Të shkosh dhe të ikësh i përlotur nga vendlindja do të thotë se ke mall për vendlindjen, por të shkosh dhe të ikësh duke vajtuar, do të thotë se ndjen dhimbje dhe brengë për vendlindjen tënde.

Kam përshtypjen se kjo i ndodh çdo dibrani që mer rrugën për të shkuar në Dibër të cilës tashmë i ka mbetur vetëm emri dhe krenaria e dikurshme njëherë e njëkohë.

Dibrës nuk i qahen hallet sepse përveç varfërisë dhe harresës së pushtetit qëndror në Tiranë i ka "hipur në shpinë" dhe nuk po i zbret keq-qeverisja dhe korrupsioni i zi që ka përpirë qeverisjen vendore dhe më gjerë.

Pushteti në Dibër është privat dhe i ka ndarë dibranët në "blu" dhe të "kuq" dhe sipas etiketës që u ka vënë u ofron edhe shërbimet publike. Të parët përfitojnë të gjitha të mirat e pushtetit ndërsa të dytët janë të detyruar të paguajnë vetëm taksat dhe xhelepet për pushtetarët dhe nëse ndonjëri prej tyre ngre krye ndaj pushtetit i pritet asistenca ose e largojnë menjëherë nga puna me sojë e farefis .

Edhe kafenetë nëpër fshatra apo qytet socialistët dhe demokratët i kanë të ndara, nuk bëhet fjalë që ato të ngatërrojnë ndonjëherë kafenetë e tyre. Por halli më i madh ka zënë të lëkundurit të cilët nuk dinë ku ta pinë kafenë, por edhe ata e kanë gjetur një zgjidhje pragmatiste: socialistëve u bëjnë telefon dhe u thonë jemi me ju ndërsa kafen e pinë në lokalet e demokratëve për të mos rënë në sy se ndryshe i gjen belaja me punonjësin e asistencës në Komunë apo Bashki.

Por të këqijat e kësaj pune nuk mbarojnë me kaq, socialistët dhe demokratët edhe furgonat e pasagjerëve që lidhin fshatrat me qytetin i kanë të ndara, por me një ndryshim thelbësor: furgonat e socialistëve janë të rregullt me gjithë dokumentacionin që duhet për qarkullim rrugor dhe janë të targuara sipas ligjit ndërsa furgonat e demokratëve janë pa targa ose në rastin më të mirë kanë targa zetorësh dhe në vend të dokumentave të mjetit kanë posterin e dalë boje të doktorit "Shqipëria po ndryshon" ose flamurin e PD-së, të cilin e mbajnë të varur në makinë që në vitin 2005.

Policia e qarkullimit në Dibër blloqet e gjobave i harxhon vetëm me "furgonat e socialistëve" të cilët i gjurmon gjithë ditën nëpër qytet e kudo në rrugë për ti kapur në shkelje sepse pjesën tjetër jo vetëm nuk mund ta gjobisë apo tu kërkojë letrat e mjeteve por nuk duhet ti shohë as në sy. Komunat dhe komunarët e zgjedhur në Dibër kanë rikthyer edhe njëherë bajraqet dhe bajraktarët e dikurshëm.

Kështu nëse ke ndonjë punë për të zgjidhur në Komunë këtë mund ta bësh vetëm në një ditë të caktuar të javës, sepse zyrtarët e Komunës ose janë duke luajtur shah në zyrat e tyre me dyer të mbyllura nuk duhet ti shqetësosh ose janë duke luajtur bixhoz apo duke plotësuar skedina ndeshjesh futbolli në qytet.

Por ka edhe Kryetarë komunash që tani në verë njëlloj si bajraktarët e dikurshëm shtrohen në gosti me mish keci apo qingji buzë lumit Drin, në Muhur ose në Podgorcë të Maqellarës, ndërsa servili i radhës i kryetarit, i larë në djersë pret para lokalit me damixhanin e rakisë dhe me xhepat plot lekë për të paguar vaktin e ngrënies.

