“Jam i dënuar me të drejtë, - më tha me lot në sy. - Nuk është se ma ka fajin njeri. Trafiku dhe prostitucioni janë vepra të liga, në të cilat nuk duhet të kisha hyrë”.

Në dhomën e tij të burgimit kishte shumë tym duhani.

"Sa cigare duhan pi në ditë?, - e pyeta me qetësi për të mos i prishur çastin kur po meditonte rreth jetës së tij tashmë të shkatërruar, të hedhur atje tej në një izolim që mund të zgjasë edhe dy dekada.

"Ç’e pyet!, - m'u përgjigj. - Ndofta tri paketa në ditë. E kam shpeshtuar duhanin këtu, në këtë burgun, sepse kur isha në një burg më afër vendlindjes sime, më afër familjes sime, e kisha më kollaj. Por, ja, më zhvendosën këtu, sikurse më thanë, përkohësisht, vetëm për disa javë, ndërkohë që kam 8 muaj që ndodhem këtu. Nuk kam as frigorifer në dhomë sepse më ka mbetur atje tek isha më parë. Nuk mund ta marr me vete ngado që shkoj e ku më hedhin. Hallin e kam te çuni që kam ëndërruar ta bëja mjek, nuk e di nëse do t'ia arrij asaj dite”.

Dhe nisi të përloste sytë.

"Çfarë ke trafikuar?” - e pyeta drejtpërdrejt.

"Femra të huaja, moldave, ukrainase etj., çfarë rëndësie ka? Asnjë herë shqiptare, por edhe ato të huajat e kishin nga një baba, si e gjithë bota. Ndonëse nuk isha unë që i kisha futur në rrugën e krimit dhe prostitucionit.

Tani u kam bërë letra instancave që të më afrojnë te një burg më afër familjes sime, i kam dërguar letrat me rekomande, me përgjigje të paguar, por veç përgjigjes së postës që më njofton se letra ka vajtur atje ku duhet nuk kam asnjë përgjigje nga ata që duhet dhe mund të vendosin për fatin tim. Bëj letra dhe nuk kam përgjigje. Pres me muaj një përgjigje, qoftë edhe negative, këtu, humbur në këtë qeli ku kam rënë për fajin tim, për shkakun se mendova të dilja nga varfëria nëpërmjet një rruge të ligë, por nuk ishte e thënë për mua”.

E shoh të lodhur. Cigaret kthehen njëra pas tjetrës në hi, pa pushim, sytë i ka të mbushur me lot, duket i nënshtruar ndaj dënimit që shoqëria i ka dhënë. Nuk e di nëse është ose jo i penduar. Nuk e di nëse po të dalë që këtej do ta rifillojë përsëri rrugën e ligë që kishte ndërmarrë.

Është e vërtetë që nuk është ai shpikësi i trafikut të prostitutave, i rrjeteve ndërkombëtare të këtij trafiku, megjithatë është njeri prej ushtarëve që e bëjnë të mundur atë.

Por, gjithsesi, një përgjigje për kërkesën e tij mund ta marrë, qoftë edhe negative, ashtu sikurse ia jep ligji, se ai është dënuar për fajet e bëra me burgim, por jo që shoqëria të mos komunikojë me të qoftë në mënyrë zyrtare, qoftë në mënyrë humane. Ndërkaq, shprehet i kënaqur lidhur me trajtimin dhe kushtet e tij në burg.

Një përgjigje ia kemi borxh t'ia japim, nuk na kushton gjë ne njerëzve të lirë. Nuk ka arsye ta braktisim në këtë mënyrë dhe ta mbulojmë të gjorin me harresë.

Braktisja është e keqe, ajo është e hidhur, sepse e lë njeriun fare vetëm dhe bota i duket e huaj, pa njerëz të tjerë dhe në atë çast nuk ka kuptim më asgjë, as morali, as lidhjet farefisnore, as dashuria etj.

"E lashë gruan", - më shkruan në një letër një i burgosur tjetër.

"Që ditën që dola në gjyq dhe mora vesh dënimin që më dhanë. 25 vjet burg, dy dekada e gjysmë heqje lirie. Nuk është pak. Nuk po i hyj këtu diskutimit nëse dënimi që trupa gjykuese shprehu përkundrejt meje ishte apo jo i drejtë. Tjetër punë ajo. Por, atë ditë, e kisha bërë ndërmend, kisha vendosur që po të dënohesha kaq rëndë, do t'i thosha gruas: "Ik moj motër, shih jetën tënde, fëmijë ende nuk kemi bashkë, unë kam hyrë pas një gabimi fatal që e bëra në një çast gjaknxehtësie në një kalvar të pafund vuajtjesh. Duhet të ndahemi”.

