Intervista

Ambientalisti i njohur tregon vështirësitë e projektit të tij

Xhemal Mato, i njohur njëherë si eksplorues i nënujit e më pas si një ndër njerëzit më aktivë të lëvizjes ambientaliste në vend, thotë se kishte menduar të zhvillonte turizmin nënujor në Porto Palermo, por në fakt ndërtoi një minifshat ekologjik që nuk ka lidhje shumë me ujin. Në intervistën për “Shqip”, Mato tregon për “krijesën” e tij të veçantë në Shqipëri dhe vështirësitë që hasen sot në sektorin e turizmit.

Z. Mato, si lindi ideja për këtë fshat turistik-ekologjik? Çfarë ëndrre patët?

Jam marrë me turizëm nënujor dhe Palemoja është pika më e mirë për këtë. Sidomos për ata që duan të mësojnë zhytjen është shumë gji i qetë, i ngrohtë, i cekët, pasi nuk vjen e menjëhershme thellësia.

Vija shpesh këtu kur stërvitja njerëz që donin të ndjeheshin të qetë. Ideja fillestare qe për ta bërë një stacion zhytjeje këtu për turizmin nënujor. Por kjo ide avancoi më tej, duke ardhur në trajtën e një stacioni pushimi me kabina druri. Mendova se mund të kombinoheshin turizmi nënujor me turizmin marin, që përfshin dhe mjaft elementë të tjerë. Thjesht, një rezidencë, një pikë qëndrimi a pushimi (se fshat turistik është fjalë e madhe). Edhe Jara e Andrea, i shoqi i vajzës sime, merren me aktivitete të tilla të ngjashme, kanë një anije velierë, tamam për turizmin me vela. Kështu u koordinua ideja që të bëhej një gjë më komplekse. Ideja ime do ishte që të bëhej një stacion për turizmin nënujor. Këto dy vjet i jam larguar kësaj ideje, se më kanë mbytur punët këtu, por dikush duhet ta bëjë këtë.

E sotmja çfarë ka këtu? Çfarë gjen ai që ndalet dhe ku qëndron miqësia me mjedisin?

Vetë brumosja ime bëri që me çdo gjë kërkoja, të gjeja zgjidhje ekologjike. Ndaj dhe i vura emrin "Ekoturist", pasi kabinat mund të quhen një ndërtim ekologjik. Kam zgjidhur ekologjikisht ndriçimin, shkarkimet e ujërave, bimësinë që është pjesë e këtij vendi që të çlodh. Vetë druri, mungesa e betonit ta jep këtë ndjesi, gjendja larg ndotjeve mjedisore e madje edhe atyre akustike. Druri është një element ekologjik për të banuar. Kur futesh brenda banon brenda një druri dhe jo brenda çimentos. Zgjidhjet e izolimit termik janë në përshtatje me këtë natyrë dhe ato janë ekologjike gjithashtu.

Shpresoj që kur të mbarojë kontrata ime në këtë tokë, se me qira jam për 10 vjet, ndoshta do të jetë një oaz që do të më bëjë familjarisht krenar e të kënaqur, që diçka u bë. Turizmi ende nuk ka shumë të ardhura dhe nuk është se i justifikon këto shpenzime që kam bërë. Por ndoshta e ardhmja mund të jetë më e mirë.

Ata që ndalen në këtë stacion janë udhëtarë të rastit, apo ka një promocion për fshatin tuaj ekologjik?

Promocioni është shumë i vogël. Kemi një faqe interneti. Jo se ka qenë shumë i frekuentuar. Ka pasur promocion shpesh rastësor, në takime me kolegë të mi, duke qenë se këtej vijnë ambientalistë, njerëz të fushës së mjedisit. Sivjet pothuaj është viti i parë, pasi vjet në korrik ishte i papastruar. Turistët janë një, dy apo katërditorë. Vjen njëri për një natë, i pëlqen dhe thotë "hajde, po rri dhe dy të tjera". Kjo ndodh sidomos me të huajt që kalojnë këtej. Pasi shqiptarët ende janë me idenë e turizmit 15-ditor. Por duhet thënë se tërë Shqipëria e ka vështirë të organizojë turizmin sezonal mirë. Shihja Vlorën dhe Himarën në fillim të korrikut që qenë pothuaj bosh. Turizmi shqiptar nuk shkon përtej 30-40 ditëve dhe kjo është shumë pak për të justifikuar investimet që mund të bësh për turizmin.

Ndërkohë, a bëhet një kombinim i detit me klimën malore, të freskët?

E veçanta është se ka një erë që banorët e quajnë Panormiti, ka erëra shumë të forta. Janë të mira se të freskojnë, por nganjëherë janë kaq të forta, sa të rrëmbejnë çadra e objekte.

Turizëm malor këtu nuk është se ka. Nuk është zonë e trajtuar, është e egër. Ja, për shembull, ditë më parë ra një zjarr që na ka trembur, se me zjarrin nuk mund të luhet dhe nuk e përballon dot lehtë me këto mjete që kemi. Është zona e tillë, që duhet të përballesh dhe me këtë nivel të njerëzve, të barinjve që për një kullotë mund të të vënë zjarrin e të të djegin ty, bashkë me pyllin. Është një pyll mjaft interesant këtu, pylli i Valanidhit, një dru i rrallë tani.

1 Komente

 Xhemal Mato mire qe ka hapur nje faqe interneti per kete pune, por si mund ta shohim se artikulli nuk thote gje, nuk jep adrese. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).