Shkupi i sotëm ka shumë pak shenja njohëse nga ato që kishte ai para tërmetit të vitit 1963, kur mëngjesin e 26 korrikut të atij viti e gdhiu i mbuluar me re pluhuri dhe thuajse i rrafshuar me tokën. Edhe madje jo vetëm pse ky i sotmi nuk ka emblemë njohëse atë që kishte ai i para tërmetit, e që kryesisht lidhej me lavdinë e socializmit të atëhershëm, jo pse ky i sotmi është i stolisur me kryqe ortodokse dhe përmendore që më shumë tregojnë për historinë e munguar sesa për të kaluarën e popullit maqedonas, por sepse Shkupi i sotëm i ngjan një qyteti që do t’i ikë së kaluarës së vet të vërtetë, i ngjan një qyteti që do ta bëjë sa më të padukshëm vendin ku e themeluan banorët e lashtë të tij – dardanët, të cilët në lashtësi, të tmerruar nga një tërmet më shkatërrues se ai i mëvonshmi i vitit 1963, e shpërngulën Shkupin e atëhershëm nga brigjet e Lepecit, pranë atyre të Seravës, e ku edhe sot jetojnë pasardhësit e ilirëve. Dhe duke qenë qytet i cili do t’i ikë së kaluarës së vet, ai sot zgjerohet dhe zgjatet nga ana e djathtë e lumit Vardar, në pjesën që filloi të ndërtohet pas pushtimit serb të këtyre hapësirave, në kohët kur filloi deshqiptarizimi i tij dhe largimi i këtij qyteti nga vendi ku kishte lindur dhe ku ishin pronarët e tij të vërtetë.
Shkupin thuajse gjithmonë e ka përcjellë fati që pas një periudhe të lavdishme të zhvillimit të vet, të pasojë shkatërrim apo dëmtim në përmasa aq të mëdha, saqë banorët e tij ta kenë më të lehtë ta ndërtojnë nga e para, sesa ta ripërtërijnë të rrënuarën. Kjo ndodhi edhe pas tërmetit të vitit 1963, kur rindërtimin e Shkupit e ndihmoi e tërë bota. Pas çdo shkatërrimi të tij, Shkupi e ka ndryshuar shenjën e tij njohëse, thuajse sa për ta harruar më lehtë e më shpejt tragjedinë që i ka ndodhur. Atë ai e bëri edhe pas tërmetit të 1963, kur qarqet e këtushme të vendosjes bënë çmos që ndihmën që ofroi bota ta përdornin edhe për diçka më shumë sesa për t’i strehuar banorët e mbetur pa shtëpitë e tyre: të vazhdonin deshqiptarizimin e kryeqendrës së Maqedonisë, ta çonin më tej procesin e filluar nga pushtuesit serbë qysh në vitet e pas luftërave ballkanike.

Kështu që lagjet e reja të ndërtuara pas tërmetit, ngutas u banuan me maqedonas të ardhur nga viset e tjera të Maqedonisë dhe lagjet e banuara me shqiptarë u lanë anash si oaza, që gjithnjë e më shumë getoizoheshin e jetonin në kushte të mjerueshme sociale. Apo lagjet shqiptare që ndodheshin në vende atraktive – si për shembull ajo e Nerezit – dalëngadalë plotësisht të zhdukeshin dhe nga aty të shpërnguleshin banorët shqiptarë. 
Duke qenë qytet me të kaluar të begatë, me të kaluar përplot edhe me ngjarje tragjike dhe shkatërrime të përmasave që vështirë mund të imagjinohen, me të kaluarën e Shkupit janë marrë shumë studiues e historianë dhe për të janë shkruar shumë libra. Shumë nga librat për të kaluarën e Shkupit në të vërtetë nuk flasin gjithaq për të shkuarën e tij, as për të vërtetat që kanë të bëjnë me këtë qytet ku janë gërshetuar fatet e popujve të këtyre hapësirave, por ato shpalosin vesin ballkanik që edhe librat historikë të ndryshojnë përmbajtjet me po të njëjtën shpejtësi sa edhe ndryshimi i rendeve shoqërore dhe i sunduesve. Pra, shumë nga ata libra – posaçërisht ata të shkruar nga autorët serbë e maqedonas – dëshmojnë atë që dihet qëmoti: për çdo pëllëmbë të Ballkanit ka aq libra historikë, sa edhe popuj dhe aq sa çka pasur sundues. Me çka ballkanasit kanë sforcuar përshtypjen që kanë të tjerët për ta, se nuk janë gjithaq të brengosur për të sotmen dhe të ardhmen e tyre, por ata i mundon brenga të mos zbulohet e kaluara e tyre e vërtetë.

