Dhimbja nuk e ka mposhtur aspak, përkundrazi ajo e ka kthyer në forcë dhe tashmë është një nënë që di të përballojë çdo sfidë. Për të jeta ka qenë e pamëshirshme. Humbet bashkëshortin dhe më pas mëson se jeta e saj do të ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me problemet e HIV/AIDS-it, sepse bashkë me të do ta vuajnë edhe dy fëmijët e saj. Nis për të periudha më e vështirë e jetës. Ajo e vetme përkundrejt një shoqërie tejet armiqësore dhe virusit që mbart që i dobëson imunitetin. Vendos të përballet dhe të sfidojë fatin, duke u bërë "kurban" i një komuniteti të tërë që e privon atë të gëzojë të drejtën për të jetuar si të gjithë të tjerët. Nuk dëshiron të tregojë fytyrën dhe tiparet e saj, sepse personat HIV pozitiv janë të tillë sot në Shqipëri. Shoqëria shqiptare i trajton si njerëz të rrezikshëm, si njerëz që nuk duhet të kenë identitet.
Ajo tashmë për të gjithë personat që jetojnë me virusin HIV është bërë simbol i forcës dhe optimizmit për të treguar se jeta vazhdon, madje me të njëjtat shpresa dhe dëshira si më parë. Vetëm disa ditë më parë u vlerësua në Konferenca e XVIII Ndërkombëtare e AIDS-it që u zhvillua në Vjenë, me çmimin e madh prestigjioz të Fjongos së Kuqe për vitin 2010, të dhënë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin. Në intervistën për "Shekullin", tregon të gjitha sfidat, me të cilat i duhet të ndeshet çdo ditë për të mbrojtur të drejtat e saj dhe të gjithë atyre që mbartin virusin HIV.


Njerëzit mendojnë se imazhi i të infektuarve me HIV është krejt i ndryshëm nga njerëzit "normal", ndërsa ju jeni një femër tërheqëse, e bukur dhe shumë e shëndetshme. A ndodh që të reagojnë njerëzit nga pamja juaj?

Të falënderoj dhe po e marr si kompliment këtë! Në fakt, HIV-AIDS-i në Shqipëri nuk ka "fytyrë". Edhe kur dalim e flasim në intervista apo emisione të ndryshme në televizione, ne dalim të mbuluar për shkak të problemeve që krijohen me komunitetin në jetën e përditshme. Stigma dhe diskriminimi në Shqipëri është akoma në nivele shumë të larta. Në këtë aspekt, realiteti shqiptar është shumë stresues, një situatë ku personat që jetojnë me HIV në sytë e të tjerëve duken si anormal. Mund të përmend këtu impaktin që krijohet nga përballja e parë me ne. Përgjithësisht, në vështrimin e tyre frika nga e panjohura bashkohen me surprizën e imazhit që kanë në mendjen e tyre dhe atë që ata shohin në realitet gjithashtu. Në këtë aspekt, veç kësaj në çdo moment ju vetë duhet të gjeni forcë brenda vetes në mënyrë që të luftoni ndaj virusit që mbart e që lufton të të vrasë dhe ndaj realitetit që përpiqet të të "vrasë" me armët e veta siç janë vështirësitë e përballimit të jetës, problemet me kujdesin e trajtimin shëndetësor e social, me familjarët, të afërmit, fqinjët, diskriminimi që përjeton teksa të përplaset dera në fytyrë kur kërkon të punësohesh në profesionin tënd, nën etiketimin e një "personi të rrezikshëm", ose kur fëmija yt nuk është i pranuar në institucionet e edukimit, i destinuar të mos gëzojë fëmijërinë si gjithë të tjerët, pasi ai është HIV pozitiv.
Ndërkohë që në botë kolegët tanë dalin hapur dhe flasin në publik, ky virus tek ne nuk ka pamje, fytyrë dhe kjo ka bërë që shpesh njerëzit ndihen të befasuar dhe të çuditur kur më kanë njohur nga afër.


Mund të ndalemi tek reagimet psikologjike që ju përjetuat përballë këtij fakti të ri që u shfaq në jetën tuaj, kësaj situate të re ku u ndodhe papritur?