Dhe ashtu bëra. E thirra pranë meje, sikurse qe duke qarë dhe i thashë edhe një ogur tjetër të zi, ndarjen. "Ik, shih punën dhe jetën tënde!"

Nuk kisha se çfarë e doja më atë lidhje martesore. Edhe vetë nuk do të isha rehat, mbyllur në burg, por do të më mbyste xhelozia, ajo do t'u bëhej barrë prindërve dhe fundja çfarë të drejte do të kisha që pasi prisha jetën time, të shkatërroja edhe jetën e një njeriu tjetër?"

Ai dukej i qetë në fytyrë, kur shkova ta shihja, tashmë kanë kaluar pesë vite nga ai çast fatal. Nuk më rrihet dhe e pyes: "Natën, kur je në vetminë tënde të kësaj dhome me katër mure e të del gjumi, a të kujtohet ndonjëherë ajo?"

E di që bëj gabim të madh, sepse mundet që e prek më shumë, por ja që kërshëria për ta kuptuar deri në pjesët më të thella shpirtin njerëzor nuk më lë rehat.

"Ah, jo, or mik, ka mbaruar tashmë gjithçka, zjarri është shuar", - m'u përgjigj në mënyrë të besueshme duke folur ngadalë e me sy të perënduar. Nuk kishte më pasion në ato fjalë.

E kishte braktisur, e duke braktisur tjetrën, ishte vetëbraktisur prej asaj tjetrës. Tashmë ndodhej vetëm fare.

Dramat e mëdha që nuk dalin pothuajse fare në vëmendjen e opinionit tonë publik.

Duke mos i folur na mbeten tema tabu, ndalesa, duket sikur njeriu nuk dëshiron të përballet me tragjizmin e vërtetë të jetës.

"Para grykës së atij revolveri me ngjyrë metalike më erdhën në shpirt ndjenja që me siguri në ndonjë rast tjetër nuk do të kisha pasur mundësi t'i përjetoja”.

Kështu m'i përmblodhi mbresat e tij njeriu që sapo kishte shpëtuar, para disa muajsh, nga rreziku për jetën.

Ishte ndodhur rastësisht para sportelit të një banke kur një grabitës kishte hyrë në sallë. Me revolver në dorë. Kishte kërcënuar njeriun e sigurisë, pastaj sportelistet, e më në fund armën e ftohtë ngjyrë metali ia kishte drejtuar njeriut që kisha përpara.

"Mos lëviz aty që aty ku je, asnjë lëvizje, përndryshe të fluturoi koka. More vesh?", - i kishte bërtitur.

"Pate frikë atë çast o i gjorë?, - iu drejtova mikut tim. - Kushedi se çfarë frike ke ndjerë në ato çaste fatale”, - i thashë përse jo edhe me pak ironi.

"Këtë nuk dini ju o budallenj që nuk jeni ndodhur asnjëherë para një rreziku kaq të madh, para rrezikut për t'u takuar në çastin e fundit me jetën tuaj, pra me vdekjen tuaj. Jo më kot njerëzit e lashtë ata që i shpëtonin vdekjes prej ndonjë sëmundjeje, prej goditjes nga rrufeja, i konsideronin pas kësaj gati si shenjtorë. Kishin të drejtë meqë ata pikërisht ishin takuar një herë me vdekjen, kishin idenë se çfarë është gjëja më e frikshme dhe më sublime njëherësh në jetë, pra vdekja.

Ti më pyet nëse ndjeva frikë. Çfarë është frika ore ditëzi përpara asaj që ndjeva në të vërtetë. Frika nuk është asgjë. Pikërisht ju nuk dini dot këtë sekret prandaj jeni si tra-la-la e lu-lu-lu. Silleni tërë kohën si çiliminj të mbrapshtë që pickojnë edukatoren nga pas për t'i tërhequr vëmendjen. Ndjeva diçka tjetër shumë më të rëndë dhe të vështirë se frika nga vdekja, e cila para kësaj që po të them nuk është gjë. Hapi veshët dhe bëj durim.

Para tytës armiqësore dhe të ftohtë të revolverit ndjeva një përvojë që kurrë nuk kisha pasur mundësinë ta provoja më parë. Ndjeva se isha vetëm në këtë botë. Atë çast kur po përgatitesha të ndahesha nga jeta dhe nga bota e të gjallëve kuptova se isha krejt vetëm, fillikat vetëm, lakuriq vetëm. Pa grua, pa djalë, pa prindër, pa motra dhe vëllezër, pa miq, përgjegjës, armiq, shokë, pa rivalë, të gjithë, pa përjashtim të gjithë, të tjerët pra, ishin matanë asaj tyte revolveri. Unë isha këtej, përballë saj, pra, në anën e kundërt të botës, unë dhe vetja ime të bërë njësh. Ndjehesha krejtësisht dhe absolutisht i braktisur. Ajo grykë revolveri më kishte ndarë me thikë nga bota e të gjallëve, duke qenë ende i gjallë.

