Shkodra është një qytet sekret e shumëformësh. Sa më shumë e njeh dhe e studion, aq më të reja shfaqen format e saj, që duket sikur të zbulojnë ndonjë kind të sekretit të tyre, kur në realitet të bëjnë të gjendesh përballë një misteri të ri. Historia e saj, ashtu siç dihet, është e gjatë dhe e atillë sa të jep përshtypjen e njëpasnjëshmërisë së qyteteve të ndryshme, të ngritur njëri mbi tjetrin ose njëri pranë tjetrit, e jo të ekzistencës dhe mbijetesës së po të njëjtit qytet. Shkodra duhet vlerësuar dhe si një thesar i çmuar vlerash me të cilat s'mund të mburrej asnjë qytet tjetër i Shqipërisë. Në vend të parë ajo shquhej për katolicizmin e saj të përjetshëm e të pathyer kurrë, për të cilin mund të thuhet se ka shoqe vërtet shumë të rralla në të gjithë botën katolike. Ndërkohë, që nga pikëpamja e historisë letrare të Shqipërisë dua të them se për shekuj me radhë ajo ishte pothuajse qyteti i vetëm në Shqipëri që pati një traditë letrare.

Në këtë sens, prej Shkodrës kanë dalë edhe dy poetë tanë të mëdhenj: Mjedja dhe Koliqi. Edhe pse gjuha e Koliqit është e një mjeshtërie të rrallë, përsëri Zef Valentini vëren: "Ka për të na falë miku ynë, poeti më i zgjedhur i letërsisë së re shqipe, Ernest Koliqi, por poeti më klasik i gjithë letërsisë shqiptare duhet të quhet Ndre Mjeda. Mjeda e konsideron poezinë art të durimit dhe vetëdije të kompozimit. Ornamenteve të çmuara të frazës së tij poetike ai u vesh elegancën latine, ndërkohë që njëmbëdhjetërrokëshit i dhuron frymëmarrjen e gjerë të hekzametrave klasikë. Brishtësia e damarit të tij poetik përmbushet nga përgatitja e jashtëzakonshme gjuhësore e letrare, dhe nga skalitja imtësore e vargut dhe strofës". Në këtë sens, Ndre Mjeda ishte një autoritet. Gramatolog, glotolog e letrar i madh njëherësh, ai ka qenë padyshim një ndër anëtarët më kompetentë të komisionit shkodran që ndau unisimin e gjuhës bazuar në dialektin elbasanas. Sikur në histori e në drejtësi të mëtohej rregulla e famshme "distingue tempora et concordabis iura", dalloji kohët e ndryshme e ke për t'ujdisë teorinë, po kështu edhe në jetën letrare të D. Ndreut, na zbulohet një evolucion, vërtet i gjatë e i ngadaltë, por që del fort në pah.
 

Prej romantikut e prej elegjiakut të "Juveniliave", del liriku klasik i "Lissus" e i "Lirija". Prej prozatorit të "Historisë së Shenjtë" na del studiuesi i Budit e themeluesi i teorísë së emrave e të përemrave pronorë.
Ishte një kohë e vështirë ajo e komisionit letrar për njësinë e popullit shqiptar. Unisimi do të dukej deri atëherë, jo vetëm i nevojshëm por i pavonueshëm. Prandaj zgjidhja më e mirë për n'atë çast do t'ishte ajo më e shpejta: një dialekt i ndërmjetëm. Ndërruan kohët, rreziku i ndarjes u bë gjithnjë e më i paktë; nuk mund të flitej përnjëmend për një rrezik të tillë. Atëherë nisi Dom Ndreu të mendojë për një zgjidhje më të ngadalshme e më të natyrshme. Një artist me shpirt estetik, një endës poemash kaq i lëmuar e i kujdesshëm, një i dashuruar i flaktë pas Shqipërisë e një rrëmues aq i imët i historisë së saj, nuk do të mund të pranonte të humbiste ndonjë visar i Shqipërisë. Ndërkaq ai vetë kishte filluar t'i mësonte edhe nxënësit të huazonin prej toskërishtes ato fjalët më të bukura a më të përshtatshme që gegërishtes i mungonin, ose n'ato raste kur ato i mungonin me atë "sfumaturën" e caktuar estetike që lyp arti, për t'i shtënë në punë duke i sjellë në trajtën fonetike e gramatikore të gegërishtes. Mjeda në fakt, nuk ishte madje as shkodran; familja e tij e sapoardhur nga fshati, ishte krejt e panjohur e gjithçka tjetër përveçse shkodrane. E megjithatë ai i këndoi Shkodrës.
 

