Institucioni legjislativ, ndryshe nga të gjitha institucionet e tjera ka shtuar 69 punonjës

Slogani i famshëm i të djathtëve për një qeverisje të vogël, apo siç u tha ndryshe, i qeverisë në dietë, nuk rezulton të ketë qenë përqafuar nga të gjitha institucionet qendrore. Pavarësisht masave të vazhdueshme të qeverisë për të kufizuar në maksimum shpenzimet nëpërmjet shkurtimeve në administratë, pati edhe nga ato institucione që jo vetëm nuk ecën në këtë politikë, por përkundrazi vijuan të shtojnë numrin e punonjësve dhe rrjedhimisht dhe të shpenzimeve për paga e dieta. Njëri prej këtyre institucioneve, ku një fenomen i tillë rezulton të jetë dominant thuajse në çdo vit, është edhe Kuvendi i Shqipërisë, në të cilin numri i punonjësve në katër vjet, jo vetëm që nuk u pakësua, por u shtua me gati 70 vende.

Shtimi i punonjësve

Siç edhe pasqyrohet në tabelën 1.1 të Buxhetit të Shtetit, të rishikuar në muajin korrik, numri i punonjësve të Kuvendit të Shqipërisë është 349 vetë, ndërkohë që fondi për gjithë aktivitetin e këtij institucioni shkonte në 800.7 milionë lekë të reja. Një numër ky, që e rendit këtë institucion të dytin pas Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor me 1166 punonjës, ku natyrisht përfshihen të gjithë gjyqtarët dhe punonjësit e administratës së gjykatave në gjithë vendin. Krahasuar me vitin e dytë të qeverisjes së demokratëve, kur Kuvendi drejtohej edhe atëherë nga Jozefina Topalli, vihet re se në pamje të parë numri i punonjësve ka një rënie, por kjo vetëm për shkak të heqjes së shoferëve të deputetëve. Kështu, në vitin 2006, për të cilin ne zotërojmë të dhëna përsa i përket numrit të punonjësve, institucioni legjislativ ka pasur plot 410 të punësuar, nga të cilët kanë qenë 130 shoferë deputetësh (kaq ka qenë numri i shoferëve të deputetëve, pasi pjesa tjetër e deputetëve ishin ministra dhe shoferët paguheshin nga dikasteret përkatëse). Kështu, nëse zbresim nga numri total prej 410 punonjësish që kishte Kuvendi në vitin 2006, numrin 130 që ishte numri i shoferëve, del se ky institucion në atë vit kishte 280 të punësuar në administratë. Po ta krahasojmë këtë shifër me numrin aktual të punonjësve, 349 (në fund të vitit të shkuar u hoqën 130 shoferët e deputetëve), rezulton se ai është rritur me 69 punonjës, këta të shpërndarë në drejtori të ndryshme të këtij institucioni, duke filluar që nga ajo e botimeve parlamentare, deri tek zyra e Shërbimit të Informacionit.

Drejtorët nga Shkodra

Një fenomen tjetër i vënë re në institucionin legjislativ gjatë kohës së drejtuar prej Jozefina Topallit është edhe ai i rekrutimit të punonjësve, kryesisht nga zona apo krahina prej nga vjen dhe titullari. Në këtë rast, nga qarku i Shkodrës, vetëm nga vështrimi i organogramës së këtij institucioni në rang drejtorësh, rezulton se shumica e tyre janë me orgjinë nga rrethi i Shkodrës dhe më e pakta nga qarku i Shkodrës. Nga 23 drejtorë apo krerë shërbimesh në Kuvend, 12 prej tyre janë me origjinë nga vendlindja e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Një raport i tillë shtrihet edhe më poshtë në të gjithë administratën e Kuvendit.

2 Komente

Zogu me matiane,Enver hoxha me gjirokastrit, sala me tropojan, Topalli me shkodran,Haredinaj me dukagjinas,Meta me skrapardhi, Thaci me drenicar, Sejdiu me llapjan. Bajraktaret nje fytyre kane

C'rendesi ka nga jane keta. A bejne ndonje pune apo jane vene drejtora per te dredhur zinxhiret?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).