Efekti i parë i marrjes së rezultatit të testit është shokues. Nuk është e lehtë të marrësh një përgjigje pozitive të testit të HIV-it. Mendimi i parë që më shkoi në mendje në ato momente ishte se do të vdisja shumë shpejt. Dhe nëse bota, njerëzit vërtiteshin rreth meje, gjithë vëmendja fokusohej tek gjërat me të cilat jam e lidhur më shumë shpirtërisht dhe që do të vuanin pasojat nga ikja ime nga kjo botë. Dhe për një prind mendimi i parë janë fëmijët. Kush do të m'i rrisë fëmijët? Kush...?
Jo se nuk kam pasur frikë nga ajo që do të ndodhte në të ardhmen, pasi shkalla e njohurive të mia ishte minimale, por në ato momente sinqerisht nuk mendova për veten. Para disa vitesh jeta ime ishte në një udhëkryq, pa shumë alternativa. Fillova të vuaja nga pagjumësia dhe vija vërdallë sa andej-këndej nëpër shtëpi pa mundur të gjeja gjumin që e shikoja si moment shpëtimi për gjendjen time të dëshpëruar dhe mendimi ritmik se i kam ditët e numëruara nuk më shqitej nga mendja...
Ndjeja keqardhje për veten dhe në fillim më rridhte një lot pastaj një tjetër e me radhë derisa më mbyste ngashërimi dhe ndjehesha krejtësisht e zbrazët shpirtërisht, e pajetë, plot ankthe për të nesërmen... e humbur, duke e mbushur kokën me ide të çuditshme, pa gjetur askund një dozë qetësie shpirtërore.
Sa i fortë që bëhet njeriu dhe ndoshta janë këto çaste tragjike në jetë që na i japin këtë forcë dhe na përgatisin për t'u përballur me të ardhmen që na pret dhe të përballemi me fatin tinëzar që si dihet se çfarë do të na serviri tjetër në të ardhmen.


Tashmë jeni ju ajo që i jepni zemër dhe ndihmë njerëzve që janë infektuar me virusin HIV/AIDS. Sa e vështirë është kjo pjesë për ju?

Po, tani pas një kohe kaq të gjatë kam arritur të gjej ato energji që gjithsecili ka të fshehura brenda vetes, dhe në momente të tilla të bëjnë të jesh i guximshëm, të përballesh me vështirësitë dhe të sfidosh frikën nga e panjohura dhe fatin. E gjithçka nga përvoja e viteve të fundit, është një mësim e eksperiencë për të tjerët që vijnë pas meje, jo me slogane e leksione manualesh, por me shembuj përballjesh reale e zgjidhjesh konkrete. Këtë përvojë po e përdor në punën time të përditshme me personat që infektohen rishtas për t'i mësuar dhe ndihmuar ata si të kapërcejnë momentet e shokut të parë dhe problemet me situatën e re shëndetësore. Ata kanë nevojë për shumë informacion që të arrijnë të kapërcejnë këtë moment. Në punën e përpjekjet e përditshme po synojmë të asistojmë, të mbështesim dhe të ndihmojmë personat që jetojnë me HIV/AIDS në Shqipëri në të gjithë kompleksitetin e problemeve që përfshihen në të, në aspektin shëndetësor, legal, social, edukativ dhe në fuqizimin e tyre dhe familjarëve të tyre për t'u përballur me problemet.
Sigurisht që kjo është shumë e vështirë, pasi ke përballë njerëz të frikësuar, që duan t'i japin fund jetës, me gjendje psikologjike të çekuilibruar dhe që mbartin një mal me problematika. Ka persona të braktisur nga familjarët e të afërmit e tyre, me mundësi minimale për të përballuar jetesën, me probleme në çift, në pamundësi ekonomike të blejnë ilaçet që u nevojiten, të pastrehë, që nuk kanë dëshirë të jetojnë më e me radhë. Dhe ndërkohë që ti ke një jetë të vështirë për vete, ngarkohesh psikologjikisht edhe me problemet e të tjerëve e duhet të gjesh mundësi e të japësh rreze shprese. Kjo është pjesa më e vështirë e punës. Por tani ndihem sigurisht më e përgatitur profesionalisht, duke u bazuar edhe në përvojën e fituar, për të ofruar këshillimin e duhur dhe për të menaxhuar situatat stresante që paraqiten. Këto situata janë të përhershme, që përsëriten dhe mund të të çojnë në konsumim profesional, por kam arritur të vendos disa ekuilibra në vetvete, dhe njëkohësisht të mbështetem edhe në ndihmën dhe bashkëpunimin e miqve të mi të vërtetë që më vlerësojnë për atë që unë jam dhe përfaqësoj.