Andaj, për Shkupin kanë shkruar të gjithë ata që kanë pasur për detyrë të lëvdojnë apo të arsyetojnë veprimet e sunduesit, madje edhe ata që rastësisht kanë kaluar këtyre anëve, por më së paku me të kaluarën e tij janë marrë shqiptarët, paraardhësit e të cilëve e themeluan këtë qytet. Pra, me të kaluarën e Shkupit më së paku janë marrë shqiptarët, dhe madje duke e ditur se si rrallë ndonjë vendbanim tjetër, e kaluara dhe e sotmja e Shkupit e dëshmojnë autoktonin e tyre në këto troje ku dikush dëshiron t’i tregojë si ardhacakë “të zbritur nga malet”. Mbase ata edhe nuk kanë pasur kohë të merren me të shkuarën e qytetit të vet, ngaqë gjithmonë kanë qenë të zënë me hallet si të mbrojnë të sotmen e tyre. Apo duke u ndier si pronarë të të cilëve për çdo ditë dikush ua merr pronën, ata nuk janë përqendruar gjithaq në shfletimin e “tapive” dhe si ato t’i përdorin për ta dëshmuar pronësinë, por si të mbrojnë ekzistencën fizike duke e ditur se tapitë nuk vlejnë gjë, nëse zhduket prona. Nga ana tjetër, sllavët që pushtuan këto toka ilire, duke e ditur se kush është pronari i tyre i vërtetë, kanë shkruar shumë për Shkupin. Në të shumtën e librave për Shkupin të shkruara nga autorët serbë e maqedonas, shpaloset instinkti i pronarit të rrejshëm, i cili nga droja se mund të vijë i zoti i pronës e të dëshmojë vjedhjen që i është bërë, ngutshëm do t’i fshijë gjurmët e pronarit të vërtetë. Duke u sjellë si ai që jeton me frikën se një ditë do të kthehet pronari dhe do ta marrë të veten, autorët e disa librave për të kaluarën e Shkupit bënë të pamundurën të shlyejnë të gjitha shenjat dardano-ilire dhe shqiptare të këtij qyteti dhe madje duke i ndryshuar toponimet e vendeve të këtushme, aq edhe duke shtrembëruar faktet nga e kaluara e kësaj pjese të Ballkanit.
Sot janë të pakta gjurmët e Shkupit dardan, si dhe të atij të kohëve të Justinit (518-527) me origjinë ilire nga Bederiana pranë Shkupit, Justinianit të Madh (527-565), nipi i Justinit, i lindur në Tauris, fshat në afërsi të Shkupit, edhe ky ilir, si dhe Justinit II (565-578). Të pakta janë pra gjurmët e Shkupit të kohëve kur Justiniani nënshkroi dekretin mbi vështrimin juridik të institutit të familjes (18 tetor 532) drejtuar prefektit të prefekturës së Ilirikut, dekret që dëshmon ekzistimin e një rendi shoqëror të mbështetur edhe nga kryepeshkopata e re (nën ombrellën e Romës) me seli në Shkup, ku kishin lindur këta sundues të mëdhenj dhe njëkohësisht edhe ndërtues të qindra kështjellave të shpërndara nëpër Dardani, e në mesin e të cilave edhe Kalanë e Shkupit, e cila edhe sot është emblema njohëse e këtij qyteti. Në Shkupin e sotëm gjithnjë e më të rralla bëhen edhe gjurmët e kohës së Perandorisë Osmane, kur ky qytet shkëlqeu dhe u bë qendër e rëndësishme ushtarake dhe tregtare e Vilajetit të Kosovës.

Shkupi i tanishëm jeton ditët kur dikush me çdo kusht ka vendosur atë ta shkëpusë nga e kaluara e tij e vërtetë dhe t’i ndërtojë një të kaluar që nuk e ka pasur kurrë – atë që ka vetëm simbolin sllav dhe ortodoks. 
Shkupi i sotëm i ngjan një qyteti që bën çmos të harrojë të kaluarën e vet të vërtetë. Apo, Shkupi i sotëm i ngjan një vendbanimi në të cilin e sotmja e urren të kaluarën, ku e sotmja nuk do të përballet me të shkuarën. Duke mbetur në duart e një populli që duhet të ndërtojë të kaluarën e vet nga e para – atij maqedonas, Shkupi i shekullit XX dhe i fillimshekullit XXI bën çmos të shlyejë nga vetvetja emblemën shqiptare dhe atë myslimane. Andaj kur sot shëtit nëpër këtë qytet, shumëçka të ngjan në betejë mes harresës dhe ngulmimit që gjërat të mbahen mend e të mos shlyhen nga kujtesa. Kështu pra, përderisa shëtit rrugëve të Shkupit të vjetër – nëpër lagjet shqiptare, ndjen dëshirën e këtij qyteti të mos e groposë të kaluarën e vet në varrin e harresës, e posa del në pjesën e tij nga ana jugore e Vardarit, posa shkel matanë Urës së Gurit dhe përballesh me sheshin e Shkupit, e ndien orvatjen që Shkupi të mos ketë të kaluarën që ka pasur, por atë që dikush do të donte ta kishte.

