BSH: Nuk ka treg për të papunët. Fillimi i 2010-s, rritje me 2.3 për qind

Papunësia konsiderohet në nivele të larta dhe shqetësuese nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, të cilët pas mbledhjes së të dhënave dhe vëzhgimit të provave, dalin në konkluzionin, se niveli aktual konsiderohet më i larti në pesë vitet e fundit. Përtej deklaratave politike për rritje të zhvillimit ekonomik, shtimit të numrit të bizneseve, investimeve etj., faktet tregojnë të kundërtën, që jo vetëm po rritet papunësia, por shanset për një rikuperim të shpejtë vlerësohen pesimiste. Në një raport të detajuar rreth ekonomisë në vend, Banka e Shqipërisë e trajton fenomenin e papunësisë në Shqipëri të lidhur ngushtë me disa faktorë, që kryesori është rritja ekonomike, tashmë e deklaruar në rënie.
Numri mesatar i të papunëve vijoi të ndjekë tendencën rritëse të shënuar që prej fillimit të vitit 2009. Sipas Bankës Qendrore, në tremujorin e parë të vitit 2010, papunësia u rrit me 2.3 për qind në terma vjetorë dhe me 0.9 për qind në terma tremujorë, për të shënuar një nivel të papunësh prej 144,608 personash. “Këto zhvillime rezultuan në një normë papunësie 13.83 për qind, 0.4 pikë përqindjeje më shumë se mesatarja historike e pesë viteve të fundit”, konkludon BSH-ja, ku të dhënat i ka të mbështetura nga burimi zyrtar i statistikave, INSTAT.
Tregu i punës

“Në tremujorin e parë të vitit 2010, treguesit e tregut të punës vijuan të regjistrojnë përkeqësim”, nis raporti i BSH-së mbi treguesin e papunësisë. Statistikat tregojnë se, punësimi në ekonominë vendase regjistroi nivele pothuajse të njëjta me tremujorin e fundit të vitit 2009, duke shënuar një rritje tremujore të lehtë me 0.2 për qind. Në sektorin privat jobujqësor dhe atë shtetëror, punësimi ndoqi të njëjtën tendencë rritëse si edhe Produkti i Brendshëm Bruto. Për sa i takon ecurisë së të punësuarve në këto dy sektorë në terma vjetorë, treguesi ndërpreu rënien dhe mbeti pothuajse i pandryshuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009, duke regjistruar nivelin e 404,463 personave.
Shkaqet

Aktualisht vendi po shfrytëzon vetëm gjysmën e kapaciteteve të tij, në kushtet kur mundësitë për të gjeneruar rritje janë të mëdha. “Në kushtet kur ritmi i rritjes së kërkesës agregate dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve kanë qëndruar në nivele të ulëta historike, kërkesa e bizneseve për punë vlerësohet të ketë qëndruar e pandryshuar në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2009”, analizon Banka e Shqipërisë. Të dhënat nga vrojtimet e besimit të bizneseve për punësimin në ekonomi (duke përjashtuar bujqësinë) mbështesin këtë vlerësim.
Pagat në shtet dhe privat

Sipas INSTAT, paga mesatare në ekonomi shënoi rritje në tremujorin e parë të vitit 2010. Më konkretisht, paga mesatare u rrit me normë vjetore 9.6 për qind në terma nominalë, rreth 2.2 për qind më shumë se rritja mesatare vjetore e një viti më parë. Në terma realë, ky tregues u rrit me 5.3 për qind, një normë kjo 0.2 pikë përqindjeje më e lartë se ritmi mesatar vjetor gjatë
vitit 2009. Por nga ana tjetër, paga mesatare mujore shtetërore vijoi të ngadalësojë ritmet vjetore të rritjes së nisur në tremujorin e tretë të vitit 2009. Kështu, në tremujorin e parë, ky tregues u rrit me 6.6 për qind në terma nominalë dhe me 2.4 për qind në terma realë. Niveli i pagës mesatare mujore shtetërore të regjistruar në këtë periudhë ishte 42,000 lekë, i njëjtë me dy tremujorët e mëparshëm. Referuar sektorit privat, paga mesatare ngadalësoi ecurinë vjetore në sektorin prodhues dhe përshpejtoi rritjen në sektorin e shërbimeve. Në sektorin prodhues, paga mesatare u rrit me 5.4 për qind, duke shënuar një normë vjetore më të ulët se rritja mesatare prej 6.1 përqindësh gjatë vitit 2009. Në sektorin e shërbimeve, ky tregues ishte 19.9 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe 5.2 pikë përqindje më shumë se rritja mesatare vjetore e vitit 2009.
 

3 Komente

Papunesi ne Shqiperi,kjo eshte nje genjeshter e madhe.

Te gjithe shqiptaret punojne,ca ne Greqi, ca ne Itali!

Kjo eshte propaganda e komunisteve kunder Demokratit dhe Liderit te Madh

Keto shifra perfshijne dhe punet ne te zeze e ne gri apo vetem ato te regjistruara qe paguajne tatime e sigurime shoqerore?

Mos pertoni ju te vendit, por beni nje llogari te vogel te gjendjes se punesimit ne pallatin apo shkallen tuaj sic e kam bere une para disa ditesh ne nje teme tjeter dhe lereni rehat INSTAT-in se ka muajin e pushimit nga genjeshtrat.

- 2 Gsh 2010 - 4:56pm

 

Te kerkosh te gjesh numrin e te papuneve nga zyrat e shtetit eshte njesoj si te kerkosh te gjesh gjilperen nen kashte. Ky shtet nuk ka inventarin e aseteve publike dhe jo me te regjistroje papunesine. Une di te them se ne shkallen e pallatit tim ku jetojne 15 familje dhe ka rreth 40 te rritur (te afte per pune), vetem rreth 12 prej tyre kane nje pune te regullt dhe 3 punojne me hope. Pjesa tjeter nuk punon. Dhe keto familje qe une referohem nuk hyne tek ato te kamurat qe kane mese te jetojne edhe pa punuar. E pra kjo qe thashe eshte mjaft empirike, por nese edhe peshq te tjere qe banojne ketu do te thonin te punesuarit tek pallati apo shkalla e tyre, besoj se do te arrinim ne konkluzione shume here me skandaloze sec raporton zyra e Sali beut.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).