Faleminderit o grabitës që ma dhe mundësinë që ta provoj këtë shije që pa ty do të më kishte qenë po aq e huaj sa edhe yllësitë e universit që nuk i shoh dot sado të përpiqem t'i ngul sytë në kupën qiellore.

U ndjeva fatalisht i braktisur, pa asnjë solidaritet, të tjerët ishin atje tej, ca femra që prisnin bileta avioni, ca burra e gra që pinin kafe atje tutje, por askush nga këta nuk kishte më asnjë lidhje me mua. Bile as gjyshërit e stërgjyshërit e mi, atje në varret e vjetra, nuk i kisha më me vete, nuk ishin më mbrojtësit e mi dhe as unë garanti i vazhdimësisë së jetës së tyre mbi Tokë, pas ikjes së tyre nga kjo botë e të gjallëve të marrë. Nuk kisha as ftohtë dhe as vapë, nuk isha më në asnjë stinë të vitit, nuk kisha më turp dhe as nder, isha vetëm, pra të tjerët nuk më detyronin të bëja asgjë që të ma impononte morali i tyre idiot dhe hipokrit.

Bashkë me të qenit i braktisur ndjeva edhe disa shije të tjera që erdhën dhe u bënë aq shumë të forta në botën e intuitës sime. Them të intuitës sepse ndërgjegjja ime asokohe nuk funksiononte më. Nuk dija më asnjë gjuhë, as shqip as kinezçe, por figura në shpirt, kisha ama. Askush nuk më erdhi në ndihmë për ta hequr atë tytë revolveri nga drejtimi që kishte marrë duke shenjuar në gjoksin tim. Po ta kishte bërë do të më kishte rikthyer përsëri ndjenjën e të qenit në një botë me të tjerët. Por, kjo nuk ndodhi.

Shija e vetme që më vinte nën gjuhë, ishte ndjenja e të përzierit, e të vjellit. Braktisja nga të tjerët të sjell ndjenjën e pështirosjes, vetja jote të duket gjithçka pa vlerë. Ja kjo ndjenjë më mbërtheu të tërin, vetmia, isha vetëm dhe më vinte për të vjellë përpara tytës së revolverit”.

Ka raste kur njerëzit shohin se jeta dhe lidhja shoqërore u shfaqet me të gjithë vërtetësinë e tyre. Ka raste të tjera kur ndodhen të dobët dhe shoqëria u duket e huaj. Ndihen të braktisur. Nuk është fjala thjesht te të ardhurat e tyre. Sigurisht që ato në këto raste rrezikohen dhe gjendja ekonomike e tyre është shumë e dobët. Kjo është njëra anë. Shteti nëpërmjet organizmave të veta sociale bën aq sa mund të bëjë për t'u qëndruar pranë. Diku një pension, diku marrje përsipër e disa detyrimeve financiare, diku gjetkë ngritje e strukturave pritëse për këta individë që ndjehen në periferi të vëmendjes shoqërore.

Handikapati që nuk është në gjendje të ngjisë shkallët e ndërtesës së bashkisë së vet për t'u interesuar atje për zgjidhjen e një halli të tij.

I sëmuri që nuk ka lekë për të arritur që gjatë kohës që është i shtruar në spital të blejë medikamentet mjekësore që mjeku i ka këshilluar.

I moshuari që me një pension të pakët kërkon të mbijetojë, ndërkohë që sheh se shoqëria e të tjerëve i mungon dhe përmbyllet në vetminë e tij.

I dënuari që vuan dënimin e tij në një institucion burgimi dhe askush nuk vjen ta vizitojë.

Janë në fakt jo pak individë nga shtresa të ndryshme shoqërore që kërkojnë një vëmendje më të madhe nga shteti, po se po, por edhe nga shoqëria në tërësinë e vet.

Ndihmat sociale sigurisht që janë të nevojshme, por kërkohet mbi të gjitha vëmendje. Ata janë larg për të gëzuar të drejtat që u garantohen të tjerëve. Ndodhen në një pozitë që vështirë se i dëgjon njeri. Nuk dihet me statistika se sa të zgjedhurit shkojnë drejt tyre për t'i dëgjuar, respektuar dhe marrë në konsideratë kërkesat e tyre, ato që janë legjitime, sigurisht.

