Në Shqipëri ishte Fatos Nano ai që krijoi trendin e politikës me pushime, të qeverisjes gati me korrespondencë të vendit. Ndërsa stili ri i drejtimit të Partisë Socialiste në opozitë është ai i tërheqjeve dhe daljeve të herëpashershme "me leje". Nuk është fjala për largimet në modën e Nanos, por për natyrën e aksionit politik në bërjen e opozicionit që pas njohjes me rezultatin e pakënaqshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Kurba e sjelljes politike të opozitës në Shqipëri gjatë kësaj periudhe do të jepte një grafik të lajthitur. Kalimi nga protestat në rrugë dhe greva e urisë në rutinën e konferencave të shtypit dhe pushimet në Dubai është jo thjesht i paparashikueshëm, por edhe i paarsyetueshëm.

Nga pikëpamja e komunikimit publik shfaqet si një linjë drejtimi herë në aksion e herë në pension, që pas goditjeve të përqendruara tërhiqet për "piknik". Në mos mungesë strategjie dhe pasiguri, një ecuri e tillë reflekton atë që nuk e thotë dot, përpjekjen dhe nevojën për të fituar kohë deri në zgjedhjet e tjera. Po bëhet gjithnjë e më e qartë tanimë se PS është parkuar në pritje, e lodhur, ndërsa kauzën e transparencës së kutive as e ka fituar, as duket ta ketë përparuar ndopak. Debatet dhe diskutimet për transparencën e votës pa dyshim i kanë bërë mirë opinionit publik, por nuk e justifikojnë gjithë energjinë popullore të konsumuar, pa mbërritur as një rezultat tjetër.

Në këto kushte, vajtja me pushime nga ana e opozitës socialiste është një luks i tepruar për të, por edhe për vendin, nëse i japim kredite pretendimeve të saj si të drejta. Ndërsa duhet të kishte kërkuar më së paku mosndërprejen e punimeve të Parlamentit, në logjikën e vet të emergjencës dhe rëndësisë së jashtëzakonshme të kauzës së kutive, sikurse ka pretenduar verbalisht gjithë kohës; ka ndodhur krejt e kundërta. Kur shpresat e vetme për kauzën e votës transparente janë varur tashmë në komisionin që del nga Parlamenti, nuk u pa as më e vogla shenjë rezistence nga deputetët e të majtës socialiste për mosndalimin e punimeve parlamentare, në mënyrë që të mos i pritet rruga zgjidhjes së krizës së mëtuar. Aq më tepër që ka edhe arsye të tjera për mosndërprerjen e zhvillimeve parlamentare, që mund ta kishin bërë të interesuar pozitën për dhënien e këtij "koncesioni", sidozot kalimi i emrave për gjykatësit e lartë nga Presidenti Topi.

Me sa duket, edhe në politikë pushimet mund të "shpallen" më të shenjta sesa votat transparente. Ky lexim mos-akti simbolik nuk ka asgjë të tepruar në kontekstin politik dhe nuk mëton asgjë të pazakontë në planin e praktikave parlamentare të botës së sotme. Aktualisht, në Italinë fqinje, ku zhvillimet politike janë të nxehta, Parlamenti vijon punimet pa ndërprerje; po kështu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, folësja Nensi Pelosi ka thirrur dhomën e përfaqësuesve të Kongresit që të mblidhet javën e ardhshme, duke u kthyer nga pushimet për miratimin e një ligji të vlerësuar si i rëndësishëm; ndërsa në Britaninë e Madhe, vendi i kulturës politike të pushimeve të gjata, për deputetët shkëputja e verës është tkurrur në vetëm një muaj… Pra, asgjë të habitshme nuk ka në zgjatjen e punimeve parlamentare edhe gjatë verës, kur rrethanat janë të tilla që e bëjnë të nevojshme vijueshmërinë e punës së legjislativit. Përkundrazi, e habitshme duhet të duket që Parlamenti shkon me pushime, duke mbajtur pezull çështje të një rëndësie të jashtëzakonshme, siç pretendojnë palët se janë, në rastin tonë.

Përveç kësaj, opinionit publik dhe audiencave televizive këto ditë, nuk u mbetet zgjedhje tjetër veçse të "shërbehen" me menynë e bollshme propagandistike nga ana e Qeverisë, që e lënë rehat nga opozita, ka për më tepër gjithë hapësirën e duhur brenda edicioneve të thata të lajmeve verore. Madje edhe kronikat e këshillave praktike nga institucionet e shëndetit publik "shesin" mesazhin e preferuar qeveritar se nuk qenka në fakt gjendja e rrugëve dhe sinjalistika shkak për aksidentet e shumta, por faktori i konsumimit të alkoolit, edhe pse për këtë pretendim nuk serviret asnjë statistikë nga ana e ekspertëve që nxirren të bëjnë deklarata të tilla.

Fatkeqësisht, kronikat e para të shumë edicioneve janë shumë më të hapura në mesazhet e propagandës që kalojnë, me ose pa vetëdije të plotë. Po kështu, në mungesë të imazhit të kundërshtarit, turi veror i Kryeministrit Berisha krijon pa dyshim revansh imazhi ndaj Ramës, që nuk po duket fare që nga fundi i korrikut. Anipse shfaqjet verore të Berishës, duke bërë not apo alpinizëm, shpesh komentohen si butaforike dhe mediat opozitare i përdorin ato imazhe në këtë formë nga njëra verë në tjetrën! Në të vërtetë, efektet e politikës së imazhit mbeten gjithnjë të diskutueshme, por duket se mesazhi i fshehur pas këtyre shfaqjeve të Kryeministrit mund të jetë edhe më i fortë sesa mesazhi në sipërfaqe. Me anë të këtyre tureve kinse "spontane", dhe hapurazi populiste, Kryeministri ka gjetur një mënyrë gjithaq efikase për të "shitur" virtualisht përkushtimin e tij ndaj vendit të vet, duke mos u larguar nga Shqipëria as për pushime. Kësisoj, bashkë me "arritjet" e Qeverisë së tij, Berisha gjen rastin të promovojë edhe pushime patriotike, ndërsa dihet se qëndrimet e tij jashtë vendit rrallë janë më të gjata se 3-4 ditë.

Të kuptohemi, nuk po sugjerojmë këtu që është "mëkat" të bësh pushime jashtë vendit apo në vende ekzotike, dhe as që politikanët nuk meritojnë të shkojnë me pushime si të gjithë ne. Veçse, ndryshe nga ne që i përkasim vetëm vetes dhe familjeve tona, ata në momente të caktuara marrin përsipër kauza më të mëdha dhe në përgjigje të atyre njerëzve që përfaqësojnë nuk mund t'i harrojnë ato për verë, e t'i shenjtërojnë për dimër. Nuk mund të na servirin prognoza apokaliptike në lidhje me ekonominë dhe konferencat e tyre të verës të jenë një serial akuzash vetëm ndaj një personi, pa kërkuar më shumë qoftë edhe nga këto akuza. Nuk mund të na trallisin me situata, që bëhen të jashtëzakonshme në shtator dhe lihen qetë e paqtë në gusht. Përndryshe, kemi arsye të besojmë, si të gjithë cinikët ndaj politikës, se nuk ka asnjë kauzë të vërtetë edhe në kampin opozitar, por vetëm mëtim për pushtet…

1 Komente

Ska rendesi se kush dhe per cilen arsye e ka shkruar kete shkrim; shkrimi qendron. *****

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).