Marrja e këtij virusi në shoqërinë shqiptare konceptohet si një faj. Tek ju si konceptohet?

Siç e përmenda edhe më sipër është çështje e mentalitetit shoqëror që rrethon këtë virus dhe mënyrën dhe rrugët se si ai transmetohet. Kudo ku shkon dhe prezantohesh, mendimi i parë që u lind e kalon në kokë njerëzve është si e ka marrë virusin? Askush nuk pyet se si po jeton me virusin dhe si po përballesh me këtë realitet të ri në jetën tënde. Dhe kjo futet tek vogëlsia që ne kemi në shpirt ndonjëherë, kur duam të luajmë një rol që nuk na takon. Pra, përballë halleve dhe problemeve të të tjerëve, ne kthejmë shpinën dhe nuk ngurojmë dy herë të shprehim gjykim edhe pse nuk kemi të drejtën të gjykojmë jetën e askujt. Nëse dikush vuan nga një sëmundje tjetër, p.sh., një pacient nga kanceri, në momentet e fundit të jetës së tij gjendet i rrethuar nga të afërmit, familjarët e miqtë e tij, në emër të solidaritetit dhe traditës së familjes dhe shoqërisë shqiptare. Por nuk ndodh kështu për një të sëmurë me AIDS. Përse? Sepse frika nga e panjohura që rrethon HIV-in, mungesa e informacionit dhe pasojat e një diskriminimi indirekt që shtrihet edhe mbi personat e tjerë që i mbështesin, apo u gjenden pranë në këto momente bën të gjendemi shpesh në situata braktisjeje, vetmie, harrese, apo gjykimi të padrejtë. Diskriminimin ndaj nesh disa e quajnë një formë e racizmit modern. Por unë nuk do ta përkufizoja si racizëm, por si egoizëm, egoizëm i mbyllur në guaskën e secilit prej nesh që shohim vetëm "rehatinë" tonë, pa parë më tutje. Ndërkohë që kur kemi një problem vetë, apo na bëhet një padrejtësi e ngremë zërin me të madhe dhe themi: "Shiko tani ne kemi të drejtë!"
Pyetja e parë që të bie ndërmend në momentin që diagnostikohesh, dhe kjo ndodh tek të gjithë, është pyetja e pashmangshme: "Pse më ndodhi mua kjo? Çfarë kam bërë për ta merituar këtë fat???". Por, fakti që si puna jonë ka me miliona në botë dhe të gjithë punojnë e luftojnë çdo ditë për t'u integruar në shoqëri, për të bërë një jetë sociale, përpiqen të jenë familjarë, prindër të mirë, bashkëshortë etj., është një fakt që të ndihmon të luftosh më shumë. Nuk shtrohet problemi tek çështja e fatit. Sepse, në fund të fundit disa gjëra nuk mund t'i ndryshosh, je i pafuqishëm dhe çdonjëri prej nesh nuk mund ta ndryshojë fatin e tij. E vetmja gjë që është në dorën e njeriut është ta sfidojë fatin e tij. Dhe unë ndihem krenare që bëj pjesë në atë grup personash që me jetën tonë dhe përpjekjet e përditshme për ta jetuar atë me dinjitet pavarësisht virusit që mbartim po arrijmë të ndryshojmë realitetin si në mënyrën e jetesës dhe në mentalitetin institucional e social që dominon.


Marrja e virusit gjithnjë keqinterpretohet dhe tek njerëzit trajtohet si problem morali. E ndjeni këtë stigmë nga largimi i tyre?

