http://www.shekulli.com.al/2010/08/12/Fati%20i%20kultit%20te%20athinase%20ne%20Egjiptin%20e%20lashte.jpg

Historiani Siri Hoxha në kuadrin e një studimi të komuniteteve fetare dhe sidomos feve të mëdha monoteiste në zhvillimin historik, gjen edhe një shteg për një fenomen të pastudiuar në historinë e krishterimit të hershëm në qytetet ilire: fenomeni i refuzimit të shëmbëllimit të perëndive pagane

Ka një fenomen në historinë e hershme botërore të feve të mëdha monoteiste, ikonoklastia, që nuk ka zënë vend në studimet albanologjike si fenomen i ndodhur edhe në territorin e qyteteve të Ilirisë.

Kriza e shoqërisë antike dhe lindja e krishterimit, po përmbyste çështjet e besimit të kulturave pagane. Nisur nga ky moment i lindjes së religjoneve monoteiste, historiani Siri Hoxha ka hapur një shteg të ngushtë në studimin e tij edhe për fenomenin e ikonoklastisë.

Te kultura qytetare ilire gjatë shekujve të parë të erës sonë ai analizon këtë fenomen të refuzimit të idhujtarisë, të inkarnimit të perëndive dhe shëmbëlltyrave të tyre edhe në veprat e artit plastik. Shekujt I-III e. r përfaqësojnë një nga periudhat më të lulëzuara të këtij arti edhe në vendin tonë dhe qendrat më të rëndësishme për veprat skulpturore, janë Apolonia, Dyrrahu, Butroti, Bylisi, Foinike.

Siri Hoxha ka kryer studimet universitare më 1991-1995 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë në departamentin e Historisë Bashkëkohore për disa vjet.

Ka kryer studime për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Francë dhe aktualisht vazhdon doktoraturën për Shkenca Politike pranë Institutit IRERIE për Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Aktualisht është i angazhuar në arsimin privat. Është pedagog i Komunikimit Masiv në Universitetin "Pavarësia" në Vlorë

Ju keni në duar një studim me objekt fetë e mëdha monoteiste. Me interes për ne është një shteg shumë i ngushtë që duket se do ta hapni në studimin tuaj: fenomeni ikonoklast në krishterimin e hershëm në Iliri.

Objekti im i studimit ka të bëjë me marrëdhëniet e ndërsjella mes shtetit edhe komuniteteve fetare dhe në ditët e sotme. Në gjerësi, studimi shkon edhe te përmbajtja e vetë feve, sidomos feve të mëdha monoteiste, zhvillimeve të tyre historike në kohë dhe hapësirat ose statusi i tyre në kohën e sotme. Në këtë aspekt çdo lloj gjëje që më jep ide rreth kësaj lloj teme, më intereson.

Rasti shqiptar ç'vend zë?

Studimi është i vendosur në një plan krahasues. Fillimisht në një plan me procese të ngjashme në Turqinë e re, moderne, njëkohësisht shtrihet edhe në përvojën evropiane perëndimore të trajtimit të komuniteteve fetare dhe statusit të tyre të sotëm. Sepse janë një sërë fenomenesh që po lindin, ndërlikime politike dhe legjislative të vendeve të ndryshme të Evropës në lidhje me këtë çështje të cilat kërkojnë një rikthim në histori, për të parë rrënjët e fenomenit dhe ardhjen e sotme. Janë probleme të cilat mund të bëhen madhore nëse nuk trajtohen me kujdes dhe nëse nuk shihen mirë.

Çfarë ju shërbeu si shkas për t'i hedhur sytë te një fenomen që lidhet me artin plastik të skulpturës në antikitet dhe me religjionin?

Në këtë aspekt ka disa vjet që më ka tërhequr vëmendjen fenomeni i statujave, i skulpturave pa kokë, ose të dëmtuara dukshëm me dorë në muzeun arkeologjik të Durrësit.

Ciceroni aty të flet shkurt dhe në mënyrë kalimtare për idenë ikonoklastisë në qytetet ilire në antikitet. Më duket bindëse, për ato njohuri që unë kisha në lidhje me rrënjët e feve të mëdha monoteiste dhe origjinën e përbashkët në fillimet e tyre.

Ato që ne sot i shohim si dallime mes këtyre feve, mes Krishterimit dhe Islamit, në origjinë kanë pasur aq shumë të përbashkëta. Kjo më interesonte: për të parë edhe zhvillimet historike deri në ditët tona, për të parë në një plan krahasues sot dallimet mes dy feve.

Një të përbashkët ju e shikoni te veprat e artit të antikitetit?