Nuk dimë se si do të qenë mbrujtur sonetet e tij "Shkodra", nëse frymëzimi do ta kishte shoqëruar përtej viteve të para të rinisë deri në vitet e vona të jetës. Fakt është se ky frymëzim u ndal në një epokë gati arkaike, në një epokë ku toni i poetit mund të qe vetëm ai i një epopeje dhe ambienti i përshkuar e pikturuar ai i një copëze, që vetëm erudicioni i tij i gjerë dhe fantazia e tij e gjallë mund t'i krijonte. Rrjedhimisht, sentimentet që përcillen janë ato të madhështisë, heroizmit, bujës dhe entuziazmit. Shkodra intime e asaj kohe nuk mund të mos i shpëtonte, por nëse do të jetonte me Shkodrën e ne të gjithëve, druaj shumë të besoj që ky intimitet do të kishte vallë ndonjë gjasë të mos ia gjallonte dot frymëzimin, atij, poetit intim të "Andrra e jetës"! Ai s'kish lindur e as s'ish rritur në një shtëpi të bukur shkodrane, mes ëmbëlsisë dhe ngrohtësisë së grave të familjes e nën udhëheqjen patriarkale të padronit të shtëpisë, të respektuar në pazar dhe me shumë ndikim në qytet. Edhe atëherë kur, i larguar nga shtëpia për studime, shkroi ato lirika aq të ndryshme nga njëra-tjetra, por që mund t'i grupojmë nën emrin e lirikave të mërgimit ose të mërgimtarit, ai nuk e kundroi atdheun ndryshe nga fshati i vet i lindjes. Si një erudit që ishte, natyrisht që për Shkodrën dinte gjithçka, përveç shpirtit, zemrës, shijeve dhe sentimenteve të saj.
 

Nuk qe i tillë Koliqi.
Familja e tij, në kohët e saj, ishte një familje e madhe, e njohur dhe e radhitur ndër më të mirat e qytetit, por jo se qe një ndër më fisniket dhe njëra nga shtëpitë më të vjetra tregtare. Pothuajse para disa brezash ata qenë nisur nga Shiroka e kishin vënë pasuri duke bërë tregti me Malin e Zi, ku nga Kola qenë bërë Koliç, e pastaj, të kthyer të begatë në Shkodër e në pazarin e saj, përfundimisht Koliqi. Mirëpo, është e vështirë të besohet se ai do të kish qenë vërtet poeti i Shkodrës, nëse Shkodrës s'do t'i kish ndjerë dhe vuajtur nostalgjinë e gjithë atyre viteve të fëmijërisë, adoleshencës e rinisë së parë që pat jetuar në të, apo nëse pikërisht në këto vite të mos kish rrojtur në një ambient e në një klimë letrare, e cila së bashku me perspektivën e largësisë, t'i zgjonte në shpirt atë ndjesi të veçantë të të ndjerit lirik e deri elegjiak, që klima satirike shkodrane, do t'ia kish ndërruar me të shpejtë. I dërguar në Itali, atij iu desh të qëndrojë aty përgjatë gjithë viteve të Luftës së Parë Botërore e në vazhdim; bëhet fjalë për një periudhë, e cila për Italinë qe epoka e D'Annuncios, kurse për Francën e afërt ajo e Parnasianëve dhe hermetikëve. 
 

Kështu, pas mërgimit të vet rinor, me flatrat e dëshirave të gufuara në ajër nga jeta nëpër qytetet e mëdhenj, ku rrohej e ecej krah për krah pa u njohur aspak, ai u kthye në qytetin e tij të vogël të lindjes, që i ngjante më shumë një familjeje të madhe. Nga jeta e kombeve të mëdhenj, të cilëve ai u kish përjetuar spektaklin e një lufte çnjerëzore - sepse çdo gjë kishte shkuar përtej njerëzores - në Shkodrën e tij, që u bënte thirrje për luftë turmave të malësorëve, secili me një emër e një prijës të vetin, e secili me heroin e tij të njohur si mik i vjetër shtëpie.
 

Detyra e parë letrare qe himni kombëtar, i çmuar dhe i vlerësuar nga të gjithë. Pas kësaj, vjen mërgimi i dytë. Të periudhës së mërgimit të dytë janë dy veprat - edhe pse të ndryshme - të poezisë shkodrane: novelat "Hija e maleve" dhe lirikat "Gjurmat e stinvet". "Para Koliqit novela shqiptare nuk ka qenë, ndaj atij i përket pikërisht nderi i krijimit të kësaj gjinie të letërsisë shqiptare". Ja, kështu do të shkruante për të Vangjel Koça, duke vënë në dukje ndikimin e Mopasanit dhe Prustit në shkrimet e tij, ndikim ky që ai e kulloi dhe e shkriu në personalitetin e vet artistik.  
 

