“Gjithnjë e më shumë po bëhet realitet motoja ‘kombi sytë drejt detit’, drejt Perëndimit”, tha para tri ditësh Kryeministri i Shqipërisë, pasi argumentoi me shifra rritjen e shumëfishtë të sektorit të turizmit, që ai nuk mund të mos e lidhte me rrugën e kombit. Edhe pse lajmi kryeministror për bumin turistik bregdetar viruloi me shpejtësi kryeministrore të gjitha mediat nuk besoj se mundi të neutralizojë fluksin e madh të realinformacionit për ndotjet tej normave thuajse kudo përgjatë bregdetit shqiptar. Personalisht e prita me indiferencë lajmin e Kryeministrit, madje me një dyshim në rritje. Dyshimin ma përforcoi një kronikë e shpenguar, shkruar nga Lutfi Dervishi (burimi: Facebook), i cili pas një përshkrimi të Bjeshkëve të Bukura (siç po promovohen me të drejtë Bjeshkët e Nëmura) në Valbonë dhe referencave të gjalla të vetë turistëve dhe agjencive turistike deklamon (të paktën para friends-ave): “Potencialisht është zona që mund të thithë më shumë turistë se bregdeti. Shqipëria nuk mund të konkurrojë me plazhet e bregdetit asnjë prej vendeve fqinjë, as Italinë, as Greqinë, as Malin e Zi e as Kroacinë. Një vizitë në këto plazhe të bind se kemi krijuar një mit për bukurinë “e papërsëritshme” të bregdetit të Jugut. Me Valbonën, me Alpet është ndryshe, mund të konkurrojmë të gjithë botën”. Nuk është se ndaj dhe unë të njëjtin mendim me Lutfiun (i ndodhur edhe nën ndikimin e “drogës” O2 të bjeshkëve), teksa pretendoj se e njoh mirë bregdetin e sidomos bregdetin e Jugut, por bashkohem me idenë që potencialet e zonave malore të Shqipërisë janë shumë më të mëdha se sa vlerësohen sot dhe se Shqipëria, duke mos i përdorur këto potenciale në mënyrë të qëndrueshme nuk mund të mbërrij trenin e dëshiruar për Europë, por mund të mbetet në ndonjë vagon periferik mallrash.
Dyshimi i zakonshëm

Duke qenë se inaugurimin e rrugëve drejt bregdetit e kemi përjetuar në vijimësi, gjatë këtij viti lajmi për një mbështetje të qeverisë për këtë sezon turistik ishte krijimi i një Task Force e ngritur direkt nga Kryeministri dhe e drejtuar prej tij për të pastruar me shpejtësi, me të gjitha mjetet, të gjithë zonën turistike. Në fakt, ajo që u duk si kulmi i aktivitetit të Task Forcës ishte sekuenca televizive e z. Mediu dhe z. Gjana veshur me uniformë blu shoqëruar nga disa të rinj te mblidhnin mbeturina diku në një plazh. Me përjashtim të mbërritjes më shpejt në plazh nga rrugët e shtruara me asfalt, të tjerat janë njësoj në mos më keq. Ja rasti im në Gjirin e Lalëzit. Së bashku me tre të rinj, njëri prej të cilëve holandez, në ditë jave shmangim Durrësin, duke e njohur ndotjen e detit atje dhe i drejtohemi Gjirit të Lalëzit, ku informacioni nga të gjitha anët ishte se deti është shumë i pastër. Në zonën e plazhit, diku ku tabela shkruan “Paradise”, menduam se kishim goditur në më të mirin plazh të Gjirit. Na erdhi mirë që një punonjës i komunës me distinktivin e identitetit varur në qafë të jepte biletë në hyrje të plazhit tek blloku i rrethuar (sa mirë) i pishave kundrejt pagesës së arsyeshme prej 100 lekësh. Një e ardhur e mirë për Komunën. Sapo kaluam brezin e bukur të pishave u shpalos madhërishëm një nga plazhet më të bukura të Adriatikut. Në pak sekonda vjen zhgënjimi, me përjashtim të një rripi rëre të pastruar, pjesa tjetër tmerr plastikash të hedhura gjithandej dhe dy kapule plehrash plastike, që digjeshin me zjarr të avashëm. Era e padurueshme e djegies së plehrave na shoqëroi në ndalesën për kafe para se të kapnim shezllonet. Në buzë të detit shijuam pastërtinë e ujit të detit. Vetëm 10% e çadrave ishin të zëna. Shikuam përreth mos kishte ndonjë WC portative, por jo. Atëherë nëse dikush do të shkonte për fundjavë në Gji të Lalëzit, kur plazhi të jetë plot me njerëz, thjesht për mungesën e WC-ve, edhe sikur të ndalohet (duhet ndaluar urgjentisht) djegia e plehrave, nuk do t’ia rekomandoja kujt Lalëzin. Dhe një merak tjetër, gati universal këtu në Shqipëri. Në tavolinë të drekës restoranti të ofron dhe setin me vaj e uthull për sallatë, por është e papranueshme që në vendin e ullirit, në 90% të rasteve, përfshi dhe restorante me yje, nuk të ofrohet vaj ulliri, por një tjetër vaj, ndoshta dhe jo ushqimor, që disguston drekën aspak të lirë, dhe të gjithë menynë tradicionale mesdhetare të vendit.
Dyshimi i madh