Sigurisht që ndihet. Sepse që nga mënyra si flet dhe si reagon bashkëbiseduesi përballë teje, ti arrin ta psikologjisësh që ai në një farë mënyre po të paragjykon në mendjen e vet. Kjo është e dukshme. Bile, mund t'ju them se edhe brenda personave të infektuar ekziston një lloj stigmatizimi i tillë, hetohet gjithnjë burimi i infektimit: gjaku, marrëdhënia seksuale, apo marrëdhëniet homoseksuale. Morali hyn dhe mes personave të infektuar me HIV. Ndërsa në shoqërinë shqiptare për shkak të mungesës së informacionit dhe njohurive një person i infektuar nga HIV konsiderohet pothuajse gjithnjë si një "njëri imoral". Edhe pse nuk i përkas kësaj bashkësie, mendoj se askush nuk mund të paragjykohet, as për këtë gjë. Sepse në kohën e sotme nuk mund të paragjykohet askush se hyn në marrëdhënie intime me dikë që do. Asnjë njeri në këtë botë nuk kryen një akt seksual me dikë me dëshirën për t'u infektuar. Lidhjet intime midis njerëzve orientohen nga dashuria, ndjenjat dhe tërheqja seksuale ndërmjet tyre. Dhe në momentin që paragjykon infektimin nëpërmjet kësaj rruge ti ke paragjykuar dashurinë mes njerëzve dhe ky është një Koncept Antinjerëzor. HIV/AIDS nuk është një problem morali, por jete. Çdo rast i ri infektimi është një tragjedi, çdo vdekje është një humbje.
Në jetë nuk janë thelbësore ato që të tjerët thonë, paragjykojnë, mendojnë apo shprehin. Unë nuk kujdesem më për këtë. E rëndësishme është të vendosësh raporte të drejta me veten, të kesh respekt, të rrisësh vetëvlerësimin dhe të mos e paragjykosh veten tënde. Gjendja jonë shpirtërore vjen, buron nga brenda nesh, e kemi vetë në dorë nëse duam të jemi të gëzuar apo të trishtuar, nëse duam ta jetojmë realisht jetën apo të zvarritmi të mëshiruar nga të tjerët.

33 Komente

une jam nje nga ato pesat siper qe s'po gjejne c'te thone.

kjo gruaja eshte kaq ne rregull, nje rregull kaq i nevojshem per shoqerine shqiptare por jo vetem ate. e falenderoj per fjalet e mencura.

Humbet bashkëshortin dhe më pas mëson se jeta e saj do të ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me problemet e HIV/AIDS-it, sepse bashkë me të do ta vuajnë edhe dy fëmijët e saj.

S'e kuptova mire, edhe bashkeshorti nga AIDS-i ka vdekur? I bie qe dhe femijet ta kene kete semundje?

besoj se po.

E kam te paqarte, kjo gruaja eshte anonime apo jo? :rolleyes:

Kjo eshte tragjedia mw e madhe ne kete mes, femijet qe jane krejt te pafajshem, ta pesojne ne kurriz semundjen dhe gjithe pasojat e diskriminimit.

ana, nuk e di nese e kupton qe duke shkruar keshtu, ti nenkupton qe ka edhe te fajshem per kete semundje. me kujton ate qe i tha dikush tim eti, ti tha e ke vete fajin per semundjen e zemres. ok, i mbyllem hesapet smiley live and let die. po ne rastin e hiv-it shtresat e paragjykimit shtohen, s'eshte thjesht stili i gabuar i jeteses, por tabuja: seksi. ne kete pike une do te isha me e gatshme te paragjykoja tim ate se kete grua.

ps: po babin e kam xhan dhe s'e shaj hic per genet e leshit qe ka dhe qe rrezik m'i ka kaluar edhe mua.

