Janë qindra e qindra ikona të shpërndarë në tre muze të artit në Shqipëri. Nëse aty nga fillim viti ’90 nuk do plaste rëndom vjedhja dhe prishja, ato do rrinin sërish aty ku ishin.

Por, ja që s’ndodhi kështu. Sot të strehuara për siguri, paraqesin një gjendje e cila është më shumë se katastrofike. Mustafa Arapi, specialisti i njohur i tyre, ishte një nga njerëzit e parë që do vinte alarmin për eprorët e tij, por apeli ra në vesh të shurdhër sepse pakkush e vuri ujin në zjarr. Ashtu si do ndodhte dhe me shumë gjëra të tjera dhe lumnaja e ministrave të kulturës që zëvendësojnë si kukullat matrioshka njëri-tjetrin nuk mund të bëjnë dot edhe sot asgjë. Pastaj fjalë. Fjalë.

Realiteti, me të cilën përballen sot ikonat, është se ato mbahen në kushte, të cilat mund të quhen realisht të papranueshme. Mungon përshtatja e duhur e klimës dhe po ashtu edhe kushtet për t’i mbrojtur ato në kushte optimale.
Por, sot të 778 ikonat e artit mesjetar që janë në Muzeun Kombëtar Historik (MHK) në Tiranë kërcënohen nga dëmtime serioze. Prej vitesh nuk është vënë dorë, ndërsa mbrojtja e tyre prej agjentëve të mjedisit është gjithnjë e më shumë në dorë të fatit.

“Nuk mund t’i kushtoj ndonjë kujdes të veçantë mbrojtjes së tyre, sepse në një gjendje njësoj jo të mirë janë dhe reliktet e tjera të Muzeut Kombëtar”, ka thënë drejtori i muzeut Kombëtar Prof. Luan Malltezi. Dhe, ka një të drejtë. Prej vitesh, që s’mbahen mënd Muzeu vuan lajthitjet e politikës dhe më shumë akoma projektet e tyre gati për ta transformuar atë komplet.

Ikonat
Për hir të së vërtetës, problemi i vjetër/i ri i ikonave ka dalë së fundi pas ekspozimit, që u bë në nder të 45 vjetorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK). Në këtë aktivitet u ekspozuan dhe pesë ikona, që ishin restauruar nga ky institucion dhe që kishin qenë pjesë e fondit në ruajtje të Muzeut Kombëtar.
Pas viteve ‘90 në Shqipëri kishte filluar të evidentohej dukshëm dhe shumë shqetësues fenomeni i vjedhjes së ikonave dhe objekteve të luajtshme liturgjike prej kishave, ashtu sikurse edhe vjedhja e ikonostaseve apo fragmenteve të tij. Për këtë u vendos të bëhej grumbullimi i tyre në tre fonde të qyteteve të ndryshme ku gjenden akoma edhe sot, sipas specialistes së Institutit të Monumenteve, Edlira Çaushi.
Nga ky grumbullim u realizua që Fondi i qytetit të Korçës të mblidhte në muzeun e tij rreth 6000 ikona, ai i Beratit rreth 350 ikona dhe ai i Tiranës plot 778 ikona, po ashtu edhe fragmente ikonostasi dhe objekte të tjera liturgjike.

Edhe kjo masë nuk i shpëtoi ikonat. Ato që mbetën u bënë sërish pre e vjedhjeve dhe dëmtimeve, që vazhdojnë e kësaj dite. Bëhen zakonisht nga njerëz të cilët kërkojnë të fitojnë por edhe thjesht për motive krejt të dobëta. Mbi të gjitha ato që ishin në IMK vuanin mbartjet e vazhdueshme pa zot të institucionit nga njëri vend në tjetrin.
“Kalimi i ikonave drejt MHK-së u bë me një urdhër ministror, dhe mendoj që ishte një zgjidhje jo e keqe për momentin. Për IMK-në, me gjithë spostimet e selive që ka pasur (vetëm 4 në pak vitet e fundit) do të kishte qenë e vështirë gjetja e hapësirave për depozitimin e 778 ikonave dhe ikonostaseve, si dhe të objekteve të tjera, përveç faktit, që ndërrimi i shpeshtë i destinacionit dhe transporti i ikonave që paraqesin një gjendje të degraduar, është absolutisht i parekomandueshëm për to dhe standardet e konservimit të veprave të artit në dru”, thotë specialistja Edlira Çaushi, që tashmë po drejton një përpjekje për restaurimin e tyre.