Por çudia nuk mbaron me kaq sepse komunarët e këtyre anëve janë bërë kodoshë me punët e shtetit. Në dispozicion të fshatarëve në komunë ka përherë një zyrë hapur në të cilën punon punonjësi që nuk është i zoti për të përballuar tavolinën e rakisë ose siç i thonë të tjerët "i lodhuri i komunës", i cili kryen detyra poli-funksionale: ai jep vërtetime të ndryshme tip të paplotësuara, jep çertifikata të gjendjes civile, jep formularë bosh, mban shënim ankesat e ndryshme, arkëton lekët në arkën e komunës etj.

Por puna më delikate që ai kryen është që të adresojë saktë fshatarët nëpër lokalet e ndryshme të qytetit të Peshkopisë, nën hijen e arrës apo buzë lumit ku po ha e pi Kryetari, për të firmosur e vulosur letrat sepse këtyre anëve është bërë e modës që vulën e institucionit e merr me vete ngado që shkon Kryetari, bile ata nuk harrojnë ta marrin edhe në banjo nga frika se mos familjaret ua "përdorin vulen pa hesap".

Kështu i ziu hallexhi kur shkon për të vulosur letrat përveç tarifës ligjore të shërbimit që paguan në zyrën e komunës duhet të ketë edhe ndonjë lek me vete për të paguar "dorën e rakisë apo birrës" për Kryetarin se përndryshe i shkon dita bosh e nuk mbaron punë. Por hallet e dibranëve vetëm shtohen.

Nëse je sëmurë dhe nisesh drejt spitalit të Peshkopisë për ndihmë të specializuar pa rekomandim të mjekut të Komunës nuk të lënë të hysh në spital ose nëse nuk ke të paguash 3000 lekë tarifën e Ministrit Vasili, të lënë të vdesësh tek dera e spitalit. Por halli është që shumica e mjekëve nuk rinë nëpër komuna pasi ato lëvizin nëpër dreka e darka me Kryetarët të cilët shëndetin e kanë me merak të madh.

Të bësh operacion urgjent është e pamundur pasi Ministria e Shëndetësisë e ka lënë spitalin e Peshkopisë me një mjek narkoze, për të cilin dibranët thonë se është burrë zotni, por këtij spitali i mungojnë mbi 7 ose 8 mjekë të specialiteteve të ndryshme, dhe njerëzit detyrohen të marrin rrugën për në Tiranë ose në Ohër të Maqedonisë për të mbërthyer kockat e thyera.

Në këtë pjesë të Shqipërisë varfëria është buka e përditshme, këtu njerëzit shesin dhe blejnë varfërinë e njëri-tjetrit njëlloj si në kohën e Migjenit ndërsa Kryeministri ynë mendjendritur u premton internet më fibra optike në çdo shtëpi.

Fshatari dibran bie në qytet dhe këmben misër me kripë, tjetri këmben delen me një thes miell, malësia këmben patatet me ushqim për bagëtitë, tjetri shet dru zjarri e blen gozhdë për të mbërthyer trarërt e shtëpisë apo thumba për kuaj, e pra është gjallëruar si në kohët e qëmotit tregëtia mall me mall, sepse paraja në Dibër pothuajse është zhdukur nga qarkullimi, të vetmit që blejnë bukën dhe ushqimin e përditshëm me para në dorë janë disa nënpunës të thjeshtë të administratës.

Paria e vendit si në fshat ashtu edhe në qytet vetëm bukën blejnë në dyqan me para në dorë se u vjen turp nga mileti ndërsa harxhet e ditës si bie fjala mishin, qumështin apo djathin ua çojnë bakshish sejmenët në shtëpi.

Për pjesën më të madhe të popullsisë bulmeti dhe mishi janë "mollë e ndalueme" , ato shkojnë ushqim për Tiranën dhe Durrësin, pasi tregëtarët e këtyre qyteteve vijnë të dielave dhe duke shfrytëzuar fukarallëkun e fshatarëve gati ua blejnë falas. Disa fermerë të zhytur në kredi bujqësore dhe blegtorale po kalojnë në depresion dhe zot na ruaj mos vrafshin veten ndonjë ditë kur bankat tu shkojnë tu marrin shtëpitë.