Ka shumë të ngjarë që ndërsa Berisha i mëshon shprehjes “Kombi sytë drejt detit” tani në muajin e fluksit turistik, e gjitha të jetë një dekor i pranueshëm për instalimin në bregdetin shqiptar të një sërë veprash të mëdha ndotëse, që e shkatërrojnë turizmin. Qeveria e tij po përfundon termat e kontratës me kompaninë “Zumax” për ngritjen e të dytit port më të madh të konteinierëve ndër vendet e Mesdheut, pas atij të Algecires në Spanjë. Ky port me volumin e 3 milionë konteinierëve në vit dhe me territor privat në det nga Plazhi i vjetër deri afër Sazanit (rreth 900 hektar) fshin në mënyrë përfundimtare Gjirin e Vlorës nga harta turistike. Madje ky plan, së bashku me planin e zonës së lirë (500 hektarë te tjera në bregdet) fshin nga harta vetë qytetin e Vlorës si qendër e rëndësishme banimi në Jug të Shqipërisë. Ndërsa për të eliminuar turizmin elitar në këtë Gji mjaftojnë 250 super kullat nga 117 metra të larta të parkut eolik të parashikuara të gardhojnë kreshtën e Karaburunit. Nëse i kthehemi Gjirit të Lalëzit mund të thuhet se plani për ndërtimin e parkut energjetik me TEC-e me qymyr e rafineri në kufij me të në Porto Romano do ta kthente atë vetëm në një plazh të frekuentuar nga pleqtë e fshatrave përreth për të kuruar reumatizmën me rërën e nxehtë. Plazhet në Gjirin e Shëngjinit gjithashtu do të fshihen nga harta turistike sapo aty të ndërtohen terminalet për eksportimin e çimentos dhe TEC-et me vajra vegjetalë, për të cilat lejet nga qeveria janë gati. Ka shumë të ngjarë siç ndodh rëndom, që tash në muajin e gushtit, kur vëmendja e opozitës dhe publikut për punët e qeverisë bie, vetë qeveria “punon” fort me finalizimin e këtyre veprave e i bën gati për t’i kaluar dhe në Kuvend në ndonjë ditë të rrëmujshme të shtatorit. Frika është e madhe se kur shqiptarët të kenë marrë pasaportën për të lëvizur lirisht në Europë, njëherazi do t’u duhet “pasaportë” për të lëvizur brenda hapësirave të territorit të vendit të kontraktuara për kompanitë e huaja që dëshirojnë të fitojnë më shumë, duke çliruar ndotjet e mëdha në brigjet pa vlerë (më saktë të vlerësuar me 1 euro) të Shqipërisë, kurse turizmi bregdetar do jetë një përrallë e së shkuarës.
 

7 Komente

Ka vite qe flitet per gjendjen e bregdetit shqiptar e vit per vit gjendja rendohet gjithmone e me shume. Sot per sot jemi ne nje situate katastrofike. Ne te gjitha kuptimet. Qofte persa i perket ndotjes ambientale (rera, pishat, deti), qofte persa i perket cilesise se ndertimit dhe te kontrollit te territorit, qofte persa i perket cilesise se sherbimit.

Miti i Jugut te bukur, por edhe i Shqiperise se bukur, nuk ka qene patjeter mit. Shqiperia ishte e bukur. Natyra shqiptare ishte e bukur, nje here e nje kohe.