E shoh te ky fenomen, fenomeni i quajtur ikonoklasti, jo e kohës së kryengritjeve së ikonoklastëve apo atyre lëvizjeve që çuan në ndarjen e kishës në dy kahe, kahu perëndimor dhe kahu lindor i cili i takoi Bizantit, ose kahu ortodoks. Për paradoks, këtu duhet thënë që, ata që u ngritën si ikonoklastë, pra pjesa lindore, u bënë më ikonoklastë se sa kisha ortodokse për shembull.

Vetë termin "ortodoks" e kanë marrë për shkak të qëndrueshmërisë ndaj parimeve bazë. Ndërkohë që kishat ortodokse sot janë dukshëm të mbushura me figurën, me ikonën, krahasuar me kishat katolike.

Ndërsa judaizmi, feja e popullit hebre, ka ecur në tjetër drejtim, qëndron besnik ndaj parimit të mosinkarnimit, mos shfaqjes së shëmbëlltyrës, por ka ndërkaq, devijime të natyrave të tjera nga baza e vetë.

Si u konsolidua ky vëzhgim juaji?

Shpjegimi bazë, ka të bëjë me këtë se fetë në fillimet e tyre janë monoteiste, i besojnë një zoti të vetëm. Dhe thelbi i tyre ka qenë ky: Ato kanë ardhur për të përforcuar këtë fakt dhe për t'i bindur njerëzit në këtë rrugë. Pastaj me kohën gjërat kanë lëvizur. Njerëzit kanë devijuar në besimin e tyre në një zot të vetëm.

Në fillimet e Islamit, arabët e hershëm nuk ishte se nuk besonin zotin, Allahun, si të vetmin zot. Por besimi i tyre ishte i përzier me idhujtari. Ata besonin që krijuesi i qiejve dhe i tokës ishte një dhe i vetëm, ishte Allahu, mirëpo idhujt prej guri dhe druri me të cilat kishin mbushur vendet e tyre të adhurimit, i quanin si ndërmjetës.

Këto ishin figurina që mishëronin njerëz të caktuar që kishin pasur një status të lartë shoqëror dhe që me kohë, pas vdekjes së tyre kishin filluar të adhuroheshin si ndërmjetës.

Siç shohim sot fenomenin e kërkimit të ndihmës në varre e "vende të mira". Islami ngrihet kundër praktikave dhe teorizimeve të tilla. Sipas tij: zoti është një dhe i vetëm, ai nuk ka nevojë për ndërmjetësim, njeriu është i udhëzuar t'i drejtohet atij në mënyrë të drejtpërdrejt dhe padyshim përgjigjen e merr në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Atëherë ky është kuadri. Si qëndron puna në Dyrrahun antik, në Butrot, Apoloni, Foinike etj? A është studiuar në art fenomeni i refuzimit nga vendasit të idhujtarisë?

Autorët shqiptarë e kanë cekur shumë përciptas, nuk kam parë trajtime të veçanta. Fenomeni nuk është studiuar.

Për arsye të ideologjisë së regjimit të fundit?

Ndoshta, por besoj që mungesa e bazës teorike nuk i ka lejuar arkeologët që t'i afrohen fenomenit ashtu siç i duhej afruar. Thjesht nuk e kanë fenomenin të lidhur me shekujt e parë të pranimit të Krishterimit. Duhet thënë që Krishterimi ka kaluar një periudhë shumë të vështirë në perandorinë romake para se të bëhej fe zyrtare.

Jemi në shekujt e parë pas Krishtit, shek. II-IV. Në fakt ky fenomen, ikonoklastia i takon tamam periudhës kur komunitetet kristiane në qytetet e Ilirisë kanë filluar të bëhen mbizotëruese. Pra në atë moment kur ato kanë pasur forcën të bëjnë diçka të tillë dhe fakti që ato nuk kanë arritur ta shtrijnë fenomenin në të gjitha llojet e prurjeve të kulturës pagane, tregon që ato kishin arritur të kenë njëfarë force, por jo gjithë forcën e duhur për ta mposhtur këtë kulturë.

Shekujt e mëvonshëm tregojnë që kultura pagane i mbizotëroi, madje arriti që Krishterimin ta devijojë në një fe monoteiste me një përmbajtje pagane brenda, dhe lufta e ikonoklastëve prandaj shpërtheu sepse fenomeni u bë shumë i përhapur. Pa dyshim që një bazë e mirë e shëndoshë e komunitetit kristian kërkoi t'i kthehet origjinës së fesë, parimeve bazë.

Fenomeni i ikonoklastëve shkaktoi disa luftëra. Ai u bë shkak për një ndarje fetare të gjerë me pasojë ndarjen e kishës katolike dhe ortodokse dhe më pas për ndarjen e protestantizmit, për luftën ndaj ndërmjetësimit të Martin Luterit.