Dhe kjo jo se nuk kanë për ta shlyer kredinë po se nuk do Drejtoria e Bujqëisë së Rrethit, pasi zyrtarët e saj janë shitur tek mafia e viçave kontrabandë që vijnë nga Bullgaria dhe Maqedonia ilegalisht.

Drejtoria e Bujqësië duke mos i pajisur me raport mjekësor veterinar për bagëtitë nuk u hap rrugë blegtorëve të dalin në tregun e Tiranës dhe nëse ndonjëri niset për rrugë pa këtë raport, viçat ua sekuestron policia e shtetit njëlloj si ujku bagëtitë në mal.

Me mijëra familje dibrane hapin sytë nga kurbeti por prej andej nuk vijnë më lekë për shkak të krizës e në këtë luftë për mbijetesë njerëzit mbushin lokalet për ta humbur arsyen e qënies njeri në gotën e rakisë. Por edhe pija e rakisë në lokalet e Dibrës është një përzierje e varfërisë me korrupsionin.

Rrushi, kumbullat, mollët dhe gjithçka tjetër në Dibër zihet raki dhe nuk shitet si frut, pasi tregun e mbyt malli që vjen nga Maqedonia. Ndaj dibranët kur dalin në qytet apo në lokalet e fshatrave rakinë e marin përherë me vete ndërsa në lokal porosisin vetëm vezët e ziera apo ndonjë copë sallam pasi nuk kanë lekë për ti paguar të dyja. Të jesh kamarier apo banakier në Dibër është punë luksi sepse këtu njerëzve u shërben vetëm njëherë pastaj ata i shërbejnë vetë njëri-tjetrit.

Qyteti i Peshkopisë është një telenovelë më vete e keq-qeverisjes, korrupsionit dhe shkatërrimit të vlerave qytetare.  Zhvillimi urban i qytetit është në kaos të plotë, qyteti i Peshkopisë jo vetëm që nuk ka një plan urbanistik të zhvillimit të tij, por Bashkia me moton " ndërtoni ku të gjeni një vend lirë", i ka hapur rrugë një masakre urbane që ka pushtuar gjithçka: lulishte, hapësira boshe mes pallateve, kopshte, çerdhe, konsultore fëmijësh, ndërtesa publike dhe sociale. Lulishtet janë betonizuar nga garazhet pa fund të makinave dhe shtesat e pallateve pa project, që një zot e di se çfarë mund të bëhet me ta nëse bie ndonjë tërmet.

Në të dy anët e bulevardit gëlojnë tendat e lokaleve që pothuajse nga hyrja e qytetit në lagjen Dobrovë e deri në dalje tek ish-Ujësjellësi i qytetit kanë mbuluar trotuaret dhe po u nxjerin sytë kalimtarëve të përditshëm që kanë halle e punë në qytet. Kudo ndërtohet, ku me leje e ku pa leje.

Qyteti vetqeveriset sepse zyrtarët e djathtë të bashkisë nuk kanë forcë për të qeverisur, ata nuk i përfill askush, sepse mbështetësit e votës së vjedhur tani po marin borxhin e premtuar në fushatë.

Ndërtesa social-kulturore si teatri, qendra kulturore e fëmijëve, kinemaja etj janë lënë në mëshirë të fatit ose përdoren nga të zotët e tokës si depo për të mbajtur drutë e dimrit apo jepen me qera prej tyre.

Pallati i kulturës dhe pallati i sportit dy nga projektet më të mëdha të ndërtuara në Shqipëri pas viteve '90, në qytetin e Peshkopisë janë jashtë destinacionit për të cilën janë ndërtuar sepse Bashkia e qytetit kulturën dhe sportin në Dibër i ka varrosur përgjithnjë.

Ato janë kthyer në vatra korrupsioni ku paguhen dhjetra e dhjetra punonjës anonimë. I vetmi aktivitet që zhvillohet në pallatin e kulturës janë disa kurse private që lejohet të bëjnë vetëm njerëzit e pushtetit dhe një pijetore që i është dhënë gjasme me qera një nënpunësi të flaktë të PD-së. Po ashtu sheshi para pallatit të kulturës është shëndruar në lokal veror dhe dibranët me ironi thonë " se lokalin e kanë 50 me 50 Skënderbeu e një militant të PD-së".

