Lufta e pavarësisë e Kroacisë përfundoi me ofensivën më të madhe tokësore të Evropës që nga lufta e dytë botërore. Siç ndodh çdo vit, Kroacia e Serbia shprehën pikpamje të ndryshme të mprehta për rëndësinë e ngjarjes.

Dinjitarët politikanë kroatë u mblodhën të enjten (5 gusht) në Knin për të përkujtuar 15 vjetorin e operacionit Stuhia, veprimit ushtarak që përfundoi luftën në Kroaci. Që nga 1995, përvjetori është festuar si Dita e Fitores dhe Falenderimeve të Atdheut.

Duke folur në ceremoni, presidenti kroat Ivo Josipoviç u përqëndrua më shumë në të ardhmen e Kroacisë se sa në të shkuarën e saj. Ai bëri thirrje për përtëritje të vëmendjes në nevojat sociale të vendit.

"Nuk duhet të ketë të uritur në Kroaci, jo të ri pa perspektivë apo pa shanse për një arsim të duhur dhe të gjithë personat e paaftë duhet të kenë shansin të ndjekin një program riaftësimi, të kenë mundësi të punojnë dhe të gëzojnë një jetë normale," tha ai.

Operacioni Stuhia është një pikë e hidhur kundërshtuese midis Kroacisë e Serbisë dhe Josipoviç, i cili ka punuar për të forcuar lidhjet diplomatike, ishte i qartë ku ta vinte fajin për konfliktin që konsumoi Ballkanin gjatë viteve 1990.

"Ishin politikat e të fortit jugosllav Sllobodan Millosheviç që sollën të keqen në rajon, në Kroaci e Serbi dhe te gjithë njerëzit që jetonin në zonë," tha ai.

"Fitorja jonë është e nderuar dhe nuk i jep askujt të drejtën për t'u shpaguar," tha ai.

Kryeministrja e Kroacisë Jadranka Kosor tha se si një vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti anëtare e BE, Kroacia do që rajoni të bëhet një shembull i stabiliteti dhe i paqes. Ajo mbrojti gjithashtu me forcë operacionin e 1995.

"Është fakt historik se Kroacia u sulmua brutalisht dhe se tanket erdhën nga Serbia," tha Kosor. "Ata shkatërruan qytetet kroate dhe vranë ushtarët e civilët kroatë. Ne nuk do të lejojmë ndryshimin e fakteve historike, as lidhur me çfardo ngjarje dhe posaçërisht lidhur me veprimet ushtarake që çliruan Kroacinë për mirë."

"Ne kishim të drejtën të mbronim vendin tonë në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë," tha ajo. "Ne do të festojmë operacionin Stuhia sepse kështu ne festojmë fitoren dhe paqen." Pikpamja e Beogradit mbetet krejt e kundërt. Të mërkurën, presidenti serb Boris Tadiç u takua me familjet e personave të humbur dhe tha se "krimet nuk mund të harrohen".

Operacioni Stuhia ishte një veprim ushtarak shkallë-madh që vazhdoi 64 orë dhe u bë ofensiva më e madhe tokësore evropiane që nga lufta e dytë botërore. Ai nisi në 4 gusht 1995 dhe përfundoi me Kroacinë që rimorri kontrollin e zonave të pushtuara nga separatistët serbë që nga 1991.

Ndërsa fitorja ishte vendimtare, ajo pati gjithashtu koston njerëzore. Sipas burimeve të OKB, midis 150,000 deri 200,000 vetë lanë zonën si rezultat i operacionit. Burimet kroate e ngushtojnë numrin në 90,000 refugjatë ndërsa burimet serbe pretendojnë midis 200,000 dhe 250,000 serbë të shpërngulur.

Numri i vdekjeve civile është gjithashtu i diskutueshëm. Komiteti kroat i Helsinkit thotë se u vranë 116 vetë ndërsa OJQ-ja serbe Veritas e vë numrin në 1,200. Në të njëjtën kohë, 184 ushtarë kroatë u vranë dhe 1,430 u plagosën.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com

2 Komente

Nje operacion i tille duhej bere dhe ne Kosove dhe nuk do te kishim probleme qe kemi sot.Urime Kroacise ne kete dite te shenuar per ta!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).