1. Një tragjedi e tmershme tronditi Shqipërinë para ca ditësh. Një autobus mbushur me udhëtarë të pafat u gremis në Gjegjan të Pukës.
Përpos shpalljes së zisë kombëtare, për të theksuar pjesmarrjen e të gjithëve në këtë dhimbje të madhe, nuk mund të qëndrohet vetëm me kaq.
Tre reffleksione besoj se ja vlen të shtohen në vend të tre trëndafilave, në arkivolin e kësaj tragjedie…
Sëpari rrjeti ynë rrugor është nga pikëpamja e sigurisë një mjerim i paparë. Unë udhëtoj shpesh me makinë nëpër Shqipëri dhe ngado na shoqërojnë si bashkëudhëtare greminat.
Gremina të thella, gremina të cilat po pate fatin e keq të gremisesh në to, nuk ke mbrojtje dhe nuk ke shpëtim.
Duke shkuar këto ditë për të parë fëmijët që pushonin në Sarandë dhe duke patur të freskët pamjet e përgjakura të tragjedisë, te kthesat e Ballshit identifikova me dhjetra pika të pambrojtura fatale. Rruga e ngushtë, me kthesa 180 gradëshe, e cila shpesh bie thikë, dhjetëra në mos qindra metra në greminë, nuk ka asnjë mbrojtje, asnjë gardh dhe asnjë mur. Këtë realitet mund ta ndeshësh edhe gjatë rrugës spektakolare Gjirokastër - Sarandë( përtej Qafës së Muzinës), tejet e rrahur në verë. Të mos flasim pastaj për Qafë Krrabën dhe qafa të tjera malesh, ku rruga dhe gremina ndahen vetëm nga nje vijë horizonti apo ndonjë shkurre e shtrembër.
Nëse mjerisht të shpohet goma, të bllokohet timoni apo je i dehur, je në të njejtën kohë i dënuar me vdekje.
Duke qënë se jam kundër dënimit me vdekje, duke qënë se është e padrejtë të vdesësh thjesht sepse rruga nuk ka gardh, më duket me vend, që krahas Zisë Kombëtare, të shpallet, qoftë edhe si qëmoti, një aksion i madh Kombëtar, për sigurinë rrugore, që të kemi kësisoj, sa më pak qoka mortore.
Sëdyti, refleksion që buron nga i pari, përse ne shqiptarët, nuk kemi dëshirë të merremi dhe me gjëra të vogla, por nga e cila mvaret shpesh jeta jonë? Nuk kemi një shoqatë apo sindikatë serioze shoferësh që të mbrojnë jetën e tyre, nuk kemi një inspektoriat rrugor që të ulurasë për pasigurinë rrënqethëse të rrugëve tona?
Nuk kemi me shumicë politikanë, që t’u dhimbset pylli, lulja, shatërvani, jeta e përditshme dhe e vogël, e “robit”? Dhe për më tepër kur më të shumtit e tyre vijnë nga pylli, zabelet me lule, shatërvanet e natyrës dhe nga familje të varfëra?
Së treti, askush nuk foli sa duhet, se si do të vijojë jeta e jetëimëve të kësaj tragjedie të evitueshme nga një gardh metalik, si do të kurohet dhe mjekohet nga ana sociale dhe njerëzore kjo tragjedi. Ngritëm flamurin në gjysëm shtize dhe kaq? Varrosëm dhe mjekuam energjikisht të mbijetuarit dhe Vetëm Kaq?
Shumë pak, ose aspak për një shoqëri me fytyrë njerëzore.


2. Korfuzi është shumë shumë afër me Sarandën. Shumëkush mund të shkojë vetëm për 30 minuta me motoskaf të shpejtë pasagjerësh.
Këtë vit shkova për herë të parë edhe unë.
Sapo mbrrita dhe shkela në tokë të Kërkyrës më verboi gjelbërimi.
Dikush mund të thotë a të verbon vallë gjelbërimi?
Ja që ndodh kur vjen nga Tirana, i etur për pak bar, lule apo Zot na ruaj ndonjë pemë…
Nuk po flas për ndërtimet dhe rrugët e këndshme të Korfuzit, por për pemët. Sa shumë pemë.
Sa shumë gjëra të vogla në vendin e vet.
Sa ndryshe nga Saranda e sotshme e cila po gjymtohet nga ndërtime betoni që ngulen si dhëmbë të mëdhenj duke shpelluar malin dhe shkëmbin, të cilin më parë e rruajnë pa shkumë nga gjelbërimi dhe pemët.
I njejti det, e njëjta përbërje gjeologjike e tokës, pothuaj i njejti reliev, porse dy realitete krejt të ndryshme.
Të mos i kisha parë ca vite më parë me sytë e mi, pishat dhe gjelbërimin e shumtë të Sarandës, nuk do guxoja të akuzoja askënd, por ja që i kam parë.
Atëhere?
Ky është turizmi që dimë të bëjmë dhe duam të bëjmë?
Beton turizëm?
Të vrasim pishën, të ngrohemi në zhur, të paguajmë shtrenjt vendin dhe cadrën e plazhit batakciut të rradhës që ka pushtuar bregdetin dhe të fusim kokën në apartamente të ngushta me pamje nga betoni dhe pak nga deti.
Dreqi e mori sa gjëra rrinë mbrapsht, ndër ne, sa gjëra të “vogla” në vendin e gabuar.
Mos e thërrasin ndryshe edhe Antikulturë?