Jo, trop, nuk hedh fajin mbi askend, por po perpiqem t'i trajtoj gjerat te ndara, ne rast se i rrituri e ben dicka me vetedije, zgjedh te fleje me dike qe i pelqen, por pa e ditur se c'mund te ndodhe, per femijen eshte njesoj si te trashegoje nje semundje, vdekjeprurese ose jo. Mua njesoj do te me vinte keq, si per keta femije qe jane me Aids, si per ata me leucemi, per te cilet te rrefeva para ca ditesh. E te them te drejten, kur lexova kete per femijet e zonjes, direkt m'u kujtuan fytyrat e verdheme te atyre kerthijve qe pashe ne spital. 

po luftoja idene qe i rrituri deri diku e ka merituar, se e ka zgjedhur me stilin e jetes. po te jete keshtu edhe une edhe ti e kemi merituar, edhe rrezik gjithe peshku, nderkohe qe mua do te me dukeshin te gjithe te pafajshem po te kishin marre hivin. ajo e thote bukur, te ndjehesh fajtore per dashurine, mosozot.

ana duhet te luftojme idene qe gjerat e keqija qe rrjedhin nga seksi i meritojme sepse kemi bere seks! duhet luftuar kjo ide qe te mos shajme me nga nena, qe te mos perdhunojme me (nje fare ndikimi ketu), etj etj se s'po dua ta vazhdoj, besoj kuptohemi.

trop, po jo pra, jo, nuk e kam fare ate koncept... Larg e tutje te paragjykoj une dashurine!

Vetem se une jam gjithnje e prirur te mendoj per femijet, ne radhe te pare.

 

p.s. nuk e zgjas dot me, se duhet  te dal.

U goce shyqyr qe eshte ppu'ja u lodha te te tel smiley

nje pytje kam  smiley Kur  gati ? smiley

ane, ti mund te mos e kesh, por fjalet e tua e nenkuptojne... me fjalet e kisha.

me fal nese ndjehesh e keqkuptuar, xhanem edhe une mund ta kem gabim, s'do ishte hera e pare smiley

s'e di nese eshte e njejta, une e kam pare ne tv ndoshta para nje viti. nuk e di pse gazetarja apo vete ajo kane zgjedhur anonimitetin ne kete rast, sepse pershtypja ime eshte qe ajo e ka emrin publik.

iris, do ndertoje nje argument ti mbi kete?

Per te mbrojtur femijet ndoshta.

Jo, po gjeja thjesht kontradikte midis faktit qe flet ne konferenca dhe mori Fjongon e Kuqe, me faktin qe ne kete interviste e kane lene anonim.Ndoshta pakujdesi e gazetares.

hmmm ndoshta ka edhe ajo kontradikte brenda, ndoshta organi i medias, ndoshta kjo s'e ka problem te mediatizohet jashte por eshte me e kujdesshme brenda, etj etj, po besoj se gjithsesi ti mund te kishe ndertuar nje argument, dmth, te ishe kapur tek kjo kontradikte e mundshme, dhe te kishe komentuar mbi problemin e anonimitetit, me teper se ta kapje kete ne siklet logjik.

Patjeter qe dhe mund ta beja, problemi eshte qe kur je jashte nje situate eshte shume kollaj te komentosh , interpretosh. Nese njerezit duan te rrine anonim le te rrine, e nese disa ndjejne te flasin per kete gje, le ta bejne, shpresoj te kete ane te mira per ta si njera si tjetra zgjedhje.

Kjo eshte tragjedia mw e madhe ne kete mes, femijet qe jane krejt te pafajshem, ta pesojne ne kurriz semundjen dhe gjithe pasojat e diskriminimit.

... Pasojat e diskriminimit mbi te gjitha.

jam kurioze nese ka ndonje diference te madhe per keto fatkeqe nqs do jetonin ne perendim.

Perjashtuar trajtimin mjekesor, qe nuk diskutohet qe atje ta shpeton jeten.

E kam llafin per trajtimin social, paragjykimet dhe problemet ne lidhjet shoqerore dhe familjare.

 

ruzhe demonet i mbajme kudo me veteqe shkojme, keta shqiptaret mezi shqiten smiley por sigurisht qe me lehte do ta kishte, e ve ne dyshim ti? por te pakten ketu ajo po i ben nje sherbim shume te madh shoqerise shqiptare.

kjo ka qene e ftuar ne nje emision te tch nqse nuk gaboj lidhur me problemin e 2 femijeve ne shkolle a kopesht. Vec problemit kryesor, i duhet me u mor edhe me kto probleme. Eshte veshtire me imagjinu stressin e saj. Kjo gru ka me shume 'balls' se cdo njeri tjeter ne toke

 Kjo zonja qe lun me dy porta, dmth anonime dhe jo anonime, per fatin e saj te keq e ka jeten e veshtire.