Por Bashkia e qytetit të Peshkopisë ka një libër me histori të çuditshme korrupsioni që fillon që me godinën e Bashkisë e cila për ironi të fatit është sistemuar në godinën e muzeut të qytetit memorien e vet historike.

Megjithëse kishte ambiente të tjera publike shumë më komode ku mund të vendosej godina e Bashkisë, korrupsioni me blerjen e tokës dhe investimin e shndërimit të saj në Bashki janë arsye mëse të mjaftueshme që ajo të vendosej aty ku është sot.

Megjithëse janë investuar miliona, aty nuk shet e blen askush, sepse për të shkuar atje blerësit duhet të humbasin ditën vajtje - ardhje e më pas të kthehen në shtëpi me surratin gjithë pluhur dhe me këpucët të shqyera.

Por kjo nuk përbën aspak problem për zyrtarët e Bashkisë, e rëndësishme për ta është marja e 20% të tenderit të ndërtimit, pa qytetarët të shesin e të blejnë ku të duan. Por librit të madh të korrupsionit në Bashkinë e Peshkopisë nuk mund ti mungojë kompleksi i llixhave ose i ujërave termale. Këtu korrupsioni është unikal në llojin e vet në gjithë Shqipërinë.

Banorët që ushtrojnë një mini-turizëm familjar në këtë pjesë të qytetit njëlloj si në kohën e Turqisë paguajnë taksë nën dorë për çdo "kokë" njeriu të shtruar aty për hall dhe megjithëse Bashkia vjel miliarda lekë prej tyre, gjendja e shërbimit që u ofrohet klientëve është ajo e 30 apo 40 viteve më parë si në kohën e komunizmit në mos më keq sepse lekët përfundojnë jo në arkën e Bashkisë por në apartamente apo vila për zyrtarët vendorë në Tiranë.

Por llumi i zi i korrupsionit në këtë libër mbetet ujësjellësi fantazmë i qytetit ku u investuan miliarda lekë dhe uji i pisët që rrodhi nëpër çezmat e dibranëve gati sa nuk shkaktoi një tragjedi njerëzore dhe sot është jashtë funksionit dhe uji sot derdhet në lumin Drin.

Megjithëse ndaj zyrtarëve të Bashkisë së Qytetit të Peshkopisë ka patur vazhdimisht kallëzime penale nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, thonë se dosjet janë mbyllur e mbyllen për mungesë provash, por në kodin e korrupsionit njëlloj si tek kodi i mafias në Itali: dosjet mbyllen me të njëjtën procedure, sepse paria e qytetit nuk mund të hetohet dhe as të burgoset.

Si në mbarë Shqipërinë edhe në Dibër burgu është luks vetëm për hallexhitë dhe jo për ndonjë shtresë tjetër. Shkurt muhabeti banorët e Dibrës nuk qeverisen më nga pushtetarë e shërbestarë por nga agallarë e kusarë.

Dhe së fundi e keqja e gjithë të këqijave është se dibranët e kanë humbur shpresën tek shteti dhe institucionet e tij dhe po përjetojnë çdo ditë e më shumë një krizë të madhe besimi, ata nuk shpresojnë më se një ditë shteti do të kujtohet për ta.

Dhe nuk kanë faj sepse pushteti qëndror i ka harruar krejt, pushteti lokal është në shërbim vetëm të njërës palë, por edhe atyre u jep çfarë u tepron nga tasi i madh i korrupsionit pasi ngopen vetë.

Në administratën lokale apo në ndërmarjet në varësi të pushtetit qëndror në Dibër punësohesh vetëm nëse plotëson kriteret e vëna nga pushteti: të kesh mbaruar Fakultetin e Partisë Demokratike me notën 10 dhe në lëndën e militantizmit partiak dhe atë të manipulimit të votave në zgjedhjet e rradhës, të kesh marrë çertifikatën e masterit tek Ferdinand Pone në Ministrinë e Brendëshme.