Nëse të rastiste një shtëpi myslimane, nuk mund të shihje tjetër veç të zotit të shtëpisë; po nëse shtëpia ishte katolike, priteshe vërtet nga burrat, por servireshe nga gratë me një fisnikëri e shije, të mbështjellë madje edhe nga një ngrohtësi të atillë familjare, që të sillte nëpër mend atë mirësjellje të hijshme antike të Venecias së viteve '500, apo ndoshta edhe të shtëpive të mbretërive shqiptare të viteve '400. Më tej nuk mund të shkohej. E më tej, pa dyshim, që gjallonin sentimente. Në kohën e Koliqit të "Hija e malevet" dhe "Gjurmat e stinvet", po edhe më pas te "Tregtar flamujsh", natyrisht që sentimentet e përjetshme, ato të çdo jete e të çdo vendi mbeteshin, edhe pse të fshehura, gjithmonë të gjalla. Po të tjerat, madje në njëfarë mase edhe këto vetë, kishin filluar të kushtëzoheshin nga një stad i ri i gjërave, nga një jetë jo më e drejtpeshuar nga normat e rrepta antike, po nga një vërshim aspiratash të reja, e shoqëruar kjo me një rënie të përgjithshme ekonomike, e cila u jepte të gjithë instrumenteve të madhështisë e pasurisë antike një aspekt dekadence, kurse orvatjeve për gjetjen e formave të reja të ekzistencës, një klimë pasigurie me nuanca foshnjore.
 

Të rinjtë mund të kenë shpesh një mënyrë të tyre artistike, sikurse mund ta kenë edhe ata studiues që mund të rijetojnë kohërat e shkuara; e këta mund të jenë të sinqertë. Ka edhe asish që zotërojnë një mjeshtëri mjaft të përmbaruar, por vështirë se ata mund të mbërrijnë në një shkallë realizimi që vetëm eksperienca e jetës mundet tua japë; e atëherë ndihet në veprën e tyre se mungon ajo martesë fatlume ndërmjet subjektit e objektit, që përbën atë që mund quhet përnjimend vepër arti.
 

Kur për fat të zi këta të rinj e bëjnë retorikën jo vetëm mënyrën e ushtrimit të tyre letrar, por një rregull a një mënyrë jetese, atëherë jeta e tyre del jashtë epoke. E kur për më tepër se kaq, me një poezi a retorikë të tillë, ata çojnë zërin e përpiqen të bëhen udhëheqës të të tjerëve, e akoma dhe më keq, dëgjohen prej tyre, atëherë ky fat i zi i poezisë dhe i artit të tyre, shndërrohet edhe në atë të jetës individuale e të përbashkët. Kjo gjë u ngjau shumë letrarëve të rinj shqiptarë në epokën midis dy luftërave, atëherë kur në një mënyrë të veçantë, të rinjtë e asaj kohe nuk kishin më një objekt të gjallë, konkret, të çelur për veprimtarin e tyre, për rrjedhim s'kishin veçse ëndrra të kthyera në kohëra jo fort të vjetra, por krejtësisht të tejkaluara. Kështu doli retorikë një pjesë e madhe e letërsisë patriotike, jo pse ndjesitë nuk ishin të sinqerta, por pse aspiratat ishin ireale. Mirëpo autori ynë nuk ra në këtë grackë.

Në këtë pikë do të qe me vend të përmendnim një artikull të famshëm të Anton Harapit mbi raportin e artit me moralin në letërsinë koliqjane. Novelat e tij, me reformën e traditave që kërkojnë të bëjnë, na japin shkas të paraqesin e të përcaktojmë çështjen e moralit publik ndër traditat shqiptare, nënvizon Harapi. Koliqi në këtë drejtim është rritur e kultivuar shumë në pikëpamje. 
 

Të paktët persona largpamës të asaj kohe nisën ta kuptonin problematikën gëlues të momentit; po shumica rreshtoheshin kokëfortësisht në mbrojtje të së shkuarës ose druajtësisht kah aventurës së re. Ishin në lojë thelbi dhe qëndrueshmëria e shoqërisë, morali dhe feja; ishin në lojë fortesat e shpirtit të kombit, traditat e mira e të bukura, pastërtia e gjuhës, respekti, kultura e seriozitetit, interesat lokale e kështu me radhë. Në këtë sens, Koliqi novelist dhe lirik shkaktoi "skandal kudo". Për konservatorët, ai nuk ishte mjaftueshmërisht konservator, kurse për inovatorët, shumë konservator.
 