Une personalisht mund te them vetem gjynaf se mundesi tjeter nuk kam me e ndihmu. Nese e diskriminojne jazek u qofte atyre qe e bejne vetem se nuk besoj se asnje njeri i gjalle nuk do deshironte qe psh edukatorja e kopshtit te femijeve te tij te ishte e infektuar ose te rezultonte pozitive.

Po edhe mesuese nuk do deshironte.

I vetmi vend qe do i rekomandja asaj eshte Kryetare Kuvendi, si Jozefeni. Nje rruge e shtate pune. Ene do i rekomandoja te rriste thonjte e te kafshonte apo te çirrte cdo deputet qe ti dilte para, perjashto ATE. ( me durt nga qilli )

Trop,

shoqeria shqiptare ben gjoja sikur prokupohet. Po ta vesh re edhe ne komentet tona ajo trajtohet si ajo ( veta e trete gjinia asnjeanese, e pashquar, jo konkrete, e pergjithshme, jashte nesh dhe larg nesh ), si kavia jone per eksperiment social. 

Nuk e ndihmojme dot ate personalisht. Mbase ndihmojme te tjeret duke u thene : beni seks te sigurte ( me mire me nje partner ) smiley , kujdes tek dentisti, kujdes tej aget, kujdes tek transfuzioni etj etj.

Dua ta ndihmoj por nuk kam mundesi. 

Libri i pare ne gjuhen shqipe per kete semundje eshte botuar para viteve 90 nga nje mjek shume i perkushtuar. Pra ketu e 25 vjet para. Te kishte pas i cike fat e ta kish lexuar mbase nuk do e merrte kete fjongon blu. smiley

Nuk duheshin djeg shkollat Trop me 1990 dhe me 1997 se prandaj flasim vetem per Klod qershine, Anonimene blu. smiley etj. etj.

Me ngja i nerum Koth se e ke me ate idene e arkitekteve

Nje i ri sot merret me pamjen cilesine  dhe estetiken e Dritereve .Po te ngigjosh nje debat te kesaj kohe midis tyre ka shume pasion , dije dhe Thirrje per  Dritaret ..

Ne se do hapesh ndonje bisede per themelet ...dukesh si i rrjedhur smiley .

Le te bjere pallati , ne tani jemi ne procesin e fasadave dhe nuk na duhet se kush dhe pse i ka ndertuar ato pallate . Rendesi ka qe dritaret nga do shohim te jene si gjith Europa .

Eh ketu eshte dhe e keqja jone se mendojme se Europa qe ka kohen e Dritareve , i ka ndertuar pallatet pa themele smiley

 Jemi ketu per t`ja u thene disa pse,  ene ato te mirat ene ato te kqijat. smiley

Shqiperia ne moshen digjitale dhe e morrit sa i kokerr orizi kinez smiley

O dreqin qe u beme bajat me kete : mo i trego babait arrat smiley

E zorshme të flasësh ndonjë gjë më të hajrit seç thotë kjo zonja .Po veç do të shtoja ja dhe  një përgjigje për ata që duan të dinë ç'është patriotizmi dhe njëkohësisht një denoncim për patriotët me pushkë e kobure.

Te me lejonin edhe me nje ni- ck tjeter do kisha shkrue :

Heu , ty te lumte pushka e patrioteve o prizrenzaranika . Bash me dysh e ke da llafin dhe nikun  smiley

Nejse mo , njisoj e thashe smiley

Tani te rrime drejte dhe te flasim po drejte. Ne pergjithsi, paragjykimi ndodh perpara se te meret vesh se X eshte i/e infektuar.. Me tu marr vesh, pergjithsisht, paragjykimi i le vendin frikes.  Zonja besoj duhej te kish gjet kohen te fliste edhe per dicka tjeter, pervec se paragjykimeve.

Realisht edhe ketu ( USA ) ndihma , perpjekja dhe gjithshka qe lidhet per te nxjerre nga gjendja keta "fatkeqe" eshte e natyres sa njerzore aq edhe ekonomike.