Në Qark, në Bashki, në Komuna dhe kudo ku ka dorë shteti, punojnë gjithsej 20 apo 30 familje të lidhura në mënyrë nepotike me drejtuesit e institucioneve dhe me njëri-tjetrin.

Ndërsa Prefektura ku me shumë sakrifica falë një Prefekti jabanxhi, të shkolluar siç e ka dhënë zoti, është ruajtur niveli i përfaqësimit intelektual të kuadrove dibranë, së fundi është bërë target për politikën e djathtë në Dibër për të cilët prefektura nuk është gjë tjetër veçse një " çerdhe komunistësh" që duhet marrë me çdo çmim, paçka se Prefekti është i zgjedhuri i forcës së tyre politike dhe njeri me shumë vlera për popullin e Dibrës.

Por me gjasë edhe ky institucion së shpejti do bie në duart e të paaftëve dhe pastaj pushteti vendor në Dibër do të jetë në sintoni të plotë për sa i përket nivelit arsimor dhe kulturor. Dibrës e dibranëve nuk u qahen hallet dhe problemet e shumta që kanë, por pushteti i sotëm për tua marrë mendjen u ka premtuar se do tu ndërtojë Rrugën e Arbërit, për ta lidhur Dibrën me Tiranën për një orë.

Por nëse kjo rrugë do të ndërtohet një ditë, ajo do ti shërbejë më së miri integrimit të korrupsionit lokal me thesin e madh të korrupsionit të Qeverisë në Tiranë, pasi Dibra e dikurshme do jetë përmbytur nga konçensioni i Skavicës që pritet të firmosë së shpejti "Prifti i korrupsionit" dhe qyteti i Peshkopisë do jetë katandisur në një gërmadhë urbane ose do jetë kthyer në një fshat të madh pa njerëz. Por që të mos ndodhë kjo, lypset të zgjohet ndërgjegja e dikurshme e qytetarisë dhe e mençurisë Dibrane e cila duhet ti thotë "stop rrënimit" të mëtejshëm të vlerave dhe historisë së Dibrës.

Dhe kjo bëhet duke u çliruar nga frika e pushtetit dhe duke sjellë
në krye të punëve të Dibrës njerëzit e shkolluar dhe me vlera të mirëfillta qytetarie. Rradha për ta bërë këtë do të vijë së shpejti por lipset që dibranët ti bëjnë sytë katër se boll kanë duruar deri tani.

Që të largojmë varfërinë e Migjenit nga Dibra e pastaj të përpiqemi tu sjellim të rinjve internetin na duhet të mos pranojmë të qeverisemi nga ata që deri dje internetin e quanin shpikje kapitaliste.

7 Komente

Kete artikull e lexova nga gazeta dhe me pelqeu, ndonse dukej sikur anonte pak nga socialistet. Autori ne pergjithesi duhej te ishte me neutral per nje ceshtje situate ekonomike, megjithse ai fokusohej tek faktet.  

More shokeni, po a komunikatat per shtyp te Partise Socialiste sillni ketu si analiza te pavarura? Ulsi Manja ka qene kandidat per deputet i PS ne Diber ne zgjedhjet e fundit, dhe i takon te flase ne kete menyre. Edhe Shekullin e kuptoj. Po ketu pse e keni publikuar dhe i keni dhene kete vend te pamerituar? Jo ne Diber po askund ne Shqiperi sot nuk ka mjerim migjenian. Varferi ka por jo ai mjerim qe i shkruante Migjeni. Vete Dibra ja u dha pergjigjen kur votoi PD-ne edhe me 10 mije vota me teper se ne 2005. P.S. Mesa duket ky shoku socialist po pergatitet per zgjedhjet e ardhshme vendore, kjo te le te kuptohet nga shkrimi i tij.

Jo ne Diber po askund ne Shqiperi sot nuk ka mjerim migjenian. Varferi ka por jo ai mjerim qe i shkruante Migjeni.