Eshte e turpshme qe kete natyre te bukur qe Zoti na e ka dhuruar, ne e kemi keqtrajtuar ne nje menyre te pameshirshme. Dhe eshte akoma me e turpshme qe disa te tjere kane ende kurajon qe te krenohen me kete katastrofe ambientale.

Kur ne dolem nga regjimi komunist, shumica e zonave bregdetare ishin te kontrolluara nga ushtria dhe te pashkelura nga turistet.

Ne kishim nje aset fastastik totalisht te virgjer, fale te ardhurave te te cilit do te jetonim si mbreter ne dhe femijet e niperit tane.

Ne vend qe ta shfrytezonim sic duhet ne e kemi perdhunuar ate. Dhe mire qe per natyren e per territorin s'po na e ndjen shume, por une cuditem se si nuk na e ndjen per xhepin te pakten.

Me ato bukuri qe kemi pas, do te ishim milionera sot. Perkundrazi jemi kthyer ne fakira qe marrim lemosha, derisa edhe budallai i fundit te kuptoje qe me ate gjendje sic eshte sot, eshte cmenduri t'i kalosh pushimet ne Shqiperi.

Sigurisht, ky krim i madh do te jete ne ndergjegjen e politikaneve te pandergjegjshem qe na kane drejtuar keto 20 vjet, kur nje dite t'ju kthehet ndergjegjia. Duhet te ishin administratore te ketij vendi. Jane kthyer ne plackitesit me te pangopur te tij.

Hajdutë të papërgjegjshëm e të paprekshëm po e po por dhe koqe kanari  si të gjithë të paaftët.

Sic duken bathet edhe Gjiri i Lalzit s`qenka gje. Kisha qejf ta shikoja vete, mirpo duke qene se administrata e Buall Mavrise po me zvarrisin marrjen e nje certifikate, jam bllokuar dhe nuk po shoh as dhe Currilat, e jo me Gjirin e Lalzit.  

 pse qaheni...kryetrari thote se nr i turistave eshte shtuar dhe turizmin do ta beje degen me te rendesishme te ekonomise shqiptare...

pak durim e besim duhet...ne shquhemi per rekorde...ja u merrte mendja se ne 20 vjet nga nje breget te virgjer do kishim kete te sotmin...kemi ndertu 200% me shume se greku e italjoni te marre bashke ne keto vite...statistikat nuk genjejne e prandaj qeveria ka vendosur te flase vetem me statistika...nqs ndotja eshte rritur edhe me 200% kjo eshte normale pasi zhvillimi, modernizimi i ka keto...parku eolik ka funksion te dyfishte, fitim energjie si dhe njehkohesisht do pastroje detin duke i fryre ujrat e zeza drejt brigjeve italiane...e per mos me pase problem me italionin do ndertohet nje mur, pjesa me e madhe e tij me copa nga muri Berlinit...qeveria ka plane te medha...

durim e besim....

 

Kam kaluar neper bregdetin e kroacise dhe malit te zi. Bregdeti i jone ,sidomos ne jug eshte shume larg me i mrekullueshem. Sidomos mali i zi ka koma kampet e kohes se titos, pa televizor,frigorifer dhe komndincioner. Banjo me pllaka te rame, si dhe buburece qe varen tek dushet e shkaterruar. Dhe te mendosh qe per to paguan 25 euro. Megjithate duhet pranu, qe plazhet tona jane kaotik, me ndertime pa kontroll fare. Kjo eshte "merite" e edukates intelektuale e institucioneve tona, qe nuk krasiten asgje drejt kulturimit, por drejt hajnise dhe kaubojsizmit

 Edhe njehere faji i gjendjes se bregdetit ne meshiren e fatit eshte i qeverise, e cila nuk eshte ne gjendje te kontrolloje me ligj kapitalizmin primitiv dhe kaotik shqiptar! Pse nuk vendosin nje vije te verdh per ndertimet,ku dhe si te ndertohen? Ku jane projektet planet?, te pakten ne kete drejtim, te kopjonin kohen e socialismit, nese akoma nuk kane kuptuar zhvillin e kapitalizmit ne perendim!

 Dhe nuk jane te vetmit ata qe nuk e kane kuptuar. Asnje ne Shqiperi akoma nuk e ka kuptuar qe shteti nuk eshte vetem qeveria. Po nuk u ankua asnje nga ne me protesta e referendume asnjehere nuk ka per te patur plazhe te pastra dhe natyre te bukur. Hiqeni nga mendja qe mjafton te votojme njehere ne 4 vjet dhe i kemi lare duart nga kjo pune.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).