E atëherë skandali letrar shndërrohej edhe në një skandal moral: kush nuk respekton gramatikën tonë shkodrane, hedh poshtë vlerat e mëparshme historike dhe të pakundërshtueshme të komunitetit tonë kristian, kësisoj nuk është me ne. Kush merr përsipër të praktikojë një gjuhë si tonën, kush duket se i ndien problemet që na ngucin, por vonohet nga soditja edonistike e së shkuarës, nuk është sinqerisht me ne, por është një borgjez (e nëse Koliqi do të kish qenë mysliman, do ta kishin quajtur feudal).
 

Në thelb, nëse do të donim të shkonim në kërkim të kritereve me të cilat krijuesi na ka pajisur për të zbatuar zgjedhjet tona në mes të një pafundësie gjërash të krijuara përreth nesh, pa dyshim që do të gjejmë mjaft kritere të tipit racional, në mënyrë evidente të domosdoshme për ne, qeniet racionale. Gjithsesi, nuk mund t'i japim kaq besim arsyes për ta shndërruar atë në një hyjni, përveç rastit kur jemi nën trysninë e urgjencës së një zgjedhjeje. Përndryshe, ai që na qeveris është instinkti, ai instinkt që na udhëheq drejt gjërave të këndshme; ai që i jep fuqinë e edilit edhe sendeve më të zakonshme të jetës. Megjithatë, ekziston edhe diçka tjetër. Jeta jonë nuk është krijuar veç për të bërë diçka e për të punuar. Jemi njerëz, e si të tillë jemi krijuar edhe për të menduar e soditur; e së fundi, edhe për të dashuruar. Mirëpo, dashuria nuk mund të mendohet të ekzistojë pa soditje; e veprimi i të soditurit është ai që i përket përjashtimisht një esteti. Aty ku arsyeja ndalet, ai vijon soditjen, harenë dhe dashurinë. Madje, ngandonjëherë shija e rafinuar e estetit arrin ta përfundojë përzgjedhjen edhe aty ku mendimtari s'mundet.
 

Ata që e recensuan dhe shprehën publikisht mendimin e tyre rreth novelave dhe lirikave të Koliqit, në të gjitha tematikat e tyre, shkurt mund të përmblidhen në shprehjen "të bukura, por asgjë më shumë". Në distancë vitesh nga ajo kohë, na duhet të shtojmë se ato qenë edhe të gjetura.
Duhet shtuar gjithashtu, se nga një bastion i katolicizmit dhe atdhetarisë, në një moment të caktuar - e qe pikërisht koha e Koliqit, - Shkodra filloi të tregohej shumë e mbyllur në vetvete, filloi që gjërat t'i ruante përbrenda e të mos i pranonte të tjerët. Kjo do të ishte dëm për të e për të gjithë.
Koliqi e kuptoi - ose e ndjeu - qartë një gjë të tillë. Gjuha e tij kulloi prej Shkodrës dhe maleve të saj, por nuk ishte as njëra e as tjetra. Ngrohtësia ishte vërtet për kujtimet shkodrane, por entuziazmi i tij drejtohej drejt misionit të Shkodrës në shërbim të gjithë Atdheut.
 

Koliqi e kuptonte Shkodrën familjare, po nuk kuptonte ose nuk mund a nuk donte të kuptonte Shkodrën fanatike, Shkodrën politike, Shkodrën që stërfalej, Shkodrën që si të gjithë fanatikët, tradicionalët apo hiperpolitikët, besonte se po ruante një traditë së cilës nuk i njihte tjetër veçse mbeturinat, kësisoj nuk mund t'i shpëtonte dot asgjë.
 

Nga ana tjetër, është plotësisht e vërtetë që shkodrania e tij mbeti gjithmonë transparente, e bashkë me të edhe koncepti i saj themelor kristian, katolik e perëndimor i jetës private, edhe pse i prirur te edonizmi, te jeta kombëtare, apo edhe pse i konceptuar në bashkëpunim me të tjerë elementë.
Nuk mund të thuhet pra, se ai pat qenë me fat e as i pritur me zemër të hapur nga bashkëqytetarët e vet apo nga të tjerët.
 

E megjithatë, për ta përballja me të qe e pashmangshme. Poezia e tij nuk mundej, nuk do të mundeshe e as nuk do të mundet kurrë të anësohet, jo vetëm në historinë letrare shqiptare, por ndoshta edhe në të gjithë historinë e Shqipërisë.
Ndaj Shkodra me të do të mbetet e gjallë, si një tablo prekëse e me ngjyra të ndezura, si një tablo që s'e pat bërë askush më parë e që asnjë tjetër s'do ta bëjë ndonjëherë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).