13 Komente

eh e lagu se lagu

akoma me histori iliresh e pellazgesh

shqiptaret e maqedonise duhet te shkojne ne shkolle, vetem arsimi mund ti shpetoje qe ti konkurojne maqedonasit, edhe te emancipojne i cike femren, sepse he per he skane asnje shans perkundrejt maqedonasve.

Ose pastaj le te rrine, te llyjne floket me gjel, dhe ti majne shpresat ke Sale Birishia, te cilin demek simas tyne, sllavi e ka fryke smiley

Shkupi eshte vertete i ndame me thike, ne menyre te trishtueshme, dhe lagjet e shqiptareve vazhdojne te kene gardh kufitar kanazet e plherave dhe ksollat e magjypeve.

 

Edhe ajo e ka nje te mire Ruzhdije.

Problemi demografik do thoja une,

nese ato femrat emacipohen si maqedonaset, nuk lindim me nga 6-7 kalamaj.

Do te duken budallalleqe keto qe po te shkruaj por eshte e vertet.

Kosova eshte ajo qe eshte nga ajo mos emacipimi i femres, se ndryshe do ishin asimiluar me kohe.

Po kush tha qe do te asimiloheshin? Intelekti eshte force.

Fale intelektit ata mund te jene neser klasa drejtuese e Maqedonise.

Demokracia eshte forca e numrave olso.

Po s'pate numrat s'drejton dot, e aq me shume kjo ne Ballkan.

Gjithnje ne popujt pakice me shume rendesi ka linshmeria sesa intelekti.

Epo numrat duhet te jene me i menje

si thu ti mo mire 2 te mencem qe jane me nje mendje, apo  4 budallenj qe jane 2 me nje mendje, e 2 me nje mendje tjeter ?

Ruzhdije shqiptaret ne ato treva kane qene shumice, por sllavet vetem ne vitin 1953 kan derguar per ne Turqi 350 mije njerez, pra me shume se gjysmen e shqiptareve te maqedonise, dhe ja nga ajo lindshmeri i ke perseri konkurues ne ato treva.

e nese sic thua ti te kishin ndjekur ate rrugen tjeter, sot do kishim me shume profesor dhe femra me mini por shume me pak shqiptar ne ato treva.

 

Demokracia eshte forca e numrave olso.

Ruzhdije shqiptaret ne ato treva kane qene shumice, por sllavet vetem ne vitin 1953 kan derguar per ne Turqi 350 mije njerez,

Kam pershtypjen se me keto dy fjali e ke bere vete peshimin midis forces se numrave dhe forces se mendjes.

Ca fjale mo?

Ajo e mesipermja ishte batute dhe nuk te drejtohej ty. Ishte keshtu ne pergjithesi.

Tani, lidhja eshte e qarte dhe me duket e tepert qe te ta shpjegoj. Gjithsesi... Ti vete thua nga njera ane qe numrat jane force dhe pastaj nga ana tjeter jep shembullin se si nje popullesi qe ka qene shumice ne numer eshte zbuar prej vendit te saj nga nje pakica qe s'kishte numrat, por kishte trurin per te planifikuar nje gje te tille.

Or tunc, shqiptaret s'kane pas kurr shumicen ne Jugosllavi per kete ti je dakort apo jo!!!

Sa per ne maqedoni ta siguroj, dhe po ta dish zotrote Shkupi ne 1913 ka qene qyteti ku ka pas me shume shqiptar ne Ballkan.

 

Sllovenet kishin shumicen ne Jugosllavi?

Maqedonsit kishin shumicen ne Jugosllavi?

...

Ne ate Republike qe jetonin po, dhe shumicen apsolute, packa se gjat kohes se Jugosllavise si pyeste kush.

Si pyeste kush, por s'ju doli keq.

Gjithsesi, numrat natyrisht qe kane rendesine e tyre, por numrat jane asgje, pa kontroll (pa tru). Dhe une mendoj se eshte pikerisht truri qe neve na ka munguar historikisht. Ose edhe thjesht aftesia per t'u bashkuar, per te bashkepunuar dhe per te pare pertej interesave te ngushta personale, ne funksion te nje interesi te perbashket.

Ka të drejtë është e rëndësishme e kaluara por për ata që dinë ta mësojnë e përdorin në dobi të vet .Por politikanët shqiptarë të SHKUPIT  janë akoma në foshnjore dhe se dinë vetë historinë e atyre trojeve le ma ta përdorin në favor të popullit të tyre .Ata janë të përçarë e megalomanë sikur janë politikanë të një perandorie dykombëshe dhe jo e një shteti piçiruk dykombësh .U lodh KIm i por kush e dëgjon (lexon)e kupton thuaj.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).