Edhe Islami ka pasur momente të vështira të përplasjes brenda për brenda për dominimin e kulturave. Islami u rrezikua të përçahej kur u zgjerua në drejtim të Persisë. Kultura perse është një kulturë e zhvilluar dhe idhujtare, zjarrputiste.

Persët, duke pasur një lloj mendjemadhësie në raport me këtë, megjithëse u bënë pjesë e Islamit, realisht nuk e pranuan kurrë atë. Dhe në momentin e parë që u shfaq një konflikt politik brenda Islamit, u zhvendos në drejtim të Iranit dhe të Irakut të sotëm dhe lindi çarja më e madhe që njohu Islami, në mes sunitëve dhe shiiave. Kjo ndodhi në shek. VIII.

Kthehemi te monoteizmi në Iliri. Komunitetet kristiane në qytetet ilire, kanë arritur të kenë të drejtë qytetarie dhe njëfarë force për të shmangur atë që binte ndesh me parimet e tyre fetare.

Është rast statuja e Minervës e zbuluar në 2002 një shembull për ilustrim?

Mund të jetë. Kultura e kohës që flasim ka qenë kozmopolite. Illyricum ishte një provincë e perandorisë romake dhe asnjë fenomen që lidhej me krishterimin e hershëm s'mund të ishte një fenomen i vendasve. Madje dhe për vetë perandorinë romake, krishterimi kishte ardhur nga provinca e Judës. Do të kalojnë shekuj të vështirë që Krishterimi të marrë status zyrtar nga Perandori Konstantin.

Dy raste: Dy statuja mermeri, Artemisa dhe Apoloni të shek. II e.s. statuja pa koka të zbuluara në vitet '60, njëra në Butrint dhe tjetra në Finiq. U kthyen në Shqipëri pas trafikimit në Greqi në vitin 2008

Në vitin 2002 u zbulua në Butrint një shtatore që mendohej se paraqiste perëndinë Minerva. Shtatorja ishte krejtësisht i shfytyruar. Më pas u arrit në përfundimin se ajo "paraqiste" një figurë burri veshur me togë, që njihet në manualet e historisë së artit, me emërtimin "shtat togat".

Histori

Periudha e antikitetit të vonë karakterizohej nga kristianizimi i artit. Është momenti i ideologjisë së hershme kristiane. Në relievët e sarkofagëve, i ashtuquajturi art popullor ilustronte skena nga Bibla.

Arti helenistik dhe romak u zunë, ndërkaq, vendin arteve të mbretërive orientale. Ishte ky art që u kishte mësuar njerëzve të përfytyronin zotat dhe heronjtë në trajtë sa më të bukur.

Një fe tjetër orientale, që mësoi si të paraqesë ngjarjet e shenjta për të edukuar besimtarët, ishte feja e hebrenjve. Nga frika se mos përhapej adhurimi i idhujve, kjo fe e kishte ndaluar krijimin e shëmbëlltyrave.

Lindja e kristianizmit shënonte praktikisht fundin e botës së lashtë.
Më 311 Perandori Kostandin themeloi kishën kristiane si pushtet brenda shtetit, në mënyrë të veçantë në vitin 313 i e.s. kur edikti i Milanit, e shpalli Krishterimin fe zyrtare të perandorisë romake. Më 333 Kostantini transferoi kryeqytetin e perandorisë në Bizant që e ruajti këtë rol deri në vitin 1453 kur u pushua nga osmanët.

Më 395 perandori Teodos e ndau përfundimisht perandorinë në dy pjesë dhe më 397 ndaloi me ligj ushtrimin e kultit pagan, duke e njohur krishterimin si fe të vetme. Tempujt, amfiteatrot dhe teatrot u mbyllën dhe kultura antike u mohua.

Të gjithë kristianët e hershëm qenë të një mendimi: në shtëpinë e zotit nuk duhet të ketë statuja. Statujat u ngjanin atyre idhujve hijerëndë të të pafeve që Bibla i kishte dënuar.
Qëllimi i artit në kisha qe me rëndësi të madhe për mbarë historinë e Evropës.

Ishte një nga çështjet kryesore për të cilën pjesët Lindore, greqishtfolëse të perandorisë romake me kryeqytet Bizantin apo Kostandinopojën, kundërshtuan të pranojnë Papën latin si udhëheqës. Një palë ishte kundër shëmbëllimit me karakter fetar. Ata u quajtën ikonoklastë ose prishës shëmbëllimesh. Në vitin 754 ata morën epërsi dhe i gjithë arti fetar u ndalua në Kishën Lindore.

1 Komente

Sinqerisht... nuk e marr vesh se çka dashur të thotë autori!!

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).