 

Po mire, une kam disa pyetje pas leximit te mesazhit tend:

1. Po te kishte mjerim ne Shqiperi, a do ishe ti ne gjendje empirikisht ta dalloje?

2. Po moralisht do ishe i gatshem ta pranoje?

3. Nga se do e dalloje?

4. Si edhe, ku behet dallimi midis varferise edhe mjerimit? Aktualisht qysh ndahet varferia prej mjerimit se une nuk ja kam idene.

Si edhe me kryesorja.. kape cik kete se eshte thelbi i mesazhit:

5. A je ti, nje cope maskarai ashtu sic po me dukesh mua, e qe do besh sikur nuk i lexove kto pyetjet edhe nuk do pergjigjesh fare? Apo do pergjigjesh e do me provosh mua gabim edhe do i adresosh pyetjet ashtu sic eshte e moralshme te besh? Sepse kur flet per mjerimin e te tjereve dhe e mohon ate, ta kerkon imperativa morale ta mbeshtesesh e arsyetosh qendrimin tend sipas arsyes edhe fakteve.

flm

Disa gjana jane te verteta,ne kemi dobesi me e dijte tjetrin  se cfare partie politike i takon,si ne mesjete.Urbanizmi  eshte katastrofe,kete ska kush e mohon sepse ndertojne shtepi ku tia mare mendja.Me fjale te tjera eshte ma se e vertete se ,koncentrimi i kapitalit dhe investimeve  dhe shfrytezimi i te mirave materiale bahet me korupcion.Ana rurale dhe krahinat dhe fshatrat larg kryeqytetit jane lane anash.Investime te medha jane ba ne Durres nga biznesmen duke ndertuar hotele vetem e vetem te fitojne .

Shqiptaria ddhe pushtetaria  jone nuk punojne si duhet per te miren e gjithe banoreve.Nje fshat afer pogradecit  qe e pashe ne nji dokumentare,ishte si ne banglladesh e jo ne mes te Evropes,gjendja e tyre ishte metevertete mjeruese dhe per te ardhe keq,se si mund te lihen aq pas dore.Pra mos ia mern,i te gjitha argumentet  si te paverteta sepse keto i ndegjojme dhe i shofim.

Sa per ate se zoteriu asht kandidad i P.S. as qe me intereson politika,ate ie e ka per nje rroge te ushqej familjen dhe natyrisht se do tia zbraze te gjitha negativitetet deputetit dhe qeverise qe eshte ne pushtet.

Or nuk kam faj une qe te lexoj me vemendje . Ti thua perla ore

Jo ne Diber po askund ne Shqiperi sot nuk ka mjerim migjenian. Varferi ka por jo ai mjerim qe i shkruante Migjeni.... me teshkruar e ke po si Bombe e ke plasur o i nderuar Bulp .

Dy here Migjenin dhe asnjehere Fishten !!!! Ti me te vertete te habit . Kush e njeh Migjenin ore ne Diber .

Po te plotesoj une se me turperove mor fanua.

Ne mirdite nuk ka Migjene por vetem Epos ose muzike folklorike nga te Fishtes luajtur me cifteli nga shakaxhijte e perparimit me sazexhiun vucidolas si violine e pare z. ....( plotesoje vete me mire se mua ma marrin per sllavobolshevizem ) smiley

Bulevardo,

Si shume jane shtuar zedhansit e fukarait keto kohet e fundit. Mblidh ligen, shqyrtoni raportet e bodes, nenvizoni cdo shifer mbi 110%, sintetizojini dhe jepjani maratonomakut matit'ri ti shperndaje nga tema ne teme.

Ti thoni prijsit se ju ka hap pune qekur i qiti nga greva.

Do komentues "shkaravites" as qe e lexojne se cka eshte shkrue,me siper ndoshta  u vjen veshtire, me e kuptue artikullin .Nuk japin asnji mendim te sinqerte  dhe real , por vetem i "hudhin" do fjale ne leter  dhe  ; cka me intereson .Me fjale te tjera, as dreqi si kupton se ,cka kane fole  dhe cfare medimi kane shprehe ne lidhje me artikullin.

Kjo eshte ajo e keqja - qe nuk  duam te shprehemi  lirshem dhe drejte  .

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).