Problemi
Në këtë masë u pa që mbrojtja në këto muzera, të paktën do t’i shpëtonte katrahurës së përgjithshme. Ish drejtori i Muzeut Kombëtar, Moikom Zeqo, në kohën e tij dhjetë vjet më parë, mblodhi në bashkëpunim me specialistët e Instituti të Monumenteve një sërë punësh dhe me këtë rast nga ky koleksion u ngrit dhe pavioni ikonografik.
Shpresa e specialistëve ishte e kënaqshme për mbrojtjen por rezultoi e pamjaftueshme për problemin e mirëmbajtjes. Muzeu Kombëtar me fondin e marrë nga Instituti, as edhe njëherë nuk mundësoi ruajtjen në parametrat e duhur të tyre. Madje edhe thjesht rreth 50 ikonat që gjendeshin në Pavionin e saj model, nuk e kishin këtë mundësi.
“Ne paguajmë rreth 250.000 lek (rreth 24.000 USD) në një vit për energjinë dhe edhe këtë mezi e realizojmë. Në rast se Muzeu do të ishte në kushte optimale duhej që të patën të paguante rreth 200.000 Euro në vit për të krijuar të gjithë komoditetet e nevojshme jo vetëm për ikonat por edhe gjithë reliket e tjera”, thotë Luan Malltezi.
Muzeu Historik Kombëtar është objekti kryesor i ruajtjes së trashëgimisë historike shqiptare. Përgjatë pavioneve të tij është historia e periudhave të ekzistencës së Shqipërisë që nga periudhat prehistorike. Ai u themelua më 28 Tetor 1981 dhe është muzeu më i madh në Shqipëri dhe njëkohësisht edhe nga më të rëndësishmit.

Ai ka në fondin e tij 3600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, pjesa më interesante e të cilave u përkasin periudhave që nga Paleolititi deri në Antikitetin e vonë (shek. IV e.s); këto janë ekspozuar brenda Pavionit të Arkelogjisë, që numëron në vetvete mbi 400 objekte. Ndër koleksionet më me vlerë të këtij seksioni janë ato që evidentojnë periudhën arkaike dhe periudhën protourbane ilire të kulturës Shqiptare.
Në pavionin e Periudhës Mesjetare, me më shumë se 300 objekte, realizohet dokumentimi i procesit historik të vazhdimësisë Iliro-Shqiptare. Koleksionit të kësaj periudhe iu shtua në vitet e fundit edhe pavioni i ri i ikonave që ka në inventarin e vet edhe një ikonostas nga Elbasani dhe 50 ikona të marra nga koleksioni i Institutit të Monumenteve të Kulturës e të mbledhura nga objektet e kultit gjatë 50 vjetëve të fundit në të gjithë territorin e Shqipërisë.

“Në kohën kur isha drejtor, realizova vendosjen e këtij koleksioni në një vend të errët dhe ku luhatjet e temperaturave s’ishin aq të mëdha. Kjo ishte ajo që mund të bëja, në kushtet e paraqitura”, ka thënë Dr. Moikom Zeqo. Por edhe kjo gjithsesi ishte e pamjaftueshme për qëllimin kryesor që ato jo veç duhet të ruheshin por edhe të konservoheshin.

Shqetësimet e ngritura nga specialistë të ndryshëm për problemin vazhdimisht kanë rënë në vesh të shurdhër aqsa kjo ‘e uli’ fare problemin në vetvete. Ato vazhdojnë të ruhen në Muze dhe tashmë specialistët e fushës mendojnë se ka ardhur koha për një apel më të gjerë. Kuptohet kur shikon zhvillimet kaq kaotike të Ministrisë së Kulturës e ke të vështirë të besosh se gjërat mund të ndryshojnë. Megjithatë, para faktit të kryer s’ke çfarë të bësh.
“Sigurisht, nuk është mire që një ikonë e krijuar për një funksion të caktuar dhe për të qëndruar në një kontekst të caktuar siç është ikonostasi, të gjendet e depozituar në magazinën e një muzeu, por përderisa, kushtet e ruajtjes së tyre mbeten akoma të pafavorshme, ndoshta është zgjidhja më e mirë. Gjendja e tyre paraqitet jo e favorshme. Një pjesë e madhe e tyre paraqesin gjendje konservimi jo të mirë, edhe për shkak të kushteve jo të mira në të cilat ndodhen”, thotë Çaushi.

1 Komente

Me pelqejne Ikonat so forme arti,nuk jane aq te lehta per tu pelqyer ashtu si mund te pelqehet nje veper tjeter arti.Aty duhet te kuptosh logjiken shpirterore te ikones,simboliken e ngjyrave te formave te proporcioneve te teknikave te realizimit etj etj etj

Me vjen keq qe jane ne kete gjendje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).