3. Ferra e vogël fsheh lepurin e madh. Me ferra të tilla të vogla ja vlen të merresh, sidomos tani në verë kur elefantët e politikës lënë për ca kohë skenën dhe panairin.
- Përse ti mendon se mund të bëhet ky vend (Shqipëria)? - më pyeti dikush duke treguar me dorë Tiranën në pikë të vapës.
- Vrapoj përditë nga Liqeni, përditë dicka që nuk shkon shtohet e shtohet. Ndërtime, rrugica të shqepura, plehra që shtohen, liqeni që mehet, qyeteti i ri që po lind brinjazi me Tiranën.., si quhet? Sharrë? - vazhdoi ai.
- Jo i thashë, Sharra është aty ku varrosesh. Por edhe aty nuk ka më vend për varre. Varrosa xhaxhain para ca javësh.
- Ku e varrose, kur nuk kishte vend? Lodra fjalësh bën ti? - ma ktheu bashkëbiseduesi.
- Në një ish rrugicë që ndante dikur parcelat e varreve. E kishin futur në përdorim edhe atë.
- Tmerr!
- Tmerr!
- Nga kush varet varreza?
- Nuk e di. Apo ndoshta nga Bashkia?
- Ndoshta. Po materniteti?
- Nga Ministria më duket.
- Tmerr!
- Pse? Nuk është edhe aq keq aty, kemi Halim Kosovën.
- Tmerr kur mendon që maternitetin e ka pushteti qëndror kurse varrezat pushteti lokal!
- Po pse tmerr pra?
- Dëgjo, mendo pak, Bashkisë ja kanë bërë me hile. Njeriu lind dhe ikën shpejt nga materniteti, kurse në varrezë shkon dhe ngelesh aty përgjithmonë. Prandaj nëse materniteti ka një numër të caktuar shtetërish, varret e varrezave vetëm shtohen… më kupton? - këmbënguli bashkëbiseduesi.
Unë nga ana tjetër mendoja për Sarandën. Të shkosh aty rezikon kokën nga rrugët e tmerrshme dhe pa gardhe mbrojtëse, pemët i prenë, tani dhe pak do të ndosin edhe ujin. Po u lave në det dhe pive pak ujë apo të kapi ngërci, mbytesh sepse roje bregdetare nuk ke. Po vdiqe duke u gremisur apo duke u mbytur, varr ske se varret u mbaruan…
- Ore mik, meqë nuk ka më varre, si thua pse nuk luftojmë të bëhemi të pavdekshëm? - ja këputi miku sikur tmë kish lexuar mendimet.
- E c’më duhet mua se c’mendoj unë? - kopjova një thënie të Shvejkut dhe u ktheva në anën tjetër.
Ndërkohë filluan në ekran lajmet dhe pashë një deputet me shishe në dorë, ndërsa një tjetër që godiste gardistin. Të tjerët ose qeshnin ose shanin me libër shpie.
- Më duket se ai grumbulli i shtëpive pa lidhje përtej Liqenit, ka ndërmend të shtrihet edhe brenda liqenit, se i ka dalë pronari dhe Liqeni do të thahet.
- Punë e madhe, unë shkoj dhe vrapoj jashtë shtetit, për ca javë do të hiqen edhe vizat - ma ktheu ai.
I pashpresë për të frymëzuar shpirtin civil të shoqëerisë civile, mbolla me përfytyrim një pyll të vogël në mes të Tiranës dhe gjumi më zuri më shpejt se herët e tjera…

14 Komente

 Nëse mjerisht të shpohet goma, të bllokohet timoni apo je i dehur, je në të njejtën kohë i dënuar me vdekje.

 

Mjerim s'janë vetëm rrugët, mjerisht.

Zheji shkruan mire, por vetem kaq, ama.

Pjesa e trete sec me sjell ndermend nje tregim rreqethws te A. Orhanit, a ndoshta me duket mua keshtu. Jo humor i zi, por i sterrosur.

Nuk kemi me shumicë politikanë, që t’u dhimbset pylli, lulja, shatërvani, jeta e përditshme dhe e vogël, e “robit”? Dhe për më tepër kur më të shumtit e tyre vijnë nga pylli, zabelet me lule, shatërvanet e natyrës dhe nga familje të varfëra?

haha po pikerisht kjo eshte arsyeja more Zhej.Me qe kane lindur e jane rritur ne natyre, duan ti largohen asaj dhe betoni eshte shenja e civilizimit .

Sa shume kerkon nga jeta! Si paske marre mundimin te meditosh ne kete pik vape per rruget e vdekjes.Meditim me qefin ne koke.ububu.

1.