Vetem se ama edhe ne bindemi qe asnjeriu nuk i duhet mohuar e drejta e kenaqesise "hyjnore " ( asaj seksuale ) per hir te rreziqeve qe mbart deri edhe ne infektime masive qe marrin jeten.

Por une kam mendimin , qe e ndaj te njejte me Koth , per vende si tonat jo vetem duhet te kete nje kontroll te rrepte parandalimi ( ku hyjne edhe penalitete per fshehesit e bartesit e saj ) por edhe nje sistem edukimi te perhapur masivisht e shume intensiv . Ne jemi shume te dobet ekonomikisht per te perballuar semundje te tilla !

Ja nje "dobicllik" amerikan i koheve te fundit . Ne cdo stacion autobuzi dhe neper trena ku levizin miliona "qejflij" dhe biles më "qejflijte" e më te "pa kontrolluarit " e USA-s  kane nxjerre afishe me dicituren

Merr kontroll per Mbarsjen ( barren ) smiley

duke rekomanduar te famshmin e pakapshem por qe perdoret ...... Perzevativin .

Me nje gure vrasin dy zogj jo fort te dobishem , por shume te demshem

Barren e padesheruar

Semundjet infektive

s'te le rehat as tropi, do e romanticizoje cdo situate smiley

edhe pse kura e HIV nuk eshte gjetur akoma, mjekesia dhe shkenca ka ecur shume perpara. E para, duhet te dallojme midis HIV dhe AIDS (disa komente me siper i perdorin si te barazvlefshme). E dyta, HIV, megjithese e pakurueshme, eshte pothuajse e kontrollueshme. Shume vete e krahasojne me diabetin, ne kuptimin qe mund te vazhdosh jeten normalisht.

megjithe keqardhjen per kete zonje dhe per femijet (sidomos per femijet), eshte e veshtire te kerkosh ne shoqeri mirekuptimin perpara mireinformimit. Kur mireinformimi dhe parandalimi te mos jene me tabu, do te vije vete dhe mirekuptimi.

gre sa m'ke habit me pershtypjen per mua romanticizuese. s'e di nese kete pershtypje e ke nga peshku apo keshtu ne pergjithesi per mua smiley

sa per mireinformimin shume dakort, por edhe me shume se aq duhet, duhet nje lloj ndikimi thuajse poetik (haha) dhe sigurisht me thelb filozofik qe te arrijme te pranojme njeri-tjetrin. sikur te kisha kohe do te shkruaja dizertacion mbi konceptin e fajit.

Per femijet eshte tmerri vete.Nuk mund ta pershkuaj dhimbjen qe ndjej per ta.Zoti i ndihmofte dhe uroj te gjendet kura e sherimit.

Sa per punen e paragjykimit,mendoj se eshte me shume frike dhe nuk eshte fenomen Made in Albania sic mundohet te na e paraqese gazetarja.Edhe ketu personat me HIV paragjykohen si homoseksuale.

Megjithate uroj qe shoqeria te jete me e informuar per te semuret me HIV-SIDA.Pranojini dhe komunikoni me ta se i ndihmoni shume.Nuk prerhapet semundja nese nuk beni seks shume here me ta. Pra nuk keni perse te keni frike nga keta te semure,se dhe ata njerez si juve jane.

 

Nuk prerhapet semundja nese nuk beni seks shume here me ta.

 Iris; `....E kam te paqarte, kjo gruaja eshte anonime apo jo? 

 

Anonime per ne Iris, por jo per gazetaren. 

 @ Koth:  kjo zonje nuk kerkon ndihmen tone personale, perkundrazi, e shtron problemin ne nje plan me strukturor kur shpjegon si ajo vete e mbikaloi shokun dhe depresionin e fillimit.  

Te gjithe ne mund te ndihmojme duke kerkuar (shkrujt peticione) qe ilacet antiretrovirale te mbulohen falas te pakten per femijet per te gjithe te infektuarit.  Duke kerkuar qe femijet e infektuar te vazhdojne shkollimin normalisht, pa frike se do infektojne edukatoren dhe mesues.  Duke u perpjekur te mos paragjykojme kete punen e infektimit nepermjet seksit sic eshte mbipermendur...etj etj.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).