhe ministrat t’u përgjigjen akuzave të tyre. Kjo ka qenë një ndër arsyet pse numri i fjalimeve të ministrave është më i lartë nga ai që mendohej të pritej në rast se opozita do të mungonte krejtësisht edhe në sesionin e dytë kuvendor. Në prag të bilancit parlamentar për sesionin e dytë të legjislacionit të 18-të që u mbyll në fund të korrikut, Kuvendi mban mbi supe një raport të vështirë për veprimtarinë e tij 6-mujore. Në 28 seanca parlamentare ka munguar unifikimi i votës për ligje që kërkojnë 3/5 e deputetëve, janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ligjet më të rëndësishme që kanë bërë bujë nga mazhoranca dhe opozita ka munguar në pjesën më të madhe të seancave.

Nga 40 seanca plenare gjithsej për dy sesionet parlamentare të legjislacionit të 18-të, të kryera për periudhën 7 shtator 2009-26 korrik 2010, opozita ka marrë pjesë në vetëm 12 prej tyre. Pas një bojkoti të gjatë, opozita hyn në Kuvend në shkurt, në një seancë të vetme, ku kryen betimin dhe më pas zgjedh rrugën e protestave dhe rizgjedh bojkotin e punimeve të seancave të Kuvendit. Dreka e Strasburgut mes Berishës dhe Ramës solli rihyrjen e opozitës në sallën e Kuvendit, ku opozita është treguar agresive në betejën e saj në sallën e Kuvendit, me gjithë vendimmarrjen e fundit për të mos votuar asnjë projektligj në Kuvend pa u bërë transparenca e zgjedhjeve. Me futjen e opozitës është rindezur debati politik në sallën e Kuvendit.
 

1 Komente

ore, po qe me ka kap mu nje simpati e papritur per politikanin me te urryer ne shqiperi, gramoz ruci ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).