Ofensiva e policisë rrugore
03/08/2010 16:05

Ofensiva e policisë rrugore

Alkool në fundjavë? Nuk është aspak e ndaluar, por me kusht që të mos drejtosh makinën. Policia rrugore e mbështetur nga task force e ngritur enkas për sezonin veror ka nisur kontrollet në të gjitha qytetet turistike. Përgjatë dy fundjavave policia ka bllokuar rreth 256 patenta të drejtuesve të mjeteve të cilët sipas alkoolmetrit kanë dalë se ishin në gjendje të dehur.

Këtë të shtunë dhe të dielë 56 patenta janë pezulluar vetëm në qytetin e Vlorës, 110 të tjera në qytetin bregdetar të Durrësit, 30 të tjera në Velipojë dhe pjesa tjetër në Sarandë dhe Pogradec.

Këto statistika zyrtare deklarohen nga burime të TCH, të cilat pohuan se kanë nisur kontrolle të rrepta në të gjitha akset kryesore.

Por nuk mbeten pas edhe të dhënat për patenta të pezulluara për shkak të mbishpejtësisë.

Të shtunën dhe të dielën sipas task forcës rrugore janë bllokuar 1000 patenta, pasi drejtuesit e mjeteve udhëtonin tej normave të lejuara të shpejtësisë.

Këto kontrolle vijnë pas aksidenteve të shumta në rrugët e vendit, më së fundmi më i rëndi, aksidenti tragjik i Fushë-Arrëzit.

Burime të TCH pohuan se është konstatuar se mjetet ecnin me mbishpejtësi në aksin nacional të Kukësit, në aksin e Fierit dhe në aksin Korçë-Kapshticë.

Ndërkohë operacioni i policisë rrugore ka gjobitur edhe 300 drejtues kamionësh të cilët pas kontrolleve rezultojnë se nuk e kishin të instaluar tahometrin ose kutinë e zezë, një aparaturë e domosdoshme me këto mjete e cila tregon se me çfarë shpetësie ka ecur edhe më parë dhe në çfarë gjendjeje është ai.

Policia po zhvillon kontrolle edhe ndaj mjeteve të transportit publik për të verifikuar nëse shoferët e kanë vendosur tahometrin në automjet.

 

 

 

Po keshtu pra zgjidhet kjo pune, me aksione jo me llafe! Veri gjithe veres policet patrulle, edhe veres tjeter edhe tjetren, dhe edukohet pastaj mileti.

Ve bast qe ato patenta te ndaluara se bashku me makinat do te jene nje fushate e mire per te bere lek te korruptuarit,ata qe luftojne per vendosjen e ligjit gjasme.

Sepse fjala vjen nuk u cmenden policet qe ketaa te ndaluarit ta fillojne kursin e makinave nga e para! Mund te ndodhi kjo? Se fjala vjen, ne se ato drejtues makinash paguajne thjesht nje gjobe, atehere kjo fushate nuk ka as nje vlere, vecse ate te fushates korrje dhe shirje parash ne duart e "policeve te ndershem !"

Po aman o Artian, ata qe kapen me shkelje qarkullimi nuk eshte se nuk dine ti japin makines. Dine ti japin per bukuri po deshen shumica, po i japin si te terbuar se nuk kane frike nga gjobat. Gjoba te ben njeri!

Artikulli ishte shkruar me vend, me lidhje, dhe s`do te ishte keq ta lexonin dhe politikanet shqiptare qe drejtojne sektor te ndryshem.  

Ndoshta politikanet s'dine Anglisht qe te kuptojne titullin. Apo gazetaret s'dine Shqip? Gjithmone i ngaterroj keto te dyja.

 Një autobus mbushur me udhëtarë të pafat u gremis në Gjegjan të Pukës.

Ishte mikrobus dhe jo autobus te kishte qene autobuz numri i te vrareve do te ishte dyfish!

 Ky bobi ketu, Trafistar SR590, gjobit deri ne 20 automjete njekohesisht. I le papune policet e rrugores.

Keshtu jane ketej hunter - une kur vij ne Shqiperi pres bileten e parkimit per sa dite do te parkoj makinen ne aeroport ne Internet!! Kur shkoj ne parkingun e aeroportit hapet dera nga ai "Bobi" me dylbi qe lexon targen e makines!  Nuk ke nevoje te flasesh me ndonje Bobi me dy sy fare! smiley

Ndërkohë filluan në ekran lajmet dhe pashë një deputet me shishe në dorë, ndërsa një tjetër që godiste gardistin. Të tjerët ose qeshnin ose shanin me libër shpie.
 

smiley

I madh Zheji.  Mbase nje nga te paktet te ashtequajtur analiste qe nuk zhgenjen qofte ne shkrime e qofte ne paraqitjet ne emisione televizive.

Bukur. Me vjen mire qe dikush eshte munduar te shkruaj per keto tre tema qe praktikisht mund te permblidhen ne: jeta, natyra, vdekja. Esenciale.

Pastaj, per detaj e shkrimit... durim. Tani per tani, nuk kerkoj kaq shume nga jeta.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).