Ka pak shoqata që veprojnë me efikasitet në drejtim të tyre. Nuk është fjala vetëm për të organizuar tavolina të rrumbullakëta debatesh për fatet e individëve apo grupeve sociale që qëndrojnë në periferinë e shoqërisë, me pak fjalë, të atyre që ndihen dhe që praktikisht janë të braktisur nga të tjerët. Duhet të ndiejnë se shoqëria nuk i ka braktisur përfundimisht.

Të braktisur nga komshinjtë, nga zyrat, nga politika, nga bizneset, nga të afërmit. Për një arsye apo për një tjetër.

Politika merret pak me ta, sepse shpesh ata nuk votojnë fare. Ndihen kaq të braktisur, saqë për ta nuk ndryshon asgjë nëse fiton njëra parti apo tjetra.

Edhe komunitetet fetare janë shumë të mirëpritura për të vepruar në spitale, azile, burgje e kudo ku kërkohet një ndihmë për atë që jeta e ka çuar për fajin e tij apo për faj të askujt në zgrip të mbijetesës.

Media i ka harruar shpesh dhe dukshëm, sepse në opinionin mediatik demokratik, ai që mbisundon, është interesi dhe vëmendja për starin e kinemasë, për yllin e sportit, për personalitetin e suksesshëm të politikës, për biznesmenin pragmatist, për të riun e fuqishëm, për misin e bukur ose që i duket vetja e bukur. Me një fjalë, është kulti i atyre që ngrihen, i të rinjve, i të fortëve, i të suksesshmëve që ngrihet dhe mbizotëron.

Kurse vëmendja ndaj të braktisurve, cilëtdo qofshin këta, është shumë e dobët.

U ngjajnë atyre luftëtarëve të plagosur rëndë që kanë rënë në fushë të betejës. Është beteja për jetën, më e ashpra dhe më e përgjakshmja. Në fund të saj, të gjithë, pavarësisht fitoreve të korrura, janë humbës, sepse largohen nga kjo botë. Luftëtarë të plagosur që shokët e tyre u kalojnë përpara, u duhet të hidhen në sulm, ecin përpara ose tërhiqen, sipas rastit, dhe nuk kanë kohë dhe mundësi për të kuruar të plagosurit, për t'i tërhequr nga vija e parë e frontit, t'i kurojnë e shpëtojnë për t'i rikthyer në jetë.

Një mentalitet pragmatist i mbështetur mbi dëshirën për fitim vlerëson vetëm atë që mund t'i çojë gjërat përpara. Kurse të dobëtit, të braktisurit, ata që kanë rënë në fatkeqësi, pak e nga pak nuk kanë më zë në shoqëri. Gjithkushi bën sikur nuk i sheh afër tij, nuk e di se ekzistojnë, nuk dëshiron as t'i shohë.

Përse? Sepse ka frikë se një ditë mund të bëhet si ata. Nuk dëshiron të shohë me sytë e tij shkallët e degradimit të qenies njerëzore, të cilat janë të pafundme. Nga frika prej vetes braktis atë që ka nevojë për ndihmën e tij.

Kemi nevojë ta përmirësojmë fort legjislacionin që i merr në mbrojtje këta individë të braktisur dhe ta zgjerojmë gamën e tyre në të drejta efektive.  

1 Komente

Por, gjithsesi, një përgjigje për kërkesën e tij mund ta marrë, qoftë edhe negative, ashtu sikurse ia jep ligji, se ai është dënuar për fajet e bëra me burgim, por jo që shoqëria të mos komunikojë me të qoftë në mënyrë zyrtare, qoftë në mënyrë humane. Ndërkaq, shprehet i kënaqur lidhur me trajtimin dhe kushtet e tij në burg. Një përgjigje ia kemi borxh t'ia japim, nuk na kushton gjë ne njerëzve të lirë. Nuk ka arsye ta braktisim në këtë mënyrë dhe ta mbulojmë të gjorin me harresë.

Ca pergjigje ti japin mo??? Eshte marre me prostitucion, e kane rras ne burg, shteti ta cakton burgun aty ku ka vend, jo aty ku e preferoke ti se nuk eshte hotel, dhe tani plas koken!!

Nuk e kuptoj pse duhet te na vije keq per kriminelet? Meqe derdhen ca lot krokodili kur ju erdhi gazetari? Po lot do derdhin ata s'do mend se burgu eshte i rende dhe ajo frike nga burgu i mban te tjeret pa bere krime, se perndryshe do ishte bere varda....

Ca jane keto shkrime nuk e kuptoj!? Ne vend qe te mbeshtesim shtetin kur bene gjene e duhur dhe rras ne burg trafikantet, tani duhet te na vije keq per ta??? se na qenkan penduar??? Epo si tha Qazimi te filmi: "edhe une me ndejt 6 muj ne burg bohem kamunist!"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).